E enjte, 24.07.2025, 10:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Biondja donte mesazh

E hene, 14.02.2011, 08:38 PM


Tregim

 

Kostaq Duka

 

BIONDJA DONTE MASAZH 

 

 

            -Oh, ndihem krejt e dërmuar sot. Më dhembin gjithë kockat dhe muskujt e trupit. Më ngjan vetja sikur gjithë natën kam qenë kredhur mes dallgëve të detit!- tha Biondja befas me ligështim fytyre.

            Ai ndërpreu përqendrimin në ekranin e kompjuterit dhe i hodhi gruas bionde me flokë të lëshuar mbi supe një shikim të butë, por paksa të habitur për këto fjalë jo fort të zakonshme të saj. Kishte disa muaj që punonte me këtë grua simpatike në të njëjtën zyrë të kësaj banke të madhe në qendër të qytetit. Në fillim kishte zhvilluar me të një bisedë njohjeje me pyetje përgjigje, të cilat gati e bezdisën se i dukej se po ripërsëriste intervistën për punësim. Ajo i kishte thënë edhe diçka për veten, për përvojën në punë, për faktin që ishte nënë e divorcuar, me një fëmijë, por që e gëzonte jetën dhe e përballonte atë më së miri, për lojërat që pëlqente ku veçonte tenisin etj... Ai kujtonte prej saj çastin kur ajo gati qeshi me zë të lartë, kur i tha se jo vetëm nuk ishte i martuar, por nuk kishte pasur deri tani asnjë të dashur. Asnjë, asnjë edhe në gjimnaz edhe në universitet?! Pyetja e saj me nëntekst e kishte vrarë. Ç’kishte këtu për t’u habitur. Asnjë dhe pikë !

            Më vonë ajo nuk e kishte pyetur më për këtë fakt. I pëlqente përqendrimi i tij në punë dhe kryerja me korrektesë e gjithë detyrave prej tij. Këtë fakt ajo e kishte reklamuar dhe në shefi i departamentit dhe në të tjerë sa herë vinte rasti. Atij sigurisht i vinte mirë megjithëse frenohej me mendimin " pas fjalëve të bukura jo gjithnjë nënkuptohet mirësia". Në bankë punonte edhe një shqiptar tjetër që kishte ardhur dy vjet para tij. Ishte më i madh në moshë dhe i martuar. Ai i bënte shoqëri në kohën e kafes.  Biondja e zyrës zakonisht e pinte kafen me dy shoqe të tjera. Shumë herë me ato bashkohej dhe një  burrë i gjatë, në moshë të mesme, gjysmë tullac, por  simpatik, me dy sy të kaltër ku i rrëzëllinin syzet me skelet floriri. Kur ai futej në rrethin e tyre kafeneja zhurmonte nga të qeshurat e pafrenuara. Si duket ai u tregonte barsoleta. Bjondia e zyrës s’e mbante veten. Shkrihej e tëra në të qeshur. Ndonjëherë në qeshje e sipër kthente kokën nga dyshja serioze e shqiptarëve, si për të thënë. Qeshni, qeshni edhe ju. Ç’është ky seriozitet i marrë?...

Tani ajo la punën dhe u afrua pranë tij.

-Pse më shikoni me dyshim ? Ju nuk besoni që ndihem e lodhur?

-Jo, unë ju besoj,  ju besoj sigurisht...

            -A dini të  bëni masazh? Sa do ta doja në këto momente një masazh!

            Ai u pataks. U mblodh në vetvete nën ekranin e kompjuterit, pa mundur të frenojë një valë të nxehti që i erdhi së brendshmi duke i përskuqur fytyrën. E kishte këtë të keqe që nga fëminija që edhe pse vitet shkonin nuk po i hiqej. Sa herë prekej ose dëgjonte diçka të pazakontë kështu përskuqej. Masazh!... Zonjusha bionde e  zyrës kërkon masazh në zyrë dhe në  orarin e punës! Dhe nga kush? Nga ai që tërë jetën s’kishte guxuar të prekte me dorë një vajzë! Pastaj befas u kujtua, se kur ishte adoleshent, gjyshja e tij e mirë që e përkëdhelte aq shumë, i thosh t’i fërkonte damarët e qafës, të shpatullave dhe ta godiste me grushtet e vegjël mbi kurriz. Godit fort, mos ki droje. Shkundi ato kocka të flamosura që janë zënë nga reumatizma. Iu kujtua edhe që ndonjëherë ajo shtrihej dhe i thosh të shëtiste me këmbë mbi trupin e saj duke u mbajtur në anë të karriges. Pas këtyre seancave, gjyshja përtërihej dhe e mbulonte atë me të puthura. I miri i nënës flori e ke dorën më shpëtove. Doktor të bëhesh se e ke zemrën behar dhe dorën prej magjistari. Ai s'u bë doktor por llogaritar.

            -Ej më dëgjove? Di a po nuk di? - i tha biondja duke e vështruar  ngultas me dy sy të zjarrmuar.

            -Po unë di të bëj masazh, por si nga anët tona…

            -Ç’do me thënë si nga anët tona...masazhi është masazh.- Tha ajo dhe menjëherë hoqi xhaketën, duke qëndruar vetëm me një bluzë të hollë të hapur që e linte gjoksin të nderur, provokues. Pastaj mbylli me çelës nga brenda derën e zyrës.

            Një valë tjetër të nxehti gati i përvëloi atij tërë trupin dhe fytyrën. Po kjo, qenka e çmendur, e s’e kam ditur, tha me vete.  Po unë si i thashë? Masazh si nga anët tona. Mos vallë ajo të shtrihet mbi dysheme e të shëtis mbi shpinën e saj si dikur adoleshent mbi kurrizin kockëdalë të gjyshes?

            Ajo mori një karrige të cilën e shaloi duke lënë para tij shpinën gjysmë të zbuluar. Mund të fillosh, i tha teksa i mblodhi me dorë me një lëvizje tepër të shkathët flokët bionde për të krijuar hapësirën e nevojshme për masazh.

Edhe ai hoqi xhaketën për të qenë më i shpenguar dhe për të lehtësuar veten nga të nxehtit e padurueshëm që e kishte përfshirë të gjithin. Vendosi gishtërinjtë mbi damarët e qafës dhe nisi t’i fërkojë butësisht. Ndjeu se i kishte të fryrë dhe të tendosur. Ajo herë pas here lëshonte klithma të lehta dhimbjeje. Më pas kur iu kujtua  thirrja e dikurshme e gjyshes:  “Më fort biro, më fort se janë bërë dru damarët e mija” dhe ia shtrëngoi biondes damarët më fort, ajo  s’u përmbajt e klithi aq fort sa ai u tremb dhe u step. Po kjo idiote,  tha,  harron që është në zyrë! Zbuti fërkimin duke përdorur më shumë pëllëmbën që rrëshqiste në rrumbullakësinë e shpatullave dhe në gjithë sipërfaqen e shpinës së saj. Dukej se ajo po ndjente kënaqësi që s’nguronte ta shprehte me ahe të buta, përkëdhelëse gati prej kokete.... Lëkura e saj e bardhë pas fërkimit po merrte ngjyrë rozë. Megjithatë asaj i pëlqente kjo gjë e  s’do donte ta ndërpriste. Pas pak biondja ngriti kokën papritur. Në fytyrën iu shfaq një rrudhë, gati si prej adoleshenteje, ku nderej kënaqësia. 

-Oh ti paske duar mjeshtri. Je i mrekullueshëm - tha dhe papritur e përqafoi duke i dhënë një të puthur në faqe.

Ajo veshi xhaketën dhe doli jashtë. Ai mbeti statujë e ngrirë. Ai iu afrua pasqyrës. Dorën e vendosi tek  vendi i puthur ku kish mbetur një njollës e të kuqit të buzëve të saj. Po kjo? i tha vetes. Përherë të parë u puth nga një grua. U ul para kompjuterit. Vuri syzet dhe u zhyt mes shifrave. Atë ditë kishte shumë ngarkesë dhe i duhej përqendrim i madh.

            Ajo nuk u vonua. Dukej që kishte bërë tualet. Flokët e mbledhur i derdheshin përsëri supeve duke i dhënë hijeshi dhe seriozitetin e një punonjëse të vërtetë banke, me përvojë. Nuk tha asnjë fjalë po u ul para kompjuterit. Dita u mbyll si zakonisht, sikur mes tyre të mos kishte ndodhur asgjë.

E nesërmja dhe e pasnesërmja, rutinë. Punë. Një ndërprerje për kafen e zakonshme. Ai me shqiptarin  tjetër në qoshe, ajo me shoqen e saj dhe me gjysmë tullacin pak më tej, duke bërë humor e duke shpërthyer të qeshura. Kështu kaluan dy javë. Ajo s’kërkoi asnjëherë masazhim por as edhe e përmendi seancën e mëparshme. Kurse ai, e kujtonte vazhdimisht, si diçka të veçantë,  të rrallë në jetën e vet dhe që, o zot do ta dëshironte përsëri... Ah, sikur ta dëshironte dhe ajo. Ç’ishte kjo dëshirë? Shenjë dashurie?! Oh jo, ajo ishte nënë me fëmijë, kurse ai i patrazuar fare. Sa për moshë ishin aty, aty. Por, jo, jo, kjo s’bëhej. Andej nga Shqipëria prindërit po i luteshin të vinte të shikonte një vajzë, që ata e kishin gjykuar shumë të përshtatshme për nuse. U  kishte thënë një fjalë që mundet. Dhe kaq.

Kur ai gati po e quante të harruar këtë histori, një të premte, kur  kishin mbetur vetëm pesë minuta nga mbarimi i punës, ajo iu afrua pranë, gati pa u ndjerë, e preku lehtas në supe dhe i tha me një zë të lagur si të nxirrte jo fjalë por karamele : Do të ma plotësosh edhe sot një dëshirë?! Ndonëse ai ndihej i lodhur dhe sytë i kishte  të përskuqur nga puna me orë të tërë në kompjuter, mezi e priste këtë rast. Ai hoqi syzet që i përdorte vetëm për lexim dhe e vështroi me një pamje të hutuar.

            -Do të ma plotësosh? Për  pesë minuta banka zbrazet. Do të jemi vetë. Oh sot e dëshiroj patjetër...

            E çmendur, tha ai me vete duke iu ndezur na çast përfytyrime të egra erotike që u frenuan kur ajo nënvizoi:

-Masazhi herën e parë më bëri mirë. Do të doja të më masazhoje edhe sot. Ja unë  po bëhem gati. E njëjta gjë si herën e parë.- Ajo shaloi karrigen duke i kthyer atij shpinën dhe duke mbledhur topuz flokët e verdhë. Kësaj here kishte veshur një bluzë që gati i nxirrte zbuluar gjithë hapësirën e shpinës. Dukej që ishte përgatitur për këtë seancë të gjatë masazhimi. Jo vetëm kaq por i dha tij edhe një krem të posaçëm. - Është profesional,- i tha - krijon efekte zbutjeje e zbërthimi të të gjithë indeve, depërton deri në kockë.

            Kremi ishte i përsosur. Duke i rrëshqitur pëllëmbët e dorës nëpër rrumbullakësinë e shpatullave, në shtyllën kurrizore, në pjesën e poshtme të shpinës e në dy anët e saj pas aheve  të kënaqësisë së saj befas iu duk vetja sikur ishte lindur vërtetë për këtë art të magjishëm... Vërtetë, sikur të bënte një kurs për masazhier? Do të fitonte para e do të kishte suksese në femrat që me siguri do ta përgëzonin për mrekullinë e gishtërinjve të tij prej mjeshtri....Dhe kush ai që deri më sot s’kishte guxuar të prekte një femër...

Këtë herë seanca vazhdoi më gjatë...Ajo kishte mbyllur sytë e dukej si e përhumbur. Ai po ndjente lodhje e mezi priste të mbaronte. Për më tepër i dukej sikur dikush do të vinte nga jashtë e do t’i shihte në këtë  farë marrëzie pa kuptim. Mund të humbiste edhe punën. Megjithatë gishtërinjtë punonin pa reshtur.

            -Uf, sikur u lodhëm!- tha biondja dhe lëshoi supeve flokët e verdhë. U ngrit me gjallëri dhe e përqafoi duke e puthur në dy faqet. - Je i madh dhe nuk e di, - i tha.- Sot nuk do të shkosh në shtëpi të kam ftuar për drekë.-  Toni i zërit të saj ishte i prerë dhe nuk linte shteg për mëdyshje.

            -Si shpërblim për masazhin?

            -Edhe për këtë, por më shumë për kënaqësi. Më ke thënë se e pëlqen verën e kuqe. Ke për të parë se do të jap verën më të mirë në Amerikë.

            Ajo e çoi në një restorant luksoz italian. Ndenjën gjatë. Vera vërtet ishte e cilësisë së parë.

Që nga ajo ditë e premtja u kthye në ditë masazhimi. Atij i iku ndrojtja. Sillej me të si më një të njohur të hershme. Edhe meraku se mos vinte e përgjonte dikush nga jashtë i dukej i kotë. Për më tepër, sigurohej më parë qe dyert ishin të gjitha të mbyllura. Punonjësit e tjerë e dinin që ata do të rinin pak më gjatë për arsye pune. Përqafimit e puthjes së saj  filloi edhe ai ti përgjigjej njëlloj dhe këtë ajo e pranoi me kënaqësi. Madje kur ai pas përqafimit bënte sikur harronte, ajo i thosh, s’do të më puthësh ?....

            Këtë histori ia tregoi dhe shqiptarit tjetër të moshuar një ditë tek pinin kafe kur ai pas një te qeshure të shfrenuar të biondinës në shoqeri me gjysëm tullacin i tha : - Më ngjan si koketë e rrugëve kjo shoqja jote e zyrës. Kur mësoi për seancat e masazhimit çdo të premte i moshuari u ngrys në fytyrë. Kujdes djalë! - i tha- nuk merren vesh këto amerikanet. Kam frikë se  ka synime të tjera. S’e sheh, është e ndezur, do burrë. Ti nuk je nga ata. Tani të shtëpisë po përpiqen të të gjejnë nuse, ç’do tu thuash, se dashuron një amerikane të ndarë nga burri me fëmijë?! Dëgjomë mua, ki kujdes. Seanca masazhimi nga profesionistë ka në çdo qoshe të Amerikës. Kujdes, kujdes djalo...E në të ka shkrepur për seks, domosdo prej gjaku je dhe ti, jepja dhe lere dreqin, shiko punën pas kësaj.  

U pendua që bëri këtë rrëfim tek i moshuari. Ai ishte një llogaritar kokulur që dinte vetëm punë e shtëpi. Ishte i kënaqur nga të ardhurat që merrte, fëmijët i kishte shkolluar dhe  martuar me shqiptarë. Lirshmërinë e jetës amerikane gati, gati e quante shthurje. Megjithatë ai i tha përfundimisht: " Prej gjaku je dhe ti... jepja dhe lere dreqin "  Pas kësaj mendoi, vërtetë mos po tregohej tuaf?! Mos ndoshta ajo këtë priste prej tij?

            E premtja erdhi përsëri. Kësaj here ajo kishte ardhur e veshur me një fund e xhaketë të zezë dhe një bluzë me grykë të mbyllur të gjatë, që i bëri përshtypje atij. Me sa duket, tha me vete, morën fund seancat e mesazhimit. Gjatë gjithë ditës thuajse nuk shkëmbyen fare fjalë.

            Kur po bëheshin gati të iknin, ajo u kthye drejt tij. 

            -Sot u takova me burrin e divorcuar, m’u lut të merrte djalin me pushime në Florida për 15 ditë. Dhe i’a lashë. Se si më duket vetja. Nuk më pëlqen të qëndroj e vetme pa djalin... Ti ç’plane ke sot?

            -Unë? Po ja si zakonisht...

            -Kur filluam masazhet me the se ju nga anët tuaja se ç’kini diçka të veçantë në masazhim. Jam kurioze ta mësoj këtë. Ju ftoj nga shtëpia sot !.

            O zot, tha ai me vete. Ç’budalla jam! Masazh si nga anët tona! Dhe kjo idiotja ç’t’i thuhet e beson. S’më mbetet veçse të bëhem edhe njëherë adoleshent si atëherë kur shëtisja mbi trupin e gjyshes. A ka kurriz kjo për të duruar ecjen tani në moshën time?

            -E si thua dakord? – e pyeti biondja duke nxjerrë nga kuleta një biznes kartë. - Këtu ke adresën time të pres pas orës pesë, pasdite.

            Ç’është e vërteta kjo ftesë e papritur e turbulloi, por i nxiti dhe ca dëshira e kuriozitete te pashpjegueshme. Tek bënte dush, i tha vetes. Ej, njëherë vjen rasti, mashkull je edhe ti. Dhe imagjinoi edhe trupin e derdhur të saj, nën ujërat e avujt e ngrohtë.

            Shtëpia e saj,  një vilë e vogël, s’ishte shumë larg vendit ku banonte. Me të parkuar makinën i telefonoi. Ajo iu përgjigj në çast se dera ishte e hapur. Ai e shtyu ngadalë. Ajo ishte ulur në një divan para televizorit. Ishte veshur me tuta të trasha blu. Flokët i kishte mbledhur topuz. U çua me gjallëri, e përqafoi duke e puthur lehtë dhe e ftoi të ulej. Nga banaku pranë mori një shishe uiski dhe i drejtoi atij gotën.

-Do të pimë nga një gotëz të vogël para masazhimit. Si thua?

            -Pak, fare pak, unë gati s’e ve në gojë alkoolin.

            -Oh ti, harrova, pëlqen verën. Të të sjell një verë të kuqe?

            Ai kundërshtoi duke vënë buzët në gotën e uiskit.....

Më pas ajo e ftoi në dhomën, ku bënte ushtrime fizike. Mbi dysheme ishte vendosur një peshqir i madh i trashë, në krye të të cilit një jastëk i vogël.

            -Besoj se je dakord me këto përgatitje të vogla. Apo nga anët tuaja duhen gjëra të tjera.

            -Jo, jo,- tha ai gati me mërmëritje, - mjafton një vend ku mund të shtriheni gjerë e gjatë, me shpinën sipër.

            -Ok! -tha biondja, - Mund të fillojmë!

            Ajo u largua pak çaste, ndërkohë ai hoqi xhaketën e qëndroi vetëm me një bluzë  të kaltër me mengë të shkurtra. Koka i ziente nga mendime që përplaseshin furishëm. Ç’është ky rol? A do ta luaj dot?...

            Ajo u dha në dera. Mbi trup kishte vetëm sutjena të holla që nuk ia fshihnin aspak gjoksin e kërcyer. Pjesët e poshtme i kishte mbështjellë me një peshqir të ngushtë gjithë lule. U shtri gjerë e gjatë mbi peshqirin e madh të trashë, duke vënë  kokën mbi duart e kryqëzuara mbi jastëkun e vogël. 

            Eh, ta provonte të shkelte me këmbë mbi trupin e brishtë, lëkurëbardhë të saj! E dinte se do ta linte pa frymë e s’do të dëgjonte ato thirrjet e gjyshes: “ Të keqen të këmbës, m’i shkriftove kockat!”  Filloi ta masazhonte në pjesët e sipërme nga qafa, shpatullat e  afër belit, si zakonisht. Por duke u mëshuar më me forcë gishtërinjve e duke  ndjekur damarët e muskujt me radhë. Ajo  s’nguronte të lëshonte ahet e saj pa ndrojtje e me ndjenjë kënaqësie. Ngadalë shkoi në pjesët e poshtme, deri në kufijtë e peshqirit të ngushte që mbulonte të ndenjurat e saj. Vuri re se në këto çaste, ajo pa u kthyer përdori duart për të zgjidhur lidhëset e sutjenave. Atij i kërcyen damarët mbi ballë. Vazhdoi masazhimin edhe me poshtë, nën peshqirin e ngushtë. Dora i kapi vetëm pjesë mishtake. Nuk e ndali masazhin. Hoqi këpucët, u shalua mbi belin e saj dhe me një forcë të pazakonshme nisi të masazhoje poshtë e lartë. Ajo e ndjeu këtë dhe nuk shfaqi  asnjë shenjë kundërshtimi. Pastaj, pastaj ai u platit i gjithi përmbi të dhe nisi ta puthte me afsh . Nuk gjykonte ç’po bënte. Duart i kapën peshqirin e poshtëm dhe e flaku tej.

Por befas e krejt papritur, biondina i dha trupit me forcë dhe e rrëzoi atë tej shpinës.

            -Ej, ej, ç’po bën ?... Ky është masazhi nga anët tuaja?! - ajo rrëmbeu peshqirin e madh, e hodhi rreth trupit dhe i thirri atij vrazhdët: - Jashtë, jashtë në çast, ndryshe po njoftoj policinë! -ajo ishte shfytyruar e tëra dhe tani i ngjante një bishe..

            Ai  mbeti si i ngrirë. I tha më fal. Veshi këpucët rrëmbeu xhaketën dhe doli jashtë. Frynte një erë e madhe. Ndezi makinën dhe u zhduk mes errësirës. Të nesërmen njoftoi në bankë se ishte i sëmurë.

U rikthye në punë pas tri ditësh. Shqiptari i moshuar tek pinin kafe, i tha se dukej çehre vrare. Ai u përgjigj se kishte pasur dhimbje te forta stomaku. Biondina qëndroi tërë kohës serioze duke e përqendruar në kompjuter. Veç në ikje i tha mirupafshim duke i drejtuar një shikim keqardhjeje, gati mëshirues.

 Kështu vazhduan disa ditë. Nga kjo gjendje atë do ta nxirrte një ndodhi e vogël në kafe. Si zakonisht ai rinte në qoshe me shqiptarin e moshuar. Biondja në shoqëri me shoqen e vet dhe gjysmë tullacin. Pas të qeshurave pa fund, befas ajo e përqafoi dhe e puthi fort gjysmë tullacin dhe duke e puthur, i shkeli atij syrin.  

            -Ec e kuptoji amerikanet! - i tha të moshuarit, që mbeti i habitur pse shoku i tij i nxori këto fjalë gati me rënkim e një lehtësim të çuditshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx