E hene, 29.04.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Leon Z. Lekaj: Një lule për Shën Valentinin

E hene, 14.02.2011, 08:58 PM


Leon Z. Lekaj

 

Një lule për Shën Valentinin

 

Për herë të fundit kishim ndenjur bri asaj Lule-Maji, që qe ngjitur pranë një stoli të drunjtë në kopshtin tim. Atë natë binte një shi i shtruar dhe ne e ndjemë atë vetëm kur rrobat na qenë puthitur krejt pas trupit. Që prej atij çasti nuk e pashë më. E kërkova arsyen e zhdukjes së saj në eterin e netëve të zymta që pasuan, por të gjitha përpjekjet ranë në boshin që ajo kishte lënë pas vetes.

E si të mos mjaftonte e gjithë kjo, Lulja e Majit qe prapë aty, e gatshme të më përsëriste të plotë skenën e asaj nate të lagësht. Sa herë hyja në shtëpinë prej guri me kopsht, ndehej e tëra mbi ardhjen time. Lëshonte një erë të këndshme, e degët e saja shndërroheshin në duar që zgjateshin e zgjateshin. Ndërsa unë i vidhesha prekjeve të tyre, duke u mënjanuar në një largësi të mjaftueshme.

Vendimin e mora një natë të ngjashme. Shiu përsëritej krejt identik, e unë ndjeja mbi trupin tim pikat e tija transparente të më rrëshqisnin mbi ballë. Ajo qe aty, në ajrin e lagësht, prej të cilit depërtonte aroma e parfumit të saj. Ia shihja sytë, ia ndjeja masën e tejdukshme tek i rrëshqiste poshtë ballit, e i bënte sërish t’i vareshin flokët nga pesha e ujit. Ajo nuk qe aty, vetëm kur unë kërkoja ta prekja. Atëherë, qenia e saj ngjitej në një lartësi kufi, të cilën nuk mund ta mbërrija.

Të nesërmen urdhërova kopshtarin tim: lulen mbi tendë, as të mos e ujiste më e as të mos e prashiste. Ai rrëshqiti shikimin e tij ngadalë mbi fytyrën time, e mua më dukej sikur duhet të bëhesha gati të prisja sytë e tij, që nga çasti në çast, pritej të kullonin poshtë, si një e verdhë veze. U lodha kot. Kopshtari, në një gjest vringëllues më kishte kthyer krahët.

Vyshkja e një luleje i ngjet një shpirtdhënieje. Degët e saj, diku të gjata e të fuqishme, filluan dalëngadalë të vareshin si krahët e një gruaje që prej kohësh e ka kaluar moshën e mesme. Nga dritarja e dhomës ku flija, ndiqja shpesh ecje-jaket e kopshtarit tim; kur mbërrinte tek tenda lëvizjet e tij ngjanin me ato të një njeriu të çekuilibruar. Dhe hera herës sytë e tij i drejtoheshin perdes, mbas të cilës qëndroja i fshehur.

Atë ditë të Shën Valentinit, kur festën e tij e krahasova me atë të Pashkëve, mbeta për pak kohë në gjendje paralize. Nuk e kuptoja psenë. Kjo gjendje më mbajti deri në çastin kur krahasimi i erës së luleve të therura me atë të jetëve të këputura të qengjave më solli në vete. Kërkova nëpër turmën e njerëzve lulembajtëse qoftë edhe një fytyrë të ngrysur, por qe e pamundur.

Atëherë iu drejtova shtëpisë. Kopshtarin nuk pata nevojë ta kërkoja. Po më priste tek dera e jashtme me kokën të drejtuar nga kopshti. Që prej ditës, kur e kisha urdhëruar të mos ujiste e të mos prashiste lulen time të preferuar, ai mi fshihte sytë.

-Preje, -thashë,  pa mu dridhur zëri.

Ngriti sytë dhe një valë urrejtje u përplas mbi fytyrën time. Sërish përjetova diçka jo normale, diçka të mistershme, e cila mbyllte kapakët e saj, sa herë që sytë e tij përplasnin qepallat. U bind. I heshtur, si zakonisht. Në kohën që ai largohej, tek unë, si në një ekran të fuqishëm shfaqej masakra më e madhe: ajo e luleve.

Hyra në dhomë. Mbi tavolinë qëndronte një vazo e madhe qelqi e mbushur me ujë. Brenda saj qe një fidan i shëndetshëm i Lules së Majit. Nuk doja t’i besoja shqisave. Edhe pse doja ta bëja. Dhoma u mbush befas me aromën e këndshme të saj,  aq sa mu çuan peshë të gjitha qelizat. E ndërsa aty, në fundin e vazos, vazhdoja të kërkoja një palë sy, ngjyrën e të cilave nuk e përcaktoja dot më, nga jashtë u dëgjua një e trokitur e lehtë porte.



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora