E hene, 29.04.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Varvarica Kuka: Idhulli i Dardanisë apo Hyjnesha në fron

E marte, 15.02.2011, 08:36 PM


Idhulli i Dardanisë apo Hyjnesha në fron

 

Nga Suzana Varvarica Kuka

 

TIRANE-Në fund të shekullit XIX nuk mund të mendojmë aspak se territori ballkanik ku jetonin shqiptarët ishte një territor i vetëm dhe i definuar nën drejtimin e një shteti, pasi siç historia na mëson, ka qenë nën sundimin e perandorisë autokratike osmane. Por nuk mund të themi se zhvillimet kulturore urbane dhe rurale të kësaj zone dhe, të organizuara nga shqiptarët nuk kanë ekzistuar. Por duhet të përmendim se krijimtaria kulturore e disa fushave ka qenë presente dhe madje i‘u jepte qyteteve si Shkodra, Gjakova, Prizreni, Korça dhe Berati, një emër të mirë dhe shumë të njohur te të gjitha trevat e qytetërura të rrethqarkut të tyre. Prodhimtaria e sendeve të nevojshme, që sot me të drejtë e përmbledhim dhe e quajmë folku shqiptar, në disa drejtime krijimtarish, kishte sqimë dhe veçanti të mrekullueshme. Artizanati i tij tregëtohej dhe trashëgohej me fanatizëm. Kjo i bënte shqiptarët, që kudo që ishin të vendosur në territorin ballkanik, të ishin të lidhur. Nuk mund të flitet për një art të kultivuar, por nuk mund të lihet jashtë kujtesës zhvillimi i krijimtarisë fetare pasbizantine, edhe pse në këtë periudhe filloi rënia dhe degradimi artistik i saj. Kjo pasi një fillesë e re po shfaqej, e cila buroi nga ndikimi i artit perëndimor. Rreth këtyre fillesave është shumë e domosdoshme të bëhen studime në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarët. Ato do të jenë domosdoshmëri në shkrimin e një historie me të saktë rreth shqiptarëve të kësaj periudhe. Këto studime janë të një rëndësie të veçantë për historinë gjeografike, politike, ekonomike e sociale, por janë kryesore dhe për artin shqiptar, për të treguar tërësinë e shkaqeve e tij në shkëputjen prej një arti pasbizantin apo fetar dhe drejtimin e tij kah arti laik perëndimor. Në mënyrë të natyrshme studimet duhet të ndjekin hap pas hapi dhe zhvillimin e artit edhe në Kosovë, gjë e cila do të ndihmojë drejtëpërdrejti në njohjen më të mirë të elementeve etnologjikë shqiptar. Dhe kjo, pasi kam idenë, se kemi shumë pak njohuri në atë se cfarë ka ndodhur dhe se si është zhvilluar historia e artit të Kosovës për periudhën, të cilën në Shqipëri e quajmë përiudha e artit të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

Pas viteve ‘40 të shekullit XX, Shqipëria dhe Kosova në bashkëpunimin e tyre reciprok të fushave të ndryshme të jetës kanë pasë ngritjet dhe uljet e tyre, kanë pasë afrimet dhe largimet në mbështetje dhe në varësi të politikave që përfshinin qeveritë e dy shteteve. Duke mos marrë përsipër aspak të bëj historinë e këtyre marrëdheneve pasi nuk është në misionin e kërkimeve dhe shkrimeve të mia, më duhet të kujtoj disa marrëdhënie të tilla në fushën e arteve dhe të kulturës.

 

Në se kërkojmë në analet e medias të atyre kohëve dhe nëse kujtojmë veprimtaritë e ndryshme duhet thënë se në harkun kohor të viteve ‘60 akademikët shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës filluan të lëvronin bashkëpunimet e tyre në lidhje me gjuhën, historinë dhe lëtërsinë, zhvilluar kjo nën frymën e patriotizmit. Mandjej në periudhën e viteve 1978 – 1980, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës filloi përsëri të kishte një marrëdhënie dhe bashkëpunim të ngushtë, por që shterroi njëherazi si rezultat i tensionimeve politike në të dy shtetet. Ndërsa Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë dhe Universiteti Shtëtëror i Prishtinës, ku përfshihet Fakulteti i Arteve, patën një komunikim akademiko-profesional, në të cilin u përshinë në bashkëpunimin njohës sfera pedagogjike dhe studentore e të dy palëve.

 

E përmend këtë fakt për të bërë me dije se afrimin dhe njohjen e asaj kohe mund ta riciklojmë sot si një bazament të shëndetshëm dhe të fortë, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur pas viteve ‘90 dhe për të gjithë situatën që po ndodh kohët e fundit përmes zhvillimeve të artit në territoret ballkanike ku jetojnë shqiptarë si këndej në Shqipëri ashtu dhe në anën tjetër Kosovë, Mal i zi e Maqedoni. Nuk kam aspak idenë të përjashtoj cungimin e artit shqiptar të kohës komuniste, por sugjeroj që ajo të merret në konsideratë deri aty sa të na shërbejë, për të memorizuar këto marëdhënie, të cilat u ngritën në arsyen e vetme, të njohjes së shqiptarëve të një kombi të ndarë. Fenomen ky ende i dukshëm dhe i qartë, pavarësisht shumë pozitiviteteve që kanë ndodhur dhe kalimit të një kufiri si ekzistencë e një papërfillshmërie kombëtare, por të respektueshëm të ligjeve ndërshetërore. Në këtë arsye mendoj të sistemoj idetë e mia rreth një arti të shqiptarëve të Kosovës, duke i‘u lënë një hapësirë mediatike, në të cilën do të zënë vend emra të njohur, krijimtari të sukseshme tradicionale, moderne dhe bashkëkohëse. Le ta nisim me një artefakt të lashtësisë.

 

Kosova është një vend i shqiptarëve, i shtrirë përtej Veriut të Shqipërisë, i njëjtë në tradita, por dhe i pasur në llojin e tyre, e qartë në vlerat kombëtare shqiptare dhe e përkushtuar në mbrojtjen e tyre, e denjë në trashëgimin e vlerave sociale duke i ruajtur, kultivuar dhe balluar në një mjedis të egër, ku një kombësi tjetër ushtroi dhunë mbi popullsinë e saj shqiptare, mbi zakonet dhe traditat e saj. Sigurisht mbijetesa është një fakt domethënës i përpjekjeve të intelektualëve dhe popullit shqiptarë në Kosovë. Një nga faktet më të rëndësishëm është Muzeu i Kosovës në Prishtinë, ku ruhen dhe ekspozohen artefakte prej më shumë se 4500 vjet para K. Në këtë muze gjenden të ekspozuara figura antropomorfe, enë të pikturuara, medalione dhe skulptura nga Ulpiana, mozaik nga Gllamniku, stoli princërore të tumave, veshje dhe zbukurime etnologjike, vegla dhe armatime, të cilat dëshmojnë qenesinë e ilirëve dhe mbijetesën e shqiptarëve.

Në këtë muze gjendet një nga artefaktet më të bukura këtej dhe përtej kufirit, të cilën në Kosovë e quajnë “Hyjnesha në fron”. Ajo është një nga shembujt arkeologjikë, të cilën antropologët e cilësojnë si idhullin dardan dhe provën e parë të vendbanimeve të njeriut në Kosovë. Ajo është një vlerë e jashtëzakonshme e historisë së lashtësisë së trevës së quajtur Dardani, që korespondon me Kosovën e sotme. Është një statuetë e vogël në baltë, që u kthye në Prishtinë nga Serbia, në vitin 2002 si një prej të paktave artefakte të tilla. Hyjnesha në fron, idhulli i Dardasnisë apo mbretëresha e dardanëve të lashtë i përket periudhës së neolitit te viteve 3500 para K. dhe ka disa veçori që e bëjnë të jetë një ekzemplarë më vlera krahasuese për mbarë botën e qytetëruar. Ajo ka pamje e një figure femre pozante, e ulur mbi një fron dhe me duart e vendosura në mes. Ka një pamje të plotë dhe nuk i mungon asnjë detaj. Të gjitha elementët e trupit dhe të kokës janë të vendosura perpendicular dhe çuditërisht krijojnë tri pjesë, ku koka ka formën e përgjithëshme të një rombi, trupi të një rombi më të madh dhe këmbët e ulura të një drejtëkëndori.

E gjithë masa e stuetës së vogël ndahet në tre volume. Volumi i parë është koka, ku dominon një portret ekspresiv, cilësi të cilën i`a përcaktojnë sytë e mëdhenj, hunda e drejtë madhoshe dhe pjesa e sipërme e kokës, ku janë vendosur flokët mbledhura dhe të ngritura lart. Sytë zënë një masë të madhe. Mbase për të dhënë idenë e zbukurimit të tyre dhe për të treguar se kemi të bëjmë me një grua të sërës së lartë dhe të rëndësishme në shoqërinë që përfaqëson. Më pas trupi qëndron e drejtëpeshuar, pak sa i tërhequr prapa dhe mbart një simetri krahësh të thyer dhe të vendosur në mes. Kjo të jep përshtypjen e një pozicioni, që buron prej një riti të caktuar dhe serioz. Volumi i tretë këmbët e mbledhura, të cilat na tregojnë se figura është e ulur, por ky qendrim përsëri të fton të mendosh rreth një çasti ceremonial. Këtë ide ceremoniale e mbart dhe veshja e grafikuar apo e skalitur me vijave dhe vendosja e një medalioni të rrumbullakët, në qafë, I cili zbret në mesin e gjoksit. Mund të ketë qenë një veshje e shkurtër para dhe e gjatë prapa, e cila na kujton disi xhubletën e rëndë por të zbukuruar me motivin gjeometrik, cilësi që daton hershmërinë. Ulja e figurës së femrës në një fron shfaqet e qartë në artin e të lashtëve dhe të klasikëve. Në artin egjiptian ky qëndrim është mëse i dallueshëm dhe natyrisht i takon gruas faraone apo në krah të faraonit, pra një gruaje me përgjegjësi perandorake apo martesore. Hyjnesha jonë e tregon një gjë të tillë. Dhe kam mendimin se ose ajo është një grua e tipit drejtues dhe vendimmarrës në fisin e saj ose është një grua, që qendron e ulur gjatë ritit të saj martesor. Është e orientuar të qendrojë drejt dhe hijerendë. O në pritje të përfundimit të ceremonisë së pamjes së nuses ose në pritje të ardhjes së burrit të saj në dhomën e martesës. Gjithësesi unë kam idenë se ajo është një grua e fortë, e bukur, hijerëndë, vendimmarrëse dhe kryesuese. Të gjitha këto veti e quajnë një Hyjneshë, Idhull apo Mbretëreshë të Dardanisë, emër të cilin shpresoj ta mbaj Kosova në pavarsinë e saj të plotë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora