E hene, 04.03.2024, 02:22 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Drejtpeshimi i brendshëm kundruall kaosit

E merkure, 14.12.2011, 07:59 PM


Bota e librit

 

Drejtpeshimi i brendshëm

kundruall kaosit

 

(Sabit Rrustemi: “ZJARRMI E KTHJELLTË”, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” Gjilan, 2011)

 

Nga Prend BUZHALA

 

Posa t'i lexosh poezitë e psiko-situatave lirike të librit "Zjarrmi e kthjelltë", ti do të gjendesh mu në vorbullën e këtyre shqetësimeve, nga pak makbethiane, që të shqetësojnë; të torturës së mendjes dhe shpirtit përballë një shqetësimi që të përcjell nga vargu i parë e deri te i fundit...Dhe poezia, pastaj, lëviz nga kahja tjetër: si ta qetësosh këtë zjarr të brendshëm, këtë psiko-situatë shqetësimesh të forta, të mprehta, ku përplasen dëshirat dhe synimet me muret e realitetit...

Së këndejmi, edhe figurat që i skalit në vargun e shkurtër meditativ, herë-herë tejet ironik, Sabit Rrustemi i kërkon nga ajo pikë ku përputhen fjala dhe mendimi, përmbajtja dhe teksti poetik, fragmenti i shkëputur i ngjarje-figurave historike me thënien sublime lirike. Mandej, aty shfaqet lulja. Në fillim ajo është një lule ethesh shqetësimesh e tensionesh të brendshme që t’i zbraz përditshmëria, e mandej ajo shpaloset në tërë lulëzimin e saj të brendshëm. Shfaqet shpirti. Shpirti shpalos thellësinë, dashurinë, lulja shpalos bukurinë...dhe kur ato bëhen NJË, atëherë aty shfaqet e shqiptohet një univers i tërë bukuri-thellësie...

 

1. Hapësirat shpirtërore:

kodi i vlerave dhe raporti ndaj së bukurës

 

Nga takimi i parë i lexuesit me librin poetik të Sabitit "Ku i la lisat era" (1990) e deri te ky i fundit "Zjarrmi e kthjellët" (2011), qëndrojnë mbi dy dekada në mes. Qëndrojnë dhe librat e poezive "Besoj në një diell", "Natyrë me vaj", (album poetik), "Variacione për lirinë, "Ëndrra që puthet", "Paqja e brishtë”, “Nën qerpikun tënd”, "Shiu i buzëve tua", si dhe librat tjerë në prozë e në publicistikë. Duke pasur parasysh që shumë poezi (edhe të këtij libri) janë të shkruara që në vitet ’80 të shekullit që e lamë pas; pra, në periudhat më të bujshme e më shpërthyese të historisë sonë më të re, me thyerje e kthesa të shumta; me larushinë e përvojave poetike; edhe poezia e Sabit Rrustemit i shqipton këto thyerje-përvoja që u përplasën edhe në qenien e poetit me tërë furinë e tyre. Hapësirat e këtyre ndodhive, sidomos te librin e fundit, bëhen burime të pasura frymëzimi për t’i njohur më mirë shumë anë të jetës e të botës së brendshme të njeriut; poeti tashmë i kishte të thelluara e të zgjeruara hapësirat shpirtërore për t’i krijuar raportet e tij ndaj të bukurës dhe vlerave.

Dhe në këtë rrugëtim disadekadash, poeti pa kursim e ka dhuruar flakën e tij të brendshme të fjalës dhe ato thesaret e brendshme të zemrës; dhe prapëseprapë poeti mbetet se mbetet peng i fjalës; asnjëherë i kënaqur nga vetvetja. me atë përmasën e këtij dhurimi poetik, ku identifikimi i qenies së poetit me Tjetrin, me lexuesin, shfaqet qenieplotë.

 

Një ditë do dal përfundimisht

Nga varri i heshtjes

Për t'jua dhënë kumtin

Që prisnit prej meje

S'ka tjetër thesar në këtë botë

Kot gërmoni

Thesari i vetëm që fshihet në mua

Ishte dhe mbeti dashuria

 

Porse poeti, që nga libri i parë e deri te ky i fundit, e ka edhe kodik e tij etik, atë grishjen e brendshme të ndërgjegjes e që na shfaqet si rregullator i këndvështrimeve njerëzore e poetike; si forcë lëvizëse e refleksioneve lirike, një si vlerë definitive që përcakton dhe i jep zgjidhje  thelbit të ekzistencës, është ai çelësi që i jep kuptim rrjetit të begatshëm të emocioneve, shkëndijëzimeve lirike kundruall një kaosi shoqëror, kaosi nacional dhe kaosi shpirtëror që na u shfaq në kohën që po jetojmë dhe që nuk kalon edhe pa pasojat e një zjarrmie, sikundër shprehet metaforikisht poeti. Prandaj, nuk ke se si të mos i ndiesh edhe kulmet e këtij shqetësimi, ankthi, tronditjeje a ëndrre të rëndë. Dhe poetit, kundruall këtij kaosi plot zjarrmi, i duhet ta mbajë këtë ekulibër të brendshëm me mendjen e kthjellët, me kthjelltësinë e gjykimit, dhe, mbi të gjitha, me dehjen e kthjelltë lirike. “Frymëzimi është një dehje e kthjelltë” thoshin hindusët e moçëm.

 

2. Zbrazja e revoltës

 

Dhe përsëri lexuesi do të ndeshet edhe në këso rastesh me një si kontrastim të lëndës poetike, të shtrirë përgjatë tërë librit: me temën e rëndë të ndrydhjes së atdheut, të këtyre trandjeve të brendshme kaotike, nga njëra anë, tek ciklet “Mos qoftë thënë”, “Zbrazja e të pathënave” dhe “Po shumë më paske braktisur”; si dhe me kërkimin e të madhërishmes e të tragjikes heroike tek ngjarjet e figurat atdhetare të dy cikleve të para “Nëpër krahët e shqiponjës” dhe “Plisi i dhembjes”.  Ndërkaq, tek dy ciklet e fundit “Merre ma shtruar” dhe “Më vetëton në sy”, poeti sikur nuk ndien nevojë që këtë harmonizim të unit të brendshëm ta kërkojë vetëm tek madhështia e sakrificës, të bërjes së atdheut; por edhe tek e tashmja, tek çlirimi i brendshëm... Nëse tek ciklet e para ai kërkon majat e olimpeve shqiptare të toponimisë (Karadaku, Shkupi, shkëmbi i Kavajës, Guri i Zi, Bardhari, Bjeshkët e Gurta, ura e Gurit, Dardani, Verrat e Llukps etj etj, apo me kryefigurat e historisë së shekullit XX, si Isa Boletini, Shaban Polluzha, e deri tek figurat heroizmit tragjik të komandantëve dëshmorë të UÇK-së, Sali Çeku, Agim Ramadani, etj.); kundruall kaosit të trandjeve e flakandjeve psikologjike e kaotike të pasluftës, ai jepet në kërkim edhe të një maje tjetër qetësimi, të Çepurit:

 

Edhe në heshtjen më të thellë

Çepuri brafullon

Një botë trandë

Universit të kaltër

Deri n’atë kupë qielli shpërthen

Për Ty moj Peh’rri...

 

Porse tek cikli “Zbrazje të pathëna”, na shfaqet revolta pothuajse e skajshme poetike e këti kaosi:

 

Teshtin Kosova

Nga të kundërtat

Zbresin Zeusët  përjashta

Temperaturat ngritën përbrenda

Dyert hapen

Korridoreve të mbyllura

Mungojnë shkallët për të zbritur

Zonave të lira

 

Cikli pasurohet edhe me një zi zoologji ironike ku poeti shpesh shpërthen në figurë të invektivës poetike. Dhe, përsëri e përsëri, ai nuk mund të heqë dorë nga kërkimi i sublimes edhe të një kafshe, sikundër është poezia “Qeni ilir” me figure e njohur të metonimisë së gjetur e të bukur poetike dhe ku lajtmotivi i fisnikërisë, fisnikërohet me këndimin fisnik, kundruall shumë njerëzve që iu mungon kjo fisnikëri, besnikëri e guxim. Qeni na del qenie më fisnike se njeriu! Paradoksale dhe revoltë e skajshme, apo jo!

 

3. Poetika e thuknisë

 

Kurse poeti parapëlqen që ta thadrojë atë poetikën e thuknisë; aty ku me pak fjalë të thuhet më shumë; aty ku zhurma mënjanohet me dendësinë urtake e figurative të thënies eliptike, fine, të pastër. Zaten, poezia, që në zanafillat e saj, e ka pikësynuar mjeshtërinë e fjalës. Mund të ndodhin sa të duash eksperimente klasike, moderne a postmoderne; porse thelbi mbetet po ai: i të kuptuarit të thënies poetike si veprim i mjeshtrit në punë të artit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora