E enjte, 25.04.2024, 05:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Luka: E vërteta e censurës së “Vargjeve të Lira” dhe prozave të Migjenit, në kohën e Zogut

E hene, 19.12.2011, 08:44 PM


E vërteta e censurës së “Vargjeve të Lira” dhe prozave të Migjenit, në kohën e Zogut

 

Nga Agron Luka

 

(M. Zeqo: “Migjeni vetëm tashti po fillon të studiohet me rrënjë sipas të vërtetës”). Por, cilës të vërtetë z. Zeqo, atë që rekomandoni vetëm ju? Apo, “të vërtetës” kontradiktore të S. Luarasit dhe trashëgimtarëve letrarë të tij? M. Stafa: “Mund të thuhet se, shqiptarët ende nuk e kanë lexuar mirë Migjenin. Dhe me sa duket ky jubile, do të kalojë pa ndonjë të re të shënjuar”. Jam dakord z. Stafa se, “ka edhe një të vërtetë tjetër pa montaturat dhe të fshehtat e realizmit socialist-enverist”. Por, ja se, po na mbijnë edhe disa “të vërteta të reja” në invers, si përshembull një “Zbulesë” nga Shkodra: “Migjeni na paska qenë besimtar i devotshëm, ai kritikoi vetëm zotat me trajtat e rrëshqitshme dhe jo Zotin e vërtetë pa trajtë”! Nuk janë dokumentime e argumentime kujtimet personale dhe “dokumentet e stërdyshimta”! Në Konferencën Përkujtimore “Migjeni i Shekujve” në Shkodër, 10 tetor 2011, personalisht z. A. Ceka (Luarasi) duke shfrytëzuar edhe postin zyrtar, hodhi baltë përsëri mbi kontributin modest të bot. “Migjeni, VEPRA”, 1954 nga Gjovalin Luka, edhe pse në bazë të Programit nuk lejoheshin sulme e replika personale e as diskutime!Regjimi borgjez i Ahmet Zogut, me disa mbeturina feudale Në disa fletore dorëshkrim dhe në disa fletë daktilografime të babait tim Gjovalin Luka, një punë e mbetur e pambaruar për shkakun e vdekjes, kam konstatuar disa reflektime dhe ndonjë korrigjim ndaj regjimit të Zogut. Aty rezulton se, janë kritikuar vlerësimet dhe pikëpamjet e historiografisë zyrtare të kohës së Parti-Shtetit dhe diku ka autokritikuar e tejkaluar edhe disa pikëpamje personale të mëparshme. Sipas Gj. Lukës, megjithëse ai kishte qenë një kundërshtar politik ndaj regjimit (i dënuar edhe nga gjyqi famoz i shkurtit 1939), duheshin korrigjuar e rivendosur drejtësia historike në përcaktimin nga rend feudalo-borgjez, anasjelltas në rend borgjez me mbeturina feudale. Duheshin rivlerësuar disa reforma oksidentalizuese dhe liritë demokratike, të shtypit, të shprehjes, liria e daljes jashtë shtetit, shkollimit etj, në krahasim me katrahurën dhe kasaphanën dhe burgun e madh kazermë, të regjimit socialist-hoxhist.Në kohën e Zogut, nuk të ka internuar e futur në burg se, kishe lexuar e mbajtur një literaturë të ndaluar (aq më pak për Migjenin), nuk të ka futur në burg apo të të pushkatonin për shkrime dhe mëkate në mendim, pa patur diçka si aktivitet faktik etj. Pa përmendur faktin se në Shqipëri mund të hynin legalisht e gjysmë legalisht çfarëdo lloj mallrash, literaturash, librash etj, pa përmendur faktin se, lejohej edhe mendimi e shkrimi opozitar me një gjysmë pluralizmi, mund të thuhet se, ilegalisht gati-gati luhej edhe teatro. Gj. Luka kishte nënvizuar një shembull. Me datën 1 prill 1937, te gazeta Drita u kurdis “një lojë rrenash për një zbulim të bujshëm arkeologjik te Kisha e Shin Prokopit”, ku implikoheshin deri edhe personalitetet më të larta, madje dhe me një lloj nënkuptimi me implikime me Italine… Të nesërmen gazeta e përgënjeshtroi lajmin. (shihni fotoskanimin). E imagjinoni se çfarë mund të kishte ndodhur me një lojë si kjo, në regjimin tiranik të Enver Hoxhës, qoftë edhe si një ide e shprehur, që mundej t’i kishte shkuar nëpër mendje një gazetari? Do ishin pushkatuar kushedi se sa persona, madje edhe pa gjyq fare…

 

Realisht kishte patur edhe regjimi i Zogut, luhatje e disa shenja diktature, sidomos rikthimi në monarki nga republikë; pushteti personal autokratik; ishin censuruar, dënuar e mbyllur përkohësisht disa gazeta, ka patur disa pushkatime; ishin disa vrasje atentate të dyshimta; kishte edhe ndonjë prirje orientale; ishte i dyshimtë në shpërdorimet e jashtëzakonshme me fondet e pasurisë kombëtare për interesa private e të jashtë moralshme; kishte tejkaluar caqet me lëshime komprometuese ndaj Italisë; ishte i gënjeshtërt premtimi për krijimin e një fronti popullor rezistence etj. Porse gjithmonë në raport me ekstremizmin e ektremizmit ku shkoi regjimi socialist-fashist i Enver Hoxhës (aq më tepër në një kohë paqësore e sigurie me garanci internacionale), aq sa “dridhej e pushkatohej edhe fëmija në barkun e nënës” ose kur autosugjestionoheshin e ngrinin edhe shkrimtarët më oborrtarë e servilë se, mos ua lexonte mendimet telepatikisht kasapi, ishte ta fusje regjimin e Zogut në një rrënjë katrore si një nënfish disa qindra herë më i vogël! Me pak fjalë popullorçe, regjimi i Zogut ishte “bukë e djathë” në krahasim me terrorizmin permanent ku e zhyti Shqipërinë banda e E. Hoxhës, Koçi Xoxes, Mehmet Shehut e me rradhë… Në këto rivlerësimet e Gj. Lukës, hynte edhe çështja e censurimit-ndalimit të poezive dhe të prozave të Migjenit dhe një komentim jo aq realist, që ai i kishte bërë novelës së shkurtë “Të çelen arkapijat”, në raport me meritat për nxjerrjen e Ligjit, “Mbi ndalimin e mbulesës së fytyrës”, në mars 1937.

 

A ka patur ndonjë dokument zyrtar të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Kulturës, Prefekturës a të regjimit zogist, për censurim-ndalimin e krijimtarisë letrare të Migjenit? Në një dokumentar televiziv, “të ideuar” nga z. Tefta Radi, në TVSH, datë 17 nëntor 2011, megjithëse me pak vonesë nga e pasqaruara mirë, ditëlindja e 100 vjetorit të Migjenit, u ripërtëritën pak a shumë të njëjtat teza të vjetra, madje u synua që disa të bëheshin akoma më “të besueshme”. Pamë edhe të njëjtët persona kritikë, komentues dhe privatizues monopolistë, me avazin e vjetër të montaturave “të realizmit socialist”! Madje pamë edhe disa “relike Puke”, a thua se Migjeni na paskësh qenë ndonjë shenjtor! Në skenën qendrore, tash “mbas pilafit”, si “zbulim i ri”, na doli “Plaka e Mal’Osmanëve” (“çap e pyete plakën e Mal’Osmanëve”, më pati replikuar njëri…), me një deklarim verbal në filmin dokumentar se, “Vargjet e Lira” ishin bllokuar nga qarkullimi dhe duhej të asgjësoheshin me një “Urdhër” nga Ministria e Brendshme! I nderuari botues Ismail Mal’Osmani, na i paskësh dërguar me atë rast edhe një letër personalisht Migjenit, ku i shprehte keqardhjen e tij. Po përse nuk ishte botuar ajo letër kurrë në kohën e hershme, më 1947 apo 1957, bashkë me shkresën e “Urdhërit” për bllokimin e mosqarkullimin e vëllimit, nga S. Luarasi?!

Si “zbulim i ri” na doli edhe se, Mal’Osmani i nderuar, kishte mbledhur disa tekste të botimit të 1936, që kishin tepruar nga magazina ende të paasgjësuara më 1938 dhe ia kish dërguar Migjenit në Sanatorium, që ta gëzonte për ditët e fundit. (Sa kopje?) Përse nuk e kishte deklaruar këtë “fakt dokumentar” i nderuari dr. Jakov Milaj? Sipas gaz. Drita, 13 prill 2003, f 12, të gjitha materialet dorëshkrimore, dr. Jakovi i kishte sjellë nga Italia, nga Torino dhe ia kishte dorëzuar motrës Ollga Nikollës në Tiranë. [Në Dosjen Migjeni në MH të Shkodrës, ruhen një palë dorëshkrime nga ato të quajturat të risjellura nga Italia, të shkruara në një rradhor/quaderno me disa fletë të shqitura etj. Aty shihet fare qartë se novela “Studenti në Shtëpi” përshembull ishte absolutisht e pa gatshme për botim, megjithë deklarimin e SL se, ndryshimet, rishikimet, ndreqjet, korrektimet, anëshkrimet i kishte bere Migjeni vetë! AL]

Ishte deklaruar dhe u deklarua përsëri në dokumentarin e TVSH se, në Bibliotekën Kombëtare, drejtori A. Plasari kishte zbuluar ekzemplarin e vetëm të vëllimit “Vargjet e Lira”, që mendohej i asgjësuar! (Elsa Demo, “Migjeni, Botimi i ndaluar ekziston”, gaz. Shekulli, 28 gusht 2008). Të më falin të dy “rizbuluesit”, por ekzistenca e një ekzemplari të 1936 dhe citimi nga ai, njiheshin qysh më 1945, kur ribotohej “Parathanja e Parathanjeve”, te revista “Bota e Re”, shtator 1945, Nr. 3, f 45. Një kopje të tillë ka shfrytëzuar edhe babai im për botimin e vitit 1954. Edhe ne më përpara se, ky lajmërim, sipas sinjalizimit të studiuesit e bibliotekarit autoritet W. Kamsi kemi konstatuar dhe botuar ekzistencën e një ekzemplari në ish bibliotekën e I. L. Pedagogjik Shkodër (aktualisht ULG Shkodër), siç e paraqesim edhe të fotoskanuar.

 

Përveç disa “zbulimeve të thelluara interpretative në instancën e fundit”, Z. Zeqo na gëzoi me sihariqin se, Gjergj Kokoshi na kishte shlyer dhe paguar disa napolona (më duket nja 10?) për “Vargjet e Lira” te Mal’Osmani, për veç atij “njëfarë kapari të parë që ia kish paguar S. Luarasi, mbas janarit 1936” dhe “të një pjese të çmimit që Migjeni i kish parapaguar nga kursimet e parave të shiringave…” (D. Kaloçi, P.S. Luarasi, GSH, 17 prill 2003, f 12-13; E. Demo, Shekulli, 28 gusht 2008, f 20-21) Po me çfarë Dëftesash, vërtetohen këto?! Apo futja!

Gjithashtu interpreti/tefseristi i autorizuar dr. Zeqo, na ka gëzuar, para pak ditësh edhe me sihariqin e madh të disa “zbulimeve leningradase, të ish universitetit Zhdanov nga G. Entrej, më 1973”, në versionin e 1936, drejtuar “Botës së Re”, veçse i mungojnë pak “origjinalet shqip”! (M. Zeqo, “Migjeni i panjohur dhe pesë letrat befasuese”, gaz. Shqip, 5 tetor 2011, f 14-15)

Atëhere le t’i diskutojmë paksa këto “zbulime”, krahasuar edhe me disa servirje të dikurshme shumë më ndryshe nga këto “Zbulimet e fundit” me gjininë e soc./demo-realizmit të film-dokumentarëve.

Nga botimi i parë i Arshi Pipës, ishte deklaruar dy herë se, “Migjeni e pezulloi vetë botimin e “Vargjeve të Lira”, në tirazhin e 1000 kopjeve, kur “libri ishte pa kopertinë e pa indeks”, (A. Pipa, “Historija e dhimbshme e shpitit të ri”, rev, Kritika, Nr. 3 e Nr. 4, maj-qershor 1944; po ai, Bisedë mbi Migjenin, 21 tetor 1945, në Shtëpinë e Kulturës, cit. sipas A. Pipa, Për Migjenin, bot. 2006, f 46; po aty cit.)

Po pse libri nuk e kishte indeksin?! Biografët e Migjenit, Ollga Luarasi (Nikolla) dhe S. Luarasi, nuk e kishin sjellur asnjë lloj nga “këto deklarime të vetë ndalimit” dhe as e kishin zënë me gojë çështjen e Indeksit! Ishte deklaruar më shumë si forcë zakoni dhe si përshtatje ndaj stilit enverist se, ndaj Migjenit kishte patur një censurim-ndalim/mos qarkullim libri, porse nuk ishte sjellur asnjë lloj dokumenti zyrtar!

Me sa e kemi ndjekur ne me mundësitë tona modeste, nuk na rezulton që censurimet, pezullimet, ndalimet etj, në kohën e Zogut të bëheshin vetëm me urdhëra verbale. Kemi të dokumentuar përshembull pezullimin e përkohshëm nja katër numra të gaz. “Përpjekja Shqiptare”, të revistës “Hylli i Dritës” etj, por të gjitha janë me shkresa të rregullta dhe të dokumentuara. Në kohën e Zogut, kishte ekzistuar një “Komision Shqyrtues Kombëtar i Leje Botimeve dhe Leje Qarkullimeve të Librave”. Kishte pra edhe një censurë (por sigurisht jo si ajo “Drejtoria e Arsimit dhe Kulturës” dhe “Agjitpropi” pranë KQ të PPSH me bijat e vogla më poshtë…), dhe sipas rregullit kur një libër do të botohej paraqitej për nxjerrjen e leje-botimit dhe leje-qarkullimit. Këtë fakt e lexojmë te gaz. Drita, në mars 1937, me një listë prej 72 botimesh. Ai i ka kontrolluar kush Arkivat dhe të deklarojë me kompetencë se, Ismail Mal’Osmani, e kishte çuar për leje-botimi dhe për leje-qarkullimi vëllimin “Vargjet e Lira”?

Po në ribotimin e marsit 1944, përsëri nga Mal’Osmani, ju mendoni se, censurimi i vjershave “Parathanja e Parathanjeve” dhe “Blasfemi” ishte bërë pa dijeninë dhe pa aprovimin e familjarëve të Migjenit, ose më konkretisht pa aprovimin e Ollga Nikollës? Apo mendoni ashtu thjeshtë se, “luajti rrol fjala e prof. Kostaq Cipos dhe konfuzioni i madh”, siç i rezultonte S. Luarasit? (bot. 1957, f 50-51; ribot. 1961, f 42)

Sipas gaz. GSH, 21 prill 2010, f 26, Ollga Nikolla me 28 korrik 1947 kishte mbyllur një llogari financiare me Mal’Osmanin për ribotimin e vitit 1944. Akoma punonte si privat më 1947, botuesi Mal’Osmani? Pse nuk e tha askund Ollga këtë ndodhi dhe si ishte bilanci, kush i detyrohej tjetrit? Po për botimin e 1936, pse nuk u tha ndonjë hollësi financiare më shumë? Sepse Mal’Osmani ka qenë edhe botuesi i një Antologjie shkollore më 1939, ku përfshihej edhe Migjeni, apo jo!

Biografi, S. Luarasi, mbi censurimin-ndalimin kishte përdorur edhe një term si “bllokim nga censura” dhe kishte cituar vetëm disa Kujtime të mikut të tij, “dëshmitarit okular mbas një vetrate me xhama” te Kafja e Madhe, Andrea Stefit (CORVUS), që e sjellim të fotoskanuar si më poshtë:

 

Nuk besoj se, do të kishte Gjykatë dhe Kritikë Letrare në botë që do ta merrte si argument dhe fakt, këtë rrëfenjë të CORVUS-it. Migjenit i qenka dhënë një Urdhër verbal, nga një i afërm avokat i udhëheqjes së Prefekturës Shkodër që mos ta qarkullonte librin, ku e kërcënonin edhe me “konsekuenca katastrofale”! Me kaq mbyllej më 1957 edhe “argumenti” i S. Luarasit, për atë bllokim-ndalimin, duke ia ngecur “dopio gjashtën” Shkodrës! Po, pse nuk i intervistoi shoku Skënder Luarasi, qysh aso kohe zotin Ismail Mal’Osmanin dhe Zonjën e tij?!

Po si do ta shpjegonte vetë “Dekani i Migjenollogjisë” dhe interpreti i tij Zeqo, kontradiktoritetin që po aty, disa rreshta më poshtë shkruan se, Migjeni nuk u dekurajua po vazhdoi të shkruante poezi e proza te Bota e Re etj?! (cit, f 50)

Lidhur me një farë license që na kishte patur S. Luarasi, me një copë letër, për përkujdesjen për botimin e “Vargjeve të Lira”, aty nga janari 1936 dhe mbi rolin që na paskësh luajtur Gjergj Kokoshi, madje edhe mbi pagesën e komplet librit, siç tregohet te “Zbulesa e Re” e dr. Zeqos, përkundrazi Andrea Stefi, i cituar nga vetë S. Luarasi, shkruante krejtësisht ndryshe! Dhe po e paraqesim të fotoskanuar, sepse tashme u bë si rregull që të akuzojnë edhe për citimet me bllofe…

 

Siç, mundeni ta lexoni Andrea Stefi CORVUSI, pretendonte edhe monopolin për kujdesin e botimit, jo vetëm ndaj “të pakujdesshmit” dajës Gjergj Kokoshi, por edhe ndaj “konkurrentit” Skënder Luarasi, madje edhe me “Autorizimin” që të mos i lejonte të përziheshin as njërin e as tjetrin! Dhe çfarë bëri z. Angjelina Ceka (Luarasi), në ribotimin e vitit 2002 e hoqi komplet dhe zhduku pa nam e pa nishan Andrea Stefin CORVUSIN, i cili në Parathënien e SL 1956-1957, zinte ca faqe të mira dhe një pozicion interpreti kyç!

Tash në Dokumentar, z. Angjelina na del edhe vete si interpretja kryesore me monopolin e privatizuar të Migjenit. Ndërkaq në ish vendin e Andrea Corvusit, Tefta ka futur paksa edhe Lazër Radin, ndërsa për shume kontribues të tjerë nuk e kishte aprovimin nga lart…

Sa për çmimin se sa i bënte haku z. Mal’Osmanit më 1936, po ju sjell një fotoskanim tjetër. (shihni fotoskanimin) Siç mundet të lexohet qartë çmimi shkonte nga 195 fr. ari e deri në 280 fr. ari, po qe se Migjeni, dëshironte një letër më cilësore dhe një kopje “si modeli sllavisht”. (Kush ishte ky model?)

Me çfarë dokumenti do e vërtetoni juve tashti z. Zeqo se, Gjergj Kokoshi e kishte shlyer i fundit, komplet shumën? Kishte nga ato fërkime Migjeni me Gj. Kokoshin, siç deklarohet retrospektivisht “miku intim Corvus”, apo jo? Gjithsesi, mendoj se duhen argumente plotësuese, aq më tepër se ju shpesh flisni edhe pa inventar!

 

Në kohën e Enverit, pas më pas nga njëri autor te tjetri, ishte bërë më shumë si shtampë dhe si forcë zakoni, përmendja e censurimit të vëllimit “Vargjet e Lira”, në shtator 1936. Mirëpo harrohet se, një pjesë e madhe e atij vëllimi, në poezi kanë qenë të botuara në shtypin e kohës! Harrohet se, Migjeni vazhdoi të shkruante e të botonte deri në fund në prozë, në po atë regjim! Atëhere, sipas Gj. Lukës, çfarë arsyetimi do të kishte të ndalonin në poezi dhe të të lejonin në prozë?!

Ka ndonjë dokument zyrtar bllokimi dhe censurimi-ndalimi të mosvënies në qarkullim dhe për çfarë motivacioni?! Pa këtë dokument mos flisni më qesim, ju ish dogmatikët zbuluesit e “tre kryeveprave të themelit të realizmit socialist shqiptar, të Migjenit”. (Migjeni, VEPRA, botim 1957, f 46)

Regjimi dhe Zogu I: Shoqni: Hiqni Perçet! Oso Bakallët fanatikë: Të çelen arkapijat…

Përsa i përket novelës konkrete, “Të çelen arkapijat”, në një daktilografim, Gj. Luka shkruan: “Një rilexim ma i vëmendshëm, na çon në mendimin se, këtë novelë të shkurtë Migjeni duhet ta ketë shkrue në pranverën e vitit 1937, midis gjysmës së muajit mars e deri në prill 1937, mbas shpalljes dhe hymjes në fuqi të ligjit.

Në një shkrim tjetër unë jam shprehur diçka, por këtu po sjell disa fakte. Sikundër mundet të lexohet, te novela “Të çelen arkapijat” e Migjenit, ishte pranverë. Historikisht ishte pranvera e vitit 1937, Legjislatura e III-të e Parlamentit, Sesioni I, 10 shkurt-11 maj 1937. Dhe konkretisht Migjeni e ka pasur fjalën për një ligj të atij viti.

 

Kongresi i myslimanëve shqiptarë u mbajt në vitin 1923, në Tiranë, me drejtimin e qeverisë së Zogut në përpjekjen për të vënë institucionet fetare nën kontrollin e shtetit (dhe kanalizimin e veprimtarisë së tyre në shërbim të kombit dhe të shtetit). Nga vendimet që ia vlejnë të shënohen prej atij kongresi janë: shkëputja nga kalifati, heqja e ferexhesë, kryerja e lutjes në këmbë, dhe abrogimi i poligamisë. Lajmi i ditës në Tajmin e 14 prillit,1923.

(http://www.time.com/time/magazine/article/0,9171,727115,00.html)

Ajo që unë nuk e kisha njohur mirë ka qenë fakti se, Ligjet për Zbulimin e Fytyrës etj, të pranverës së vitit 1937 e kishte miratuar dhe përkrahur me një Vendim të posaçëm edhe vetë Këshilli i Përhershëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe pothuajse të gjitha Myftinitë e Shqipërisë. Qindra e qindra telegrame urimi vërshuan nga të katër anët e Shqipërisë, nga të gjitha forumet e organizatat dhe nga gratë sidomos. Janë entuziaste disa telegrame të intelektualëve, krerëve fetarë dhe deputetëve përfshirë edhe ata të Shkodrës, por sidomos prekëse dhe madhështore njëkohësisht janë telegramet e zonjave myslimane të Shkodrës, të Pukës, Vlorës, Tiranës etj, drejtuar Mbretit dhe Kryeministrit.

 

Mendoj se, më realist ka qenë konkluzioni i autorëve të antologjisë, “Shkrimtarët Shqiptarë”, bot. 1941, f 471, se një pjesë e krijimtarisë së Migjenit mbetën të pabotuara, për arsyen e sëmundjes dhe të largimit nga atdheu. Por, edhe kështu ishte e mangët, sepse siç e di edhe nga babai im, duhet besuar padyshim se, Migjeni, kishte një fatkeqësi personale, sëmundjen e trashëgueshme e të pashërueshme të tuberkulozit, pastaj ka patur kryesisht probleme financiare. Ndoshta, ndoshta kishte patur ndonjë ngurrim e ndonjë frikë nga elementët fanatikë, por jo nga censura! Tek e fundit, Zogu dhe censura edhe pse nuk e kishin me sy të mirë nuk ia ndaluan daljen jashtë shtetit Migjenit. (E. Hoxha me kallamkusurët, provuan mbi trupin dhe trurin e Gj. Lukës torturat më monstruoze dhe një i ç’akorduar shkruan…)

Për më tepër, “novelat e pabotueme” nuk kishin qenë gati për t’u botuar, sipas gjendjes së dorëshkrimeve të Migjenit, të ardhura nga Italia as më 1948, por vetëm më 1957, siç edhe e pohon vetë S. Luarasi, porse ç’ti thuash trashëgimtarëve që deshën ta parakalonin edhe vetë Dekanin e Zeqos dhe nuk i panë disa kontradiktoritete… Ato mundet të mbulohen e të shtyhen edhe ca nga ata të katapultuarit, porse jo përgjithmonë!

 

Faktin që këto dy proza, ishin ruajtur dhe ishin dhënë për botim nga familja Migjeni, redaksisë, kryeredaktorit Sh. Musarai dhe anëtarit të redaksisë Dh. S. Shuteriqi, konfirmohej edhe nga biografi prof. S. Luarasi më 1956-1957 kështu: “Në gusht 1953, me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të vdekjes së Migjenit prapë “Letërsia Jonë” botoi dy nga të tetë prozat e panjohura të auktorit, të ruajtura prej familjes së tij: Të çelen arkapijat dhe Studenti në shtëpi”. (S. Luarasi, “Migjeni, VEPRA”, bot. 1957, f 51; Se çfarë ka dredhuar më vonë SL, është punë e tij.)

Dh. S. Shuteriqi me sa duket e pohon se, mbas vitit 1945, kur “Instituti i Studimeve” qe kthyer si “Instituti i Shkencave”, motrat e Migjenit ia kishin shitur edhe ato prozat e pabotueme. Ka edhe një mundësi tjetër, që një kopje e daktilografuar, të ketë qenë një Dosje e Arshi Pipës, sepse për botimin e 1944, ndoshta kishte edhe ai një kontribut. (Në rev. Kritika, nr. 3 dhe nr. 4, maj-qershor 1944, A. Pipa pohon se njiheshin rreth 25 proza dhe disa duar kishin edhe disa proza të tjera. Gjithsesi akuzimet inatçore dhe tejkalimet e S. Luarasit vetë, nga të dy pretendentë trashëgimtarët e tij motër dhe vëlla përbëjnë shpifje për monopolizim dhe lavdidashje dhe tregojnë një lloj çekuilibrimi mendor!

Sidomos z. P. L. ka deklaruar se ishte akoma i pakënaqur nga titulli “Nderi i Kombit”, Nr. 1467, 1996, i akorduar Skënder Luarasit nga presidenti S. Berisha, madje edhe përpara Migjenit vetë më 1998, gjysmë ilegalisht nga A. Moisiu…




(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora