Kulturë
Nexhat Rexha: Relativja në kërkim të atributit pozitiv
E shtune, 17.12.2011, 06:11 PM
RELATIVJA NË KËRKIM TË ATRIBUTIT POZITIV
Faruk Buzhala:”Shtëpia pa rrugë”, Botoi, Klubi Letrar “De Rada”,Ferizaj,2009, fq.84.
Nga Nexhat Rexha
Faruk Buzhala në librin e dytë poetik “Shtëpia pa rrugë”, vjen me vargje meditative, të cilat artikulojnë pjesë të ndryshme nga bota e artit si rezultat i përjetimeve reale dhe nëpër to pasqyron imazhet reflektuese me një përceptim origjinal.
Libri hapet me poezinë”Një poezi për poetët”. Meditimi refleksiv merr ngjyrime nga aktualiteti i përditshmërisë preokupuese. Ai ka vë në spikamë vlerën aktuale të botës poetike bashkë me dallgët e njeriut, të cilat depërtojnë edhe nëpër trazimet shpirtërore pa e matë kohën dhe vendin e tyre. Shqetësimet ekzistenciale krijojnë situata edhe të padëshiruara dhe Faruku, këto situata i ka ngjyrosur bukur me vargun e tij poetik, për t`i dhënë kuptim e domethënie vargut të tij, si dhe vendqëndrimit e rrjedhshmërisë në situata të ndryshme shoqërore.
Vëllimi poetik ndahet në këto cikle: Idhulli i harresës, Dashuri elektronike, Shtëpia pa rrugë, që vjen po nga e njëjta poezi me këtë titull në faqen 68, dhe cikli Një fund që është një fillime, vetëm një poezi “Pëshpëritja”.
Poezia e këtyre cikleve ka unifikimin artistik, sepse autori ka sistematizuar brendinë e trajtimit, ndërtimit poetik dhe atë e ka vë në lëvizje të kontekstit kohor e të problematikës së trajtuar me qëllim që shtjellimi i preokupimve të tija të marrë rolin objektiv. Vlen të veçohen disa poezi, si: Gjuhëgjatët, Shtëpia ime, Vështrimi nga dritarja e jetës, Vetmia, Dashuri elektronike, Unazë e këputur, Vetëm ti iu gëzove ardhjes sime, Kur s`ke çka me ba, Betonimi, Shtëpia pa rrugë etj.
Brendia e shtjellimit dhe hedhja e materialit janë në funksion të akumulimit për të krijuar atë që dëshiron autori, me qëllim të arritjes së kualitetit edhe në strukturë e në vlerë sa më afër lexuesit, gjithnjë me kujdesin për të arrirë efektin realizues të metaforës si fuqi dhe angazhim në arritjen e saj në depërtimin sa më konkretizues për lexuesin.
Në këto realizime poetike autori ka synuar të objektivizojë, dukuritë e shfaqura në shoqëri, që në një mënyrë apo tjetër ato nuk përkojnë me moralin dhe kërkesat e përgjithshme, për të cilat njeriu ynë gjatë kohës së robërisë nuk ka pasur as idenë se një shtresë e elitare e politikës sonë do të jenë të pangishëm në burimet ekzistenciale të këtij populli e vendi. Duke aluduar në të kaluarën dhe në qëndrueshmërinë shekullore të njerëzve tanë, sepse sa lot janë derdhur për këtë tokë e për këta njerëz, atdhetarët kanë dhënë gjithçka prej vetes për një ditë, e një jetë sa më të dëshiruar. Pra, aktualiteti sintetizohet edhe me këto ngarkesa për ta mundur e tejkaluar veten në këtë fazë të zhvillimit shoqëror. Ai dëshiron të ngushëllohet me vargjet e tija, për këtë kohë të mundimeve dhe krijon mundësi për një të nesërme më të avancuar.
Nëpër ciklet e kësaj vepre, shtegtimet e jetës së njeriut tejkalojnë dhembjet dhe Faruku gjen shtigje për të bukurën e kërkuar dhe kjo e bukur trajtohet në disa poezi.
Motivi i dashurisë, sikur i mund vështirësitë e ngulfatjet sociale me të gjitha hallet që krijon jeta në Kosovën e pasluftës. Autori bashkëjeton me modernen dhe kjo vërehet e shpaloset edhe në poezinë “Dashuri elektronike”, në këtë poezi ai dallon në paraqitjen e ëndrrave dhe largon nga vetja dallimin dhe pamjet sociale. Brendia e vargjeve ngërthen në vete dashuri idilike, edhe në kohën e teknologjisë moderne. Përjetimi i të dashuruarve kuptohet përmes sinjalizimeve interesante, që vijnë nga thellësia e botës së brendshme dhe ndikimi nga faktorët e jashtëm largon iluzionin e pengesave. Ai ka përdorur figura të zgjedhura për t`i ndihmuar vullnetit të njeriut dhe për të zgjidhur enigmat në realizimin e dashurisë.
Kur ai ëndërron takimin për të dashurën, edhe ajo ëndërron përkëdheljet e pritura edhe pse ata janë larg njeri tjetrit, e kjo quhet dashuri elektronike dhe shfaqja e saj shpaloset para qiellit si dëshmi e realizim për të afruar atë sa më afër dhe për të prekur fytyrën e saj të skuqur. Përshkrimin për të e bënë para dëshmitarëve, që gjen përkrahje dhe motivim:
I mahnitur nga bukuria e saj
Dhe flokët që ia ledhatojnë fytyrën
Ngrit vetullat përpjetë
Duke i shikuar delet një nga një me radhë
Ua tregon fotografinë
Më në fund edhe qenit i cili e prek me gjuhë
Duke e lëvizur bishtin sa andej e sa këndej.
Fq. 39.
E bukura përjetohet kudo që kujtohet e preket. Përjetimi i mund largësitë dhe afron tiktaket e zemrave të tyre në mënyrë elektronike. Gjetje e bukur në realizimin artistik si dhe me fuqi të mundshme për të dy palët, në një moment reagues për të konkretizuar dashurinë në mënyrë transparente me vullnetin e bashkëbisedimit e të përjetimit deri në momentin e prekjes fizike të tyre.
Fatet unazore të dashurisë kalojnë nëpër botëkuptimet emocionale të trupave me identitetin e tyre sa më të fuqishëm në imazhin e parafytyrime, e këtë e qartëson me vetitë e përjetimit dhe të përkushtimit në realizimin e fatit, si dhe në tejkalimin e modernitetit teknologjik si mjet ndihmës dhe fuqi realizuese në mundësinë e racionales së kuptueshme për brezin përdorimit të kësaj teknologjie moderne.
Përmbledhja poetike “ Shtëpia pa rrugë” e Faruk Buzhalës është përceptim e konkretizim i ndjenjës shpirtërore e poetike dhe ndriçon të bëmat e përditshmërisë në dhënien e kahjes sa më aktualizuese. Autori ka nxjerr nga jeta, aktualen duke mos e ndryshuar shpirtin e njeriut për t`i dhënë atij zemërgjersinë, si dhe për të madhëruar të bukurën, njëkohësisht për të qortuar të shëmtuarën. Ky qëndrim konkretizon artin dhe objektivizon arealin poetik me të gjitha tiparet njerëzore dhe artistike, si dhe mesazhi e portretizimi i ngjarjeve ngërthejnë në vete tërësinë e kësaj vepre letrare.
Autori ka rrumbullakësuar nëpër vargje idenë dhe motivet e shtruara të japin realizmin dhe gjithsesi ato komunikojnë me lexuesin bukur. Paradoksi i kohëve në vepër është kuptimplotë në ndërgjegjësimin e arritshmërisë artistike dhe imagjinatave,me të cilat barten idetë dhe motivet tematike. Individualiteti krijues në këto vargje qartëson prirjen dhe përkushtimin e tij me synimin objektivizues të shprehjes së lirë për të fiksuar fjalën si evokim në përfilljen e fjalës së konstruktuar artistike.
Faruk Buzhala nuk relativizon gjetjen pozitive kah hapja e kësaj rruge të shtëpisë, në realitet ai ka gjetur këtë rrugë dhe ajo është në pritje të hapjes së saj për një të nesërme me shtegtime të reja.