Kulturë
Kalosh Çeliku: Kosova një grua vejë e shitur dy herë
E enjte, 24.02.2011, 08:59 PM
KOSOVA NJË GRUA E VEJË
E SHITUR DY HERË
Nga: KALOSH ÇELIKU
Ehu, Plaku ynë satirist i mirë dhe i urtë Xha Deralla! Burrë, që në pleqëri bukën e gojës ta shtinim në dhomë nëpër dritare. Shkaku, se: nuk të lenin të dalësh jashtë shqiptarët, me “arsye” se e prish rininë. Shoqërinë. Shtetin… Xhandarët e serbit në atë kohë i shëtite gjithë natën nëpër Katund. Të nesërmen, kur zbardhi dita ua tregove portën e Plakut të Katundit. Derën, që atë ditë ta mbyllën me çelës mos dalësh në rrugë. I kaloje ditët e pleqërisë i vetmuar në mes të katër mureve. Dhe, e prisje Zonjën Vdekje si burrat. Edhe atë: burri, që gjithë jetën i kishte shartuar dardhat gorricë te Jasakët e Tikeve. Anegdotat e të cilit edhe sot qarkullojnë gojë më gojë.
Ende nuk mund ta harroj këngën popullore që na e këndoje në atë kohë, kur ta sillnim bukën e gojës majë shkopi nëpër dritare:
… Eu, e ka shitur Turqia këtë Rumeli
Edhe atë: shtatë xhemi me alltan,
E ka blerë ai Moskovi Zi…
Edhe këtë ditë, ato vargje të asaj kënge popullore nuk mund t’i heq nga mendja, që më janë ngulitur në tru si pyka. Vallë, edhe sot Kosova qenka një grua e vejë pa burrë?!... Shkuesit duhet ta shesin për poste e pushtet burrë më burrë?!... E ajo, edhe sot e kësaj dite ende të mos mundet ta gjejë një burrë me tirqi e xhamadan me gajtana?! Kësulën e bardhë në kokë. Sahat me qystek për qafe. Mauzerrin në dorë. Nagantin në brez. Bombat nëpër xhepa… Gjithë jetën ta kaloj burrë më burrë. E në fund, përsëri të kthehet te burri i parë, sadist. Burri, që gjithë jetën e dhunoi, vrau dhe e masakroi për vdekje. Burri, që e përzuri me gjithë fëmijë edhe nga Shtëpia. Mezi e ktheu të alivanosur në shtëpi Amerika. E shi sot, vetë djemtë e saj e kthejnë te burri i parë, poligam. E martojnë me krushqi. Edhe një herë bëjnë dasëm me shtatë palë lodra.
O Imzot, Kosova siç duket pati vetëm një djalë. Edhe atë: Adem Jasharin. E di, ju më përgjigjeni, pati edhe djemë të tjerë trima. Burra pene e pushke: Bajram Currin, Isë Boletinin, Hasan Prishtinën, Shotë e Azem Galicën, Sulltanë Qafën, Kalosh Zajazin... E vërtetë, po djemtë tjerë i dolën kopila. E shitën dhe e shesin Nënën e tyre burrë më burrë. Edhe seç ma kujtoni në këtë ditë të sotshme: Horrin e Prishtinës... Zekthin e Shkupit:
- A ia ndjeve krismën, o Adem Jashari? E shpallëm pavarsinë e Kosovës…
- Tybe, boll pak! E bëtë Shqypni me tupana, çifteli e dajre, e këndej gjysma e popullit shqiptar mbeti nën Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi… Dhe, e shpërndarë në të katër anët nëpër botë si Kashta e Kumbarës…
- Qysh, nuk ia paske ndi zanin, o burrë? E gjithë shqiptaria u çue më kambë… Në Shkup, Skënderbeu e ngriti lartë në dorë flamurin amerikan… E ne nëpër katunde flamurin kuqezi me shkabën dykrenare…
- Paj, kur e shoh, he burrë se me Shqipërizë, me Maqedoni, me Kosovë… e bëtë Shqypni me tupana, çifteli e dajre, përpak me gjithë tabut në shpinë desh u ngrita nga varri…
- A nuk po sheh se sa trima u mblodhën në Ditën e pavarsisë?! Ditën e Kongresit të Manastirit… Ditën e flamurit… Veç sa nuk po i lëshoi toka e Kosovës, Maqedonisë… Dhe, veç falë Zotit që nuk po iu gjuajtën Serbisë se po me i hi për një ditë në Beograd.
- Zoti ia ruajt Shqypnisë këta trima, këta mitingaxhi e këta këngëtarë, që e kthyen Shqypninë “ mbarë “, tue këndue e tue ba gjymysh, tue mbajtë fjalime e tue thanë “ lavdi “ e masandej tanë natën me meze e me raki me pare të vjedhura nga populli nëpër çarshi!...
- Paj bre, Adem, mbasi shkaun e përzumë e ndoqëm prej këtuhit… tash duhet me ba i trohë sefa! Dasëm të madhe… Edhe ne më në fund morëm nuse…
- Kush e përzuni, ka e keni ndjekur?! Shuej bre, se e rroka prapë mitralozin me dy kambë! Ja… nime kund vend s’i keni lanë tue ikë, si trimat. Tash vetëm bini çiftelisë e knone Isuf Hajdarin dhe shtynu se kush e ka nisë luftën ma i pari dhe kush ka ma shumë shpirta të vdekun për me qitë në kangë… Dhe, kush e solli pavarsinë e Kosovës… E kush asht ma patriot…
- O baca Adem, ngadalë, bre burrë, ti thuaj: shyqyr që na ka ardhë dita me knue e me u gëzu… E me e ba Shqypni me çifteli…
- Po, po… nime mbasi nuk po punoni kurgja, s’keni çka me ba, veç mbaroni vorre në vend të fabrikave, xhami në vend të shkollave , ndiqni përvjetorët e humbjet i shënoni me fitore, kush ka vdekur e kush asht varrue… Por, dinie mirë se tue e teprue me kangë po na çitni në bisht të lahutës, po bani hajgare me ne. E zgjodhët edhe presidentin e ri të Kosovës… Kur po ndëgjojmë se si po na nderoni, veç s’po kemi si me dalë prej vorri e ma jau… këtu po durojmë mbasi s’po kemi çka me ba. Po sa herë po i lajmë, te kroni i shpirtave të vdekun, duart e sytë në ferk të sabahit, po jau shilojmë nantë mijë herë nanat!
- Po me kanë ti gjallë sot çka kishe ba, o Adem Jashari?!
- Çka, a? Paj, m’u kish dashtë me dalë edhe nji herë në mal kaçak prej jush shqiptarëve, ej e me e ba siç duhet Shqypni Etnike... Boll më e shitët Kosovën me krushqi e dajre te Moskovi Zi… Dhe, e dërguat me koçi e krushka nuse burrë më burrë!...