Kulturë
Cikël poetik nga Alma Begaj
E shtune, 10.12.2011, 02:37 PM
Alma Begaj - Durrës
Shkëputur nga vëllimi me poezi "Farfurima e shpirtit''
DRITË NGA DASHURIA
Rrufeja
çan qiellin.
E vret në errësirë
qiririn e natës’.
Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!
Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.
Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!
NATË
Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.
Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.
TROKTH
Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.
NJOHJE
Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!
MES SHPIRTIT DHE MENDJES
Jemi fryt i kohës, si njësi paralele
mes shpirtit dhe mendjes
në goditjet e çdo çasti,
Dhe, si ciganët që enden,
me fijet e mendimit
projektojmë të ardhmen.
Vallëzojmë mbi të lashtat melodi,
të kaluarat na shembin,
të tanishmet i jetojmë në agoni.
E endemi në ato që do të vijnë,
sepse fijet e kujtimeve,
gjithnjë dhe ende me ne udhëtojnë.
EH, Ç'NGOPJE N'BARDHAK
Puhia e detit,
nuk ngurroi aspak
që, bashkë me valën,
hënën t'ma derdhte
..n'bardhak..
E piva e më dehu,
fijevetullën e saj,
syrin kur ma shkeli
buzëqesha pa skaj,
..eh, ç'ngopje..
GRIMCA
*
E shëmbe dheun
nën çapin që po hedh.
Hije plot nur fytyra.
*
Je midis grimcash
të së përditshmes.
Bukur plotësohemi.
*
Më mungojnë yjet.
Kur u vodha buzëqeshjen,
në pus i hodha.
*
Me duart e mia
trazova valën e ujit
dhe jashtë, u turbullua pasqyrimi.
Sytë e tyre, më thanë lamtumirë..
ÇUDI..
Hënëza e vetme
mbi një tendë blu,
m’i ngatërroi orët
kur ëndërroja për dashuri..
Dëgjoja zërin tënd
që vinte nga aq larg,
asgjë nga fryma jote
të përqafoja në boshllëk..
Pse më zgjodhi mua?
TA HUMBA FYTYRËN
Në sy humba pamjen,
dhe errësira u mbush me dritën tënde.
Në skajin e heshtjes së shkretëtirës së brishtë
dritën e agimit thekove,
dhe era e detit i mori krahët e mi,
kur uji yt, hyri në mua.
MBRËMË
Mbrëmë,
të ëndërrova në ngjyrat e kohës,
era luante me flokët e kujtesës.
Mbrëmë,
kam jetuar dhimbje e vajtim
loti ishte i hidhur deri poshtë në gji.
Mbrëmë,
Prita të vije, e jetoje ëndrrën me mua
të ecnim të dy nëpër natë deri në agim.
Sonte do të vish?
THESARI
Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.
NDËR LOT..
Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.