E shtune, 27.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (XVII)

E enjte, 17.02.2011, 08:57 PM


Nga skëterra përmes luftës në krenari (XVII)

 

Nga Mejdi Asllani

 

Viti 1974. Këshilli i xhamisë së lagjes Baliq i përbërë nga pesë bura të moshuar dhe të respektuar në Gjilan, më erdhën në shtëpinë time. Këta ishin: Halil Selishta me të bitin Esatin, Sylejman Bilalli- i njohur si Sylë Uglari, Isuf Bukoviku dhe Osman Vriçevci. I pranova dhe i ftova për në dhomën për miq. Pasi u rehatuan dhe ua shërbeva nga një cigare, duke i pyetur për shëndetin dhe hallet e tyre, nuk ia vonuan dhe më treguan se kishin hallin e meremetimit të xhamisë së vjetër të lagjes. Një ndër xhamitë më të vjetra në qytet.

Sa herë kaloja atypari e shikoja atë xhami me mure të çara dhe thosha më veti se një ditë ka për të u rrënua dhe ka për të i nxënë xhematin, dhe qeshja duke thënë se ndasht, se të gjithë janë pleq e nuk bëhet nami, sepse në atë kohë fare pak të rinj shkonin në Xhami. Por, kësaj radhe pleqtë ishin tejet serioz dhe me influencë, prandaj nuk kishte vend për ndonjë mahi.

Bisedën e filloi mixha Halil Selishte, meqenëse ishte më i moshuari. Në atë kohë i kishte afro tetëdhjetë vjet. Ishte një burrë i racës i pajisur me të gjitha tiparet e një plaku të fiseve. Kishte urti të pa kufizuar memorien për lakmi. Kishte pajtuar mbi njëqind gjaqe dhe mbi njëmijë ngatresa ndër familjare. Thjeshtë ishte një bibliotekë e gjallë, që nga koha e sundimit të Turqisë e gjer në ditët tona. Atdhedashurinë e kishte mbi të gjitha. Dëgjoja nga njerëzit se i ka veçuar tre të rinjtë në Gjilan tek të cilët e mbështetka shpresën se do të bënin gjë për Kosovën. Këta të zgjedhurit e tijë ishim; Kadri Zeka më vonë Dëshmor i kombit, tani Hero i kombit, të cilin e kishte stërnip. Ruzhdi Maliqi dhe unë Mejdi Asllani.

Kadri Zeka më vonë hyri në përjetësi dhe në histori, Ruzhdi Maliqi, pasi u emërua Drejtor në ndërmarrjen e komunikacionit “Kosova trans”, filloi të konsumoj alkoolin pak më tepër dhe alkooli e bëri të vetën, kurse unë ende mundohem të ia plotësoi amanetin.

-           Mejdi bre burrë, neve jemi disa pleq që jemi mbet, tjetër vendtakim nuk kemi, ne nëpër kafe nuk mund të shkojmë. Po shkojmë njaty në Xhami, edhe po e lajmë farzin ndaj Allahut edhe po takohemi, po bisedonim dhe po heqim mërzi. Se nuk po rihet vetëm në shtëpi të mbyllur. Por tani Xhamia është kah rrënohet, është qarë nga të gjitha anët, sepse është më e vjetra në qytet. Po kem frikë se një ditë ka me na zonë duke u falur. Po kem dëshirë ta rrënojmë dhe mbi ato themele ta ndërtomi një të re. Pëlqimin e banorëve të lagjes për vetëkontribut e kemi marrë. Po kem dëshirë ta kem edhe pëlqimin tënd. Që të mos na e rrënosh.

-           Unë e kam parë Xhamin se në çfarë gjendje është, por kjo e ka një rrugëzgjidhje. Ju e keni një Miftidajre, i thuani Miftisë të bëjë një kërkesë për adaptimin e Xhamisë dhe ne ua lejojmë, pastaj punoni.

-           Para një viti Myftija e ka bërë një kërkesë por nuk kemi marrë përgjigje. Tani Myftija nuk po na ndihmon më, sepse po ka dëshirë që kjo Xhami të rrënohet e të mos ndërtohet më.

-           S’është e mundur! S’po mund me ju besua veshëve, si është e mundur që një hoxhë të ketë dëshirë me u rrënua Xhamia? Dhe fillova të i shikoj të gjithë pleqtë. Të gjithë më dhanë shenj se i aprovonin thëniet e Xha Halilit.

Ndërhyri Sylë Bilalli-Uglari:

 -           Myfti është Mulla Jetishi, këtë na e ka imponua Komiteti i LK-te, ma shumë është komunist se sa hoxhë. Është në marrëveshje me Imamin e Xhamisë madhe në Qendër, dhe po donë me e tërheq edhe ketë gjëmat atje, sepse do të kenë ma shumë të ardhura.

Pasi u ndala dhe mendova gjerë e gjatë. Për  Pasojat si do ti bartja nëse lejoj rindërtimin e Xhamisë krye veti. Ju thash;

-          Shikoni burra. Unë këtë zanat të keq nuk ia lë djalit, me prish Xhamia e shkolla për ti hyrë në hatër shkjaut. Por, unë kërkoj nga ju, që nëse më shkarkojnë mua nga detyra, ose më arreston, ju së bashku me banorët e lagjes ta mbroni Xhaminë dhe me asnjë kusht të mos lejoni të rrënohet, në të kundërtën mos më merrni në qafë se me këtë rrogë e ushqej familjen shtat anëtarësh. Tani pas fjalëve të mija folën të gjithë të pestit:

-           Nëse ti na lejon, për pa vdekur të gjithë burra e gra të lagjes sa jemi, nuk kem me lejuar me u prish Xhamia.

-           Mirë pra ju fillojeni Xhaminë kurse unë i bëjë punët e mija, vetëm të holla mos më kërkoni sepse edhe shtëpinë time nuk e kam kryer tamam.

-           Shumë, Shumë faleminderit, Zoti ta pagoftë, Qoi burra ti m’vishemi punës ju tha Xha Halili.

I përcjella gjer te porta e oborrit duke u thënë udha e mbarë dhe punë të mbarë.

Të nesërmen shkova në punë dhe pa hezituar i tregova kolegut tim Zekrija Çorollit, fill e për pe si ka qenë biseda dhe i thash se u kamë premtuar se nuk do të u pengoj në rindërtimin e Xhamisë. Zekrija më tha mirë paske veprua, e ke edhe përkrahjen time. Ishalla shpëtojmë lehtë, se kur të kupton këta, duke aluduar në Serbët, kanë me u tërbua.

Në këtë vit pritej të avancoheshin të drejtat qytetare të Kosovës dhe Vojvodinës duke ia dhënë nga një kushtetutë, me qëllim të dobësimit të Serbisë, sepse Serbia ashtu si ishte, e rrezikonte vet Titon. Sa për çudi po në këtë vit para se të jepej Kushtetuta, u filluan të ndërtohen tri Xhamia, edhe atë të tria pa leje ndërtimi. Një në Bujanoc, ku me rastin e tentimit të organeve për ta rrënuar, pati ndodhë edhe përleshje mes qytetarëve si e kishin rrethuar Xhaminë për ta mbrojtur edhe organeve të shtetit. Po megjithatë Xhamia pat shpëtuar. Tjetra ishte në Podujevë, këtu rolë të rëndësishëm patë lozur Kryetari i Komunës, sepse, u kishte thënë qytetarëve, Unë po shkoj në pushim vjetor e ju filloni dhe ndërtoni Xhamin gjer sa të vijë unë nga pushimi. Kështu edhe patë ndodhë, Xhamia u ndërtua pa telashe. Kryetari i komunës në Podujevë ishte Shqiptar. Tani edhe kjo në Gjilan. Ditët kalonin dhe Xhamia e vjetër u rrënua dhe filloi rindërtimi i të resë. Që në fillimin e sajë shkova dhe e shikova nëse është dukë u ndërtua në të njëjtën sipërfaqe apo kanë devijuar. Pasi e pash se janë duke iu përmbajt premtimit, më nuk dukesha atypari, as unë as kolegu i imë.

Ditët kalonin dhe xhamia ndërtohej me intensitet të shpejtuar. Ndër qytetar të Gjilanit qarkullonte ajo fjalia e ime e thënë para burrave se nuk i lë bedatë të keq djalit, me prish xhamia  shkolla, për të i hyrë në hatër shkjaut. Tani nga kjo fjali krijonin legjendë. E dija mirë se nuk ka me shkuar gjatë dhe ka me hyrë në vesh të pushtetarëve.

Për të pasur sado pak argumente për mbrojtje, një ditë shkova në zyre të Miftisë Mulla Jetishit dhe e pyeta pse e ka filluar ndërtimin e xhamisë pa leje paraprake. Ai mu përgjigj, se ajo xhami nuk është duke u rindërtuar me pëlqimin e kësaj Miftidajre. Atëherë unë i thash, por unë kamë informacion se para një viti Miftidairja ka bërë kërkesë për lejimin e Rindërtimit të xhamisë. Po më tha, por tani kanë ndryshuar punët. Mirë por a bënë ta shoh unë kopjen e asaj kërkese? Po tha dhe i urdhëroi sekretarit që ta sjell atë kopje. Sekretari e gjeti atë në dosje dhe ma dha mua për ta parë, aty ishte nënshkrimi i Mulla Jetishit. Sipas kësaj del se ju jeni përgjegjës për atë xhami dhe me që nuk keni marrë përgjigje i keni filluar punët në mënyrë të egër. Mulla Jetishi më tha: Unë ju thashë se ajo xhami nuk është duke u rindërtuar me pëlqim të kësaj Miftidajre dhe nëse donë, shkojmë bashkë dhe e rrënomi. Çka janë këto fjalë Mulla Jetish, ti nuk je kompetent për rrënime, unë do e bëjë atë. Por do të shkojmë sipas rregullave procedurale. Tani unë juve ua bie vendimin për ndalimin e punimeve, pastaj shohim. Atëherë U ndie keq Mulla Jetishi dhe më tha Unë nuk mundem me i ndalë punët, sepse nuk më dëgjon këshilli i asaj Xhamie.

Unë e dija këtë mirë se ai as që guxon me u paraqit te ajo xhami, megjithatë pas tri dite, ia dërgova edhe vendimin për rrënim, dhe ia ngrita padinë në gjyq, për shkelje të ligjeve të ndërtimit urban. Të gjitha ato i futa në dosje dhe rruaja për nevoja të mbrojtjes që do të pasonte.

 Sipas të gjitha gjasave, qëndrimi imë për ta marrë në mbrojtje xhaminë si objekt fetar, por njëkohësisht edhe Shqiptar, sepse Serb të konfesionit Mysliman nuk kishte. Kishte ndikuar, që banorët e lagjes së Balecit, të mos kursehen në dhënien e vetëkontributit në të holla por edhe me punë fizike. Sepse xhamia ndërtohej moderne dhe me material të fortë. Krahas Objektit ngrihej edhe minareja.

Një ditë pune isha në zyrën e nën kryetarit të komunës Regjep Hamiti, kur erdhi një gazetar Shqiptar, dhe fill pas përshëndetjes, tha: si po lejoni të ndërtohet xhamia e cila po duket nga Stadioni i futbollit. Edhe pse u orvata që, me gjeste të i them që ta mbyllë gojën, më kot, Regjepi e kuptoi dhe më shikoi mua, duke dhënë sinjal se ajo kritikë duhet të më drejtohet mua.

Të nesërmen kur shkova në punë, kryeshefi i inspekcionit që ishte njëfarë serbi i quajtur Tosha Valekinac nga Shtërpca, më ftoi në zyre të tij, dha më pyeti se çfarë është puna e asaj Xhamie. I thashë se procedura është në zhvillim. Ma kërkoi dosjen dhe unë ia dërgova. E mori dhe nuk ma kthej më. Megjithatë, unë i kisha fotokopjet në dosjen rezervë, nga se mund ta shmangte ndo një aktvendim, për të më dëmtuar në procedurë gjyqësore. Sepse tani u ishin krijuar kushtet për ta fituar betejën e filluar kaherë mes meje dhe funksionarëve Serb të Komunës e më gjerë.

Një ditë pas, e kishin organizuar mbledhjen e degëve të Lidhjes komuniste të tri lagjeve dhe mua më kishin ftuar të jem prezent. Mbledhjen e udhëhiqnin Sekretari i Komitetit kom. Të LK-te, Avramoviqi, Kryetari i lidhjes socialiste Sabit Jakupi dhe Regjep Hamiti nënkryetar i KK-së. Filluan kritika të ashpra ndaj punës time pse nuk e kam ndaluar rindërtimin e xhamisë por edhe urdhra se urgjentisht të rrënohet Xhamia. Unë vetëm dëgjoja. Anëtarët e partisë të kombësisë Shqiptare, përmbaheshin nga diskutimet, kurse Serbët të degës së Varoshit nuk zgjidhnin argumente për të sulmuar, kishte edhe argumentime të pa baza, sikur aty, më parë paska qenë një Kishë, sepse më poshtë Xhamisë ishte një qeshmë, ku Serbet plaka po lidhkan penj, rreth ditëve të shenjta. Kur e dëgjova edhe këtë s’munda të përmbahem dhe u thash; Ani pra po e rrënomi xhaminë dhe po e ndërtomi në kishë të vogël, sepse ai pllaz nuk shërben as për ndonjë shkollë as për fabrikë sepse është tejet i ngushtë dhe maje bregu, thjeshtë i pa përshtatshëm. Me që ra fjala po ua them troç, për renovimin e asaj xhamie është bërë kërkesa para në viti të plotë nga qytetarët e lagjes të përfaqësuar nga Miftidairja. Dhe nuk u është dhënë përgjigje. Kështu që ata kanë fituar të drejtën e punëve nga heshtja e organit kompetent Komunal, prandaj nuk ka mundësi fare, që të rrënohet xhamia nga se popullata është e vendosur ta mbrojë atë me çdo kusht.

Ndërhyri Nënkryetari Regjep Hamiti me fjalë kërcënuese, Neve kemi Polici, Ushtri, kemi tanksa e topa, gjithsesi do ta rrënomi Xhaminë me ty apo pa ty.

Replikova unë duke ju drejtuar me injorancë. Unë kamë menduar se Ushtria, tanket dhe topat janë për ta mbrojtur Jugosllavin nga ndonjë invazion eventual nga jashtë, nuk e paskam ditur se ato mund të shërbenin edhe për të shkelur masën e popullit të vet, i cili nuk e ka dëmtuar askënd. Nëse je aq korrekt në zbatimin e ligjit, duku më rrallë atje ku po ndërton xhaxhi yt shtëpi pa leje, e unë nuk po mundëm me zbatuar ligjin, nga se ti me orë të tëra po rri ulur në karrige dhe po shikon kah ndërtohet shtëpia pa leje ndërtimi.

Reagoi Sekretari i Komitetit Avramoviqi dhe më kritikoi pse shprehem aq ashpër kundër Nënkryetarit të Komunës. Dhe më këtë edhe përfundoi mbledhja.

Të nesërmen në mëngjes shkova në komunë për të vazhduar punën, por ndodhi befasia, sepse në hyrje të ndërtesës së Komunës, më doli përpara portieri dhe më tha: Mejdi mua më kanë urdhëruar të mos lejoi të hysh në ndërtesë fare. E pyeta kush të ka urdhëruar?, më tha; Kryetari i Kuvendit, Vukashin Jokanoviqi, megjithatë nëse ti insiston hyrë, por unë mund ta humb vendin e punës, prandaj si të duash bëja.

Buzëqesha pak, duke i thënë, qenkan vonuar pak, sepse unë dokumentet e nevojshme i kam me veti prandaj, kurrsesi nuk po ta rrezikoi punën ty. Qofshim shëndosh unë dhe ti. Mirë u pafshim, përshëndeti kolegët e mi dhe tregoju këtë. U ktheva në shtëpi pa u mërzitur fare, sepse e dija se, as qiriu pa e djeg vetën nuk mund të i bëjë dritë dikujt. Tani thuaj se i kisha përmbushë detyrat, si ia kisha shtruar vetit. Si ajo e afrimit të popullatës nga viset pasive të malësisë në qytet, pranë shkollave. Tani edhe stopimin e rrënimit të objekteve Shqiptare, sepse nëse me lehtësi do të ia dilnin me rrënua Xhaminë, atëherë ku ke për ta ditur, se cili objekt i Shqiptarëve do ta kishte radhën.

Pas orarit të punës, më erdhën thuaj të gjithë kolegët, për të shprehur indinjatën, ndaj veprimeve të Kryetarit të komunës, dhe një herrit duke shprehur solidaritet me mua. Disa pres tyre edhe brengoseshin se si do të mundem me ushqye familjen me që tjera të hyra nuk kisha. Unë i ngushëlloje duke thënë; këtë grykë, nuk e ka mbaruar Demë Farkëtari, ai si e ka krijuar edhe ia sjellë reskun.

Dy dit pas, përsëri më erdhi Kolegu i imë Zekrija Qorolli, më tha se i paska urdhëruar Vukashin Jokanoviqi, që ta shkruaj një deklaratë në lidhje me Xhaminë. Unë i thashë shkruaje, ti e dinë se si ka vajtur puna. Zekrija më tha jo, shkruaje ti e unë e nënshkruaj. Si të duash i thash dhe mora një letër dhe e shkrova si vijon: Mejdi Asllani dhe unë, e kemi zhvilluar procedurën në mënyrë të rregullt, duke ia dërguar Personit përgjegjës vendimin për ndalimin e punimeve nr. N. Aktvendimin mbi rrënimin e objektit nr. N. Padinë për shkelje të dispozitave për ndërtim urbanë nr. N. Por, kryeshefi Tosha Velekinac na e ka marrë lëndën dhe nuk na e ka kthyer më. Neve nuk kemi pasur mundësi të vepronim pa e pasur lëndën. Deklaratën e nënshkroi Inspektori i ndërtimtarisë Zekrija Qorolli dhe shkoi për ta protokolluar e pastaj të ia dorëzoj Kryetarit të kuvendit Vukashin Jokanoviqit* Ky person më vonë u bë Ministër për punë të brendshme i R.S. të Serbisë.

Pasi e lexojnë deklaratën e Zekës, dhe e shikojnë lëndën, shohin se nuk kanë as edhe një bazë për të më ndëshkuar. Atëherë Vukashini dhe shokët e tij e formoi një komision i cili do të gjurmonte në teren nëse ndokund kamë pranuar mito, ose jam korruptuar në çfarëdo mënyre. Një javë të plotë, komisioni gjurmon nëpër shtëpi private si ishin ndërtuar gjatë mandatit tim, që nuk ishin të pakta. sepse ishin ndërtuar afro dymijë shtëpi familjare. Së fundi shkojnë te një familje e ardhur nga Karadaku i Kumanovës, të cilit tri hera radhazi ia pata penguar ndërtimin duke ia nxjerrë themelet e freskëta nga dheu. Sepse dikush e kishte mashtruar dhe shitur një truall në kompleksin rezervë të Kombinatit të tekstilit. Duke i thënë se këtu nuk bënë të ndërtoja dhe ti shpenzoj parat, sepse kur të i nevojitet Kombinatit, ta rrënon shtëpinë pa kompensim dhe ti para tjera nuk ke e i lenë fëmijët pa kulm mbi kokë.

 Dil matanë rrugës blejë një truall ku të duash dhe ndërto. Ky person kishte qenë tejet kokëfortë, dhe për të katrën herë e filloi prapë, unë shkova dhe vetëm e shikova dhe i thash e paq në qafë vetën dhe fëmijë tu. Ky person e patë ndërtuar një shtëpi të vogël. Tani këtij i thotë komisioni, kemi ndie se tri herë të ka penguar, së katërti të ka lejuar ta ndërtosh si ia gjete mënyrën. Pasi e kupton, esencën e pyetjeve, ky far burri u thotë; Vërtet i a kamë shumë inat, sepse më ka dëmtuar fort, por unë në atë kohë jam interesuar për të i dhënë ryshfet, për të më lënë rahat, por njerëzit më kanë thënë, se po bëre e ia përmende, atëherë vërtet nuk të lenë me ndërtua kurrë. Me që nuk kamë guxuar me ia përmend, si të i dalë tani ndër sy e të i them se të kamë dhënë.

Me këtë person, komisioni e përmbyllë punën, pa gjetur as edhe një fakt më të voglin, për të pasur ndonjë argument, si do të u hynte në punë për të më ndëshkuar.

Ndërkohë edhe Sekretari i komunës që në këtë kohë ishte Rexhep Regjepi nga fsha. Velekincë, ishte kthyer nga pushimi vjetor. Vukashini i urdhëron që, të ma bie vendimin për suspendim nga detyra. Por Regjepi e refuzon urdhrin, duke e arsyetuar se nuk ka fakte, dhe se në procedurë gjyqësore Mejdiu do ta fitonte të drejtën për kthim në vend pune. Pastaj kush do të e bartte përgjegjësinë për dëmtimin e buxhetit, kur të i paguhen të gjitha rrogat troç. Atëherë kryetari i thotë, unë intervenoi pran Gjykatës Komunale dhe atë të Qarkut dhe ai nuk mund ta fitoj procedurën, Regjepi i thotë po këtu por kur të dalë lënda në gjyqin suprem a mundësh atje në Prishtinë?. Vukashini i gjetur ngushtë i thotë Sekretarit, mirë pra le të kthehet në punë, e pastaj neve e përcjellim ai nuk e lenë pa lëshuar pe Dikund dhe e kapim me argument.

Këtë bisedë Regjepi ma tregoi mua fill e për pe. Dhe më tha nëse mundësh mos me lëshuar pe kurrkund, kthehu në punë, por zor ke me pasur. E dijë i thash se ka lloj, lloj fukaraje e unë nuk mund të bëhem xhelat pa ndjenja. Prandaj nuk po vijë në punë, po ti si ta merë mendja, lëshoma vendimin se më bënë mirë. Jo Mejdi më falë, por nuk mundem me marrë asi vendimi.

Prapë unë nuk shkoja në punë, pas nja një jave më ftoi Sekretari Organizativ i Kuvendit Z. Faik Haziri dhe pas një ligjërate të gjatë, për tu kthyer në punë, unë i thashë; Shiko Faik edhe po të vdesë për bukë, gjer sa të jetë ky sistem dhe këta njerëz në krye, nuk kthehem dhe në asnjë mënyrë nuk i a japë kontributin tim këtij sistemi. U ngrita dhe shkova në shtëpinë time.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora