Kulturë
Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë me hënën e re
E hene, 21.02.2011, 08:57 PM
PLAGA E DHJETË
ME HËNËN E RE
(D. -ës për ditëlindje, në vend
të luleve. Dhe, stolive të arit…)
Nga: KALOSH ÇELIKU
DHURATË PËR DITËLINDJE
E lodhur, e etshme për dashuri
m’ulet si flutur
me një dëshirë...
E di, më thotë:
e dua një POEZI
nga ti për ditëlindje
ta përkund në djep!
O Imzot,
pse s’më kërkoi
një tufë lule
ose: stoli ari?!...
SHENJAT E NISJES
Natë pa Hënë.
Yjet tallen me zjarr
Qiellit i kërkoj fjalë
Dita më bie me shuplakë.
Shenja e nisjes, oj Nënë!...
HËNA E RE KUR ZBRET
DITËN NËN RRAP
Thonë: Hëna e Re - nuse
Dritën e merr nga Dielli.
E unë them: Dielli e merr
Dritën nga Hëna e Re
Ditën kur zbret nën Rrap.
Natën poeti popullor lutet:
Ulu, o mal të dalë Hëna!...
Thonë: Hëna kur është e plotë
Nuk shikohet gjatë sy më sy.
Shkaku, se: është magjepse
Dhe, të bënë për vete: me Hënë.
Gjithë natën të flasësh jerm
Hapësh derën, dalësh në Lëmë.
Ecësh mbi çatia. Majë lisave
Vargun ta shalosh nën Rrap.
Thonë. E çka nuk thonë për Hënën
Megjithatë, Hëna është grua nate.
Që, pak burra e shohin të plotë
Ditën zbret nga koçia nën Rrap.
Nuse më ulet në tavolinë si vera
Sytë m’i merr me bukuri drite
Zemrën. Dhe, shpirtin e arratisur.
Thonë: Hëna kur është e plotë
Natën, edhe të zgjon nga varri…
JERM
Jam larg Vendlindjes me kilometra
një vashë më lexon në verandë
fle me poezinë
më dhunon mbi çati...
DUARTHATË
Puthjen nën rrezet e hënës
Hënë e Re, mos e harro!
Nata oj mike qe e fantazmave.
Zemrën mos e shtegto
Greminës së vjeshtës kahmote!
Hënë e Re, ëndërra iku nga unë.
VAJE NË GJUMË
Hënë e Re, ti ke qarë në gjumë
Mesnata ka qenë e ftohtë.
Hënë e Re, sonte të mbulova me vargje
Diellin me rreze ta zbrita në shtrat.
Varg s’kam pasur ta djeg dhomën...
DRITARE KAH DIELLI
Mesditë.
Ylli bie shigjetë prapa maleve
Hëna e Re në një lis është varur.
LUHATJE NË DEGË
Shkretëtirë
Qielli ndizet flakë
Dielli saç mbi kokë.
Hëna e Re vargun e kërkon
Yjet i shuan vetëm dita.
Plaku përkundet në barkë
Ditën e ka zënë gjumi
Lakuriqi luhatet në degë...
FLUTUR NATE QË NGJIZET
NË FENER-FAQE
I hap krahët. Turresh pas fenerdritës
Vallëzon. E heq një valle kombëtare.
E nuk e di se digjesh. Ringjallesh
Mureve që të kanë burgosur të gjallë.
Kujdes, oj flutur dite, mos digjesh
Rrezik! Edhe unë jam një fener nate...
DIELLI E KA MARRË
PËR GRUA
E dëgjoj zërin e Hënës Re
Nuk e di nga vjen. Nga qielli
Apo toka? Varri...
E njoh atë zë. E dëgjoj ditënatë
Edhe në ëndërr. Vetëm hapat e Hënës Re
Nuk i dëgjoj. Vargun e saj rrebel.
Siç duket Dielli e ka marrë për grua...
PLAGA E DHJETË
ME HËNËN E RE
Nëntë vjet e mbyta Veten me verë
Gjithë Natën duke shkruar poezi
I zgjuar me Hënën e Re.
Nëntë vjet ndeza një qiri
Me Hënën e Re mbi Liqe
Jerm mes dy shtambave me verë.
I çmendur pak para agimit
U zgjova nga varri im me libra...
HËNË E RE, NUK KAM
TJETËR KALOSH
Hënë e Re, s’kam tjetër Kalosh
Të shtrihet me Ty në shtrat.
Hënë e Re, s’kam tjetër Kalosh
pa dy shtamba verë...
DASHURI MES PRANGAVE
Për dashuri qemë të varfër
për një natë pa gjumë nën Urë
për një Serenatë
për një aventurë...
Vërtet, është ky edhe një Mot i Madh
për ne të pagjumët, oj Hënë e Re!
Dashurinë mbajmë gjallë në varr
mes plumbash e prangash me vite...
VETËM UNË TË PI ME VERË
Ky qytet është i çmendur
Hënë e Re, që të martuan me poezinë
e më ndjekin mua si qentë
nga mëngjesi në mëngjes.
Ky qytet do të di çdo gjë
nën cilën Urë kam bërë natë
me cilën Hënë pres e përcjell trena
për Ty me cilin çmendesh në shtrat.
Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji
e mbi cilin varr bëra dashuri...
THIRRJE NË MESNATË
Mjegullat e zeza
ecin nëpër qiell
do të bjerë shi.
Diellit i kanë lidhur sytë
Thirrni rrufetë !...
MOS GËRMO THELLË
Mos gërmo shumë thellë
se do të hasësh në gurë
varre dhe eshtra!
Mos gërmo shumë thellë
se do të hasësh në plagë
do të shpërthejë vaji!
Mos gërmo shumë thellë
se do të mbytesh në mua!...
DORUNTINËN NUK E SOLLA UNË
Ditën me diell
thërret: çohu nga varri
lakuriqët i sulen territ!
E shoh, Rrapin, verën,
Urën e Gurit dhe Tavernën.
Hënën e Re me një tufë lule
veshur me të zeza mbi varr:
-Zgjohu shpirti im, mbaje besën
premtimin për në Baba Tomorr!...
Shkup, 21 shkurt 2011