Kulturë
Kristaq Turtulli: Vajza me qen
E premte, 16.12.2011, 08:41 PM
KRISTAQ TURTULLI
VAJZA ME QEN
Tregim
Shoferi i autobusit të linjës Internacionale Aeroport - Kipling i ra dy herë burisë për të lajmëruar udhëtarët e vonuar të lëviznin këmbët. Prej frikës së nisjes të autobusit hynë duke gulçuar katër kineze të imët, një mashkull dhe tre femra. Tre indianë me çallmë, me mjekra të zeza, të dendura, duke tërhequr pas valixhet e renda e kaba të udhëtimit. Shoferi duke fishkëllyer dhe trokëllitur gishtërinjtë mbi timon, priti edhe disa sekonda motor ndezur. Vështroi me bisht të syrit sistemimin e udhëtarëve të fundit nëpër ndenjëse. Gogësiu i bezdisur, shtypi butonin dhe dera u mbyll me zhurmë. Mjeti u shkund dhe lëvizi me përtesë. Dukej sikur mesnata po zbriste ngadalë mbështetur mbi patericat e deformuara të ftohtit.
Aleksi ndjehej i lodhur, përkuli trupin dhe vendosi ballin në parakrah. Dëgjoi trokitje të befta, ngriti kokën. Disa pika të mëdha e të nxituara shiu lëpinë xhamin e dritares së autobusit. Nuk i bëhej të lëvizte. Miku i tij Maksi iu afrua pranë dhe i pëshpëriti i mërzitur:
-Dëborë dhe shi. A nuk është e mërzitshme kjo simfoni?
Aleksi luajti kryet ngadalë.
- Plakaruqi dimër e teproi me tekat e tij; dëborë, llohë, shira të lodhshëm dhe ngricë,- foli Maksi me zë të zvargur, u kollit dhe më pas vazhdoi: -Dje përgjatë bisedës në telefon me vëllanë që jeton në Francë, dëgjoja këngën e zogjve dhe ndjeva kundërmimin dehës së luleve. Mu hap gjoksi. Këtu po del prilli dhe akoma të kërcasin dhembët prej të ftohtit.
Aleksi luajti kryet përsëri pa ditur çfarë ti thoshte.
Autobusi iu turr autostradës të përmbytur nga makinat e të gjitha markave. Maksi nisi ti thoshte se për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe të papërballueshëm, emigracioni i parë në këtë vend të ftohtë verior ka qenë i vonë. Thuhet se diku në veri, u shfaqën Vikingët kur ishin në kulmin e fuqisë, por nuk qëndruan gjatë, ikën ngaqë nuk e përballuan të ftohtin e egër. Këtu në dimër dielli është skandaloz. Po ta shohësh nga brenda, të mashtron me shkëlqimin e metaltë, por po dole jashtë, cikna, thëllimi të pret dhe të kafshon si me dhembë ujku. Nuk jam plotësisht i sigurt, por më duket se në Nju Fondland gjendet një shtatore Vikingu, e di këtë, hë?
Aleksi e aprovoi me kokë dhe pa e vrarë mendjen gjatë shtoi: tashmë koha ka pësuar ndryshime të mëdha, është ngrohur, vjet u bë mot i thatë, pa shumë reshje. Ngrohje globale. Maksi e pranoi pa mëdyshje dhe zbardhi dhembët.
Fatmirësisht ngarendja e rrëmbyer e pikave të shiut u platit dhe ata morën frymë të lehtësuar. Asfalti prej dritave të makinave rrëzëllente, dukej si i lyer me vaj. Makina la me shpejtësi autostradën dhe u fut në një rrugë ndërmjetëse. Maksi e ndërpreu menjëherë bisedën dhe iu lut tjetrit të heshte. Befas u bë i paduruar, fërkoi çaçkën e kokës dhe kërkoi të qëndronte pranë dritares. Aleksi i liroi vend. Maksi mbështeti ballin në xhamin e pistë të dritares të autobusit pa i kushtuar rëndësi të ftohtit.
-Oh, pa shih, sa keq! -ia bëri ai zëdredhur.
-Çfarë? e pyeti Aleksi.
-Është dita e dytë që nuk po e shoh më atë,- klithi Maksi me zë të hollë dhe lëshoi një psherëtimë të gjatë mërzie.
Maksi u kollit ashpër. Fërkoi sytë me vrull dhe lëvizi zhurmshëm në ndenjëse, pa u kushtuar rëndësi vështrimeve të bezdisura të udhëtarëve të tjerë. Qafa e tij e trashë qëndronte e tendosur, kthyer mënjanë. Shikimin i tij ish i mbërthyer matanë xhamit të dritares së autobusit, në drejtim të trotuarit të gjerë. Nën urë, shtruar me asfalt të varfër, anës bërrylit të rrugës automobilistike. Në kryqëzimin Dundas dhe Bloor. Autobusi qëndroi në pritje të hapjes së shenjës së kalimit.
Me gojën pakës të hapur Maksi vazhdonte të vështronte i zhgënjyer djerrinën boshe nën urë me gjurmë dëbore dhe akulli të pa shkrirë. Në mes të trotuarit, në cep të kolonës të zbehtë elektrike gjendej vetëm një qese e zezë plastike plehrash e mbledhur shuk.
-Kisha një bindje të verbër se do ta shihja atë sot. Sa keq! Pikërisht tani, kur po del dimri! -ia bëri Maksi me zë të grindur dhe rrahu fort gjurin me pëllëmbë.
Aleksi vështroi hutueshëm fytyrën e murrëtyer të mikun te tij pa kuptuar asgjë. Cepin e syrit të majtë e kish të skuqur. Ai turfulloi. Sytë e tij të mëdhenj dhe të mbufatur iu dukën të errët si të mbartnin pas vetes zbrazëtirën torturuese në bërrylin e trotuarit, të kryqëzimit Dundas -Bloor. Maksi si tip i shtruar, i pëlqen të pijë verë tavoline të Kalifornisë: ‘Karlo Rossi.’ Të ndjekë Bejsbollin dhe dy herë me miqtë ka ardhur aksidentalisht në qejf, me whisky të cilësisë së mirë Jonnie Walkër.
Shenja e gjelbër e lejimit të kalimit u ndez, autobusi lëvizi me ngadalë, morri kthesën dhe u fut në rrugën e gjerë me disa krosi të Bloorit. Maksi lëvizi i nevrikosur në ndenjëse dhe u kthye nga tjetri.
-E keni parë një vajzë me qen, atje, në atë bërryl trotuari?-e pyeti.
Aleksi ngriti supet me indiferentizëm.
-Nuk e di, ndoshta,- i tha. Donte të shtonte se, çfarë rëndësie kish një vajzë me qen. Kur këtu në çdo pëllëmbë sheh vajza dhe gra me qen. Burra, pleq të mykur dhe plaka gati shurdhe lëpihen dhe puthen me qen. Është kthyer në sëmundje, stoli maniake, pa kurrfarë nevoje mbajtja e qenve të llojeve dhe racave të ndryshme, pjesa dërmuese e të cilëve janë laboratorikë. I dukej sikur njerëzit mbartin erën e qenve.
-Sigurisht duhet ta kesh parë vajzën me qen,- këmbënguli Maksi me zë të lartë dhe të ashpër, duke e parë drejt në sy.
Aleksi iu shmang me kujdes shikimit të ngulët dhe luajti kokën instinktivisht në shenjë pohimi. Për të mos ia acaruar nervat i foli me ton të butë:
-Sigurisht që duhet ta kem parë një vajzë me qen.
Në të vërtetë Aleksi e kish mjaft bezdi të kulloste sytë përtej xhamave të autobusit dhe të vështronte rëndësinë e tepruar, gati çmendurake të njerëzve me qen. Përgjatë udhëtimit i pëlqente të dremiste, ngandonjëherë të lexonte ndonjë libër dhe shumë rrallë dëgjonte radion.
-E di unë e di! Si gjithnjë moskokëçarës, indiferent, i pakonceptueshëm, i mbyllur në guaskën tënde,- ia pat Maksi me zë të grindur, kërciti qafën dhe pa mikun vëngër, me inat.
Aleksi lëvizi në ndenjëse i revoltuar, hapi gojën të kundërshtonte me forcë, ta pyeste: Më thoni ju lutem kuptimin e fjalës ‘i pakonceptueshëm,’ që po e përdor pa kriter? Më pas të shtonte, mos ka në ketë mes ndonjë dashuri platonike?
Maksi ngriti krahun me bezdi dhe tha:
-A, a ,a ,a e di unë e di, do të fillosh të analizosh me tendencë fjalët e mia. Nuk të njoh sot unë ty jo. Për të lutem më dëgjo: Vajza me qen më tërhoqi vëmendjen një mbrëmje vonë kur ra dëbora e parë e madhe...
Aleksi vuri buzët në gaz me zemërgjerësi si ti thoshte: Eh, mik i dashur, pa ma treguar e mora vesh, momente delikate, dashuri me shikim të parë, dëbora dhe vajza me qen, diçka poetike, të magjepsi bukuria e saj, tu tha buza. Tu drodhën telat e zëmrës. Ujku plak kërkon shqerra të njoma, nostalgjia e tjera e të tjera.
Por Maksi nuk i kushtoi rëndësi qeshjes së shpëlarë së mikut dhe vazhdoi:
- Të kujtohet dëbora e parë? Ishte e befasishme dhe e vrullshme. Barku i qiellit nuk e mbante dot gjithë atë ngarkesë, ndaj nisi ta shkundej me furi. Vështroja i menduar flashkat e mëdha të dëborës, të cilat turreshin nga lart dhe rrëmbimthi ndiqnin njëra mbi tjetrën. Ato ishin të bardha kristalore, delikate, por shkëlqimi i tyre mekej shumë shpejt teksa preknin tokën e qullur. Gjithçka po vishej me petkun e bardhe. Mu kujtua qyteti im i lindjes në formë zemre në gji të maleve dhe dëbora e bardhë e butë si pambuk. Autobusi u shkund dhe qëndroi si zakonisht në kthesë, pranë kryqëzimit. Përpara kish makina të tjera në pritje të lëvizjes. Në trotuarin që po mbulohej prej borës dallova një vajzë me trup mesatar, me xhup të kuq. Prej kapuçit harlisej i shpenguar një cullufe floku të zi, në duar mbante dorashka pambuku dhe pas saj bariste një qen. Fshiva me nxitim avullin e xhamit. Dhe përnjëherësh bëra habi ç’kërkonte kjo vajzë, së bashku me një qen në mot të ftohtë me ciknë dhe borë, pikërisht atje, në atë bërryl humbëtirë trotuari? Nuk është vetëm kryqëzim rrugësh por edhe kryqëzim erërash, thëllimi, ciknash. Mos ish thjesht imazh i krijuar prej fluturimit dhe dendësisë së nxituar të borës? Nxitimthi ngjesha ballin në dritare, pa i kushtuar rëndësi pisllëkut të xhamit. Vajza mbante kokën pjerrtas si të shmangej përcëllimit, shkundte dëborën nga supet dhe lëvizte me kujdes në atë copës vend. Një hop mendova se mos ish ndonjë e shkrehur, amatore e ecjeve të gjata e cila ish ndalur rastësisht prej morisë së makinave. Priste ngrehur të hapej rruga dhe moskokëçarëse të hidhej në krahun tjetër. Vajza dhe qeni barisnin në një hap, anës trotuarit, nga makina në makinë. Llogariste kohën e shkurtër të ndalesës së mjetit, u afrohej me kujdes makinave që qëndronin në radhë, në pritje të lëvizjes, përkulte kryet dhe u fliste me delikatesë.
Çfarë kërkonte kjo vajzë, në atë trotuar të shpifur e vetme, në mesnatë, me qen? Mos ishte ndonjë prostitutë rrugësh qe kërkon te joshe ndonjë plakush te krimbur ne para? Trillet e femrave janë të çuditshme. Kurvat i pëlqejnë kryqëzimet e rrugëve dhe pa mare parasysh te ftohtin nxjerrin ne pah format e trupit. Por ajo ishte e mbështjellë me bluzë deri në grykë, xhup të trashë dhe aq më tepër pas vetes, një qen! Vajza nuk kish nazet dhe përdredhjet turbulluese të zuskave. Dukej tërësish serioze. Fliste me sytë përdhe, duke u shmangur shikimeve të përballshme. U afrua pranë autobusit, eci përgjatë me hap te shpejte, për të kapur makinën që gjendej pas. Përpara në gjoks kish një tabelë kartoni të shkruar me germa të mëdha, të shtrembra togfjalëshin:
‘SHPRESËHUMBUR,’ dhe me germa të vogla, të shtrembra:
‘ prej dobësisë së tjetrit!’
Vajza instinktivisht ngriti kokën lart, vështroi nga dritaret e autobusit. Shikimet tona u kryqëzuan. Sytë e saj ishin te kaltër, të errët, si dy dete te trazuara me dallgë. Ajo i uli sytë menjëherë e bezdisur. Siç duket vështrimi im i çakërdisur e pështjelloj dhe vijoi të lëvizte pranë dritareve të makinave. Qeni i binte pas.
Përse duhej të ish shpresëhumbur kjo vajzë? Çfarë kuptimi kishin fjalët: prej dobësisë së tjetrit? Kjo paska dale te ndryshoje boten duke u hallakatur ne një kënd ku te shkallmojnë erërat! Çfarë paradoksi! Apo nuk kish mundur të gjejë punë? Ka braktisur familjen dhe vendosur së bashku me qenin e saj të kërkojë diçka për të jetuar në këtë cep trotuari, me justifikimin prej, dobësisë së tjetrit. Ndryshe nga një pjesë e moshatareve, të cilat e ndajnë mendjen dhe bëjnë zgjidhjen e jetës duke shitur trupin, qosheve të rrugicave të pista. Mos ish ndonjë e metë? Si nuk gjeti kjo vajzë vend tjetër, por pikërisht në këtë kënd, bërryl rruge, kryqëzim rrugësh. Me mot të ftohtë, ku erërat bëjnë pallë.
Vajza me thjeshtësi sfidoi kohën. Shpalli botërisht se ish ngritur ne mbrojtje te dinjitetit dhe po përpiqej ta gjente dritën, në këtë pëllëmbë tokë të kryqëzimit Dundas dhe Bloor. Dritarja e ndonjë makine ulej pakës, zgjatej një dore dhe i jepte ndonjë monedhë. Ajo ndoshta merrte pas vetes romuze, provokimet dhe vështrime dashakeqe. Nuk mërzitej, qetësisht linte një makinë dhe shkon tek tjetra.
Autobusi turfulloi, u shkund, lëvizi, bëri një kthesë të fortë eci përpara. Vajza së bashku me qenin mbetën pas si dy silueta te mërdhirë, të mbuluara prej dëborës së rëndë dhe po zvogëloheshin ngadalë, shndërroheshin ne një pike. U gëlltita. Provova hidhësi në gojë dhe një trishtim të lehtë. Ato dy krijesa. Njeriu dhe qeni. Gërmuqeshin mes te ftohtit. Ne kryqëzimin e erërave nen urën e betonte që dridhet në heshtje.
Sa here kthehesha nga puna mezi prisja që autobusi të arrinte në bërryl dhe të shihja vajzën me xhup të kuq së bashku me qenin e bindur. Ajo bariste në një hap me kafshën, me tabelën e kartonit të varur në gjoks në kërkim të shpresës së humbur. Autobusi ndalonte tek kthesa, më dukej sikur vajza bëhej fluide, hynte rrëmbimthi brenda në hapësirën e mjetit dhe sillte ftohtësirën e egër të dimrit së bashku me klithmën e thelle të njeriut të pashpresë. Paçka. Ajo sfidonte të gjithë edhe pse shumica e udhëtarëve qëndronin indiferente si ti, nuk shihnin se çfarë ndodhte përjashta.
Një mbrëmje u ktheva një orë më vonë nga puna, vajzën se bashku me qenin nuk i pashë të barisnin anës bordurës së trotuarit, ngjitur me makinat në atë pëllëmbë tokë, u ligështova. Gjurmët e saj dhe të qenit nuk dalloheshin, ato ishin te mbuluar nga dëbora. Autobusi u turr drejt autostradës dhe mua koka më mbeti pas.
U habita kur e gjeta të ulur në stolat e fundit të trenit me qenin e mbështjellë kutullaç në gji. U gëzova. Vajza kishte zënë një pjesë të preokupimit tim dhe pa e zgjatur u afrova pranë saj. Ajo qëndronte kokulur e preokupuar në mendimet e veta. Kapuçin e kish hequr dhe flokët korb të zinj dhe kaçurrela i derdheshin si ujëvarë mbi shpatulla. Ajo ish vërtet e bukur, qerpikët i kish të gjatë, të mbyllur përgjysmë, krijonin një perde të bukur për sytë. Çfarë mund të fshihnin ata sy? A mund të ish shpresëhumbur një vajzë e këndshme si ajo? Çuditërisht mu be e afërt, nuk më rihej pa i folur. U ula. E vështrova me kujdes me bisht të syrit. Vajza lëvizi lehtë shpatullat dhe atëherë i fola:
-Këtë vit po bën dimër të keq,- dhe i buzëqesha ngrohtë.
Vajza ngriti kryet me vërtik, u tendos, vetullat e bukura iu rrudhën, mblodhi shpatullat e hijshme. Më vështroi ftohtë. Qeni lëvizi, ngriti kokën me vrull dhe skërmiti dhembët. Nuk munda ti thosha se përpara kish një mik të mirë dhe nuk duhej të trembej. Se e përjetoja thellë e vetminë e saj e përgjoja me sy, me përdëllim çdo natë kur bariste nën urë, në atë pëllëmbë tokë te harruar, ku ka vazhdimisht erëra te forta. Vajza përnjëherësh veshi koracën e padepërtueshme, uli kokën, përpëliti qerpikët dhe u mbështoll me mjegull. Zbardha dhembët si idiot dhe qëndrova drejt në ndenjëse.
E shihja pothuajse çdo ditë kur kthehesha nga puna, mbështesja ballin në xhamin e ndotur të autobusit. Vështroja vajzën me qen teksa tendoste trupin për të mos u rrëzuar dhe lëvizte pjerrtas të mbrohej prej dëborës, thëllimit dhe erës së fortë. Ajo shpejtonte ndanë rrugës nga një makinë tek tjetra, në atë bërryl të fortë të kryqëzimit Dundas-Bloor.
Ndodhte që kthehesha vonë e gjeja si gjithnjë në ndenjësen e fundit, të vagonit të fundit, me këmbë të mbledhura nën vete për ti ngrohur dhe në pëqi i qëndronte qeni besnik. Fytyra e saj ishte e përskuqur prej thëllimit të hidhur. Unë ulesha në një ndenjëse më tej e përshëndesja me një lëvizje të shpejtë të kokës. Mundohesha të tregohesha indiferent, me frikën e keqinterpretimit. Ajo vajzë bëhej si mace egër kur dikush përpiqej ta provokonte ose ta ngacmonte dikush, qeni në pëqi të saj, ngrihej, skërmiste dhembët.
Ngrihesha e përshëndesja përsëri me kokë dhe zbrisja në stacionin e Keelit. Vajza nuk reagonte, më përgjonte me bisht të syrit dhe vazhdonte udhëtimin me tren. Edhe qeni qëndronte në përgjim. Nisa ta përshëndesja me zë të ulët dhe nga dita në ditë shikimi i vajzën po zbutej nuk ishte më i egër si më parë.
Një mbrëmje me thëllim dhe dëborë të madhe nuk zbrita si zakonisht në stacionin e Keelit. Vajza më hodhi një vështrim pyetës. Pa lëvizur prej ndenjëses ku isha ulur i propozova asaj të pinim së bashku një kafetë nxehtë. Për habinë time ajo pranoi me një luajtje të lehtë të kokës.
-Ne cilin stacion zbrisni? E pyeta.
-Në stacionin: ‘Kështjella franceze,’ - mu përgjigj ajo. Ngriti dorën ngadalë dhe shtroi me kujdes flokët e shpupurishur: -Për të më propozuar të pimë kafe nuk zbrite në stacionin tënd? - më pyeti.
-Po,- i u përgjigja thjesht.
Vajza mblodhi buzët si të thoshte, aq më bën dhe u mbyll në vetvete.
Zbritëm në stacionin ‘Kështjella franceze’. U drejtuam për në lokalin ‘Koha e kafesë,’ disa metra larg stacionit të trenit. Pas na binte qeni. Dëgjonim zhurmën e hapave tona në dëborën e porsa hedhur mbi akullin e ngrirë. Ecnim me kujdes me merakun e rrëzimit të paparashikuar. Porosita dy kafe të mëdha dhe dy biskota me kakao përsipër. U ula në tavolinë përballë saj. Vajza u drodh dhe mbështolli duart rreth gotës së nxehtë prej kartoni. Ajo kish një dridhje të brendshme. E ftohta i kish hyrë në palcë. Ambienti ish i ngrohtë. Ne përnjëherësh ndjemë një farë lehtësimi dhe intimiteti. Qeni kërceu në ndenjëse dhe u ul pranë saj. Ishte qen i shëmtuar, bolldug. Të spërkaste me liga dhe qafën e trashë e lëvizte me ngathtësi.
Vajza ledhatoi me dashuri shpinën e mërdhirë të kafshës besnike. Qeni perëndoi sytë e rrumbullakët dhe u shtriq.
-Si quhesh?- e pyeta vajzën.
-Venera,- përgjigj ajo pa ngritur kokën. Gjithë vëmendjen e kish të përqendruar tek qeni.
-Dhe qen i si quhet?-vazhdova ta pyes.
-Billi- ia bëri ajo dhe për herë të parë buzëqeshi lehtë.
Befas vajza ngriti kokën dhe më pa drejt në sy.
-Ju si quheni?- më pyeti.
-Maksimiliam,- thashë,- por nëse dëshironi mund të më thërrisni Maksi.
Po,- ia bëri ajo,-Maksi më pëlqen edhe pse shpesh herë më acarojnë shkurtimet dhe thjeshtëzimet.
Nënqeshi lehtë, buzët e plota iu çelën si petale. Ajo dukej vërtet vajzë e bukur e mençur, përse dreqin kish shkruar në karton dhe varur në gjoks me fjalët: ‘SHPRESËHUMBUR prej dobësisë së tjetrit!’
-Ju gjithnjë i keni përgjuar lëvizjet e mia, përse? -Më pyeti direkt Venera.
Mblodha supet dhe u mata ti përgjigjesha. Por ajo vazhdoi:
-Fytyra jote e mbërthyer mbas xhamit të autobusit më acaronte nervat. Askush tjetër veç prej teje në autobus nuk ngujohej në përgjim të panevojshëm të veprimeve të mia. Kurioziteti i tepërt është acarues. Një herë të bërtita. Hej surrat majmun. Hidh një monedhë dhe zhduku në thellësi të autobusit. Nuk është qejf të bredhësh në të ftohtë, në dëborë, erë dhe shi, dhe nuk po bëhet ndonjë shfaqje. Dëgjon! Gremisu! Por ju qëndronit si mumie dhe nuk shkuleshit prej dritares. U fyeve?
-Jo,- i thashë me gjysme zëri.
-Më fal!-ia bëri ajo,- gjendem gjithë kohën jashtë, në të ftohtë dhe ngandonjëherë me mbërthen revolta...Sigurisht juve argëtoheni me rrugëtimin tim të shkurtër?
-Ju lutem,- i thashë me zë të ulët. Heshta një hop dhe shtova,-nuk është aspak argëtuese kur sheh një njeri, aq më tepër një vajzë të re, të bukur të përballet me dimrin egër, ne këtë bërryl erërash. Të jem i sinqertë me ju. Qëndrimi juaj në të ftohtë të lë një ndjenjë të çuditshme admirimi, por...
-Çdo të thoni me këtë por?- më ndërpreu ajo duke kapsallitur shpejtazi qerpikët.
U përtypa një moment dhe fola:
-Po ja, si të them, nuk shoh të keni arsye të jeni shpresëhumbur! Ne nuk mund të ndjehemi fajtorë nga dobësitë e të tjerëve.
Ajo nënqeshi me sarkazëm.
-Ah! Kështu mendoni ju?- foli ajo me ton të akull.
-Po, -iu përgjigja,- juve nuk ju mungon asgjë. Jeni e re e pashme e zgjuar e mbi të gjitha keni një vendosmëri të admirueshme. Nëse më lejoni të them: Sikur këtë sakrificë sublime ta vini në shërbim të një qëllimi të rëndësishëm...Nuk keni përse të luftoni kundër natës dimërore, dëborës, furtunës...
Venera po më vështronte qetësisht pa larguar nga buzët nënqeshjen ironike e cila dalëngadalë po i shndërrohej në buzëdridhje të rënduar prej trishtimit. Për një çast kujtova se ajo do ti a plaste që qarit, me kujë, me zë të lartë duke më vënë në pozitë të vështirë. Janë tmerrësisht torturuese lotët e femrave në ambiente publike dhe në prag të mesit të natës. Fatmirësisht ajo nuk qau dhe unë mora frymë i lehtësuar. Venera fërkoi ballin mendueshëm dhe foli me zë të plotë:
-Dalja me Billin, qenin tim të dashur në këtë kryqëzim rruge është krejt ndryshe nga ajo që mendoni ju.
-Më falni!- I fola me zë të zgjatur:- Nuk ju kuptoj?
Qeni lëvizi, ngriti kokën dhe më vështroi ngulët gjithë dyshim. Venera e përkëdheli lehtë në qafë si për ta qetësuar.
-Kjo që kam zgjedhur është një mënyrë proteste,- nisi të fliste Venera,- Prindërit e mi u ndanë kur unë isha në shkollën fillore. Ata ziheshin gjithnjë për hiç mos gjë. Një mesdite të shtune babai i nervozuar përplasi derën, iku duke marrë me vete një valixhe të vogël. Nëna flaku këpucën në derën e porsa mbyllur. Ngriti krahun. Drejtoi gishtin tregues dhe mallkoi:
-Qafën e thefsh o Zot! U bëfsh copa- copa!
Më kujtohet portreti i babait, shtatlartë, pakës ezmer, me flokë të zeza kaçurrela. Kur babai tërhoqi derën pas vetes, shikimi i tij i trishtueshëm gjithë dhembje u mbërthye mbi mua. Nëna e shante e nëmte e mallkonte babanë çdo ditë. Ajo donte të ma neveriste, të ma shqiste, të ma fshinte nga mendja. Por kur ajo fillonte të mallkonte, zija veshët dhe largohesha nga dhoma me vrap. Disa herë pinte, rënkonte dhe dergjej e dehur në dysheme. Duke iu marrë goja me lutej ta falja. E falja, ish nëna ime. E kisha shumë të vështirë ta gjykoja nënën. Nuk i ktheja përgjigje e ngrija me vështirësi e mbuloja. I përkëdhelja flokët e shpupurishur, shkoja në dhomën time dhe qaja.
Një vit pas largimit të babait nëna vjen në shtëpi gjysmë e dehur, së bashku me një mashkull të shkalafitur, këmishëlëshuar dhe pantallona zbërthyer. U tërhoqa e trembur. Ata nuk më kushtuan asnjë vëmendje. U plasën të dy në divan dhe filluan të zhgërryheshin, duke rënkuar shfryrë dhe dihatur. Si gjithnjë unë u struka në kthinën time të vogël. Prej asaj nate mashkulli i huaj nuk u largua nga shtëpia. U bë njerku im. Më dukej sikur trupi i tij lëshonte një erë të rëndë dhe fjalët që thoshte ishin të njëjta si era e trupit. Shpesh habitesha me nënën, flinte në një shtrat me të si mundte ta përballonte atë erë! Sytë e tij gjithnjë qëndronin të lagësht si dy pellgore me ujë të ndenjur. Kur zgjaste buzët të puthte nënën më ngjanin si buzët e një hardhuce. Uf, sa i pështirë! Nëna më këshillonte me zë të zvargur:
-Venera mos i qëndro ftohtë dhe larg. Ka zemër të mirë, tani është babai yt.
-Jo nuk është babai im, - ia ktheva një ditë me inat.
-Venera, duhet të jesh e respektueshme me të mëdhenjtë,- më foli nëna me ton të akull të mprehtë dhe më zhbiroi me vështrim. Unë doja ti thosha nënës. Ju si më të mëdhenj, ‘prindër’ vallë a keni respekt për vajzën tuaj? Përpara syve të mi vërtiteni, lëpiheni dhe zhgërryheni lakuriq nëpër shtëpi!
Në vitin e dytë të shkollës së mesme, njerku tentoi të më përdhunonte. Më hyri tinës në shtrat kur nëna ish në punë. U gjenda e përgjumur dhe e nemitur. Ai merrte frymë rëndë, si kafshë. Shtriu duart dhe më mbërtheu nga gjoksi, i shtrëngoi fort aq sa më dhembi në shpirt. Më doli gjumi dhe më mbërtheu llahtaria. Më vinte për të vjellë, po mbytesha prej erës së tij. U shtyra në cep të shtatit dhe qëndroja syzgurdulluar, pa lëvizur. Oh Nëne! Ç’donte ky njerk në shtatin tim të virgjër? Më dukej sikur duart e tij eshtër mëdha i kisha ende të mbërthyera pas gjoksin tim të vogël.
-Venera,- më pëshpëriti ai. – Të lutet babai mos u tremb. Ti je vajzë e mirë e dëgjuar, afrohu pranë përse i qëndron babait larg? Hë të keqen.
Unë u mbështolla kutullaç. Nuk i ktheva përgjigje. Zemra më rrihte me vrull. Oh, sa të tmerrshme e kish erën ai njeri! Jashtë në rrugë drita e neonit dridhej prej erës.
-Venera,- mërmëriti duke dihatur me vështirësi,- eja pranë babait, mos ri larg, të lutem. Ne kemi nevojë të ngrohemi së bashku.
Njerku u ngjesh pas meje dhe më futi duart menjëherë në trup, më shtrëngoi përsëri gjoksin dhe pa e bërë të gjatë bëri të më hiqte të mbathurat. Ajri i dhomës u tha krejt. U drodha e tëra. Oh nëne, çfarë dreq ngrohje ishte kjo! U shkëputa me vështirësi, të mbathurat mu grisën, u largova e llahtarisur. Ika me vrap drejt banjës dhe u mbylla nga brenda me çelës. Dëgjoja në derë gërvishtjen e thonjve të tij si të një kafshe. Kafshoja gishtërinjtë me dhembë për të penguar klithmën dhe dëgjoja zërin e zvargur të njerkut, për moskuptimin, nxitimin, shpërdorimin ndaj dashurisë se sinqertë, të munguar prindërore. Dridhesha. Gërvishtjet në derë po bëheshin më të nervozuara. Njerku shau dhe qëlloi derën me shkelmë. Unë klitha nga frika dhe gjakosa gishtërinjtë.
Nëna u kthye vonë nga puna. Më urdhëroi të hapja derën e banjës. Më vështroi thatë dhe bëri habi me veprimin tim të paarsyeshëm, çmendurak.
-Ç’është kjo të mbyllesh në banjë! Kujt i trembesh? E di që nuk je më çilimi por goxha vajzë!
U gëzova kur pashë nënën dhe u përpoqa ti a shpjegoja asaj, se trembja ime kish një arsye të lemerishme, aq sa goja nuk ta nxë. Oh, të kesh frikë të flesh në shtëpinë tënde! Më mbahej fryma, prej nxitimit doja ti hapesha nenës te shprehja akthin e paralajmëruar dhe të papërballueshëm.
Çuditërisht nëna me padurim dhe nervozizëm flaku pardesynë mbi divan dhe më vështroi me inat, sikur të isha unë shkaktarja.
-Pastaj, pastaj..,- ia bëri.
-Nënë është...
-Mjaft, mblidhe mendjen , qetësohu,- më ndërpreu ajo.
Njerku mbështjellë kutullaç në divan fliste zëulët me sytë përtokë,
- Mirë të thotë nëna, qetësohu. Unë ta fal papjekurinë, keqinterpretimin dhe shpërdorimin e dhënies së dashurisë së munguar, prindërore, si bijë të dashur që të kam...
-E shikon, hë e shikon. Babai të fal. Donte të jepte ngrohtësi dhe sinqeritet- më tha nëna. Zëri i saj ishte i metaltë, urdhërues,- kërkoi falje babait. Hajt, zëre për qafe dhe puthe.
-Nënë!
Përnjëherësh nëna mu duk shumë e largët. Dhoma lëvizte me shpejtësi dhe së bashku me të dhe unë. Nëna ime e dashur kërkonte ti kërkoja të falur njeriut që u përpoq të më përdhunonte dhe që ish kafshë. Përse? Përse të ish kaq naive nëna ime, i besonte verbërisht njeriut që të mbyste me erë të ndyrë! Mu veshën sytë dhe ndjeva dhe besova se do bija përdhe e zalisur. U mbështeta tek kanati i derës.
-Kërkoi falje,- këmbënguli ajo.
-Nuk mundem mama,- rënkova.
-Shko fli, -më urdhëroi ajo,- dhe mos e përsërit më. Unë robtohem në punë për të mbajtur me bukë dhe arsimuar. Ndërsa ti, pa një arsye më mbyllesh në banjë.
-Nënë!
-Pa fjalë, shko fli.
Isha gati të ulërija, gruaja që qëndronte përballë meje, ish vërtet nëna ime! Njerku si zhabjak i keq, qëndronte mbledhur në divan me fytyrë të përvuajtur. Shtrinte krahët drejt meje me sy të përlotur dhe mërmëriste:
-Eja bijë përqafoje babanë.
Më vinte për të vjellë prej neverisë dhe hipokrizisë. Ika në dhomën time dhe u mbylla nga brenga me çelës. Njerku më ngjante si një vampir i skeletosur. Përgjonte nëpër dyer dhe dritare dhe hynte nëpër oxhaqe. Ndaj e zura vrimën e stufës me një shuk të madh me lecka. Hijet zvarriteshim nëpër mure. Zhurma më e vogël nëpër tjegulla apo dritare me bënte të kërceja prej shtrati dhe rrëmbeja kacinë. Nuk fjeta. Një mendim më rrihte si çekan në tru. Ndërsa në dhomën tjetër ku flinte nëna me njerkun dergjej qetësi varri.
Të nesërmen pa dalë dielli dhe pa i thënë nënës gjysmë fjale u largova prej shtëpie. Fjeta në një shoqe. Prej asaj dite nuk u ktheva më në shtëpi, por dhe nëna nuk më kërkoi. Me solli teshat e mia dhe u largua pa folur. Të dyja iu vodhëm shikimit të njëra tjetrës.
Pyeta nënën në telefon të më jepte ndonjë informacion për babanë. Ma mbylli menjëherë telefonin duke më bërtitur:
-Po të më telefonove herë tjetër për atë dreq. Më mirë mos ta dëgjoj e ty zërin.
Ajo nuk e kish për gjë të shante, të nemte, të mallkonte. Më habiste një fakt, asnjë herë nuk e dëgjova ta mallkonte njerkun. Ai i shfrynte e shtynte. Ajo i qëndronte përpara si pulë e lagur. I jepte të gjitha dollarët deri në centin e fundit dhe i bindej për gjithçka.
Fillova ta kërkoja babanë, nëpër numrat e telefonave dhe nëpër disa të njohur. Më në fund rashë në gjurmë. Jetonte në rrugën e vjetër King të qytetit të Vankuverit. Me disa të holla që kisha mbledhur preva një biletë avioni dhe u nisa për aty.
Ishte mesditë kur zbrita në Vankuver dhe qyteti ish i mbytur në shi. E hutuar u solla vërdallë nëpër qytet dhe shiu më hyri deri në palcë. Më në fund rashë në gjurmë, por adresa që kisha gjetur nuk ekzistonte më, godinat e vjetra të rrugës King ishin prishur. Ishin hapur themelet për ndërtimin e një pallati të lartë. Mora vesh se babai kish vdekur para një viti prej një infarkti në zemër në spitalin e Shën Majkellit. Kërkova varrin mezi e gjeta dhe i vendosa një tufë me lule. Më duhej të përballoja jetën vete. Pika e vetme e shpresës u tret. Gjeta një punë çfarëdo dhe përfundova shkollën e mesme.
Në kursin dy vjeçar për stjuardesë njoha Antonin, por ai donte ta thërrisnim shkurt Toni. Ai qe një djalë i pashëm, elegant, delikat, lëkurëbardhë, symadh, flokë gështenjë, i dashur, dhe i turpshëm si një vajzë. Rashë në dashuri me Tonin. Më prekte brishtësia dhe delikatesa e tij. Toni më dhuroi Billin, fare të vogël, dy javësh. E përlotur iu kacavjerra Tonit e putha fort në buzë. Fillova ta doja akoma më shumë, sigurisht dhe Billin, qenushin e vogël,bubulesh. I cili më vonë mu bë gjëja më e çmuar në botë. Mos të mërzita?
-Jo, në asnjë mënyrë, jo, -ia ktheva me nxitim. Ju lutem, mund të vazhdoni.
Venera u mbush me frymë dhe vazhdoi:
-Nuk dua ta bëj tërkuzë edhe pse janë momente të rëndësishme të jetës sime. Ju jeni i pari njeri që po ia hap zemrën dhe nuk e di përse. Përfunduam shkollën dy vjeçare dhe filluam së bashku me Tonin si stjuardesë në një kompani ajrore në Amerikën e veriut. E doja punën, më dukej sikur gjeta profesionin më të mirë. Më pëlqente të njihja botën, të udhëtoja dhe të mësoja sa më shumë. Fluturimet ajrore dhe qëndrimi në vende dhe mjedise të ndryshme ishte një shkollë e re për mua. Bashkëjetoja me Tonin. Së bashku kishim vendosur të mblidhnim disa të holla dhe të blinim një folesë tonën, të fillonim jetën e re si gjithë të tjerët. Unë e lumturuar i propozova që pushimet e muajit të mjaltit ti kalonim në Las Vegas, pranoi pa hezitim. Sikur të më thoshte se muajin e mjaltit ta festojmë me familjen e tij, do ta pranoja pa mëdyshje. Toni më njohu me prindërit. Ishin njerëz të thjeshtë, të qetë dhe shumë të dashur. Merreshin me agrikulturë, jetonin në veri, në një qytezë të vogël. Shtëpia e tyre karakteristike ishte e rrethuar me një kopsht të madh me pemë frutore. Unë ndjehesha shumë ngrohtë mes tyre.
Përpara disa javësh shkuam në Paris. Nga shumë kryeqytete dhe qytete të botës adhuroj Parisin. Ai qytet për mua nuk është vetëm kryeqytet i Francës por kryeqyteti i botës. Më pëlqen ta vizitoj të mrekullueshmen, me katedralen e famshme Notre Dame de Paris. Një dorë e panjohur kish gdhendur ne mur fjalën rrëqethëse:‘Fatalitet.’ Katedralja hijerëndë të sjell nëpër mend Kuazimondon tmerrësisht të shëmtuar por me shpirt të mrekullueshëm, të ndjeshëm, të krijuar prej të pavdekshmit Viktor Hygo. Më pëlqen të qëndroj dhe të meditoj përpara Harkut të Triumfit. Të ngjitem lart në kullën Ejfel, të shoh si në pëllëmbë të dorës Parisin e gjenive, ndryshimeve, revolucioneve, komunarëve. Të magjepsem me Luvrin hijerëndë, pallatin e mbretërve. Të shoh Mona Lizën e Da Vinçit, pikturat madhështore te Velaskes, Delakruasë, Rembrandit. Të shëtis në Placa de Conkord. Versajën dhe të habitem e shtratin e mbretërve, i cili mu duk shumë i shkurtër për madhështinë e tyre. Ciceroni na tha se aso kohe mbretërit flinin ndenjur, të mbështetur në shumë jastëkë, ngaqë ndruheshin qëndrimit shtrirë u dukej sikur ishin të vdekur. Më pëlqente shumë te ulesha me Tonin dhe të pija kafe në lokalin e Volterit. Të haja darke të shijshme në lagjen latine. Te përzihem me turmën laramane e cila mbush trotuaret në çdo orë dhe minutë. Ky qytet nuk fle dhe i ka dhënë kulturë dhe shkëlqim botës mbarë...
Si zakonisht zumë hotel jo shumë të shtrenjtë dhe afër aeroportit. Pilot Herri ndryshe nga pilotët e tjerë kërkonte të ishim për çdo rast gjysmë orë përpara kohës së nevojshme. Ai njeri ish tekanjoz, i grindur dhe i urrente vonesat. Unë nuk e pëlqeja fort atë njeri. Kish diçka ngjitëse, midis bletës, brumbullit dhe agrepit...
Unë qesha.
-Mos qesh,- foli me zë të grindur Venera dhe vazhdoi:- Sa herë më ndodhte të bëja fluturime me pilot Herrin ndjehesha e bezdisur. Ndërsa Toni behej më enigmatik. Më dukej sikur largohej nga unë. Ngulmonte me sytë e ulur përtokë se pilot Herri është njeri shumë i sjellshëm dhe asnjëherë nuk të lë në baltë. Disa herë u mata ta pyesja, përse nuk na lë në baltë ai njeri, kur ne kemi tjetër union dhe oraret dhe ditët e punës i cakton tjetër kush? Apo ngaqë i ngulte Tonit në xhep gjoja aksidentalisht ndonjë shishe me verë Bordo dhe parfum Chanel. Kam marrë llahtari prej pijeve qysh nga fëmijëria nuk dua tu ndjej erën. Pas lutjeve të vazhdueshme të Tonit, sa për të mos ja prishur e vë pijen në buzë dhe pi disa gllënjka.
Kur po hanim darkë Toni më pëshpëriti me zë enigmatik:
-Venera, sot dua të bëj një surprizë. Do vij pak me vonesë. Më prit në shtrat me dritë fikur dhe perde lëshuar. Më premton?
-Toni, përse vallë!
-Më premton?- Zëri i tij mu duk i holluar.
-Po. Do vonohesh shumë?
-Joooo!
Doja ta pyesja e ç’ishte ky trill i çuditshëm dhe i panjohur më parë, kur e dija se ai nuk i kish qejf shakarat.
-Të premtoj,- i thashë. Ai më përkëdheli dorën dhe më puthi lehtë në buzë. Ngjitën shkallët ngadalë, ecëm në korridor të zënë dorë për dore, tek dera e dhomës u ndal. Morri frymë thellë. Mua mu duk më shumë një psherëtimë. Më puthi lehtë në buzë. Më porositi të mos hapja dritën dhe zbriti shkallët pa e kthyer kokën. Mbështeta shpinën në trina e derës dhe ndoqa me sy Tonin kur i zbriste shkallët dy e nga dy. Ai më bëri me shenjë të hyja brenda.
Ndjeva diçka bosh në vetvete, nuk e kuptoja këtë trill të Tonit dhe çfarë të qe kjo surprizë e çuditshme me dritë mbyllur? Mbase ndonjë dhuratë intriguese, me drita vezulluese në prag të dasmës. Pushimet e javës kishim vendosur ti kalonim në qytezën e vogël me prindërit e tij. Befas më mbërtheu një kapitje dhe plogështi. Bëra një dush të shpejtë, pastrova dhembët, u zhvesha dhe u futa në shtat. Një anë e perdes së dritares nuk ish mbyllur plotësisht, nuk më bëhej të ngrihesha, vështroja përhumbjen e plogët te Parisit. Një cep të kullën Eflef dhe dritat e qytetit si xixëllonja të venitura. Me siguri Parisi ishte larë nga shiu i vrullshëm dhe mbështjellë me petkun e përhirtë te mjegullës.
Pas dhjetë minutash u hap dera e dhomës. Dëgjoja veshë ngrehur dhe futa kuvertën e pambuktë nën vete. Nisa të dëgjoja hapa të ngadalta, të shtruara dhe zhurmën e lehtë të parketit. Një hop hapat qëndruan. Heshtje. Lëviza me përtesë këmbët, fërkova mjekrën pas jastëkun dhe qesha nën vete.
-Toni,- fola me zë të ulët.
Ai nuk më ktheu përgjigje. Hapat e lehta u ndjenë përsëri, në anën e kundërt të shtratit prapa meje. Hapat qëndruan. Heshtje e thellë. Lëviza këmbët përsëri dhe futa krahun poshtë jastëkut. Frymëmarrja e rëndë e Tonit gati dihatje dhe frymëmarrja ime e butë. Përse ta ketë Toni këtë frymëmarrje kaq të rëndë, kur jam plotësisht e tija? Nuk ka përse të lodhet më një dhuratë të panevojshme aq më tepër në prag të mesnatës. Bëra të ngrihesha dhe të hapja dritën. I kisha premtuar Tonit të mos lëvizja, në pritje të dhuratës surprizë. Përsëri heshtje. Frymëmarrja ime filloi të bëhej e shpeshtë prej padurimit.
Ndjeva që u ngrit me kujdes kuverta e pambuktë. U fut në shtrat gjysma e trupit, më pas i tëri. Susta kërciti dhe dysheku u lëkund butë.
-Toni, - fola përsëri me zë të ulët, përkëdhelës. Doja ti thosha ç’është kjo lojë?
Por Toni përsëri nuk mu përgjigj, dihaste me vështirësi.
-Toni, të lutem mjaft!- ia bëra.
Ai mori frymë rëndë dhe më tërhoqi vrulltas pranë vetes. Doja ti thosha dale prit. Për të bërë seks me dritë mbyllur krijove gjithë këtë maskaradë? Po ne more Toni kemi bërë disa herë seks me dritë mbyllur. Ti vetë më ke thënë që të acaron errësira. Frymëmarrja e tij po bëhej e sforcuar dhe duart nuk qenë të buta të ngrohta. Çka po ndodh me Tonin kështu? Jo nuk mund të ish Toni im i ëmbël. Përnjëherësh mu përvijua. Mu shpif njerku me erën e tij të neveritshme. Bëra të tërhiqesha. Duart e tij qenë si panxha dhe më mbanin të shtrënguar fort. Nga mbiu ky dreq njerk në dhomën e hotelit qindra dhe mijëra milje larg? Ndoshta më ka ndjekur hap pas hapi. Përgjoi bisedën time me Tonin ruajti momentin, dhe tinës hyri brenda.
-Toni,-fola me zë të pasigurt dhe bëra të kthehesha.
Organi i tij i ngrehur po lëvizte mes këmbëve të mia. U rrëqetha. Përdhunim i pështirë. Por tashmë nuk isha më e vogël. Përqendrova forcat i dhashë shtytje trupit, i vura bërrylin dhe lukth, gjurin në bark. Tjetri ishte i lëshuar dhe nuk e priste këtë reagim të fuqishëm. Rënkoi prej dhembjes:
-Bushtër,- dëgjova.
Njerku! Mu rrëqeth e gjithë qenia. Çdo ky shtriq maniak, shëmtarak u gjend në dhomën time, në shtratin tim në hotel e në mes të Parisit!? Përnjëherësh mu krijua në mendje skena e llahtarshme. Hakmarrja primitive. Ndjekja dhe përgjimi i vazhdueshëm prej skuthit njerk. Mësoi vendin ku jetoja në harmoni të plotë me njeriun që e dashuroja aq shumë, që mu krahë dhe do të lidhja jetën. Zënia në befasi i Tonit teksa zbriste shkallët për të blerë surprizën e bukur, goditja me send të fortë dhe lidhja e Tonit me kabull elektriku. Me besim të plotë që kish eliminuar barrierën, pa pasur frikë, hyri në dhome dhe mu fut në shtrat.
Mbas shumë përpjekjesh munda të shkëputesha prej tij. Shkava prej shtratit. U afrova këmba dorës drejt llambës të vendosur mbi komodinë dhe ndeza dritën.
Prisja të shikoja fytyrën skeletore të vampirit njerk. Për habinë time. Në shtatin tim. I zhveshur lakuriq. I shogët, i eshtërt, qimekuq, gjendej piloti Herri. Fytyra e tij ish e skuqur si panxhar i kuq.
-Juuuu Herri!- ulërita, aq sa u patakta me ulërimën time:-Si guxuat të futeni në shtratin tim. E di ti se çfarë të bëj unë për këtë akt të shëmtuar!
Ai u shtriq në shtrat me vetësiguri të tepruar.
-Venera, nuk është koha për klithma. Eja futu në shtrat dhe mos bëj naze,- hungëriti ai.-Ta kuptosh si është burri i vërtetë.
-Qelbac, - këlthita.-Çfarë kujtoni ju se jam unë?
-Oh Venera! -ia bëri ai me moskokëçarje, dhe u kthye në brinjë,- përse duhet ti skandalizojmë gjerat.
-Të duket i thjeshtë veprimi yt bastard, i pështirë! Maskara!
Harri zbardhi dhembët sikur të mos kish ndodhur gjë. Hodha penuarin krahëve dhe dola nga dhoma me hapat të nxituara. Si morri guximin piloti të futej në shtratin tim. Asnjëherë nuk i kisha dhenë shkak. Edhe kur më fliste e dredhonte gjithnjë shikimin, sikur gërmonte dyshemenë. Më hante trupi prej nervozizmit. Telefoni ish në korridor. Pa hezitim duhej të merrja policinë. Ta denoncoja për shpërdorim detyre dhe tentativë përdhunimi. Nuk mund të heshtja më. Nëse do të heshtja, do ta përsëriste dhunshëm.
Ku ish ky Toni? Përse të vonohej kaq shumë? Ndjenja nevojë më shumë se kurrë të dëgjoja një fjalë qetësuese, mbështetje të ngrohtë. Dhe padyshim do të ma jepte, mbasi e dija fort mire se me donte me shpirt. Ish i vetmi njeri i dashur, i pazëvendësueshëm që kisha në botë. Isha e rrëmbushur prej lotëve. Veprimet i bëja të çakërdisura.
U shtanga. Në korridor, ulur në divan mjekër mbështetur mbi të dyja pëllëmbët qëndronte Toni.
- Toni, çfarë bën këtu? - bërtita.
Ai ngriti kokën me përtesë. Ish i zbehtë në fytyrë. U ngrit në këmbë dhe duke marrë frymë me zor ia bëri zëdridhur:
- Hë!
-Tani erdhe? Ku ishe, përse u vonove? Sa shumë më mungove!- e psherëtiva e lehtësuar. Trupi më kruhej tmerrësisht.
-Hë..! Këtu... isha. Venera çfarë ndodhi në dhomë?
Shkunda kryet gjithë inat.
-Më pyet çfarë ndodhi në dhomë? Unë të pyes ty, çfarë bën këtu në korridor? Të prisja në shtrat siç më the. Në pritje të dhuratës tuaj të famshme, -trupi më dridhej. Krahët gati i gjakosa prej të kruajtjes. U mbusha me frymë dhe vazhdova,- e di ti Toni se, maskara Herri mu fut në shtrat dhe u përpoq të më përdhunonte!
-Harri tu fut në shtrat!- ia bëri Toni dhe morri një pamje idiote:- Harri...të përdhunonte.
-Po Toni dhe ndjehem tmerrësisht e poshtëruar. Po më shpërthen kafka.
-Perse,- murmuriti ai.
Mu shpif një dyshim i çmendur.
-Toni e dije ti se ai pusht do më futej në shtrat?- E pyeta.
Ai mblodhi supet si kaqol dhe pëshpëriti.
-Çfarë të dija... Nuk e di... ndoshta... e... dija...
-E dije?!- ulërita me sa zë që kisha në kokë.
Toni uli kryet. Krahët më përvëlonin prej kruajtjes.
- Pra kjo ish surpriza e bukur që doje të më bëje? -Sytë mu rrëmbushën nga lotët. Shtrëngova me gjithë fuqinë kollanin e penuarit, si të vija në vete dhe thashë:- Toni a je në vete, të lutem mos më çmend? Ju dua me shpirt, jam e fejuara jote.
Toni si fëmijë vari kokën në gjoks, shpatullat iu drodhën prej ngashërimit të brendshëm dhe bërbëliti:
-Venera, nuk kisha rrugë tjetër.
-Nuk kishe zgjidhje tjetër? -Bërtita dhe vura duart në mes:-Ç’është ky shpartallim!
Toni mblodhi supet dhe futi duart mes gjunjëve.
I pafytyri Herri në çfarë prangash kish shtrënguar Tonin tim të ëmbël, të brishtë, të çonte me dëshirë të fejuarën, të dashurën e zemrës në krahët e tjetrit? Të bëja seks në dhomë si një prostitute dhe Toni të priste qetësisht në korridor, ulur këmbë mbi këmbë në divan ne pritje te shpërblimit. O Zot sa shpejt u shitka ndjenja e brishte, sinqeriteti! Ku - ku vaj medet! Ku ish burrëria, sedra e mashkullit? Ku ishte morali? Sa poshtë kish rënë Toni! A do ish e kuptueshme të puthesha më vonë të. Te bëja seks se duhej bere me ‘burrin tim’ me lëvizje mekanike, pa zemër, ne mugëtirën absurde te zhgënjimit? Të isha një manikotë e mjerë e dy burrave! Prej dobësisë mashkullore të Tonit, të kaloja në shpërdorim të pështirë.
Gjithçka më dukej e papërfytyrueshme e neveritshme. Më vinte të shkulja të brendshmet e barkut e të lija zorrët të lidhnin helmet e tjetrit. Nëna edhe pse ish ‘nënë’ dhe unë isha fëmija e saj e vetme. Më imponoi të pranoja të gëlltisja në heshtje, pa asnjë kompromis, përdhunimin e njerkut edhe pse isha e ende e njomë e virgjër dhe bija e saj. Atë e egërsoi kundërshtimi im. Nuk mund ta them, në ish verbuar nga marrëzia, apo imponuar dhunshëm prej njerkut. Nëna qëndroi e akullt. E pranoi ikjen time.
Toni nuk kish perse të zgërlaqej dhe a mund të jetohej më pas me të, me buzëqeshje hipokrizie? Të fle në një shtrat me të, kur në të njëjtën kohë do isha dashnorja e pilot Herrit? Derrit me zile. Ç’po ndodh me njerëzit, si po përdhosen kështu, ku është ndershmëria, dinjiteti?
Vështrova fytyrën e zbehtë të Tonit dhe dridhjen e duarve të tij. Mu duk si fëmijë i humbur. Ndoshta u ndodh bosh prej trusnisë të Herrit dhe veproi në një moment papjekurie, pasigurie, dobësie. E doja me shpirt. Vetëm Toni kisha të shtrenjtë në këtë botë, ndaj edhe mund të tolerojmë, të falim njeri tjetrin. Dikush nga ne në një moment delikat duhet të tregohet i fortë. Duhet të bëja zemrën gur. Nuk e lejova Herrin të më shpërdoronte, kjo ish e gjitha. Ndjeva pak dhembshuri:
- Toni të lutem më dëgjo, – nisa ti flas me zë të ëmbël:- Për hir të dashurisë do ta hedh prapa ndodhinë. Të lutem, eja ikim e lëmë këtë dreq kompani. Pa bukë nuk do ngelemi, kërkojmë punë tjetër. Edhe në mos gjejmë punë, dera e prindërve të tu është e hapur. Mua më pëlqen të jetoj me ta dhe të merrem me agrikulturë. Do na mungojnë disa elemente të parëndësishme por do kemi të rëndësishmen dashurinë. Sa për Harrin di unë si ti a tregoj vendin. Më dëgjon Toni, përgjigju.
-Të dëgjoj Venera,- foli ai zë shuar,- por nuk është vetëm aty çështja.
-Çfarë dreq çështje është, të lutem ma thuaj se po çmendem?
Toni luajti kokën me mundim dhe mërmëriti:
-Më fal Ven...
Atë çast u hap dera dhe nga dhoma doli i krekosur Herri duke tymosur puro kubane. Ai kish veshur penuarin e kaltër të Tonit. Duhej ta kish përgjuar bisedën tonë. Qëndroi një moment i krekosur dhe provokues përpara meje. Më nguli një shikim gjithë urrejtje, sikur ia kisha për borxh që nuk e lashë të bënte qejf. U rrotullua me ceremoni nga Toni. E mbërtheu nga krahu dhe e ngriti si pupël në këmbë. E tërhoqi me forcë pranë vetes dhe e puthi me epsh në buzë. Toni perëndoi sytë, u mblodh si esh, u shtriq, u përdrodh, pastaj vështroi nga unë gjithë frikë.
-Toni,- bërbëlita e ç’merituar. Nuk u besoja syve:- Toni..!
Herri e puthi përsëri në buzë. I futi gjuhën brenda, pastaj nisi të lëpinte fytyrën e Tonit si kafshë. Mua gati sa më ra tavani mbi kokë. Mu bë sikur dëgjova rrapëllima dhe trokëllima. Më pas ulërima dhe shungullima. Për të mos u rrëzuar u mbështeta pas murit.
-Toni!- psherëtiva me dhembje.
Harri vazhdonte të thithte Tonin dhe të më zgërdhihej. Nuk durova më. Gërhita:
-Qërohuni nga dhoma që të dy!
Herri qeshi me të keq dhe mbërtheu Tonin nga prapanicat. I mjeri Toni qëndronte si vuv, linte veten të trazohej dhe të lëpihej prej një mashkulli tjetër. U mbajta me vështirësi mbas cepit të divanit. Toni qe pederast. Për habinë time, Toni fytyrë tjetërsuar u kthye nga unë, më nxori gjuhën, më përqeshi :
-Ç’na the, qërohuni që të dy nga dhoma...
Harrit iu bë qejfi shumë, mbërtheu me të dy duart penisin e tundi dhe e shkundi përpara meje.
-Zhdukuni!- Ulërita.
Ata dolën. Prej korridorit vinin të qeshura dhe argalisje të shfrenuara. Isha bërë si e tërbuar. Ç’ishte ky bastardim? Më dukej vetja e nëpërkëmbur. Po më shpërthente koka. Ngrita kryet dhe vështrova veten në pasqyrë. Mu duk vetja tmerrësisht e shëmtuar, e ënjtur e mbufatur prej rrëmetit dhe lotëve. Nuk durova më, i rashë pasqyrës me grusht e theva në bëra copa. Me shumë mundim i përmbajta nervat. Punonjësit e hotelit mund të lajmëronin policinë. Nuk trembesha aspak për veten por do tu bëhej qejfi atyre.
Herri lëkurë djalli, nëpërkëmbte dobësinë e Tonit për të më shpërdoruar mua. Vendosa pa asnjë hezitim të vrisja veten. Jeta mu duk tmerrësisht e shpëlare e përçudnuar dhe pa asnjë farë kuptimi. Mu neverit gjithçka. Të gjithë duan të shpërdorojnë, deri dhe tek shenjtëria dashuri. Kujtoja se vetëm femrat shpërdorohen. Por ja që meshkujt si puna e Tonit shkapërdahen në mënyrën më të shëmtuar, bëhen pre e epsheve të shfrenuara.
Më bëhej sikur dëgjoja trokitje të potershme në derë. Nuk u kushtoja rëndësi. Qëndrova përpara pasqyrës së thyer, rrëmbeva një copë xham të mprehtë dhe fillova të prisja damarët e duarve. Kisha marramendje dhe vështroja me indiferencë të plotë gjakun që pikonte mbi pllakat e bardha të kuzhinës. Prapa meje dëgjohej zhurmë. Në dhomë hyri pastruesja e hotelit e cila më mbërtheu nga krahët dhe ma shkuli xhamin prej duarsh.
-Budallaqe,- më tha ajo,- kërkon të shuhesh, të bëhesh hiç. E kujt do ti plasë.
Më lidhi plagët e duarve. Më bëri një çaj të ngrohtë. Lajmëroi ambulancën.
Nuk e takova më Tonin. Nuk kish kuptim. Sqarimet ishin të panevojshme. Morra një avion tjetër. Ika pa kthyer kokën. Braktisa gjithçka së bashku me profesionin.
Një ditë kur po kthehesha me linjë prej aeroportit, mbasi dorëzova uniformën dhe morra çekun e mbetur. Autobusi u ndal si zakonisht tek bërryli i kryqëzimit Dundas dhe Bloor në pritje të hapjes së shenjës së kalimit. U përlota. Në atë vend Toni më puthi për herë të parë. Në atë vend ai hapte dritaren dhe flakte cigaret, kutinë boshe të cigareve dhe kutitë boshe të koka - kolës. Duart e tij delikate, si prej vajze nuk qëndronin asnjëherë të qeta. Shpesh thosha:
-Toni të lutem mos i flak sendet prej dritares, mund të gjobohesh ndonjë ditë.
Ai qeshte si çilimi. I tregoja me gjysmë shaka tabelën e vendosur nga TTC, të urbanistikës të qytetit me shenjen e çekanit të gjykatësit: ‘Gjobohen me 500 dollarë të gjithë ata që kapen kur flakin prej makine sende të ndryshme.’
Toni shtonte me moskokëçarje:
-Venera të lutem, kush mund të shohë, në mes të natës, në këtë kthinë të humbur...
E kërkoja një sfidë. Një shkundje. Nisa të besova se jeta nuk ka vetëm pështirosje, por dhe përpjekje për mbijetesë, dëshira. Ky bërryl është kujtimi im dhe akuza ime, sepse Toni doemos do kalojë atje për të zbritur në qytet. Do hapë dritaren dhe do tentojë të flakë gjësend.
Përnjëherësh vendosa me vete të dilja në këtë kënd, poshtë nën urë, pranë tabelës së urbanistikës. Ku preka dashurinë. Ku kryqëzohen erërat, ciknat, dëbora. Të largoja prej mendjes vetëvrasjen, ligështimin, dobësinë. E fyer prej bastardimit mashkullor. Shpresëhumbur prej sinqeritetit, moralit, ndershmërisë dhe dinjitetit. Por njëherësh për të protestuar dhe ringritur. Ecja, kthehesha, rrotullohesha rreth vetes, vija vërdallë e shpërqendruar dhe e penduar që morra një vendim të shpejtuar. Eja fishkëllente pa ndërprerje.
Dikush hapi dritaren dhe flaku një kuti konserve. I dola përpara dhe i tregova tabelën e gjobës. Ndërkohë ngrita sendin e flakur. Tjetri më vështroi i habitur, pastaj më zgjati një kartëmonedhë pesë dollarësh. Një moment hezitova ta merrja...
Venera ndjehej e lodhur prej rrëfimit, morri frymë thellë. Më vështroi drejt në sy dhe shtoi me ton të rëndë:
-Të duket përçartje anakronike, ose idealiste apo jo?
Unë ngrita supet dhe shpejtove të thosha:
-Jo Venera, në asnjë mënyrë jo!
Venera nënqeshi e trishtuar dhe foli me zë të plotë, të akullt.
-Kjo është mënyra ime e protestës e akuzës. Ndrydh zemrën. Erdhën së bashku me Hondan e gjelbër. Qëndruan në këtë kthesë. Toni hapi dritaren dhe flaku kutinë boshe të cigareve. U dola përpara, u tregova shenjën e gjobimit. Ata nuk e pandehnin praninë time, u tërhoqën, u mblodhën si minj. Shikimi i zbehtë i Tonit dukej sikur ish gremisur në hon.
Pas disa minutash makina lëvizi. Dëgjova ankimin e ulët të Tonit dhe të qeshurën sarkastike të Harrit. Ai e shpërdoron Tonin dhe në të njëjtën kohë mban të shoqen dhe dy fëmijët. E njoh gruan e Harrit e kam parë shpesh kur çon vajzën e vogël në kopsht me një makinë të vjetër, të markës ‘ford’ ngjyrë kafe. Është një femër e imët, që vishet pa kujdes dhe me vështrim të trishtuar. Ndoshta ajo i di shkapërderdhjet e të shoqit. Nuk jam e poshtër, hakmarrëse, të ndërhyj në familjen e tij...
Venera heshti. Uli kryet e lodhur. Rrufiti me zhurmë lëngun e errët të kafesë që kish mbetur në fund të gotës.
U ngrit. U mbështoll. I bëri zë qenit ta ndiqte dhe iku, pa më lënë rast ta pyesja ku banonte...
KRISTAQ TURTULLI
Toronto
Prill- Tetor 2011