Kulturë
Poezi nga Vangjush Ziko
E diele, 20.02.2011, 08:35 PM
Vangjush Ziko
JETËS
Një vijë me kalem po heq në letër
Dhe dora s' e kuptoj pse po më dridhet.
Kthej kokën dhe shikoj rrugën e jetës
Ku derdhen e dredhojnë ato shtigje.
Çuditem dhe s' çuditem aspak vetë
Me lumin që ka rrjedhur n' ato brigje,
Herë dallgëzuar.Herë qetë
Si flakë që në gji të erës digjet.
Dhe hija.Edhe çapi m' u shkurtuan,
Por zemra m' i mat ditët si më parë.
Kujtimet nuk i le ajo të qetë.
Dhe unë si ushtari i liruar,
Që s' ka as uniformë dhe as armë,
Akoma thith barutin e betejës.
QYTETIT
Djepi im u krimb dhe u ronit.
Pelenat hëngri mola dhe urina.
E di në ç' dit' u linda e në ç' vit.
S' e di kur do mbaroj un' rrugëtimin.
Kalldrëmi yt u plak,më nuk po shndrit.
Dhe bari e mbuloi edhe tina.
Veç hijet e shtëpive si një rit
Me natën ikin.Me agimet vijnë.
Kur unë do mos jem e ti do jesh,
Ti djepi im i gurt' i fëminisë,
Mes zhurmave të rrugës ti mbaj vesh.
Dëdjoi ata hapa fëshfëritës,
Dëgjoje mallin tim si buzëqesh
Në rrezet e agimit shkrepëtitës.
POEZISË
O art i bukur,s' di të t' krahasoj
Përveç me dashurinë e praruar.
Në kraht' e tu dhe vuaj dhe lëngoj
Dhe rroj në qiell të shtat' i lumturuar.
Dhe miq e shokë më ke bërë plot.
Dhe as armiqtë tim s' i ke harruar.
Mes xhelozis' e smirës unë rroj
Me kokën lart dhe i pagjunjëzuar.
Ç' kuptim do kishte arti edhe jeta.
Ç' kuptim do kishte vargu i stolisur
Me lulelajle dhe pa të vërteta.
Ç' kuptim do kishte kënga e harlisur,
Si kënga e shavarit në këneta,
Pa brenga e pa blana e qëndisur.
Shkurt 2011