E diele, 28.04.2024, 09:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vdekja nuancë e poetikës së Din Mehmetit

E enjte, 15.12.2011, 09:03 PM


VDEKJA NUANCË E POETIKËS SË DIN MEHMETIT

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Në poetikën e tij, poeti ynë i madh D. Mehmeti nuk i këndonte vdekjes. Madje një përmbledhje e mban titullin “Ikje nga vdekja”, ndërkaq një poezi e tij karakteristike ka poashtu titullin “Mos vdis kur vdiset” që ka për subjekt ikjen dhe mos nënshtrimin e individit, apo më mirë të poetit këtij procesi biologjik.

Në veprën e fundit “Vajet e shiut” duhet pranuar se ky element, që mos ta quaj motiv, pothuajse është dominues. Madje ai shtrihet gjerë e gjatë në vepër duke filluar që nga cikli i parë “Ishte kohë e rrufeve” e deri tek i fundit “Vajet e shiut”.

Në poezitë e ciklit të parë poeti shkruan për ditët e fundit të jetës së tij të kaluara në spital, të cilat edhe pse më tepër kanë një fije optimizmi jetësor, prapëseprapë në to kalëron procesi i vdekjen, sepse njerëzit aty janë shndërruar në numra. Ky shndërrim duket paksa i dhunshëm, por poeti gjen këtë figuracion, i cili përkon me situatën, jetën gjendjen, sjelljen e pse jo edhe dijen e vetëdijesimin e asaj që është duke ardhur për ta. Dhe kjo në faktorin e njeriut, të jetës së tij, do të jetë një unazë e patjetërsueshme nëpër të cilën patjetër duhet ecur. Kjo ecje shpesh nuk bëhet me radhë, por tejkalohet sipas fatit, mendimit të verdhë, ikjes nga vetja, e jo nga vdekja, derisa më askush nuk e di cili është sepse edhe:

 

 “Mendimet janë kthyer përmbys

Dhe vdesin mjerisht”

 

(Poezia Askush s’di cili është” fq. 33)

 

Emrat tash të shndërruar në pangjyrësi  i tretin fjalët dhe krijojnë pamje të trishta saqë mezi njeriu merr frymë sepse ditët tash veç janë të ngrira. Nëpër këtë atmosferë duhet njeriu të jetë tjetër, të ketë tjetër aftësi frymëmarrjeje dhe qëndrimi sepse çdo gjë këtu kollitet, madje edhe telefoni, edhe jeta.

Poetika e këtij cikli të poezive të Din Mehmetit fillon me poezinë “Jeta” e cila është një pasqyrim optimist i saj. Por ajo tashmë është sëmurë dhe duhet të shtrihet në spital për t’u kuruar. Të gjitha dhomat e spitalit janë të stërmbushura me njerëz që kanë diçka të sëmurë. Dyert e spitalit kurrë nuk mbyllen për hyrje e dalje sepse aty por edhe ashtu gërshetohet kjo pllakëz e jetës. Nëpër ato dyer njerëzit hynë e dalin ditë e natë, e natë e ditë. Por dikur kur:

 

“Nata e mbështjellë spitalin

Me çarçaf të zi

Shfaqen hijet e të vdekurve

Nëpër pavijone nëpër dhomat e të sëmurëve ...”

 

Këto hije shpërndahen kudo dhe hyjnë në sallat e ngrënies, ngjiten nëpër kate deri në kulm, zbresin shkallëve deri në podrum, ndërrojnë emra, ngjyrë, fytyra, vende, kohëra, shtyhen e përshtyhen, grinden e rrihen, por edhe vriten për gjithçka, për të bërat e të pabërat. Derisa edhe plepat në oborr nuk zgjohen dhe raportojnë mesazhe ushtarake. Por në mëngjes jeta bashkë me dritën bie mbi të sëmurët dhe u jep pak shpresë jete.

Cikli i dytë i veprës ka titull paksa interesant dhe më afër elementit të vdekjes, duke e përafruar atë edhe më afër sepse është bërë kërkesë për subjektin lirik në këtë rast të poetit. Andaj ai titullohet “Të gjithë e kërkojnë vdekjen”. Kjo kërkesë në plan të parë duket më tepër poetike, por që për lexuesin e rregullt të poetikës së Din Mehmetit është paksa paradoksale, sepse tash vdekja kërkohet, kur dikur kërkohej të ikej nga ajo, të mos vijë kurrë, madje as të mos poetizohet nga pena e poetit Mehmeti. Dhe ky është prapë një arsyetim biologjik sepse duke u gërshetuar me këto elemente dalin gjera që janë të kapshme dhe të ilustruara edhe figurativisht. Mbase diçka e tillë më se mirë mund të shihet në vargjet e poezisë “Lojës i ramë në fund”. Në qendër të poezisë është subjekti lirik, gjegjësisht individit, apo njeriu i një kohe dhe hapësire, e cila për të shënon një pasqyrim jetësor të tij. Në mesin e figuracionit shihet një dozë sado e vogël e zhgënjimit, i cili hetohet vetëm atëherë kur lojës i ka ardhur fundi. Shikimi i fytyrës së tij në pasqyrë është një tmerr, që nuk shkon vetëm në një linjë, por ecën në simbiozë edhe me jetën. Kështu duke ngarendur së bashku, ironizomi në njërën anë dhe fundi i jetës në anën tjetër, e bëjnë këtë poezi paksa tjetër nga të tjerat ku vdekja del me sipërfaqësisht sepse:

 

“Kur shikohemi në pasqyrë

Na vjen t’i shkulim flokët

 

Të pështyhemi të klithim

Nga njëri-tjetri të ikim

Pa mend në kokë”

 

Për të vazhduar më tutje:

 

“Tani s’kemi pse ankohemi”

Edhe ne mësuam ta vrasim veten

Në mënyrë të re duke buzëqeshur”

 

shkruan poeti Din Mehmeti në poezinë “Lojës i ramë në fund”.

Vdekja në poetikën e Din Mehmetit pasqyrohet më se miri dhe më simbolikisht në ciklin “Ora e vdekjes” e cila është një elegji kushtuar vdekjes së vëllait të tij, Halit Gjocajt. Elegjia përbëhet prej pjesësh nëpër të cilat vargëzohet ndjenja, malli, loti, vaji, dhimbja, klithja, dashuria dhe humbja e vëllait të poetit. Madje kjo elegji nuk ka ndonjë pasqyrim tjetër për të trajtuar këtë poetikë mehmetiane në formë apo trajtë tjetër, përveç asaj intime, e pse jo edhe të ndjenjës për dashurinë vëllazërore. Në vargjet e kësaj elegjie shihet një dozë paksa tjetër sepse autori nuk ka qëllim të ndonjë sqarimi apo qëndrimi ndaj fenomenit të vdekjes, por këtu ai këtë e sheh si vaj dhe vajtim për Litin, i cili “vdiq buzagaz në krahët e një përralle të pafund”. Çdo gjë rreth kufomës së tij është shndërruar në shkretëtirë, ora në mur është verbuar, dhoma qan dhe i fshin lotët, koha kishte dalë jashtë vetvetes, e të tjera. Duhet theksuar se kjo pjesë e elegjisë fillon dhe përfundon me të njëjtin varg: “Ora tetë e mëngjesit Liti vdiq”. Vajtimi vazhdon edhe në pjesën e dytë ku poeti shpreh përsëri dhimbjen për vëllain e vdekur, duke e futur nëpër analet e elegjive të njohura të popullit që njeriu nuk vdes për së gjalli, nuk vdes syngrirë e gojëmbyllur. Në këtë atmosferë gjithçka është shndërruar në vaje e lot, madje “Edhe lotët e ajrit po ngrijnë”. Ndërkaq, në pjesën e tretë shprehet një thirrje, e pse jo edhe kërkesa për të pushuar me vajtimin për vëllain, sepse ai tash është shndërruar në shqiponjë duke kërkuar një jetë tjetër dhe duke e vajtuar shumë mbase po i zverdhet burrëria, trimëria e paepur furtunave të kësaj jete, andaj “lëreni të hyjë Në përjetësinë e vet të përlotur” shkruan poeti Din Mehmeti më tutje.

Pjesa e katër e poemës “Ora e vdekjes” është një përshkallëzim i vajtimit të vëllait për vëllain edhe pse në disa raste tejkalohet ky stad dhe shtrihet edhe në disa pore të tjera. Por, më tutje poeti shkruan:

 

“Na jetojmë në të gjitha kohërat

Dhe me të gjitha vdesim nuk shkohet pa

U dëlirë nga myshqet e fjalëve pa lënë

Gjurmë nuk shkohet nuk vdiset për së gjalli”

 

është një aliteracion i këtij vargu në poetikën e kësaj elegjie. Vëllai rri pranë vëllait si një cung i zi por, kot sepse “heshtja i jep heshtjes heshtje” duke mbjellë vetëm gjëmë e dhimbje.

Ndërkaq, në pjesën e pestë dhe të fundit shprehet me tërë madhështinë e saj dhimbja, vaji, vajtimi dhe pjesa e humbur e jetës pa Litin e vdekur. Rreth kufomës së tij është lëshuar një mjegull e zezë që ka verbuar gjithçka, ndërsa jeta bartë ngjyrën e vdekjes e vdekja atë të jetës” dhe asnjë fjalë nuk ka shpresë. Edhe pse vëllai qëndron pranë vëllait të vdekur, ai nuk e sheh atë, edhe pse e donte shumë, edhe pse:

 

“Më bëre të huaj jo jo i yti jam në

Gjinjtë e një nëne kemi thithë puthjet

E saj na kanë rritur ...”

 

sepse mbi kokën e Litit ka rënë një mjegull e zezë dhe e ka shpjerë në botën e përjetshme, atje

 

“Ku vdesin edhe ëndrrat ku hi bëhet jeta”

 

shkruan poeti Din Mehmeti në vargun e fundit të elegjisë “Ora e vdekjes” kushtuar vëllait të tij Halit Gjocit me rastin e vdekjes së tij.

Edhe në ndonjë poezi tjetër të veprës “Vajet e shiut”, apo thënë më mirë në shumicën e tyre hetohet elementi i vdekjes për të cilën shkruan më shumë se në tërë poetikën e tij poeti ynë i mirënjohur Din Mehmeti.



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora