Kulturë
Agim Mato: Pikëllima ime për Agim Spahiun
E diele, 18.12.2011, 07:30 PM
AGIM MATO
PIKËLLIMA IME PËR AGIM SPAHIUN
Kur u shua aq pa kuptim Agim Spahiu,
ai organizëm që dridhej si purteka nga çdo impresion poetik,
e kuptova atëhere pse Kukësi mbante ende mbi kokë malin e
Pikëllimës.
Nuk rrinte dot brënda tij asnjë ndjenjë.Dilte me frushullimë.
Kur shetisnim së bashku buzë Kukësit të vjetër të përmbysur
nën ujra,
ai, si Moisiu, spostonte ujin para meje dhe më çonte tek
fëmijëria e vet.
Edhe kur më kthente vizitën, nuk ngopej si i babëzitur nga
ajri i ishujve të Ksamilit, nga rrënojat antike
dhe nga flladi i detit të madh të ullinjve. Atëhere
ullinjtë ishin të mbuluara nga lulimi i tyre i imët e i
padukshëm, që unë kurrë
s’e kisha vënë re më parë. Agimi belbëzonte i përpirë
nga mrekullia e krijimit.
“Si është e mundur, - thoshte - që kjo pemë kaq fisnike, t’i
falë gjithë bujarinë e vet njeriut,
ndërsa për vete të kënaqet me një lule kaq imcake?” dhe i
admironte, duke prekur me gishtrinjtë e hollë modestinë e
tyre.
Pse duhet të vdesin poetët?
Sarandë, 2011
LULE QË ÇELNI
Kur ndodh që nxitoj
e s’gjej kohë t’u përshëndes
ndanë udhës ku çelni,
parqeve,
ballkoneve,
saksive,
mos kujtoni se s’ua dëgjoj zilkat që më thërresin,
frymëmarrjen tuaj
që më shtyn
drejt bukurive.
Sarandë, 2011
SHISHJA
Kujt i shkoi ndërmend ngritja e asaj organizate klandestine
për të nxjerrë dufin e poshtërimeve
në atë moshë të njomë? E nënshkruam sipas radhës atë statut
të dhimbjes: Mehmet Delvina,
Avni Delvina, Luan Mato dhe në fund unë, më i vogli prej
tyre.
Të fshehur aty poshtë, midis të çarave të shkëmbinjve
të Jonit, u betuam se
nuk do të tradhëtonim njeri tjetrin, se nuk do t’i tradhëtonim
prindërit tanë që vuanin dënimin
në Kalanë e Gjirokastrës, se nuk do të tradhëtonim tapitë e
lashta të fisit, bibliotekat me
raftet e rënduara, fletoret e ditarët me kaligrafinë e
mahnitëshme. Nuk do t’i tradhëtonim
fotografitë klasike të të parëve me kornizat e tyre hijerënda.
I mbyllëm të gjitha në shishe, duke pikuar mbi tapën e saj
dyllin e nxehtë për ta izoluar nga uji.
Midis të çarave karstike të shkëmbinjve, në mes të gaforeve
e cironkave, lëshuam
në ujra sekretin tonë të madh, me shpresën se dallga do t’a
çonte në të tjera vende,
në të tjera kohëra për të dëshmuar fatin tonë. E duke kaluar
vitet, sa herë frika më çoi
tek shkëmbinjtë, se mos deti na dekonspironte dhe e nxirrte
në breg atë të fshehtë.
Nuk e di në ç’oqeane, bashkë me dallgët, shfryn ende
dufin tonë të dikurshëm, ai mesazh i mbyllur në shishe.
Po ndoshta jemi ne vet që lundrojmë tashmë si një dëshmi
e përjetëshme në atë burgshishe.
Sarandë, 2011
KRIMBI
Sa herë që ulesha të shkruaja,
tavolinën time e brente një krimb. Gërr, gërr, punonte
brënda lëndës së drurit
ky minator i çuditshëm, që bënte garë me gërvishtjen time
mbi letër. Shihja të nxirrte
në sipërfaqe tallazhin e imët pas orësh pune dhe m’i
ngatëronte mendimet, temporitmin,
përfyryrimet. I lexoja me zë disa herë ato që shkruaja.
Krimbi ndalte punën dhe atëhere më kallte frikën heshtja
e tij. Ç’ishte ky sizmograf
i ndjenjave të mija? Ndërgjegja apo censori im?
Shkruaja sërish e sërish dëgjoja gërr gërrin e tij. Gjithë
natën, të gjitha herët,
i shoqëruar me autocensurën, dyshimin, pasigurinë.
U desh shumë kohë ta kuptoja pse hapte tunele brënda meje
ky minator i palodhur
i atyre viteve rinore, u desh shumë kohë të bindesha se
duhej ulur vrulli i motiveve, vrulli i të
vërtetave që të shpëtonin vet motivet e të vertetat që
përmban sot ky libër.
Ai tallazh i imët, i verdhë, si pluhur farmacie, ishte doza
që merrja rregullisht për të fashitur ethet e frymëzimeve.
Sarandë, 2011