E diele, 01.12.2024, 08:43 PM (GMT)

Kulturë

Ukshin Zajmi: Shekspiri në Iliri

E hene, 19.12.2011, 07:59 PM


 

Sheksipiri në Iliri (komedia: Nata e dymbëdhjetë)

 

Me qëllim që për publikun shqiptar, tekstet dramatike të Shekspirit të jenë më të afërta e më të kapshëm nga veshi dhe syri, regjisori Ilir Bokshi dhe Shkëlzen Berisha i hynë punës që tekstin e komedise së Shekspirit “Nata e dymbëdhjetë” ta përshtatin për truallin shqiptar të te dy dialekteve, thënë më shkurt, përkthimin e Vedat Kokonës e shqipëruan, por pa ikur nga tema boshte e komedisë shkruar nga autori. Falë kompozitorit Trimor Dhomi dhe koreografit Sinan Kajtazi, trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, krahas aktrimit u shkri edhe në kor e ansambël valltarësh.

 

Nga Ukshin Zajmi

 

Ambicja për pozitë hierarkike, dashuria dhe seksi në këtë kontekst, janë dukuri mjaft të komplikura për t’u kuptuar e inskenuar në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit. Çasjes moderne të inskenimit të kësaj komedie i hyri regjisori Ilir Bokshi, i cili, njohuritë nga shkolla e Bukureshti së bashku me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, i aplikoj me sukses të plotë. Afri të madhe me publikun solli edhe përshtatja e tekstit përmes aplikimit të metodës së shqipërimit në dialektet shqipfolëse dhe muzikës dhe këngëve shqiptare të të gjitha trevave, kontribut i kompozitorit Trimor Dhomi dhe valleve kolektive e individuale realizuar nga koreografi Sinan Kajtazi. Në këtë kontekst edhe kreativitet tek garderoba, duke vendosur elemente kombëtare shqiptare veshjeve të përsonazheve në këtë komedi, kontribuoj edhe Vesa Kraja.

Përndryshe, krajatat jetësore të Cesarios në rol, e Violës në realitet, të luajtur nga Driada Matoshi dhe Sebastianit (Eshref Durmishi), binjak thuaja identik, të cilit ndahen nga një akcident në anijen e tyre, ata humbin gjurmët e njëri tjetrit. Viola transformohet nga femra në mashkull duke marrë rolin e një të besuari të Dukës Orsin (Shkëlzen Veseli). Ai (ajo) ndërmjetëson për te tek Kontesha Olivia (Teuta Krasniqi) për t’i shprehur dashurinë dhe admirim që ndaj saj ka Duka Orsio, porse ajo, kontesha, duke menduar se Cesario është mashkull dashurohet në te. Dashuri ndaj Konteshës shprehin edhe Sër Endriu (Ylber Bardhi) dhe Malvolio (Adrian Morina) të cilët cyten drejt apo tërthorazi nga treshja mashtruese: Ser Tobi Bellç (Ard Islami)-ungji i Konteshës, Maria (Edona Reshitaj)-shërbëtorja dhe filozofi Gaztor (Armend Ismajli). Kjo treshe së bashku me Cezarion e dashuruar në Duken e që dashurohet nga Kontesha, mbajnë tempon e komedise dhe sjellin të gjitha situatat komike të saj. S’do mend në këtë lojë komike shekspiriane, të vendosur kësaj radhe në bregdetin ilirian, kontribuan edhe Lulzim Guhelli, i cili, pos elementeve të shprehura në garderobën e aktorëve, me plis, e karakterizoj shqiptarçe komedinë, pastaj Besnik Krapi, si i zënë rob nga ushtarët Armend Baloku e Shpejtim Kastrati, bënë që komedia të zgërohet në hapsirë e në kohë.

Takimi i rastësishëm i Konteshës me Sebastianin duke menduar se ai është Cesario e pastaj ballafaqimi i të dyve në një vend, kur aty është edhe Duka Orsin, qet në pah hamendjen e konteshës në ngjajshmërinë e binjakëve dhe simpatinë e saj herë në njerin femër të transformuar në mashkull(Cesarion) dhe në mashkullin (Sebastianin) dhe zhveshjen e Cesarion nga mashkulli në femër bënë që edhe Duka të pajtohet me dashurinë e saj. I gjithë tregimi shekspirian tash merr finale duke u takuar vëllau binjak (Sebastiani) me motren binjake Olivia (Cesario), kristalizimi i dashurisë së Konteshës me Sebastianin dhe të Dukës me Olivian përkatësisht me Cesarion. Këtu merret vesh se edhe ungji i Konteshës pianeci Ser Tobi Bellç martohet me shërbëtoren Maria dhe të Ser Endriut me përsonazhin që e interpreton Genta Retkoceri.

            Aktorët të gjithë profesionist (pos debytantës në skenën e TKK  Genta Retkocerit, studente), dhanë tërë kreativitetin e vet aktorial, duke iu përmbajtur kërkesave të regjisorit e tekstit, duke përdorë me sukses hapsirën në skenë, duke qënë aktiv në dialogje si në aspektin verbal ashtu dhe vizuel, duke bërë levizje spirituoze e duke përdorë me sukses: mimikën, gjestet, driten dhe hijet. Përzgjedhja e roleve, nga regjisori, sipas kondicionit fizik ishte më se e qëlluar, sepse pos zhveshjes së karakterit të përsonazhit ndikoi edhe në sheshimin e komikës e besa edhe të sarkazmës së herë-hershme.

            Dëshmia e aktorëve se pos aktrimit kanë edhe aftësi të këndimit dhe të krijimit të një spektakli, që kësaj radhe doli në shesh me sukses të plotë, është meritë pos e regjisorit Ilir Bokshi, edhe e kompozitorit Trimor Dhomi, i cili dha tërë kreativitetin e tij prej kompozitori por edhe të dirigjentit e të harmonizimit të levizjës, fjalës dhe këngës në kontekst të finalizimit të rolit, të cilin asnijëherë nuk e lejuan të kalojnë në groteskë. Këtu është present edhe mjeshtria e koreografit Sinan Kajtazi, i cili komponoj vallen me levizjen skenike e kështu aktorët me sukses të plotë menagjuan skenën e Teatrit Profesionist të Gjilanit, ku e shfaqen këtë komedi. Në këtë kompozicion të komedisë ndihmoj mjaft edhe skenografia e Petrit Bakallit, i cili, një paravan të ndarjes së skenës e vuri në funksion të shkallëve, të pistës së paradimit, të birucave të burgut e të mëshefjes për befasi nga kori. Edhe luhaja levizëse kishte një funskion të shumfishtë, rolin e ndrrimit të kuadrove e të akteve e të këndëve të vështrimit.

            Kjo komedi e Shekspirit e vënë në skenë nga Ilir Bokshi, ndonëse zgjati afro tri orë, me gjithë pauzën 15 minutëshe, për publikun gjilanas ishte e kapshme, e, i cili u bë edhe aktori i 15-të, sepse shfaqjes me qeshjet e duartrokitjet i jepte ritëm dhe entuziazëm për lojë edhe më të mirë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora