E shtune, 27.04.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Lisi: Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469

E enjte, 17.02.2011, 07:59 PM


“Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469”

 

Nga Vjollca Lisi

 

Libri do të përurohet në Tiranë, më 15 shkurt

Një libër me shumë risi që dalin në dritë për herë të parë. ?shtë fjala për një dokument të hartuar fillimisht në mesin e shekullit  XIV, zbulohet për herë të parë, pas gjashtë shekujsh, në një nga bibliotekat veneciane; botohet për herë të parë, pas disa vitesh pune intensive disaplanëshe,  në Itali, më 2002, tashmë, më në fund, për herë të parë, sheh dritën e botimit të plotë, për publikun studiues shqiptar, në Shqipëri, edhe në gjuhën shqipe.

Libri “Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469” del këto ditë në qarkullim në Shqipëri dhe në një kohë  të afërt, edhe në Kosovë e në trevat shqiptare përreth, falë një nisme të universitetit “Wisdom” në Tiranë, madje, për të qenë më të saktë, falë impenjimit personal të rektorit të tij, ambasadorit Paolo Foresti dhe ndihmesës së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Projekti i përgatitjes për botim të plotë të librit, është realizuar edhe në bashkëpunim me autoren e librit, profesoreshën Lucia Nadin, pranë Universitetit të Venecias, studiuese dhe albanologe e njohur, e pasionuar pas kulturës shqiptare, dhe, për palën shqiptare, në bashkëpunim të hershëm me Prof. Pëllumb Xhufin, i cili i ka transkriptuar dhe përkthyer statutet në gjuhën shqipe, që në botimin e parë në italisht të librit, më 2002.

Është një vëllim elegant dygjuhësh në shqip dhe në italisht. Nismëtarët e  këtij botimi, në Shqipëri, menduan  për studiues e shkollarë shqiptarë dhe italo-shqiptarë, arbëreshë, të Universiteteve të Italisë, që të mund ta kenë më të lehtë studimin dhe thellimin e mëtejshëm, në shumë nga fushat kërkimore që propozon dokumenti në fjalë.

Botimi shqiptar përmban studimet që janë bërë nga disa autoritete italiane në zë të fushave të ndryshme të gjuhësisë, si dhe një studim të një historiani të njohur bashkëkohës zviceran, lidhur me rëndësinë e jashtëzakonshme që paraqet zbulimi i këtij dokumenti për historinë e Shkodrës, të Shqipërisë së Mesjetës, si dhe të kësaj  zone të Adriatikut dhe të Ballkanit e më gjerë. Statutet e Shkodrës janë një kod normash e ligjesh, që rregullonin jetën e qytetit lagunor të bregut lindor të Adriatikut, në të gjitha fushat, shoqërore, familjare, civile e penale, në bujqësi dhe artizanat, jetën qytetare dhe shpirtërore, marrëdhëniet mes feve, lidhjet mes shtetit e fesë, mes laikëve dhe klerikëve e me radhë. ?shtë një model i qeverisjes së Shkodrës dhe zonave përreth, në bazë komunore, sipas standardeve më të larta europiane të kohës, së pari, pa dyshim, sipas modelit venecian, meqë lidhjet me qytetin lagunor të Shën Markut, ishin të forta, solide dhe shumëplanëshe. Çdo nen, çdo statut i këtij kodi-kushtetutë, është një mozaik interesant i zhvillimit, i qytetërimit dhe i demokratizimit të jetës së qytetit, për sa mund të ishte e mundur një gjë e tillë në ato kohë. Në këtë këndvështrim, ai kod i vogël, i hartuar me shumë kujdes, më pas i humbur dhe i harruar në shekuj, përbën vërtet një monument në disa pikëpamje dhe para së gjithash është monumenti i një të shkuare, së cilës i dëshirohet t’i ruhet kujtimi.

Në studimin e historisë së Mesdheut Lindor dhe të Europës Juglindore, në fund të periudhës së Mesjetës, zona shqiptare zë një vend të veçantë: në asnjë zonë tjetër, nuk u takuan, në një hapësirë aq të ngushtë, kaq shumë kultura, gjuhë dhe forma shoqërore. Elementi romak, shqiptar, sllav, grek, katolicizmi dhe feja ortodokse, kultura qytetare e tipit Adriatik dhe e atij bizantin, sistemi feudal serbo-bizantin dhe sistemi i vjetër gjysmënomad ballkanik: të gjitha këto ndihmuan për krijimin e një pasurie të pakrahasueshme formash jete, që e dalluan në mënyrë të veçantë Shqipërinë Qendrore dhe atë Veriore. Libri, përmes argumenteve të studiuesve të huaj europianë, analizon disa aspekte të realitetit shqiptar të kohës, si pjesë e realitetit adriatiko-ballkanik, mesdhetar dhe më tej, europian. Autorët, me vëmendje dhe seriozitet shkencor, vetëm sa hedhin teza dhe argumente, vetëm sa çelin udhë dhe itinerare në këtë periudhë të zhvillimeve në Shqipëri e më tej, vetëm sa cekin disa nga fushat më me interes për historiografinë, gjuhësinë, etnografinë, legjislacionin shqiptar të kohës, duke nxjerrë në pah rolin e ndërsjellë të trevave shqiptare, në dhënie e marrje me kultura, realitete, popuj e normativa të vendeve fqinje e më tej.

Të tjerat janë detyrë në radhë të parë qytetare, e shqiptarëve, e kërkuesve, studiuesve të shumë fushave, për të hedhur dritën e munguar në shekuj mbi këtë fragment të jetës dhe të kulturës shqiptare; më pas  e  shkollarëve, nxënës e studentë, për ta njohur këtë pjesë të identitetit të tyre europian, të konfirmuar (edhe pse të harruar për disa shekuj), që ka arsye, të drejtë dhe nevojë, të riafirmohet me forcë, dinjitet në ditët e sotme, në fillimet e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XXI.

Në fillim të këtij shkrimi, përmenda faktin se vëllimi përbën disa risi “të para”. Ndër to është fakti i përmendur edhe nga autorët e studimeve të botuara në të, se zbulimi i kodikut të Shkodrës, përbën të parin dokument të kësaj epoke, të hartuar brenda territorit shqiptar, pasi bota shqiptare ishte bërë e njohur, deri më sot, në mënyrë të vetme përmes burimeve (dokumenteve, akteve, kronikave, shënimeve të udhëtimeve), të krijuara jashtë Shqipërisë deri nga fundi i shekullit XV, me sa duket, Shqipëria nuk kishte bërë të dëgjohej zëri i saj, shprehet një nga studiuesit e huaj, autor i njërit prej artikujve studimorë të botuar në libër.

Nuk të habit fakti që statutet shkodrane  zbulohen pikërisht në Venedik, nëse marrim parasysh lidhjet e ngushta që pati qyteti i Shën Markut me Shkodrën dhe me Shqipërinë Veriore. Nga viti 1396 deri në muajt e parë të vitit 1479, mbi kështjellën e Rozafës u valëvit flamuri venedikas e, pas rënies së qytetit, shkodranët, të cilët për muaj të tërë i kishin rezistuar rrethimit Otoman, u shpërngulën në Venedik. Në  qytetin lagunor, në bregun matanë të Adriatikut, u ngritën shoqëri të vërteta refugjatësh, të cilat u përpoqën t’i mbajnë të gjalla traditat shqiptare. Në këtë mënyrë, ata ruanin atë trashëgimi lashtësie dhe mbanin gjallë kultin e kujtesës së dheut mëmë; për një pjesë të tyre, shoqërisht më të përparuar, ky fakt qe një provë e njohjes së prejardhjes së tyre aristokratike nga ana e parisë venete dhe nga klasa e fisnikëve italianë. Veprat e njohura të Gjon Muzakës e të Marin Barletit, qenë në thelb, të krijuara nga dëshira e një familjeje të madhe emigrantësh, Engjëlli, nga Drishti, pasardhës të këshilltarit të Skënderbeut, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëlli; këta mund të përmenden mes gjithë atyre që me breza të tërë, dëshironin të ruanin me pasion e nderim, kujtimin e bëmave heroike të së shkuarës dhe të besonin në një të ardhme lirie, zhvillimi e përparimi të vendit të tyre të origjinës.

Janë të shumta dhe interesante aspektet që dokumentohen për herë të parë në statutet e Shkodrës. Figura e gruas, për shembull, me të drejtat dhe liritë e saj ligjore e qytetare, sipas këtyre normave, nuk ka asgjë të përbashkët me Kanunin, në të cilin personaliteti juridik i gruas nuk ekziston: sipas kodit të Lek Dukagjinit, për shembull, gruaja nuk mund as të trashëgojë as dhe mund të thirret për çfarëdolloj betimi a dëshmie.

Vite drite, po ashtu, duket dhe largësia në çështjen e së drejtës së familjes, të ligjëruar në kapitujt nga 159-175 (por këtyre u shtohen e dhe të tjerë, nga grupi i mëpasshëm i kapitujve, që trajton probleme të testamentit): martesat e fëmijëve, prikën, ndarjen e pasurisë e me radhë.

Libri përcjell shumë mesazhe qytetërimi, kulture dhe multikulture, tolerance e fryme komuniteti, që e ruajnë të gjallë forcën dhe aktualitetin edhe në ditët tona, duke hedhur një dritë të fortë cilësive të mira dhe fisnike të popullit tonë, të njohura dhe nga popujt fqinjë.

Dy fjalë edhe për gjuhën origjinale të librit. Jo gjithnjë është e lehtë të ilustrosh dhe të shpjegosh gjuhën e një teksti të vjetër, të transmetuar përmes kopjeve dhe një dorëshkrimi të vetëm, i cili në mjaft raste paraqitet i gabuar ose i dyshimtë apo me mangësi. Kjo vërejtje vlen edhe për statutet e Shkodrës, që, paraqesin ndonjë problem semantik, por dhe fonetik, për llojshmërinë e formave. Nuk mungojnë disa forma të rralla leksikore, të cilat qarkullonin një herë e një kohë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin, më të shumtën, me prejardhje orientale dhe sllave, por gjithsesi, në një numër të kufizuar. Ajo që ngjall habi është mungesa pothuaj e plotë e një depërtimi të elementëve shqiptarë në diktimin e kapitujve të ndryshëm, të vegjël, të statuteve në fjalë.

Gjuha e përdorur është në thelb veneto-venedikase e kohës mesjetare, me llojshmëri formash e pasiguri në të njëjtin kapitull, apo midis titullit dhe tekstit në vijim. Luhatjet e shumta shpjegohen me përcjelljen e tekstit, ka të ngjarë përmes kopjeve të mundshme, si dhe gabimeve të dukshme të shkruesve. Por në përgjithësi, gjuha e statuteve është pothuaj përherë e qartë.

Në libër ndeshen me luhatje të vazhdueshme, forma italiane, forma venedikase, forma dalmate, forma me prejardhje sllave, por dhe forma latine në origjinë dhe të tjera latinizma të mirëfillta.

Statutet e rigjetura të qytetit të Shkodrës, i kthejnë Shqipërisë një faqe themelore, por të harruar të historisë së saj, duke e shkëputur atë nga imazhi stereotipik si vetëm “vend i shqiponjave”, vend pra i maleve dhe e bëjnë, madje, një pikë të pashmangshme krahasimi e mundësish të mëtejshme njohjeje me realitete të tjera qytetare të Adriatikut të Sipërm.

Ky botim i dytë i librit në dy gjuhë, shqip dhe italisht, pranë njëra-tjetrës, (sikurse dhe popujt, kulturat e të dyja vendeve në brigjet e Adriatikut, më vjen në mendje paralelizmi), përbën gjithashtu një risi “premierë”, ndoshta dhe në përvojën e botimeve shqiptare. ?shtë rasti të përmend  me mirënjohje, edhe  punën e bukur, profesionale të ekipit të shtëpisë botuese “Onufri” në realizimin e plotë dhe përfundimtar të vëllimit, në një formë origjinale konceptimi dhe paraqitjeje të tij, më të arrirë (natyrisht) se botimi i parë i shtëpisë botuese “Viella” të Italisë.

Si intelektuale, publiciste dhe përkthyese, (edhe e artikujve studimorë të studiuesve të huaj në këtë libër), e impenjuar prej shumë vitesh në përcjelljen e ndërsjellë të të dyja kulturave që kanë dhënë e marrë në shekuj, me të përbashkëtat dhe të ndryshmet e tyre, do të uroja që ky botim të jetë vërtet një risi “premierë”: edhe në drejtim  të impenjimit dhe të njohjes  nga autoritetet shkencore shqiptare të këtij dokumenti, si dhe  të një fillimi kërkimesh e studimesh shqiptare në disa fusha. Vetëm se do të dëshiroja të mos mbetet i tillë, por të njohë botime e ribotime, të jetë temë veprash e veprimtarish, ku “të bëhet i qartë dhe i fortë” zëri shkencor  dhe  qytetar shqiptar.

Libri “Statutet e Shkodrës” është një mozaik i së shkuarës sonë fisnike, i dalë në dritë pas shumë shekujsh harrese, falë një impenjimi, pasioni dhe dashurie mendoj, edhe njerëzore. Pa munguar asnjëherë mendimi mirënjohës dhe respektues kundrejt ndihmesës së kolegëve shkencëtarë të huaj (gjithsesi fqinj,  europianë) për sa kanë bërë për ne, lidhur me kërkimet rreth këtij libri, mendoj se sot e tutje, më shumë se kujtdo, na takon ne, shqiptarëve, ta njohim, të duam dhe ta përcjellim në breza, si një pjesë të lashtësisë sonë, gjithçka që sjell prova të përkatësisë sonë dinjitoze në familjen e kulturave mesdhetare, europiane e më tej, në shekuj...

E kush më mirë, më shumë dhe më me shpirt se ne vetë, do të merret me çdo relike që e dëshmon këtë të vërtetë të madhe dhe të bukur? Kush tjetër?

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora