E shtune, 27.04.2024, 11:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Zeno Gjika: Shënjtëria e Fjalë

E hene, 28.11.2011, 08:50 PM


Shënjtëria e Fjalës.

 

Shënime rreth librit “Pergamenë e gjallë”  i Albina Idrizit

 

Nga Zeno Gjika

 

…E para ishte Fjala!

 

1-Është ky reshti i parë i “Ungjillit sipas Gjonit”, të cilin, sa herë e kam marë në dorë, jam mrekulluar pas kësaj fraze. Ndoshta kjo s’duhet të quhet  thjeshtë “frazë”, por ashtu siç është quajtur në  bibël, zanafilla. Zanafilla e jetës. Sepse, pikërisht te fjala filloi, nëpër fjalë rodhi dhe te fjala përfundoi vetë jeta. Pa ç’ka në se qe fjalë perëndie apo njeriu.

Dhe unë, sa herë  mar në dorë Biblën, e filloj leximin e saj pikërisht nga “Ungjilli sipas Gjonit”, ndonëse ky është  i katërti në radhë. Dhe jo vetëm  për mrekullitë e birit të perëndisë, se sa për mrekullinë e kësaj fraze magjike, që të thith të tërin në  botën  e saj. Dhe resht pas reshti duke lexuar, nuk po shoh gërma   nëpër faqe libri, por shoh zemra të renditura në radhë, të renditura qyshkur, që çuditërisht rahin e frymojnë nëpër fjalë. Prandaj edhe fjalët janë të gjalla  dhe unë nuk i shikoj apo lexoj, por thjeshtë i dëgjoj tingujt e tyre. Ata tinguj, që s’janë gjë tjetër, veçse  rahje zemre, qoftë kjo zemër profeti apo njeriu të thjeshtë. Prandaj dhe fjalët janë të shënjta, sepse janë shënjtëruar duke mbartur frymën e jetës nëpër hojet e tyre.

Këto mendime më shkrepëtinë në  nënvetëdijen time, ndërsa nisa të çfletoj librin

“Pergamenë e gjallë” të Albina Idrizit, libër, i cili çuditërisht, fillon me frazën lapidar…E para ishte fjala. Befasia ishte më se e plotë, por tërësisht e këndëshme qysh në hyrje, një hyrje, të cilën s’di si ta quaj, një hymn për Fjalën apo një manifestim i bukur i Fjalëve, para tribunës së syve të lexuesit, si nëpër manifestimet e 1 Majit. A ju kujtohen këto manifestime? Nxënësit të veshur me uniformat e pastra, të larë e të krehur, të qeshur ( më shumë që do bënin një ditë pushimi, se sa do festonin nje ditë feste, që gjithsesi se kuptonin se pse qe festë). Por ata parakalonin, duke tundur buqetat me lule që mbanin  në duar, duke e mbushur ajrin me cicërimat e zërave të tyre dhe aromën e luleve.

E pra, aty kalonte vetë zoti, i mishëruar në fëmijëri.

Dhe autorja e quan fjalën ashtu siç është në realitet: “Perëndeshë e  një universi të tërë, që gëlonte përbrenda qënies njeri”.

Prandaj ajo e respekton aqë shumë fjalën, e shoqëron plot përkujdesje për te lexuesi, thua se i përgjërohet që ta falë, që ajo guxon ta vendosë nëpër faqe libri dhe ta shndrojë këtë libër në altarin e saj.

Në atë altar, ku kushdo falet.

Sepse aty është e mishëruar shënjtërisht ajo, Fjala.

 

Ajo që…mund të rafshonte male të thepisura apo të qetësonte oqeane të trazuara. Mund të ecte mbi plagë e të mos lëndonte.

Mund të rëmbentë shpirtëra e vdekje të mos shkaktonte…

E bukura, e shënjta Fjala.

 

2-Sdi pse, gjithnjë kam qënë i bindur, se librat u ngjajnë atyre kishave të vogla nëpër fshatra të thellë malore, ku jo vetëm banorët e fshatit, por edhe  udhëtarët  shkojnë e ndezin një qiri. Jo aqë për shpirtin e shënjtit, emrin e të cilit mban kisha, se sa për  ndihmën që ata i kërkojnë atij.

Kjo ndjenjë më forcohet, sa më shumë ecij nëpër faqet e librit “Pergamenë e gjallë”.

Dhe s’kam nevojë të shikoj shumë, të dëgjoj shumë zhurma të jetës, të cilat  të trazojnë mendimet e ti lëkundin  porsi  deti, varkën e vogël të peshkatarit..

Mjafton të ndjek pas “Poetin  pelegrin”, për të kuptuar sakrificat e njeriut për të arirë te maja e synuar…atyre u hiqeshin një nga një aftësitë shqisore a gjymtyrët, si të parët, në mënyrë që ata të shihnin atë që s’shihej me sy…

S’di pse mu kujtua ajo thënia e vjetër, që edhe Homeri u vetëverbua, që të shihte me sytë e mëndjes atë që s’shihet me sytë e ballit.

…E pra, Gjon Poeti ishte nisur… Dhe unë s’di pse u ngatërova te ky  resht, të cilin e lexova.. .E pra, Shën Gjoni ishte nisur…

Me siguri për të shkruar Ungjillin, do shtoja unë.

Dhe në qoftë se dikush do ma quajë lajthitje paralelizmin e mësipërm, unë do ta ftoja ta lexonim bashkë,  këtë tregim, dhe  do ti dëshmoja resht pas reshti ëmbëlsinë e Fjalës, thua se ishte marë  mot a mo, nga “Ungjilli sipas Gjonit”. Apo mos doni të lexojmë historinë  “Shoqja e klasës”, ku dhe zemërimi dhe refuzimi jipen  me ca fjalë, nëpër gërmat e të cilave nxjer krye një  ëmbëlsi e një dhimshuri që të mallëgjen. Ashtu si një lule  mes gurëve të malit. Sepse ne jetojmë një jetë njeriu, në një botë plot njerëz, larg të qënit …kukulla dhe …botë… e jetë …kukulle. Pavarësisht, kukull plastikë apo prej leckash. Kjo ska rëndësi. Sepse ne jetojmë një jetë, në të cilën të ndjehemi mbretër të jetës sonë dhe të mos kemi nevojë për të jetuar një jetë …me përalla me mbret.

 

3-Por unë do tju ftoja të lexoni edhe tregimin “Amnezia”, jo për të parë subjektin e saj, por për të parë  ëmbëlsinë jetëdhënëse të  Fjalës, të asaj Fjale të thënë  mote më parë dhe që endet zemër më zemër, kudo kur ka një stinë shqipëtarie.

Dhe në qoftë se jemi të ndërgjegjshëm, që vargje të tilla si “Fjalët e qiririt” mund ti shkruajë vetëm një poet i madh, mënyra e shtrimit të këtyre vargjeve me subjektin e tregimit, na dëshmon për një talent të madh të autores, e cila ka kohë që ka tërhequr vemëndjen e lexuesve. Dhe jo më kot.

Por unë do të thoshja se edhe mënyra e zgjedhjes së Fjalëve dhe e latimit të  shprehjeve e fjalive  është e tillë, që të krijon një ndjenjë  estetike në lexim. Ke dëshirë të vraposh resht pas reshti, jo aqë për të  parë se çdo tregojë autorja, se sa për të përjetuar mënyrën fine dhe plot ëmbëlsi, me të cilën e tregon atë që thotë.

Kemi patur rastin të lexojmë volume të tëra me subjekte intigruese, por që na ka lodhur e torturuar mënyra e të shkruarit e autorit. Ndërsa te ky libër, subjekti që tregon autorja bëhet interesant,kryesisht  falë mënyrës plot ëmbëlsi të të treguarit.

Më falni, të të shkruarit artistik të autores..

Dhe ky është një art të cilin, jo kushdo që shkruan, e zotëron.

Por, ndoshta duhet edhe të themi, se, jo kushdo që e lexon, e shijon.

 

4-Le ta lëmë pas “Hijen e pritjes”, le të vrapojmë e të ikim bashkë me personazhin nga “Parisi tjetër” dhe le të rimë e të dëgjojmë “Bimi-n” me pyetjen e tij ndërgjegjebrerëse:-A do ta doje ti?..për të aritur te përgjigja penduese e dhënë po prej tij:-Gabim zotëri,gabim! Duhet ta kishit dashur.

Mbajeni mënd këtë përgjigje,ju lutem, se do ju vlejë shumë kur të lexoni “Vajza e mësuesit”(që mua s’di pse më kujtoi Vajzën e valëve) dhe të arini kulmin te “Udhëtimi zyrtar” Mbajeni mend, dhe ca më tepër mos haroni ta thoni, sa nuk është von. Dhe ajo qëe ka më shumë rëndësi, është që tua thoni atyre grave dhe vajzave, realisht motrave dhe grave tuaja, të dhunuara nga pushtuesi sërb, gjatë atij episodi të turpshëm të luftës së fundit.

Përgjithësisht nga krijuesit kosovarë, çuditërisht heshtet për këto  episode. Heshtet duke u përpjekur   për të  “fshehur turpin”, ndërsa s’bëjnë gjë tjetër veçse fshehin krimin. Dhe fshehësi i krimit është vetë një tip krimineli.

Imagjinoni pak ju lutem luftën e brendëshme shpirtërore të atyre grave e vajzave, të dhunuara , jo rallë herë në sytë e bashkëshortëve të tyre. Ishte si të  vlonte magma e një vullkani, gati në shpërthim. Korja e tokës dhe shpirti i tyre e mban  aqë sa mund ta mbajë  shpërthimin e vullkanit. Por në qoftë se krateri i vullkanit është në fund të një oqeani ( apo indifference e përbuzjeje bashkëshortore), atëherë dhe llava e  parë do ngurtësohet, duke e zënë grykën e kraterit dhe duke e bërë më të lemerishëm  shpërthimin e mëpasshëm. Ato gra dhe vajza që heshtin nën indiferencën dhe shpërfilljen e të dashurve të tyre janë këto vullkane më kratere të ngurtësuara. E nesërmia sjell gjëmën. Por unë do ti pyesja këta “trima” indiferentë : Ku ishit dhe çfarë bëtë ju, kur ato u shndruan dhunshëm në viktima? Apo mos shkëmbenit mesazhe në facebook. A e dini ju “trima të facebookut” se ajo dhunë e  ushtruar mbi ato, ishte  “restua” e qëndrimit tuaj. Dhe tashmë ju  shkokeni me  dashnore për “udhëtimet tuaja zyrtare”. S’më mbetet të them gjë tjetër, veçse të perifrazoj ironikisht atë shprehjen e famëshme kinematografike në versionin:-Na paska zënë dashnore dhe Sandër Mafishta dhe shkoka në shërbim bashkë me të.

-Shumë seriozisht e more këtë cikël tregimesh, do thotë dikush.

Vërtet, harova që ishin veçse tregime të botuara në një libër. Më ngushëllon pakëz ky fakt, por mënyra artistike e të shkruarit të tyre, mi solli si të gjalla para syve.

Dhe unë u revoltova me personazhet , ndonëse ajo që vë re është fakti se autorja edhe portretet e tyre i jep të gjalla, me ngjyrën e hirtë të një trishtimi gjithëpërfshirës, duke  dëshmuar kështu dhimbjen  e saj edhe për këta “trima facebooku”, që jeta u dha një  goditje që nuk e meritonin dhe që nuk e mbanë dot. Të vjen keq edhe për “Bimin” dhe për “Bimët” e tjerë, pavarësisht se e pranuan  apo jo më në fund, që ato gra e vajza “duheshin dashur”.

 

5-Fjalët e pakta të  tregimeve të Albinës flasin shumë. Mjafton që ato të jenë fjalët e duhura, të vendosura në mënyrën e duhur, në frazat e duhura. Sa pak  flet te “Lamtumira e Ali Kurbetit”. Gati gati, si në një skicë. Por që në fillim, me mbiemrin e gjetur të personazhit, ose më saktë me epitetin e  shndruar në mbiemër, duke na e dhënë afër dhe larg personazhin Ali Kurbeti, autorja ka  bërë gjetjen e duhur, sa për dhjetra faqe biografie. Por nuk mjaftohet me kaqë. Surprizat vijojnë, dhe të bukura, mandje.

ishte zakon,që vajzat të cilat martoheshin, zgjoheshin me të gdhirë mëngjezi, vishnin  robat e nusërisë , hidhnin një shami në kokë, duke mbuluar me të fytyrën dhe dilnin të shoqëruara nga një shoqe e zgjedhur, për të vizituar me radhë shtëpitë e familjarëve të afërt, duke qarë me zë e duke vajtuar, që nga babi e nëna, nga më i madhi e te më i vogli e deri te shoqet me radhë….

Unë nuk e di sa e ndërgjegjëshme është autorja për këtë gjetje apo prurje madhore të një zakoni kaqë të bukur, mjerisht të haruar.

Gjithmon kam pyetur veten për shkakun e vajtimit të nuseve ditën e dasmës,sidomos në momentin e nisjes për te shtëpia e burrit. Shpjegimi i dhënë diku, nga dikush, se ky vajtim është një atavizëm i zakonit të hershëm të  rëmbimit të vajzave për nuse, nuk më ka mbushur mëndjen asnjëherë. Duke studiuar folklorin e krahinës sime, çuditërisht  bie dakort me konkluzionin e autores nga Gjilani i Kosovës, se ky vajtim…ishte një lamtumirë e tërë viteve fëminore, ëndrave, lojrave dhe bredhjeve të pa brenga.Lamtumirë e një jete, që kurrë më sdo kthehej…

 

6-Autorja e do dhe e respekton Fjalën, sepse e di që ajo është e shënjtë.

Dhe libri është altari i saj.

Ndonëse fjalë e shkurtër e libër  me “pak” faqe.

Dhe të gjithë shënjtorët të pakët kanë qënë nga  shtati.Të pakët e të dobët.

Gati asketikë.

Por gjithsesi, të shënjtë.

Dhe emri i tyre përmëndet me nderim, jo vetëm te kishat me emrin e tyre, dhe jo vetëm gjatë shërbesave  fetare. Gjatë atyre shërbesave  ku lexohet Ungjilli.

Ai Ungjill, që fillimisht ishte shkruar në pergamenë.

Në pergamenë doja ti shkruaja dhe unë këto shënime, mbajtur gjatë leximit të  librit  “Pergamenë e gjallë” të Albina Idrizit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora