E shtune, 27.04.2024, 12:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Edlira Dedja: Indiferentët...

E premte, 18.02.2011, 08:59 PM


INDIFERENTËT...

 

Nga Edlira Dedja

 

Në mbrëmjen kushtuar 150 vjetorit të bashkimit të Italisë (integruar brënda Festivalit të Sanremos, më 17 shkurt 2011), pata fatin të përcjell me emocion të veçantë oratorinë e Roberto Benignit, që dukej sikur buronte nga Roma e Antikitetit, i cili me një mjeshtëri të veçantë zbërtheu përmbajtjen e hymnit italian, shpalosi muzikalitetin e gjuhës dhe madhështinë e kulturës së vëndit të tij, duke e magjepsur auditorin me mesazhet e mëdha që përcolli… Ai hyri me kalë në skenë : një sarkazëm artistike kundrejt pompozitetit të « kavalierëve » e politikanëve të sotëm italianë e doli në mënyrëm më modeste, duke lënë nga pas madhështinë e atyre që sakrifikuan jetën me heroizëm e thjeshtësi për atdheun e tyre, Italinë. Për një moment e ëndërrova këtë skenë në Tiranën time, të plagosur aq pamëshirshëm në dinjitetin e saj; por e ëndërrova dhe e përcolla këtë përjetim edhe në Prishtinë…

 

Ëndërrova një mesazh të thjeshtë njërëzor, të dashur e njëkohësisht të qartë për popullin tim, për kulturën dhe historinë e lashtë të tij, për figurat madhështore që ka nxjerrë në shekuj, për sakrificat e tij qindravjeçare… Kërkova zërin e Nënë Terezës, zërin e Nolit të madh, Fishtës, Migjenit, Konicës e së fundi Qoses e Kadaresë…

 

Kërkova të gjej në brendinë e frazës « Fratelli d’Italia » gjurmët e atyre luftëtarëve shqiptarë që kanë luftuar krah për krah Garibaldit për lirinë e Italisë e bashkimin e saj ; kërkova ndihmë prej tyre për fatin e truallit tonë amë e luftën e pamëshirshme që vazhdojnë edhe sot fqinjët e tij të paskrupullt, së bashku me një « élite » politikanësh shqiptarë të etur për pushtet, të cilët po e gërryejnë edhe më tej truallin dhe ndërgjegjen tonë kombëtare; kërkova ndihmë për viktimat e pafajshme të janarit, për varfërinë e popullit tim, për ëndrrën tonë shekullore për liri e demokraci të vërtetë…

 

Klithma ime m’u duk e dobët e jehona që ajo la nga pas, në hapësirë, m’u duk e shurdhët, e vetmuar. Klithma ime e çveshi zërin tim nga muzikaliteti, nga notat e pentagramit, nga ëmbëlsia e tyre. Ajo ishte e vrazhdë, e ftohtë dhe njëkohësisht e dëshpëruar. Kërkoja zëra të tjerë, që t’i bashkoheshin zërit tim…Kur papritur, menjëherë pas largimit të Benignit nga skena, si nga një rastësi e bekur, dy protagonistët e tjerë të festivalit, Luca e Paolo, nisën të lexojnë fjalët e Antonio Gramshit, filozofit të shquar italian me origjinë shqiptare. Të ishte vallë rastësi ajo që dëgjova, një përgjigje e flaktë ndaj klithjes, që papritur kishte marrë përgjigje, apo një domosdoshmëri që përcillej përtejbote si mesazh për të gjithë ne shqiptarët në këto momente ?!

 

E përktheva me një frymë këtë mesazh hyjnor, mbrritur në momentin e duhur dhe përcjellë në tribunen më të madhe të mbrëmjes së kaluar. E ndjeva se misioni im ishte ai i maratonomakut:  ta përcjillja tek ju të gjithë, miqtë e mij...

 

 

Indiferentët

 

Nga Antonio Gramshi

 

I urrej indiferentët e besoj, si Friedrich Hebbel, që « të jetosh, do të thotë të jesh partizan» e që njerëzit e ndarë nga qytetërimi nuk mund të ekzistojnë. Kush jeton me të vërtetë nuk mundet të mos ketë qytetari dhe as të veçohet. Indiferenca është plogështi, parazitizëm e mungesë burrërie. Indiferenca nuk është jetë e për këtë unë i përbuz indiferentët.

 

 Indiferenca është pesha e vdekur e Historisë, është goditje plumbi për novatorin, është materia inerte që fundos shpesh entuziazmet më të ndritura në moçalet  e kufomave të qytetërimit të vjetër, të cilin e ruan më mirë se sa muret e fortesave, më mirë se sa gjoksi i luftëtarëve të saj, mbasi ajo gëlltit trimat  në thellësitë e tokës së etur, i dekurajon dhe ndonjeherë i bën edhe të  tërhiqen nga ndërmarrja e tyre heroike. Indiferenca vepron fuqishëm në Histori. Ajo vepron në mënyre pasive, por ajo vepron. Ajo është fataliteti. Ajo është e tillë që të lë pa mbështetje. Ajo është e tillë, që të çorganizon programet, t’i përmbys planet e ndërtuara më së miri ; është materia e papërpunuar që rebelohohet me inteligjencën dhe e ndrydh atë. E keqja më e madhe që buron prej saj është se në vënd që të ketë përfitim nga një akt me vlera të mëdha për njerëzimin, ka humbje, për shkak të indiferencës së një grupi qe vepron me mospjesëmarrjen e tij, me mungesën e tij numerike …

 

 Ajo çfarë ndodh, nuk ndodh për shkak të një numri njerëzish që shpreson që kjo të ndodhë, por për shkak të kësaj mase që ligështohet e heq dorë nga vullneti, që veçohet e i lë gjërat në dorë të fatit, që tërhiqet dhe lejon të lidhen të tilla nyje, që vetëm shpata mund ti shbëjë, që lejon shpalljen e ligjeve që mund t’i shfuqizojë vetëm rebelimi, që lejon të mbrrijnë në pushtet  të tillë njerëz që vetëm një kryengritje mund t’i përmbysë. Fataliteti që duket sikur dominon Historinë, nuk është asgjë tjetër vetëm se pamja e gënjeshtërt e kësaj indiference, e kësaj mungese.

 

 Shumë prapaskena gatuhen në hije. Një numër i vogël njerëzish mund të veprojë jashtë normave të kontrollit, duke ndryshuar strukturën e jetës së komunitetit, në nje kohë që masa tjetër e injoron këtë veprim dhe as që e vret mëndjen të lodhet për një gjë të tillë. Fatet e një brezi mund të manipulohen për shkak të vizioneve dhe koncepteve të kufizuara, qëllimeve të çastit apo ambicieve dhe pasioneve vetiake të një grupi të vogël njerëzish, në një kohë që masa tjetër i injoron ato e as do t’ja dijë për pasojat. Por e keqja është se faktet dalin në skenë pasi janë pjekur dhe vetëm atëhere, kur pëlhura e endur në hije është përfunduar… e pastaj duket sikur është fataliteti ai që shkatërron gjithçka dhe të gjithë, duket sikur Historia  nuk është gjë tjetër përveç se një fenomen i jashtëzakonshëm natyror brënda të cilit ne jemi të gjithë viktima, dashje pa dashje, me ose pa dëshirën tonë, me ose pa dijeninë tonë, edhe nëse kemi vepruar apo kemi qënë indiferentë.

 

 Dhe së fundi, kjo masë njerëzish inatoset, dëshëron të shpëtojë nga pasojat, duke kërkuar se kush është fajtori e duke i larguar përgjegjësitë nga vetvetja.  Disa madje ankohen me devocion, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por asnjëri prej tyre nuk i bën pyetjen vetes: nëqoftëse do ta kisha kryer edhe unë detyrën time apo nëqoftëse do të kisha provuar ta pohoja dëshirën time, këshillën time, a do të kishte ndodhur vallë kjo që ndodhi ?

 

 Por askush ose pak njerëz mund të fajësojnë veten se kjo ndodhi për shkak të indiferencës së tyre, skepticizmit të tyre, apo pse ata nuk ja dhanë ndihmën në kohën e duhur atij grupi me ndjenjë të lartë qytetarie që, me të drejtë, për të eviruar të keqen propozoi të luftonte për të fituar drejtësia.

 

 Pjesa më e madhe e tyre, përkundrazi, preferojnë të flasin për dështimin e idealeve, të programeve të shkatrruara përgjithmonë e banaliteteve të tjera të ngjashme me to. Ata rifillojnë kështu, t’i shmangen plotësisht përgjegjësisë. Dhe kjo nuk ndodh vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat ose nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje për problemet më urgjente. Problemi është se këto zgjidhje mbesin gjithnjë shterpe dhe se kontributi i tyre në jetën e komunitetit nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale ; ai është produkt i kuriozitetit intelektual dhe aspak një ndjenjë e fortë  përgjegjësije historike, e cila duhet të na përfshijë të gjithëve e që nuk pranon as agnosticizëm e as indiferencë, e cilitdo lloji qoftë.

  

Unë i përbuz indiferentët edhe për arsyen se ankesat qaramane të këtyre « inocentëve të përjetshëm»  më bezdisin. I kërkoj llogari sejcilit prej tyre për mënyrën se si e ka kryer detyrën ndaj jetës për atë që ajo i ka falur e i fal çdo ditë, për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë. Dhe e ndjej për detyrë të mos kem mëshirë për ta e të mos i daj lotët e mija me të tyret.

 

 Unë jam partizan; jetoj e ndihem burrëror në ndërgjgegjen time, mbasi luftoj për lumturinë e së ardhmes, të cilën e ndërton e gjithë qënia ime. Dhe brënda saj, zinxhiri social nuk bazohet në një numër të vogël elementesh ; brënda saj, asgjë që ndodh nuk është rastësi apo fatalitetit, por është vepra inteligjente e një qytetari.

 

Ndergjegja ime nuk mund të pranojë asnjë njeri që qëndron në dritare e bën sehir gjatë kohës që një numër i vogël njerëzish sakrifikohen e derdhin gjakun në këtë sakrificë.  Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t’i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ja ka përmbushur synimet e tij, - atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, i urrej indiferentët.

 

Bota e së ardhmes

  

 http://www.youtube.com/watch?v=bIqQtaKw8Y4&feature=related

  

http://www.comune.torino.it/sq/zbulo/bengini-gramshi-dhe-shqiptaret-nga-edlira-dedja.shtml



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora