Kulturë » Mërkuri
Poezi nga Timo Mërkuri
E marte, 13.12.2011, 08:56 PM
Poezi
Nga Timo Mërkuri
Trishtimi i së shtunës
E hidhur kjo e shtunë, shumë e hidhur
dhe e trishtuar ishte
gjer në dhimbje
kur i ulur në prag të vetmisë
i lodhur nga pritja
jetoja dëshpërimin
me detin në sy.
Kjo e shtunë, kur deti
më mbështeti mbi supet e ankthit
pëllëmbët e zbaticës
e duke më parë trishtueshëm nën qepallat e valëve
ku shkëlqenin stërkalat e lotëve
më tha:
-Mos e prit më këtu vajzën,djalosh
Mbrëmë iku bashkë me zbaticën
andej
nga flake ti sot unazën e ylberit
që doje të vije në gisht të pranverës.
Tani është larg, shumë larg
Në sheshin Omonia a në sheshin e haresës
me një tjetër djalë, me të tjera ëndra
duke bërë prostitutën.
…E hidhur kjo e shtunë, shumë e hidhur…
Viti i hidhur
Kjo kukull e bukur
Kjo kukull që hap e mbyll sytë
Si e preu kështu vajin e vajzës së vogël
që në prehërin e nënës qante babain e vrarë
dhe i çeli gëzimin e harenë mes zisë.
Atëherë u kujtuam, këtë vit
kishim haruar të qeshnim.
Kujtim nga Athina
Nga Athina
nuk më kujtohet mirë Akropoli madhështor
as metroja e re
as Safon s’e takova.
Por më kujtohet një vajzë e vogël nga qyteti im
në lagjen Kifisia, zbathur në shi
që zgjaste dorën si një degë bajame
e lypte lëmoshë, me një det dhimbjeje në sy.
Turistët e shumtë që ka Athina
a e sodisin vallë këtë fëmi?
Prolog tragjedie
Një kukull vala nxori në breg
në djepin e ranishtes, të flerë gjumë
Por ajo loton e dot nuk flet
për një skaf të mbytur diku.
Ndodhi
Një buzëmbrëmje dhjetori
në Ajo Anargjiro
një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçe nga qyteti im
rinte ndanë trotuarit,
si një trëndafil i flakur.
Binte borë, por ajo
veshur me minifund
me një buzëqeshje të arnuar mbi kozmetikë
kishte vapë
në këtë rrugë të Selanikut.
Veç një pikë loti që i rodhi tradhëtisht
i theu konturet idilike të muzgut.
Në përcjellje
…Mund t’ju dhuroj akoma, sa pa ikur
disa guralecë deti të bardhë
që t’ju pëshpërisin netëve mijra dashuri.
Dhe disa korale të kaltëra mund t’ju dhuroj
nxjerrë nga thellësia e shpirtit tim.
Në qoftë se ju pëlqejnë këto pina
Ua fal menjëherë, e kam për kënaqsi.
Vetëm ju lutem, mos pikturoni mbi to skafe.
Skafet janë dhimbja e qytetit tim.