E shtune, 27.04.2024, 06:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Odise Kote: Ujku i gënjeshtërt…

E marte, 13.12.2011, 08:49 PM


Ujku i gënjeshtërt…

 

Nga Odise Kote

 

….kur Martin Kola e qëlloi mu në kokë ujkun, ne të gjithë lëshuam britma gëzimi e braktisëm pozicionet  e pritës, duke vrapuar drejt gjahut. Nuk kishim më ankth. Kafsha qe goditur mbi vetullën e majtë, afër veshit dhe qe shakullisur menjëherë në tokë. Nga goja i rridhte curili i hollë i një lëngu të verdhë. Sytë i mbante akoma të hapur me një ngjyrë të zezë inatcore midis. Mbi dëborë ranë më pas ca pikëza të holla gjaku dhe dy këmbët e përparme të ujkut që lëviznin lehtas, ndalën, u ulën poshtë  dhe ngrinë përjetësisht.

-…ishte ujk prej vërteti ,– shkundi dëborën nga shpatullat dhe foli gjithë krenari gjahtari, duke përkëdhelur me dorë grykën e armës.

Ujkun e goditi nga fare afër.

Të dy, njeriu dhe kafsha e përgjuan tinëzisht njëri-tjetrin për ta zënë në befasi.

Dhe ja…

Martin Kola e ka zakon që i afrohet fare pranë gjahut, a thua se do të bëjë dyluftim trup më trup, deri dhjetë metra larg, me një “Magnum 57”, plumbat e të cilit cajnë mëdysh dhe një elefant. Ky zakon, apo si të thuash guximi prej të marri, e shquan atë ndër ne gjahtarët e tjerë që rrimë dhe e presim gjahun në pozicionet tona.

Zakonisht kur dalim për derra në malin e Leftokaresë, bëhemi pesë vetë, Martini, Berti, Zemani, Sokoli dhe unë. “Skuadra e derrave të egër”, na thërresin në qytet kunjaxhinjtë e tavolinave të fërnetit Branka.

Ne kemi profesione të ndryshme, Martini është biznesmen që merret me tregëtinë e drurit, Sokoli është bankier, Zemani mësues fizike, Berti mësues fizkulture dhe unë agronom. Gjahu na ka bërë shokë të ngushtë. Të pestë, kur nisemi për gjah, armatosemi deri në dhëmbë dhe lëvizim me dy xhipa deri në një pjesë së rrugës së malit. Sigurojmë xhipat tek burimet mbi Dhuvjan, i vendosim turiposhtë me qëllim që t’i kemi gati për zbritje dhe pastaj hartojmë planin e gjuetisë.

Sepse gjuetia e derrave të egër është e vështirë dhe kërkon përpikmëri.

Kërkon edhe disiplinë edhe intuitë gjahtari, ndryshe…

Ne bëjmë përherë një plan. Një plan të detajuar gjahu. Caktojmë vendet e pritës, caktojmë atë që do ta nxjerrë derrin nga gëmusha apo strofkulla ku është futur, udhën e lëvizjes, rradhën e goditjes, caktojmë sinjalet, e deri mënyrën se si do t’i afrohemi gjahut. Edhe në ndarjen e trofeut kemi rregulla të përcaktuara rigorizisht, pasi dëshirojmë që miqësia jonë, miqësi gjahtarësh të jetë sa më e gjatë.

Të pestë jemi të armatosur “deri në dhëmbë”. Martini, vec “Magnum 57” që e mban gjithnjë në brez, ka edhe një 300 –she “Holland Magnum”, Berti merr armën e preferuar të sjellë nga Zvicra një “Maliher –shonauer 30.06 mm”, unë dhe Zemani kemi nga një “Uincester” vetëmbushëse të blerë në Greqi, ndërsa Sokoli nuk e ndan një 22-she “Hornet” me dylbi e me zmadhim dyfish.

Pas gjashtë orë gjahu të lodhshëm kemi vrarë një derr që e mbajnë të paprerë në thes Zemani me Sokolin dhe një ujk. Derrin e egër e gjuajti Sokoli pranë shpellës së mëllenjave. Por derri iku ashtu i plagosur me plumba në trup, derisa aty në rrëpirat e Mëne kur zbret për në Kardhikaq, Zemani e palosi me tre gjuajtje të tjera.

Ndërsa ujkun e këputi me një plumb të vetëm në ballë, Martini.

Ujkun nuk e kishim në plan ta gjuanim.

E kërkoi vetë sfidën.

Martini e nuhati i pari ndër ne dëshirën e ujkut grabitqar.

Dëshirën për përleshje.

Për mbijetesë.

Dëshirën fatale të ujkut.

E ndjeu se pas pikave të ngrohta të gjakut të derrit të egër do të vinte ujku. Ai gjendej në atë qafë mali.

Priste.

Prej gati një muaji.

Priste gjahun e tij.

Dhe erdhi.

Ashtu fshehur.

Pemë më pemë.

I uritur.

Me sy të kuq, gjakim.

Martini lëshoi një fërshëllimë. Qe shënja e tij për të na paralajmëruar se gjendej në rrezik. Ne ngrimë e zumë si mundëm pozicione. Martini u bë sy e veshë. Ecte ngadalë mbi borë. Pa zhurmë. Me shikimin rrethor të mprehur. Me armën gati në dorë.

Njeriu dhe ujku iu afruan njëri-tjetrit jo më tepër se dhjetë metra.

Njeriu vigjilent dhe ujku i uritur.

Martini sikur e kishte parandjerë se sot do të vriste ujkun. Ujkun me pullë të bardhë në kokë. Ujkun që e kishim parë dhe një muaj më parë kur na kaloi vetëtimthi para syve lart në Leftokare e që më pas u zhduk, na u fsheh në dëborë përposh burimeve të Dhuvjanit.

-…ai më pret mua…- thoshte gjithë humor Martin Kola gjatë rrugës kur po ngjiteshim për në mal.

Më pret ujku.

Vetëm unë jam kundërshtar i denjë për të.

Sepse ujku është qibar apo jo…?

Dhe sikur e dinte, sikur e nuhaste, sikur komunikonte me një kod të fshehtë se pikërisht sot, ai dhe ujku, do të gjendeshin përballë.

Fare afër.

Vetëm dhjetë metra larg.

Ujku i fshehur në mes të një borige në përgjim të paduruar dhe Martini duke ecur nëpër gjurmët e gjakut që po linte pas në dëborë derri i egër.

Deri sa…

Vetëtimthi ujku u lëshua drejt tij dhe po vetëtimthi instikti i njeriut, drejtoi dorën e uli gishtin e këmbëzës të “Magnum 57”.

E gjuajti.

Plumbi goditi në shenjë dhe njeriu mori frymë thellë.

Martin Kola iu soll disa herë rrotull me kujdes ujkut të goditur e kundroi qetësisht, e pasi u bind se kafsha i kish lënë shëndenë kësaj bote, më në fund e preku atë me dorë në kurriz.

Mua më ngjau sikur njeriu i kërkoi falje kafshës.

Sikur i dha lamtumirën e fundit.

Ujku nuk lëvizi.

-…do ta varrosim – foli Martini dhe nxori nga canta e shpinës një thes të madh prej lini që e mban gjithnjë me vete për të futur gjahun e vrarë.

-Do ta varrosim poshtë, tek pemët e larta, afër xhipave.

Pa e zgjatur, Berti dhe unë u afruam për ta ndihmuar të fuste kafshën e vrarë në thes. Martini e hodhi mbi shpatulla thesin dhe të pestë u nisëm të zbresim poshtë. Rruga ishte e hapur se dëbora qe e shkelur. Po iknim drejt xhipave, pranë trungut të një ahu të vjetër, aty ku do të hapnim gropën për të varrosur ujkun.

Ne e njohim prej vitesh njëri-tjetrin, ia njohim sic thotë Berti “bibliotekën” njëri-tjetrit. E dimë mendjen e Martinit, simpatinë e nderimin e tij për ujqërit. Thuaj c’të duash ti, ai do të bëjë atë që ka vendosur në mendjen e vet.

Martini se ku ka lexuar, ose mbase ia ka treguar dhe gjyshi që ka jetuar në Alaskë të Amerikës si emigrant, se ujku është një kafshë qibare.

Ujku është një kafshë me  sqimë.

Ndryshe nga kafshët e tjera.

-…Ujku nuk ha asnjëherë kërmë - vazhdon Martini - sado i uritur të jetë. Dhe kur dimri ngrin e kallkanos gjithshka që gjendet mbi dhe e nën dhe, dhe kur i numërohen brinjët e është duke ngordhur nga uria, kockë e lëkurë, ujku nuk i qaset kërmës.

Ka guximin që e përballon me dinjitet jetën e vet.

E zgjedh ushqimin.

E do të pastër.

Të freskët.

E do të gjallë.

Këto argumente, duke shtuar dhe faktin se ujku është plot cilësi të rralla e që sipas Martinit nuk ia njeh fuqinë  vetvetes, prej një kohe të gjatë janë bërë objekt zënkash, sheresh e bastesh zhurmëmëdha mes tij dhe Zemanit që e kundërshton hidhur.

Ndërsa Martini beson sinqerisht në ato që thotë dhe sa më i vjetër bëhet si gjahtar, aq më tepër e shton nderimin e simpatinë për ujkun.

Eshtë disi e cuditshme kjo ndjenjë e Martinit për ujkun, por ja që njeriu kështu është. Njeriu beson.

Njeriu e zgjedh simpatinë e tij dhe ia jep atij që i pëlqen.

Njeriu bind në fillim veten pastaj kërkon që dhe të tjerët të besojnë bindjen e tij.

Sepse kërkon shokë që të verifikojë se sa të drejtë e ka simpatinë, pavarësisht se ajo është private, e përvecme.

Ja kështu dhe Martini.

-…nuk e përdor kot populli …deri dhe femrat në caste delikate thërrasin me afsh…o ujk…o ujk…- mbrohet Martini pas spjegimeve të holla anti dhe thumbave shpotitës të Zemanit.

-…sigurisht kur e përdorin të gjithë …o ujk …o ujk… aty ka dhe simpati, edhe admirim  por edhe vlerësim për cilësitë e ujkut …- përpiqet të gjejë e ta fitojë mbështetjen tonë Martini.

-…uuuuuu…të hëngërt ujku i Kërrës…- qesh me të madhe Zemani bashkë me Sokolin, duke hunguritur me zërat e hollë e të mprehtë si ujqërit e kopesë së uritur...

Ky është konflikti i vetëm i skuadrës sonë “të derrave të egër”. Sepse gjahtarët duhet të kenë dhe konflikte për të shtyrë orët e përbashkëta në gjah.

Dhe orët pas gjahut.

Ndryshe pse jemi gjahtarë ?

Ky konflikt e ka  përcarë skuadrën “e derrave të egër”. Unë dhe Berti mbajmë anën e Martinit, ndërsa Zemani e Sokoli kundër. Megjithatë, herë pas here zbret si një shenjt në mes tonë, prej pallatit të xhamtë të OKB-së, Ban Ki Mun dhe na pajton. Na qetëson gjakrat e ndezur dhe ne rinisim sërish harmoninë tonë prej gjahtarësh. Ja si në këto caste, kur unë dhe Sokoli po hapim gropën me dy lopatat tona xhenjere që i mbajmë gjithnjë me vete, ndërsa Martini dhe Zemani kanë prerë shkarpa e gjethe për t’i hedhur sipër ujkut kur ta shtrijmë në gropë. Më pas hedhim baltën dhe Martini shtie në ajër në nderim të tij.

Nderim ujkut të vërtetë që luftoi për ekzistencën e tij!

Këtë fjali nuk e tha Martini, por e tha ceremonia e varrosjes dhe heshtja që ra pas saj, deri sa mbërritëm në klubin e katundit.

Këtë fjali e thoshin sytë e tij.

Gjestet e tij.

Në hanin e katundit na pret si gjithnjë Panoreja, hanxhesha e kolme, trupshkurtër e rrondokope që na pa kur u ngjitëm në mal dhe që e di mirë orën se kur do të kthehemi. Jemi të rraskapitur nga lodhja, ndërsa Panoreja e ka bërë gati gjithë menynë tonë të preferuar. Eshtë palcë janari, dimër dhe hanxhesha i ka shtuar mezet e ngrohta, bukën e thekur dhe piperin në copat e skuqura të mishit, turshive e djathit.

Panoreja është e lindur për t’ju shërbyer gjahtarëve.

Na ka prurë kanat me verë të kuqe fshati dhe në mes ka ndezur një mangall me prushe të paqta drush që ta heqin si me magji lodhjen e të kërshëndjellin.

Eshtë me nam të madh hanxhesha e këtyre anëve !

Kemi kthyer kana vere pafund dhe Zemanit s’i zë bytha vend. Ysht prapë xanxën e fshehur të shpotisë ndaj Martin Kolës.

E nget fjalën prapë tek ujku.

Qejf të madh e ka ta ngacmojë për ujkun.

Por kësaj rradhe jo për ujkun prej vërteti që sapo kemi varrosur lart tek pemët e mëdha tek burronjat, por tek ai…

Tek miku i Martin Kolës.

Tek ministri.

Se vetëm atij i drejtohet me nofkën ,o ujk, Martin Kola.

Ne të gjithë e dimë se Martin Kola u bë copë kur kandidonte për deputet, ujku – njeri. E ndihmoi me gjithcka që ai të fitonte. E financoi rëndshëm.

Dhe ai fitoi.

U bë deputet, u bë dhe ministër.

Ja, për këtë ujk, nisi ta ngasë tani Zemani.

Po Martin Kola s’bëzante.

Heshtte dhe ne nuk e kuptonim heshtjen e tij.

Sytë e Martin Kolës e shtynë pastaj tutje heshtjen dhe lëshuan pika loti.

Sytë e tij qenë njomur.

Nuk e kisha parë asnjëherë Martin Kolën ashtu.

Me sy të njomur.

Atë burrë që kish vuajtur vite burgu, vite internimi, vite qëndrese e përballimi nga persekutimi dhe dënimet e shumta. Atë burrë që e kish përballuar jetën me shpirt, me dhëmbë, me thonj.

E shikoja dhe ndjenja të përzjera më qarkullonin nëpër vena.

C’e kishte prekur, c’e kishte rënduar, c’e kishte fyer Martin Kolën?

Martin Kola nxorri tre celularët që mban gjithnjë me vete, sepse është biznesmen dhe na tregoi. Na tregoi mesazhet e shkruara aty.

Ja rrëfimi i plotë i tij…

Pa asnjë zbukurim.

“…më kishte dalë një problem me licencën tregtare, sepse ju e dini që drurin për tavane, mobilje speciale dhe zbukurime e sjell kryesisht nga Suedia e disa vende të tjera. Një vrap e shkova në Tiranë. E kërkova ujkun - ministër dhe nuk e gjeta askund. Nuk më jepte askush asnjë adresë. I dërgoj një mesazh. Ja mesazhi…dhe na tregon…

”I dashur ujku im ministër ! Jam në Tiranë, kam hall e dua të takohemi. Martin Kola “

…nuk zgjati as tre sekonda dhe më erdhi përgjigja.

Ja dhe mesazhi i ministrit...

” I dashur mik ! Ndihem keq që nuk të gjendem pranë, pasi punët e qeverisë e të popullit më kanë dërguar me shërbim në një konferencë ndërkombëtare. Tani ndodhem në aeroportin e Budapestit. Pas një ore fluturoj për në Angli. Sapo të kthehem do të flasim…”

Të them të drejtën dyshova. Kur e dërgoi kaq shpejt përgjigjen e mesazhit ?!

Me këtë telefonin tjetër, vijoi Martini i dërgoj një tjetër mesazh, por në emrin e një mikut tim. Na tregoi mesazhin e dytë drejtuar ministrit. Për tre sekonda erdhi përgjigjja e ministrit, rënkoi me dhembje Martini.

Ja…” ...” I dashur mik ! Ndihem keq që nuk të gjendem pranë, pasi punët e qeverisë e popullit më kanë dërguar me shërbim në një konferencë ndërkombëtare. Tani ndodhem në aeroportin e Milanos dhe do të shkoj në Gjermani.  Sapo të kthehem do të flasim…”

M’u rrëmbye gjaku prej inatit vazhdoi Martini dhe i dërgoj me këtë telefonin tjetër një mesazh, me një tjetër emër miku.

Ja dhe mesazhi tjetër …” dua t’ju takoj urgjent për një cështje që ka të bëjë me karierën tuaj. Disa miq të rremë kanë folur rreth teje…të fala …”

Përsëri, për tre sekonda erdhi përgjigjja e mesazhit të ministrit. Dhe Martini e kërkoi në celular për të na e treguar.

Ja…. ...” …i dashur mik. Ndihem keq që nuk të gjendem pranë, pasi punët e qeverisë e popullit më kanë dërguar me shërbim në një konferencë ndërkombëtare. Tani ndodhem në aeroportin e Vjenës. Fluturoj për në Amerikë. Do të qëndroj një javë. Sapo të kthehem do të flasim…”

Ujku - ministër na qënkësh në të njëjtën kohë në tre aeroporte, gati për t’u nisur për fluturime, në Budapest, Milano dhe Vjenë. I tërbuar prej zemërimit i dërgova këtë mesazh që po jua lexoj tani nga të tre telefonat : “ Posti dhe paraja nuk të bëjnë dot njeri. Jo ! Vishe majmunin me se të duash, ule në kolltukë, prapë se prapë majmun mbetet.

Pac faqen e zezë o ujk i gënjeshtërt…Martin Kola”

Zemani e puthi në ballë Martinin dhe i tha hanxheshës të sillte sërish verë të kuqe fshati. Prushet në mangall ishin ende të ndezura e shkëndijonin…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora