Kulturë
Lis Bukuroca: Epoka e çakejve
E enjte, 15.12.2011, 08:57 PM
Lis Bukuroca
Epoka e çakejve
Kur t‘ i vrasin myslimanët gati krejt
Krishterët
Ose kur t‘ i vrasin krishterët gati krejt
Muslimanët
Atëherë
Radhën do ta kenë:
Budistët, ateistët dhe të tjerët...
Pastaj do të shfaqen sorrat në qiell
Do shihen çakejtë me gjymtyrë njerëzish ndërmjet nofullave të përjargura
Korbat do çokasin pikë së pari sytë e ushtarit
Pastaj do bëjnë glasa në veshët e tij
Pastaj në gojën e tij
Krimbat do enden nëpër sy, hundë e veshë të fëmijëve:
Do të dalin nga goja
Do të futen në vrimat e hundës së vockël
Apo nga hunda, përsëri në gojë
Apo nga goja, përsëri në veshë
Kështu ditë e natë
Kështu natë e ditë
Larva, larva dhe vetëm larva
Hyrje-daljet nuk do të pushojnë
Poshtë e lartë edhe nëpër fytyrën e gjorë të ushtarit
Shtangur me dy gishta “V”
Mbi të mizëri e kandrrave
Në sorollatje e sipër
Duke u dëfryer me jetën e tyre
Dhe, nga era keqe e njeriut
Do shfryjnë turinjtë shtazët
Por ngadalë, do ngryset
Dhe, turfullojë shtrëngata:
Shi, breshër
Tym, andej-këtej, kështu disi
Dhe avulli do ngrihet përpjetë
Kurse dielli do lind përsëri
E kufomat tani do jenë zhveshur nga mishi
Dhe njeriu i mbetur
Nga këto kocka
Do prodhojë armë të reja...