E shtune, 27.04.2024, 08:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë - Mos qoftë thënë

E marte, 29.11.2011, 11:26 PM


Sabit RRUSTEMI

 

ZJARRMI  E  KTHJELLTË

 

M o s  q o f t ë  t h ë n ë

 

 

KEQA

 

Keqa nuk e ka të shkurtë veç emrin

Po edhe qafën

Mos ia kthe fjalën

 

Ai nuk kërkon shumë

Pak krypë dhe barut

Mos paç foli butë

Se ai të madhe flet vetë

 

Koha e bani të sertë

 

Për krye t'nanës rrëfehet e përbehet

Nji botë e prapton

E le ma Gjakovën Prizrenin

 

Me ia shkelë hijen

Si me ia zanë venin

Të vret si reja për s'kthjellti

 

Bile nuk t'i kshyrë as qinat

Kah i rrot'llon sytë

Martinat

 

Mos e leni pa krypë e barut Keqën

Se nuk ia ban' toka

 

Ai veç emnin e ka të shkurtë

A mbahet n'mend gjat’

 

 

I PAMBROJTUR DËSHMOJ

 

Nuk e dua Karla del Ponten

Ka frizurë fallse

 

Ma sillni një rriskë marti-ni

Ta shterrë me fund

Për Shtëpinë e Verdhë

Një dëshmi kam dhe unë

 

Ishte Pranverë Tetëdhjetë e Një

Sapo kishim shkrirë një dimër

Stina e re mugulloi me dimër të ri

 

Aty në Breg Dielli

Një Shtëpi e Verdhë

Lëshonte kobra helmues

Mbi Pëllumba të rinj

 

Ua them dhe datën dhe vendin

Njëzetegjashtë Mars Tetëdhjetë e Një

Qyteza Studenti në Prishtinë

 

Atëkohë Haga s’na shihte me sy

Një mur ndante dhe Brukselin

Nga mua nga ty

 

Ma sill dhe një martini

Atë frizurë alla del ponte

S’dua ta shoh

 

Në burgun e Prishtinës

Me njërin nga kobrat e asaj shpie

Kemi qenë pjesë e një dhome

Një çatie

 

Njëzetetri ditë rresht

Sytë s’ia kam ndarë

As m’i ka ndarë

 

Në ditën e njëzetekatërt

Deli Kobrashiqit ia zgjidhën duart

 

Me urdhër prej lart

Mes rreshtas iu tha

I lirë je sall helmo

 

Ajo e Verdha Shtëpi

Ende aty është

 

Deri në të nëntëdhjetenëntin vit

Na therri sysh

Zemrave tona u katrris

 

Dëshmi keni një det lotsh

Prej tonave nëna

Dhe një mal të prerë gërshetash

Nëpër porta pritjesh

Me sy motrash

Dashurish të shterrura

 

Ç’doni më shumë

 

Shtëpia këtu është

Gjejini vetëm kobrat

Unë vij 

 

I pambrojtur dëshmoj

 

M’i sillni dhe dy  martini

T’i pijë me fund

Ta flakë tutje këtë frizurë

Që m’është mbështjellur fundit të barkut

Si kobër

 

E të rri shlirë në timen votër

 

(5 janar 2011)

 

 

FURTUNË MBI TOKËN TIME

 

Zjarrmi e kthjelltë

Reshë mbi Tokën time

Reshë e nuk pranë

As në ditët me diell

As në netët me hënë

 

Mali nuk bën zë

Ndrydh gjëmët nën dhëmbë

Si ajo kodër përmbi

Që digjet deri në hi

 

Krojet struken në thellësi

Lumenjtë kaplohen etjesh

Avullohen treten në eter

Pllakos qetësi

 

Koha e Lules ikën

Faqeve të internetit

Dritaret ndizen prej vape

Prej syve të këqinj

 

Mbyll veten time nën lëkurë

Natës së betontë

Pa një pishë pa një bli

E një flatër zogu që miklon

 

Se kah shfaqet një dredhë

Një erë një gjarpër i zi

Si në ëndërr

Më përlanë mua ty

 

Kupa qiellore vërshohet

Nga avujsh të ndezur toke

Vlon prej majegishtash

Në majekokë

Nuk sheh më ngjyrë tjetër

Vetëm zi vetëm zi

Si mos më zi

 

Shpërgjumem prej ankthi

Fërkoj sytë

E nuk besoj

Në atë që shoh

Bëje zot ëndërr sërish

Çirrem e lutem në zë

 

Nis e fryn me furi

E bie bie shi

Shi i akullt shi i zi

 

S'kam kohë as të dal

As të rri si të rri

Ëndrra e jetës sime

Vërshohet tërbohet

E thyhet përsëri

 

Si më mashtroi kjo kohë

Kjo kaltërsi

Aq shpejt u mbyll nën re

Vetëtoi e qëlloi syve të mi

 

Nuk e shoh më portën

As rrugën

 

Tokës sime

Si t'i dal përpara

Më ka marrë mëri

S'ma kthen më atë bukë

Atë ngrohtësi e dashuri

 

Ngre kokën

Çelë ballin zemrën

E nisem

 

Përballë furtunës

Që sulet 

 

Me atë që kam

Me atë që di

 

Edhe kur qëllohem

Rrugën s'e kthej as kokën

Vetëm e përgëzoj

Që më zuri befas

Dhe tallem me të

Tmerrësisht tallem

 

Sa të fortë e ka goditjen

Kur qëllon krejt papritur

E ikë pahetueshëm

 

Toka ime prapë mbetet

Në duart e mia

Alfabet i jetës

Duke pastruar

Mllefin e zbrazur

 

Dhe atë rrugë

Kah Ëndrra Ime

Që pres të kthehet sërish

Dashuri e Jetës

 

(2 Gusht 2009)

 

 

KRECKA

 

I

Mbinë

Nën plasa guri

A rrënjëve të thella të çarrit

Aty ku ka pak vend për ty

E ka kush të mbanë në gji

Të falë dashuri

 

Bimë drunore e një vendi të thatë

Një mal zogjsh kërkojnë uratë

Pas atyre gjetheve

Që ngjyrë ndërrojnë

Nëpër stinë

Çmenden drenushat

Pa gjumë netëve me hënë

Mbesin dhe çunat

 

E bukur dhe e dashur

Nëpër rrëza are e mali

Thyhesh e përthyhesh

Na mbetesh nëpër duar

 

Shkrihesh e tëra

Duke na nxerë

Prej zjarrit sosesh 

As hi lë në oxhak

 

II

E lehtë je për krahët tanë

Si një pupël e ngazëllyer

Pas dashurisë

 

Të shndërrojmë në shkallë

Deri te ajo dritare

Ku puthë dritë e hënës

 

Të bëjmë dhe shtizë

Për ta tjerrë pritjen e pasosur

Në sytë e Penelopës

 

Të zgjatim edhe si bishtkrrabë

Deri te ajo majë molle

Ku prêt e nuk jepet lehtë

Ajo faqekuqe fytyrmollë

 

Përmes teje

Dhe fatin tonë të jetës

Pijmë sofrave

 

Si lugë të lëpijmë

Përmes gjuhësh

 

Dhëmbët na i ruan prej hekuri

 

III

Një erë e lehtë

Të dredh të përdredh

Sa lehtë

Oh sa lehtë

Dora e shkujdesur të thyen

 

Krëckë krëckë

Jehon dhembja jote

Vaji yt

 

E mali loton

Thellë në brendësi

Nis e shëron atë plagë

Atë gjëmë

 

IV

Ti je e lakmueshme

Ëndërr e dëshirueme

Vetëm si e virgjër

Tek lahesh nën rrëke lotësh qielli

Shpupurishesh nga flatra zogu

Mbrëmjeve me puhi

 

E bukura e thyeshme e malit

Nën atë strehë të çarrit

Si të të ruaj

Dhe nga pesha e pamatur e fjalës

 

Dora ime

Mos qoftë thënë

Të ta nxjerrë ndonjëherë

Atë krëckamë

 

(18 Gusht 2009)

 

 

THANA

 

Ai trup i dëshiruar

Të forta ka degët

Nuk t’i falë lehtë as gjethet

 

I ke provuar faqesh

Ato jeshile të paepura

Djegin si vashat e virgjëra

 

Po nuk u lëmuan më parë

Me shputa duarsh ngadalë

Po nuk u përkëdhelën

 

Ato lëkura jeshile

Nuk zbresin harresës

As kur vjen stinë e vjeshtës

 

Kur piqen harxhohet shpejt

I shkundë dhe një erë e lehtë 

A ndonjë rigë shiu

 

Prape Zot ndonjë furi

Sa të futet imja dorë

Në të sajin gji

 

Shtrat i bëhem përsëri

 

(5 gusht 2010)

 

 

MONOLOGU I KRONIT T'MIRË

 

Buroj prej zemrës malit

Nëpër dejt e kësaj toke

Plasave prej guri përbirohem

A rrënjëve të kësaj shkoze

 

Mbush me ujë atë gotë shprese

Për ato buzë që i kaplon etja

 

Kur mungon ajo që dua

Një grishë prej mali vjen

Më ngushëllon mua

 

Po unë rrjedh e s'ndalem

Rrjedh e vijë

Atje ku më pret ti

Jotja dashuri

 

(10 dhjetor 2009)

 

 

GURRËS

 

Dil nga thëllësia jote

Gurro

Gjerë e gjatë botës

Shmange fundin e gotës

 

Për askënd  mos shterr

Se shpejt harrohesh

Nën hijen e një kroi të ri

 

(7 gusht 2010)

 

 

PEMËS QË DUA

 

Nuk zmbrapsen nga krimbat

Tek rrëmojnë nën lëkurë të saj

Buzëqeshjen me shije frutash

I a dua

Jo atë rrëke lotësh

Syrin me vajë

 

Do ta përkëdhelë nga rrënjët

Deri në majë

Me dashurinë time

Do ta ngjyros

E s'do prajë

 

(9 Maj 2011)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora