Kulturë
Remzi Limani: Poetika e portretit figurativ dhe psikologjik në veprat e Arsim Kajtazit
E merkure, 23.02.2011, 07:43 PM
POETIKA E PORTRETIT FIGURATIV DHE PSIKOLOGJIK NË VEPRAT E ARSIM KAJTAZIT
…Se krijuesi mund të flasë në shumë gjuhë dhe qasje artistike, na dëshmojnë ndërmarrjet e shumta të Arsim Kajtazit, si në fushën e kritikës - përmes zbërthimit të kuptimeve për artet e bukura; me theksime të veçanta të krijimtarisë - në fushën e prozës, të poezisë dhe të pikturës, të cilat artisti ynë Kajtazi, i kultivon me pasion për më shumë se tre dekada... Veçanërisht në tablotë e tija figurative nxjerr tingujt dhe thirrmat pëlcitëse, si pasojë e një implozioni, i cili shpërthen si kërkesë imperative e momentit dhe e kohës sonë.
Nga Remzi Limani
Duke u nisur nga e përgjithshmja artistike, deri tek e veçanta në fushën e arteve figurative, gjegjësisht të pikturës, Arsim Kajtazi, e pasqyron botën e njeriut tonë përmes shprehjeve figurative, duke na dhënë një veti të narracionit poetik figurativ dhe psikologjik të portretit dhe të figurës së njeriut, si dëshmi e një kohe, e cila flet për të kaluarën dhe për të sotmen tonë.
Imazhet e njeriut në veprat e krijuesit tonë, përmbajnë lajtmotivin dhe thelbin e idesë e cila në vetvete ngërthen emocionin figurativ dhe atë psikologjik të portretit dhe të figurës, si koncept artistik, i dalë nga përvoja estetike krijuese, frymëzimet racionale dhe emocionale, vetëdija dhe ndërgjegjja krijuese artistike, të shfaqura me një intuitë dhe ndjenjë spontane dhe ekspresive artistike, e të mishëruara me nostalgjinë dhe dhembjen për njeriun e një kohe të vrarë… Në këtë kontekst, ky krijues e nderon dhe e ndërton figurën e njeriut me shenja viktimizimi dhe njëkohësisht atë e ngreh si lapidar e shtatore lirie, si figurë polisemike të identitetit tonë kombëtarë.
Shtjellimi figurativ dhe poetik i portreteve të Z. Kajtazi, na dhuron një pasqyrim sa lucid aq edhe metaforik, për të qenë artistikisht të pranuara, si qasje të një kreativiteti të arrirë në fushën e pikturës, gjegjësisht të portretit artistik me të gjitha premisat e një arti të kulluar dhe të kultivuar si duhet. Ngjyrat dominuese në veprat e Arsimit janë: e zeza me simbolikën e forcës dhe guximit krijues. E përhimja e cila bukur korrespondon me të zezën dhe të kaltrën. Pastaj, ngjyra okër dhe e kafet e çelur, të cilat me gamën e tyre e shtojnë dhe e begatojnë strukturën e materializimit figurativ.
Së këndejmi, portretet apo kokat e disa imazheve të paraqitura të shkëputura në hapësirën tokësore, na ngjajnë në fushën e viktimizimit të kohës së mesjetës dhe karamanjollës, si theksime të veçanta për ta kuptuar metaforën makabër të një kohe të ligë… Pra, poetika shumështresore figurative në veprat e Arsim Kajtazit, pa dyshim se na bën të kuptojmë individualitetin e tij prej një artisti serioz, i cili sinqerisht i qaset punës krijuese për të zënë vendin e merituar në panoramën kulturore kudo që paraqitet arti i tij. Krijuesi në fjalë dhe vepra e tij, pa dyshim flasin me gjuhë të kërkuar dhe jo konvencionale, e cila ka në bazë sintezën e elementeve abstrakte ekspresive me elemente surrealiste dhe te artit te aksionit, me të cilat aktualisht mëton të krijojë vepra me një individualitetet e origjinalitet të veçantë artistik.
Arsim Kajtazi u lind më 1958 në Vitak të Drenicës. Më 1981 diplomon në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ku më pastaj fiton gradën magjistër. Kajtazi është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në fushën e letërsisë ka të botuara tetë libra. Nga këto, tre romane dhe tre të tjera me poezi, dhe dy studime kritike. Kurse, në fushën e arteve figurative ka të realizuara mbi 20 ekspozita personale. Që nga viti 1994 deri më 2010 ai ekspozoi në disa galeri dhe hapësira ekspozuese: La petite Galerie – Heddesheim, Stadtsparkase – Neustadt an Weinstrabe, Eichhaus – Bad Durkheim, Galerie Camue – Haus der Finanzen – Grünstadt, Eichhaus – Bad Durkheim, Galerie Vogt – Bad Durkheim, Schloß Christiansburg - Eisenberg, Kreisverwaltung - Bad Dürkheim, Rathaus – Mutterstadt, Immer grun, Jena, Dorfgemeinschaftshaus – Birkenheide, Dresdener Bank – Frankenthal, Gakerie Molenhof, Weert – Holandë , Roche – Diagonstics GmbH – Manheim, Maximilian Stift – Maxdorf, Rastall – Deidesheim, Schilerstift – Ogerssheim dhe Burgerhaus – Ruppertsberg. Po ashtu, Arsim Kajtazi mori pjesë edhe në një numër të konsidrueshëm të ekspozitave kolektive të organozuara në Kosovë dhe jashtë vendit. Që nga viti 1993 jeton dhe krijon në Gjermani.