E shtune, 20.04.2024, 11:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Leon Qafëzezi: E reja e Panairit, tymi, qoftet serbe dhe “politika në plan të parë”

E diele, 18.12.2011, 07:49 PM


Flet për Panairin e Librit shkrimtari dhe skenaristi Leon Qafëzezi

 

E reja e Panairit, tymi, qoftet serbe dhe “politika në plan të parë”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Mbi 30 filma dokumentarë dhe 14 libra artistikë, ky është arkivi i krijimtarisë së skenaristit dhe shkrimtarit Leon Qafzezi. Në sistemin komunist ai s’e pa kurrë dritën e botimit të veprave, pasi veprat e tij quheshin si vepra me erë perëndimore, megjithëse ai s’e kishte parë kurrë perëndimin. Krahas librit,  dashuria e parë e pazëvendësueshme për të mbetet të qenit skenarist në filma dokumentarë. Dhe këtë profesion apo pasion ai e vazhdon edhe sot krahas krijimtarisë.

Në radhë të parë skenarist, pastaj shkrimtar, pasioni i parë si u evidentuatë?

Kur kam qe në Akademinë e Arteve kam marrë pjesë në konkursin që është bërë 1974  me skenarin “Këtë bir mos e harro”, sipas një tregimi të Moisi Zaloshnjës. Me këtë film dokumentar si skenarist mora vesh se më dhanë çmimin e tretë. Në juri ishte dhe Gjergj Zheji që unë e kisha dajë. Ai ndërhyri që unë të mos marrë këtë çmim të tretë, por të marr çmim inkurajues. Ky ishte një moment shumë i bukur për mua se isha më i motivuar për të punuar. Pas këtij momenti në Kinostudio çova tre skenarë të tjerë me mendimin se rruga më ishte hapur. Nuk m’i pranuan si skenarë, pasi isha ende student.

Pastaj ku e shpalose talentin tënd?

Ë’ talent, kush pyeste për talent. Pas përfundimit të Akademisë më çuan me punë në Pezë të Madhe. Aty më  caktuan si drejtor të Shtëpisë së Kulturës. Atëherë në çdo mur apo shpat mali shkruheshin parullat për partinë, Enverin, për socializmin. Kryesia e partisë aty ishte e pakënaqur nga puna ime për parullat, pasi nuk i shkruaja si duhet dhe nuk isha i vëmendshëm për të bërë sa më shumë, dhe më heqin nga detyra e drejtorit të Shtëpisë së Kulturës, më çojnë 6 muaj në prodhim në Kashar. Nga Kashari më çuan në punishten e pllakave në Tiranë. Pasi mbarova “dënimin”, fillova realizimin e disa filmave dokumentarë, “Rrethimi i vogël” , “Në emër të lirisë” etj. Këta filma patën sukses.

Deri në ç’vit vazhdove në Kinostudio?

Deri në fillimet e proceseve demokratike. Pastaj kalova në TVSH, ku realizova rreth 12 filma dokumentarë me tema nga më të ndryshmet. Një nga këta filma ishte “Komb, fe dhe atdhe”, i realizuar në Detroit dhe filmin “Një gëzim në diasporë”. Më vonë me regjisorin Muharrem Fejzo në Paris realizuam 7 filma dokumentarë. Fejzo është regjisori i “Mësonjtores”. Sërishmi me Fejzon realizojmë filmin “Udha e një kineasti”, një për Telat Agollin. Filmat e tjerë janë për sportistë, me tema sociale, problematikë.

Meqenëse shkruani edhe letërsi, ç’mund të thuash për kritikën e pavarur dhe profesionale?

Në qoftë se deri dje kishte profesionistë, por s’kishte liri; sot ke liri, por s’ke profesionistë. Pra jemi në një periudhë ku jemi të lirë të shprehim çdo mendim. Të shprehim ç’të duam, të zgjedhim, por profesionistët e kritikës sikur janë rralluar, dhe ata që janë shmangen, pasi nuk dëgjohen. Sot s’ka korniza, por s’ka kritikë të përgjegjshme, kemi vetëm lavde. Nuk shkruhet keq për asnjë vepër, të gjitha veprat hyjnizohen. Në qoftë se një gazetar më njeh, ai do flasë mirë për mua, në qoftë se nuk më njeh, do flasë pa përgjegjësi. Është bërë një amalgamë prurjesh dhe kritikash pa sens. Ka humbur thelbi i kritikës së mirëfilltë. Ose ka një kritikë të përciptë hipokrite. Kritika duhet të jetë e vërtetë. Duhet të jetë e saktë, dhe pse mund të të djegë. Kritika të ndihmon në krijimtari.

Romancierët shqiptarë, a janë të konkurrueshëm në Evropë dhe më tej?

Romani shqiptar ka ecur. Kemi disa romancierë që vërtetë mund të konkurrojnë, përveç Kdaresë, por nuk kemi përkthime dinjitoze të tilla, ndaj nuk njihen në botë. Por shkrimtarët nuk po gjejnë mbështetje nga shteti. Romancierët përpjekjet i bëjnë individuale. Shteti duhet të merret dhe të financojë romanet më të bukur dhe t’i paraqesë në panairet jashtë. Këto duhet të jenë politika shtetërore dhe jo individuale.

Pra kemi një politikë indiferente?

Po, madje shumë. Kur politika nuk  është në shërbim të qytetarit,  ajo u trembet vlerave. Politikanët tanë duan vetëm të përfitojnë sa më shumë ekonomikisht, duan sa më shumë pushtet. Këtë e gjejnë kur nuk kanë intelektualë të mirëfilltë nëpër këmbë. Afër vetes. Në çdo sistem shkrimtarët në Shqipëri ose nuk janë përkrahur ose janë lënë në heshtje, janë lënë në hije. Evidentohen disa pseudoshkrimtarë që politika ka interesa të veçanta. Shkrimtarët janë intelektualët më të aftë të një kombi. Ata shumë herë nuk bëjnë kompromis, ndaj dhe nuk përkrahen. Sot vihet re se sërishmi përkrahen edhe në letërsi, njerëzit që diku i kanë shërbyer nomeklaturës së vjetër komuniste ose pinjollë të tyre.

Fetishet vazhdojnë. Duket sikur po ecim në ato rrugë fetishizimi si në komunizëm. Për të ruajtur atë sistem vlerash të së kaluarës

 

Disa nga veprat e autorit:

"Dashuri pa kredi" 1992

Mjeshtër të mëdhenj të filmit" 1993

"Qielli poshtë" 1998

"Vrimat e zeza" 1998

“Tregu i ëndrrave 1998

Filmi shqiptar dhe koha 2002

Intervista për filmin

Poezi “Elda”

 

Sipas romanit të Elenës: Kadare, një shkrimtar i madh, por dhe një feminist i madh!...

Amplifikimi në media ishte i tillë sikur ta kishe lexuar vetë romanin e Helenës pa e marrë në duar. D.m.th, një hije. Aty del se Kadare paskësh qenë jo vetëm një shkrimtar i madh, por dhe një feminist i madh. Dhe kjo për media përbënte një vlerë. Unë di që në Shqipëri ka femra që kanë bërë disa romane dhe as janë kujtuar mediat të bëjnë diçka për to, apo të japin çmime për to. Shoh me keqardhje që edhe sot qarkullon medalja false. Po ngrihen antivlerat. Pra kemi një  sistem vlerash false që nuk inkurajon shkrimtaret e reja femra.

Për mua e reja që ra në sy km larg ishin tymi dhe qoftet  serbe që “ushqenin” librin shqip. Si s’kanë turp këta organizatorë që marrin nisma të tilla?!

 

Panelet e TV-ve, e dimë ç’do të thonë opinionistët pa filluar…

Shiko se kush del si opinionist në televizione, të njëjtat fytyra, sa në një TV, në një tjetër. Ne e dimë se çdo të thonë të njëjtët pa folur fare. Pronarëve të TV ata u interesojnë, pasi s’duan të dalin probleme që atyre s’u interesojnë. Pra, dihen konturet e emisioneve, dihen se kush do të jenë në panel.

Politikanët, si furrxhinjtë që nxjerrin librat si bukët

Doja të shikoja diçka ndryshe si çdo vit, edhe këtë vit. Së pari dua të them se kishte prurje të letrarëve të rinj, kishte botime, të shumta, kishte bollëk njerëzish, kishte botime nobelistësh. Por kishte  një maskaradë në thonjëza në evidentimin e autorëve. Pra u evidentuan vetëm librat me karakter politik ose politikanët që kishin nxjerrë libra. Pra kishte autorë që kanë nxjerrë vetëm dy libra dhe u kishin vendosur pllakate në mur sikur të ishin supernobelistë, me foto që vihen nëpër zgjedhjet parlamentare. Pra ky panair ishte një përpjekje serioze e politikës për të dominuar dhe këtë sektor të jetës. Për të zaptuar më të shenjtën, më të prekshmen, më delikaten më të adhuruarën letërsinë. Ata ngjajnë si furrxhinj politikë që nxjerrin librat si bukët

Pra u bë një propagandë që këta shkrimtarë politikanë janë dhe shkrimtarët më të mëdhenj. Pra, politikanët në televizione kanë sfumuar aktorët e mëdhenj, tani me librat do të sfumojnë dhe shkrimtarët e mirëfilltë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora