Kulturë
Drilon F. Komonaci: Një budallë e hedh gurin, njëqind s'mund ta nxjerrin
E shtune, 26.02.2011, 04:53 PM
NJË BUDALLË E HEDH GURIN, NJËQIND S’MUND TA NXJERRIN
Nga DRILON F. KOMONACI
Zoti i madh! A më dëgjon, Ti që je më i madhi, në qiell e tokë kudo në sundimin e universit. Çka të them, çka të lutem!? Shqiptarët po lakojnë e shtrembërojnë rrugën. Shqiptarët po e vjedhin veten.
Shqiptarët një nga një janë racë që depërtojnë kudo. Por, është dëgjuar se, në bashkësi nuk duken të tillë. Praktikisht, edhe në këto kohë tona shihet. Sot, budalla mundohet të jetë më i mençuri. “Një guri e hedh në rrugë, njëqind të tjerë s’mund ta nxjerrin.” I dobëti bëhet më i forti. Vjedhacaku njeri më i besueshëm, i harron fqinjët, fillon ta vjedh edhe shtëpinë e vet. Kur e vjedh shtëpinë e vet e lë familjen pa bukë, familja shkatërrohet.
FËMIJA I PAPËRMIRËSUAR – PASHA
Në do kohë të hershme, gjatë sundimit të Perandorisë Otomane, meqë nuk ka pasur shkolla në gjuhë shqipe, janë thurë shumë anekdota e aforizma të ndryshme nga goja e popullit. Shumë sish kanë mbetur deri sot prej shumë vitesh e kohësh. Kanë vlerën e vet sepse shumë thënie të atyre kohëve kanë ngjashmëri me këto të sotmet. Dhe jo veç fjalët me fjalët, por edhe figurat e ndryshme shoqërore, politike e kulturore shëmbëllejnë, qoftë për të mirë, qoftë për të keq.
Njëra prej atyre meseleve na del mjaft e pëlqyeshme që të rrëfehet edhe në këto kohë. Dhe si të tillë po mundohemi ta paraqesim këtu poshtë, duke pasur parasysh se të njëjtën e sprovojmë edhe sot:
Një katundar kishte pasur një djalë. Djali qe nga fëmijëria ishte nga pak fëmijë i mbrapshtë, kryeneç, i pa marrë vesh. Për çdo ditë të atin ia thirrshin dikush te shtëpia dhe i ankoheshin se djali i tij u kishte shkaktuar ndonjë dëm, qoftë me fëmijë të tyre, qoftë me ndonjë prishje apo vjedhje në prona të tyre. I ati i djalit provoj shumë kohë me të, duke u munduar që ta mësoj e edukoj ashtu si dëshironte, por kjo u bë e pamundur. Pasi u rrit dhe kaloi moshën e adoleshencës, njerëzit menduar se atij do t’i vinë mendtë. Por, jo. Ai edhe më tepër shkonte në rrugë të fëlliqura. Bënte edhe më shumë gabime. Dëme i shkaktonte gjithë katundit e rrethit.
Një ditë i ati u lodh dhe u mërzit tepër me veprimet e pandalshme të të birit. Ai vendosi ta përzë nga shtëpia. “T’ia jap udhët” për të mos u kthye më në atë vend. Me keqardhje i tha djalit: - Ti do të më hiqesh qafe mue dhe gjithë këtyre fqinjëve përreth. Nuk ka mundësi më të duroj telashët e tua që i bën pandërprerë. Kështu, djali u nis me “botën në sy”. Pas shumë rrugëtimesh, afrohet dhe troket te një shtëpi, e cila ishte e përmendur. Aty tregon si ishte puna e tij. Zoti i shtëpisë, një pasanik dhe njeri në pozita të pushtetit të atëhershëm djalin e katundarit e ndal që të punojë në fermat e tij. Ky zotni kishte një vajzë të bukur. Që të dytë shprehen simpati dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. Këtë e morën vesh edhe prindërit e vajzës. Ata punonin bashkë dhe djalit filloi t’i del zëri për të mirë në atë nahi. Zëri i shkoi edhe shumë më larg. Kishte bërë pasuri të madhe. U martua me vajzën e begu dhe ky begu e ngriti deri në rangut e pashait në atë terren.
Ditë prej ditëve, djali i fshatarit, tashmë pasha i shkoi mendja që ta thërras të atin nga ato vise, ku kishte lindur dhe ku e kishte lënë familjen. Dërgoj disa zapti për në katundin e tij dhe atje t’ia gjenin të atin. Nuk vonoi dhe zaptit ia sollën në zyrën e punës babin pashait. I bën vend që të ulet, por shumë gjakftohtë. Nuk shprehte kurrfarë ndjesish për njeriun e vet që e kishte braktisur një kohë aq të gjatë. I ati po rrinte dhe po priste se çka do t’i thoshte pashai. Dridhej nga frika dhe nga lodhja e pleqërisë dhe mundimeve të jetës.
- Plak, a po më njeh kush jam? Plaku u përgjigj: - bir, unë po të njoh si pasha, po fol çka më ke thirrur. – He, mixhok, me të thënë të drejtën, unë jam ai djali i yt që e ke përzënë dikur prej shtëpie. E sheh, çfarë pasurie kam bërë. Edhe pasha, babë edhe pasha jam bërë.
Plaku që kishin filluar ta linin edhe sytë dhe veshët, u kujtua pak duke i fshirë gojë e sy dhe iu drejtua: - Eh, ti je bir? – Po babë, iu përgjigj djali. – Eh, biri jem...ti pasha je bërë, por njeri jo! Dhe krejt çka ke fituar dhe çka ke bërë për veten tënde, por njeri për familjen, prindin dhe rrethin kurrë jo. S’ka çka të duhet as pasuria, as pashallëku. Të gjitha këto janë për njeriun që është vërtet njeri!
Ky farë rrëfimi ishte pak sa i gjatë që është karakteristikë për ata që nuk dinë t’i rrëfejnë. Nuk janë mjeshtër, do të thotë, nuk i dalin zot rrëfimit të shkurtër dhe të duhur. Ndoshta, as ngjyrat e fjalëve dhe fjalive nuk mund secili t’i japë ashtu si kërkohet. Rrëfimi nga goja e popullit të cilës do gjini letrare qoftë, kërkon aftësi interpretimi. Dhe,ndjeshmëria e të rrëfyerit është ngjashëm si dhe jeta e djalit të papërmirësueshëm me prindin e tij.