E premte, 11.10.2024, 12:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Hajredin Isufi – ‘’Feja dhe Flamuri’’ - Dom Nikollë Kaçorri (VIII)

E merkure, 07.12.2011, 09:02 PM


HAJREDIN ISUFI:

“FEJA DHE FLAMURI”

- Dom Nikollë Kaçorri -

 

(Pjesa - 8)

 

(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)

 

7. PAVARËSIA

 

“ … sot për të gjithë shqiptarët ka ardhë një ditë e bardhë, që na mbushë me gëzim dhe shpresë. Të gjithë bashkë, pa dallim feje, si vëllazën që jemi, sot e tutje do të jemi zotë të vendit dhe të panënshtrueshëm askujt, veç të madhit Zot.

Imzot Nikollë Kaçorri

Vlonë, 28 Nandor 1912

 

Atdhetarët ma të shquem të të gjitha trevave shqitare u mblodhën në Vlonë dhe po përjetonin ngjarjen ma të shqueme të historisë së kombit: ngritjen e Flamurit Kombtar, Shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e Qeverisë së Përkohëshme. Ai flamur, që tetëmbëdhjetë muej ma parë ishte ngritë në Deçiq nga legjendar Dedë Gjo’ Luli, flamuri i parë mbas gati pesë shekujsh me shqiponjen dykrenare mbi sfond të kuq, si gjaku ishqiptarëve i derdhun lumë për liri, tashti valëvitej në Vlonën e Historisë. “Ishte realizuar ëndërra e Dom Nikollë Kaçorrit, e klerikut katolik patriot, që kishte punuar e sakrifikaur nga jeta e tij aq shumë për Shqipërinë dhe kishte bërë ç’ishte e mundur për Atdheun, që e kishte në zemrën e tij  më afër se Kisha, prelat i së cilës ishte”, thekson historiani Hajredin Isufi. “Ishte hera e parë, pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që patriotët më në zë të krahinave të Shqipërisë, të ishin aq pranë njeri-tjetrit dhe të gjtihë së bashku”, vijon ai. “Ata ishin grumbulluar në Vlorë, jo për t’i treguar njëri-tjetrit kush kishte luftuar e vuajtur më shumë, por vetëm e vetëm të përjetonin çastet e lumtura, që sakrificat që kishin bërë shqiptarët dhe ëndërra e madhe për të cilën kishin luftuar, po realizohej”.

Nuk asht rasti të përshkruejmë Ditën e Madhe të 28 Nandorit 1912. Atë e di çdo njeri në të cilin rreh zemër shqiptari.

Dëshiroj të kujtoj me këtë rast se Imzot Kaçorri u zgjodh Nënkryetari i Qeverisë së parë të Shqipnisë së pavarun, jo rastësisht apo për kombinacione, por sepse ishte njeriu ma në za sa i përkiste veprimtarisë atdhetare mbrenda vendit dhe me aftësi të shqueme. Asht domethanëse për ata që kanë dëshirën e mirë të kuptojnë simbolikën e aktit, se Imzot Kaçorri u zgjodh në atë detyrë me propozimin e delegatit të Gjirokastrës Veli Efendiu. Nuk besoj se ka nevojë të komentohet. Krahu i djathtë i Ismail Qemalit, si thotë një kangë e Lurës së Tij, ishte “… i mendshëm, i kulturuem, energjik, i dashun dhe njeri i thellë për botën. Ky burrë punoi gjithmonë për Shqipninë e bani ç’mundi …. Atdheu i tij qëndronte në zemër ma afër se Kisha, prelat i së cilës ishte”, do të shkruente Amali fon Godin, që kishte ndjekë nga afër gjithë veprimtarinë e tij dhe ishte e pranishme gjatë gjithë kohës në Vlonë.

Sa u shpall Pavarësia, Imzot Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi dërguen letra anembanë Shqipnisë Veriore, e pushtueme nga forcat serbe.

Imzot Kaçorri, përveç impenjimeve ato dit në Vlonë, udhëzonte me letra e me korrierë që dërgonte si të organizoheshin me i ba ballë pushtuesit të ri, Serbisë, sidhe në mbrojtje të Qeverisë së Vlonës. Menjëherë u mbajt një besëlidhje e re në mes prijsave të Dibrës, Matit, Bishkashit, Kurbinit, Krujës, Ishmit, Bregut të Matës, Mirditës e Lezhës. Organizatorë të kuvendit për besëlidhje në kushtet e reja e të randa kishin qenë përsëri   miqtë e Imzot Kaçorrit, Gjin Pervizi, Saida Kërtusha, vëllaznit Çoku etj.

Qeveria e Përkohëshme ndërkaq gjendej para sfidash të reja e të randa. Nuk ishte kohë festimesh. Shumica e Shqipnisë Veriperëndimore ishte pushtue nga Serbia. Jugu kërcënohej nga Greqia, armata e së cilës kishte arrijtë deri në Tepelenë. Popullsia shqiptare e krahinave të pushtueme kalonte çaste tmerri.

Vështirësive të jashtme të Qeverisë së Ismail Qemaliot iu shtuen ambiciet e Esat Pashë Toptanit. Nuk mund të duronte që Kryetar i Qeverisë të ishte Ismail Qemali e ai, “gjenerali” i Turqisë, vetëm një “copë” ministër. E për ardhjen e tij në pushtet, jo thjeshtë me marrëveshje “teknike”, por me lëshime konkrete, ai u mbështet tek Serbia, së cilës i dorëzoi Shkodrën, dhe Greqia, së cilës i njohu të drejtën mbi një pjesë e madhe të Jugut. Qeveria e porsaformueme e Ismail Qemalit po humbiste kështu besimin tek popullsia.

Imzot Kaçorri, i tronditun nga lajmet që mori për raprezaljet e Esat Toptanit e hordhive të tij, sidomos mbi popullsinë katolike, që prej Vlone u muer me organizmin e rezistencës, tashma ndaj “pushtusit” të mbrendëshëm. Edhe pse kuptonte mundësitë e kufizueme të një qeverie të porsaformueme, nuk mund të pajtohej me ngathtësinë e saj dhe tentativat për të zgjidhë  situatat jo nëpërmjet organizmit e ngritjes në kambë të popullit, por nëpërmjet disa marrëveshjeve pak të qarta e pak të pastra me aleancat e fshehta bulgaro-turke.

Në këto rrethana, Imzot Kaçorri, karakter i fortë e i papajtueshëm me shumë mbrapaskena, u tërhoq nga qeveria, por e mbështeti ate deri në fund. Ai e kishte kuptue se duhej të gjendej edhe fizikisht atje ku po luhej fati i Atdheut: Në Shqipninë e Mesme, ku sllavofili Esat Pashë Toptani rrezikonte përfundimisht fatet e vendit.

Me 18 qershor 1913, Esat Toptani shpalli Durrësin kryeqytet të Qeverisë së Përkohëshme. Ai acaroi në kulm marëdhanjet aq të mira ndërfetare që kishte kalitë Imzot Kaçorri ndër vite, akuzoi Qeverinë e Ismail Qemalit se kërkonte t’u prishte fenë e se “Baba Dovleti” do të kthehej përsëri në Shqipni. Në ndërmarrjen e tij tradhëtare Esat Pashë Toptani  gjet mbështetjen e plotë të Greqisë e Serbisë e veçanarisht të metropolitanit grek Jakovi, me seli në Durrës.

Imzot Kaçorri e kuptoi menjëherë se përçamja ndërfetare po përdorej në luftën për pushtet e se mund të kishte rrjedhoja të randa. Në një letër drejtue MPJ të Austro-Hungarisë, më 4 korrik 1913, shkruen: “… Simbas mendimit tem, ura e vetme e Shqipnisë qëndron në nji bashkim të përzemërt e të gjithë elementëve të çdo feje që gjenden mbranda kufijëve të saj” (kupto: kufijëve të Shqipnisë). Qellimi i kësaj letre ishte ma se i qartë dhe pa nevojë komenti: përpjekja e këtij atdhetari të shquem për të krijue një unitet e bashkim vëllazënor mes katolikëve e muslimanëve në të mirë të çashtjes kombtare përballë rreziqeve, që i kanoseshin vendit prej anmiqëve të kombit, që përpiqeshin të përdornin e të shfrytëzonin ndasitë fetare për interesat e tyne. Një përfaqësi i Qeverisë së Vlonës e përbame prej Luigj Gurakuqit, Hysein Vrioit e E’them Vlorës, me të cilët u bashkue edhe Imzot Kaçorri, përshkoi pothuej gjithë Veriun dhe kudo gjetën mbështetjen për Qeverinë e Përkohëshme.

Por plaga që kishte hapë Esat Toptani në Shqipninë e Mesme mblidhte përditë e ma shumë qelb: Ai po grumbullonte në Durrës “vullnetarë” esatistë, që thërrisnin “Rroftë Esat Pasha!”, “Poshtë Ismail Qemali!”, pikërisht kur ishte mbledhë Konferenca e Ambasadorëve  në Londër, që me situaten e krijueme njohu Qeverinë e Vlonës vetëm si qeveri lokale.

Gjendja e nderë e krijueme nga Esat Pashë Toptani e detyroi Imzot Kaçorrin t’u drejtohej edhe një herë atyne me të cilët kishte organizue e drejtue kryengritjet antiturke në vitet 1905-1912. Ai ishte kundërshtar i pakompromis i Esat Toptanit tek i cili shihte anmikun e kombit. Imzot Kaçorri kishte punue një jetë të tanë për Shqipninë: “Atdheu – do të shkruente për të Amaliaia fon Godin – ishte në zemër të tij ma afër se Kisha, prelat i së cilvs ishte ai”. E malësorët, megjithë se të çorientuem prej të gjitha anëve, iu përgjegjen menjëherë Imzot Kaçorrit, si e dëshmon letra publike e Gjin Pervizit dërgue gazetës “Shqipnia e Re” me 18 nandor 1913: “… Tradhëtari Esat Pashë Toptani kërkon ta vejë Kurbinin nën sundimin e vet, gja të cilen Kurbini as e don, as e ka dashtë dhe nuk shkëputet prej qeverisë shqiptare. Nëse qeveria tradhëtare e Durrësit, që asht në krah të Esat Pashës, do të dërgojë mëkambësit e vet në Kurbin, përgjegja do të kthehet në përleshje ……….

 

I pari i Kurbinit

Gjin Pjetri

 

Imzot Kaçorri, ndërsa lëvizte nga Kurbini në Breg të Matit, nga Lura në Lezhë, tue pa rrezikun e madh që po i vinte Atdheut prej Esatit, i dhanë atij besën se nuk do t’i nënshtroheshin kurrë “atij që kishte shkaktue aq fatkeqësi në të shkuemen në ato anë”, siç shprehet Hajredin Isufi, i cili vazhdon: “Fiset katolike ishin njerëz të pushkës, të punës, të fjalës së dhanë dhe të besës”. Nën udhëheqjen e Imzot Kaçorrit, Gjin Pervizit dhe vëllazënve Coku, lëvizja kundër Esatit u ba aq e fortë, sa ndali vrullin e tij për të vendosë adminsitrimin e qeverisë së Durrësit në Veri.

Sfida e fundit e Imzot Kaçorrit ndaj qeverisë së Esat Toptanit do të ishte festimi i njëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, pikërisht në Durrës, me 28 Nandori 1913. Kështu ngjau edhe në Kështjellën e Rozafës në Shkodër, ku fjalimin kryesor e mbajti Imz. Vinçenc Prennushi. Mbas fjalës së mbajtun në mitingun në Durrës, imz. Kaçorri dha meshen përkujtimore, ku veç katolikëve, morën pjesë edhe muslimanë e ortodoksë, si Jahja Ballhysa, Sulejman Kadiu, Pali Terka, Saida Kertusha, Sheh Adem Roda, Abaz Çelkupa, Neki Liobohova, Hafiz Ali Podgorica etj.

Kisha e Durrësit, kjo seli e Zotit, ishte kthye në seli e Atdhetarie.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora