Kulturë
Ali Sh. Berisha: Cikël poezish për fëmijë
E shtune, 17.12.2011, 07:07 PM
Ali Sh. Berisha
Cikël poezish për fëmijë
Lepuri dhe breshka
Gjyshin nipin provokon
cili më shpejt vrapon
lepuri apo breshka
nëpër livadhe e kreshta
Nipi pa hamendje thotë
gjysh breshka e ka kot
lepuri është tamam si era
shtegun e ka te dera
Gjyshi fabulën rrëfen qetë
garuesit nisën garën e shenjtë
breshka krejt ngadalë
lepuri treti shpejt në mal
Nga nje shpat ktheu e pa
breshkën tek ecte kokën pa qa
E hëngër breshkën n'sy
nën hije të fle u shtri
Fle lepuri e breshka ecë
as lodhet e as ngecë
n'cak arrinë kur ai zgjohet
me fitore kurorëzohet
Breshka feston e pret
të vijë garuesi kembëshpejtë
lepuri gjykon vetën prerë
tash e tutje do fle me sy çelë
Nipi gjyshin e akuzon
se thjesht sendet paragjykon
e gjyshi e këshillon qetë
nga injoranca e pëson vetë
Na ka ftuar fshati
Fshati na ka ftuar
Bariu me fyellin e vet
Shpejto gjysh i uruar
Atje ku ka shëndet
Na kanë ftuar lartësitë
Me blerim mveshë
Na kanë ftuar lajthitë
Dhe lulja që qeshë
Na kanë ftuar livadhet
Kopshte e ara gruri
Na kanë ftuar malet
Dhe gurrat ujë biluri
Shpejto gjyshi im
Të arrijmë sa më parë
Moshatarët më presin
Në lëndinën me bar
Ajëri i pastër më pret
Dhe rrezet argjendare
Më presin mushkëritë
që nuk blihen me pare
Ecë çupëza ime
Ecë çupëza ime ngadalë
Ndjek rrugë të gjatë
I shkon pas gjyshes Zarë
Tash po mbush vitin e shtatë
Mendon çupëza “pse vallë
S’ndalet gjyshja një dakik
Të pushojë nën këtë hije
Sa të shlodhem një çikë!
Gjyshja me tepsi mbi kokë
Çupzës fare nuk ia varë
Ecë shpejt buzës lumit
Të dërgojë bukë në arë
“Sa jam lodhur gjyshe moj
Ndalu pak të pushoj
Këmbët më janë këputur”
Çupëza nisë për ta lutur
“Të mbërrijmë sa më parë
Se janë lodhë argatët n’arë
Ec moj e lume si ky lumë
Se na ftohet flija shumë
“Gjyshe - unë jam e vogël
Me ty s’mund të ecë
Sepse sado që të ndjek
Prapa përsëri po ngec”
Për inat gjithë kjo vapë
Më ulet n’kokë me bezdi
Plogështia shpejt më kapë
Si s’sjell era pak freski
Pastaj sa larg është kjo arë
E pse s’është pak më ngat
Do të ishte më mbarë
Dhe ti do të ishe më rehat
As tepsia s’është e lehtë
As bucela fare për besë
Argatët e duan të nxehtë
Unë prapa gjithnjë mbes”
“Ec më shpejt -Yll i dritës
Se na zuri ora e mesditës”
Gjyshja me tepsi mbi kokë
E prêt që të shkojnë tok
Argatët fort të kërrusur
Nëpër rena tek prashitin
Ca të qeshur ca të ngrysur
Fundit arës tani nxitin
Seç sulet rrufe renatari
Dhe thërret si për mahi
Shpejton dhe bishtatari
Renatarin për ta mbërri
“Bini djema paçi jetë
Ara gëzohet kur punohet
Bini djema paçi shëndet
Edhe pak e po mbarohet“
N’krye t’arës tek pushojnë
Mbesa gjyshen e ngacmon
“Gjyshe, ara është e madhe
Pse argatët tani s’i fton”
“Tani vijnë një pas një
Bijë e bukur e ardhmërisë
Që të hanë e të fitojnë fuqi
Ta mbarojnë arën pa ngrysë”
Çupëza ecë radhëve qetë
“O argat - punë e mbarë”
I duket si një ushtri e vërtetë
Që lufton për bukë pa prarë
Gjyshja sheh misrin të rritet
Arë të kuqe të gjelbrohet
Sheh dhe mbesën të gatitet
N'ylber shkronjash të lumnohet
I dashuri mësues
(Abaz Aliut)
U nisëm me ju
Në rritë
Që t’i prekim
lartësitë
Dimë të shkruajmë
Të lexojmë
Nëpër fletore
Të mbjellim
Këngë drite
I dashuri mësues
Tash mbi banka
lotët pikën
e në fletore
ra kushtrimi
t'shporret terri
të lindë agimi
Këshillë
Jam mësues, fëmijët e mi
T’ju tregoj rrugën për ardhmëri
Po nisim germat me radhë
Që nga shekujt te ne kanë ardhë
Me to gjuhën tonë e shkruajmë
E zbukurojmë dhe e ruajmë
Me to këndojmë dashurinë
Dhe e shkruajmë historinë
Me këto shkronja jemi ne
Kopësht i bukur përmbi dhe
Lumja nëna që të rriti
(Heroit Zenel Hajdinit)
Pikërisht këtu para shkollës
në mëngjes të përshëndes
o trim i përjetësisë
lulja e lirisë
Në mesditë çdo ditë
kur lëmë shkollën
e mësyjme shtëpitë
ti s’e lë vetëm lulemollën
Shkrirë në diell
në këtë nënqiell
gjithnjë na jep porosi
armiku aleat nuk zgjidhet për liri
Për çdo mëngjes
të gjej këtu krejt të ri
e thua të biesh për atdhe nuk vdes
por jeton pakufi
Te tabela
Ngjyrat në tabelë
Shkrihen në diell
Në rasa e mënyra
Në pranverë
Ngjyrat rrjedhin
me shkronja shqip
kur yjtë bredhin
e hëna është me grip
nxënësit argëtohen
në kohë dhe veta
si foljet që zgjedhohen
deri te e vërteta
Yjedritë
Mësues të parë pata nënën
dhe e krahasoja me hënën
kur nga unë ndiqte terrin
atë e krahasoja me diellin
Mësues të dytë pata librin
shkronja e numra më mësoi
pastaj zjarrin dhe blerimin
me dhe e ajër më begatoi
Tjetër mësues përvojën pata
që në mua mbolli yjedritë
i shkurtova rrugët e gjata
pjekurinë për ta arritë
Monolog i nxënësit
Mësuesi është i mirë
Në zemër krejt i dlirë
Ia shoh në sy krenarinë
Dhe n’lëvizje dashurinë
Aq i afërt e aq i butë
Jo si gjyshi që ngrehë krrutë
Na nxitë të mësojmë
Furtunës si t’i qëndrojmë
Monolog i mësuesit
Nxënësit janë si bletët
Që fluturojnë nga luleja në lule
Mjaltshëm u këndojnë
Tek me krahë i gicilojnë
Tek nga ato marrin nektar
Tek marrin diturinë sa më parë
Është bukur
Është bukur të kesh shtëpi
o nipi im
kur njerëzit s'kanë uri
dhe ushqejnë me dashuri
Është bukur kur njerëzit
shtrojnë rrugë me shkronja ari
kur mësuesit e nxënësit
mbjellin lule behari
Është bukur kur fëmijet
kanë në sy zogj dhe lule
Kanë në ballë ylber
dhe në gji diell
Në shtëpi
Kjo është nëna ime
Quhet Zarë
Ky është babai im
E quajnë Abetar
Kjo është motra ime
E quajnë Pranverë
Ky është gjyshi im
E quajnë Ylber
Vrojtim
Edhe pse për grim kishte baltë
ishte e ngrohtë
Edhe pse për xham kishte letër
në të shihja ëndrra të bukura
si askund tjetër
Para televizorit
Skena I
Nipi i shikon lajmet
S’kena trishtuese
Të luleve që këputen
Dhe shtypen
Sheh moshatarët
Tek kërkojnë bukë
Ujë dhe diell
Tek dremisin ëndrra
E klithin për pak ajër
Nën zingjirët e makinave blu
Shikon gjatë
Nënat tek shetisin rrugëve
Me fëmijët në shpinë
Tek zbardhin e ngrysin
realitetin që gërryen
Nipi shtyp sustën e televizorit
Po s’i shtyp dot klithjet
Që i hanë trutë
Që ia tresin fëmijërinë
Skena II
Nipi shetit brigjeve të Drinit
Rreth Liqenit të Radoniqit
Dhe ndalet te Ujëvarët e Mirushës
E thotë: Gjysh u kënaqa
Veç me një sustë vizitën nis
N'Liqe të Batllavës e shpellë të Gadimes
N'Kalanë e Novea Montes e Trepçë
E thotë: Gjysh kjo është mrekulli
Avantura e tij nuk sosë këtu
E kalëron Sharrin e Karadakun
Alpet dhe Albanikun
E thotë: Gjysh te paqa
Shetit nipi i lirë e me gëzim
Anamoravën me gjithë Gallap
Fushë-Kasovën me gjithë Dukagjin
e thotë: Gjysh është i bukur atdheu im
Skena III
Gjyshi im lexon shumë libra
Mirret me punë të mëdha
Që s’kanë kulm as mur
Vetëm unë e dëgjoj kur këlthet
që Arën e jetës ta ruajmë
nga kuajt e Apokalipsës
Që Arat e atdheut t'i mbjellim
Me qeshje fëmijësh
Sa ende s’është bërë vonë
Ndjehem mirë
Ndjehem mirë
Kur dritën e yllit ia fali vogëlushit
Kur me rreze të diellit ia qëndisi ballin
Kur ia fali fjalën e bukur
Ndjehem mirë
Kur i bëhem digë në rrugën e keqe
Kur e mëkëmbi të mos bëjë leqe
Kur i mbjelli në faqe mollën
Kur e bëj ta dojë shkollën
Ndjehem mirë
Kur vargun e bukur ia vë në buzë
Kur ia jap lapsin e klithjes në dorë
Kur di të jetë i saktë si orë
Lauresha
Laureshë
Unë jam këtu
Që gjyshja të të ketë ty
Dhe ti t’ia puthësh herë njërin
Herë tjetrin sy
Sërish unë dhe ketri
Isha lodhë nga libri
Në shkallë të shkollës dola
Ç’mu faneps ketri
Mu përballë si kodra
Sy më sy u shikuam
Me mall e me idhnim
Pastaj ashpër u qortuam
Si më parë nën lajthinë
Për librin më akuzoi
Unë që më kishte ndjekur
Dhe ndarja pasoi
N'Germi për t’u përpjekur
Bumcak
Në njërën anë të bumcakut
Zurën pozitë gjyshe e gjysh
N‘anën tjetër t’ju japin dysh
Nip e mbesë vatër e oxhakut
N‘fushëmejdan pleqtë nxorën
Nëntë kokërrmisri si ushtarë
Nëntë fasule kokërrbardhë
Nip e mbesë tashmë hodhën
Shpërblim për fituesin në garë
Caktuan një vizitë tërë gaz
N’Krujë e n‘Vlorë dhe Prekaz
Të festojnë Flamurin Kombëtar
Misërnikat lëvizën për në cak
Por fasulet në prita i ndalojnë
Gjysh e gjyshe sytë gapërrojnë
Nip e mbesë mbahen si ushtarak
Nipi me cak zë gjyshin n’befasi
Gjyshi misërnikat s’i lëviz dot
Përpiqet dhe gjyshja po e ka kot
Bumin që mbesa e ngre në qetësi
Gjysh e gjyshe japin e marrin
Nip e mbesë e bëjnë shulevek
Misernikat nga arena në dyshek
Tek i nxjerrin pleqtë i tallin
Gjysh e gjyshe me tre misërnika
Vazhdojnë lojën cak e bamë
Nip e mbesë kërcejnë rehavanë
Gjyshi i thërret – pishpirika
Mbetur vetëm me nga tre ushtarë
Dhe me hap cak e mbyll cak
Garuesit u pajtuan pa shamatë
Festën e Flamurit ta bënin bashkë