E hene, 29.04.2024, 12:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Komploti i Lidhjes se shkrimtarve: Kur Shuteriqi ekzekutoi Fishtën dhe Konicën

E hene, 14.02.2011, 08:58 PM


Nga Violeta Murati

 

Në diskutimin e mëposhtëm që ka mbajtur Shuteriqi, misioni historik që iu besua për të shkatërruar trashëgiminë e viteve ‘30, përbën një nga momentet më të rënda për mendimin dhe letërsinë shqiptare. Ardhja me vonesë e autorëve që diktatura i mohoi ka çuar në zbardhjen jo të plotë të të gjithë prapaskenës komuniste, pse ndodhi mohimi i tyre. Nganjëherë, provat janë para syve, por shpesh trumbetat bien në drejtim të kundërt, pikërisht aty ku mungon dëshmia ose është zhdukur; siç është kërkesa e vazhdueshme e hapjes së dosjeve. Po ashtu zhdukja, e arkivave qoftë të Lidhjes së Shkrimtarëve apo të Arkivit të Shtetit ka qenë gjithmonë një “bukë e ndaluar”, për shkak se dalin shumë emra që sot, pasardhës ose vetë ata vazhdojnë të jenë autoritet në letërsi apo akademikë me zë.

 

“Pas mendjes sime, Sefulla Malëshova, pret që ne të bëjmë sërish poet kombëtar Fishtën dhe Konicën korife të gjuhës shqipe. Këtu më duket se gabon rëndë. Gabon edhe sepse Sefulla Malëshova lëfton më shumë për vehten e tij, duke bërë sikur lëfton për Fishtën dhe Konicën. Ai, duke pandyer se ne e kemi “varrosur” bashkë me Fishtën edhe Konicën, kërkon të ngrihet nga “varri” bashkë me ta…”, kjo është nga fjalitë më tronditëse që e marrim vesh pas 60 vjetësh prej një personaliteti që nuk I ka rënë fama, dhe pas vdekjes për veprën, letërsinë që ka lënë trashëgim.

 

Është fjala e Dhimitër S. Shuteriqit mbajtur në konferencën e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve, prej së cilës sot duhet të nxihet çdo shqiptar në surrat për “ekzekutimin” që iu bë Fishtës dhe Konicës dy korifenjve të letrave dhe mendimit shqiptar. Ishte vit vendimtar ku komploti për të zhdukur çdo gjurmë antikomuniste shënon pragun dhe lajmëronte se çfarë do të ndodhte më vonë, duke zbërthyer si erdhën të gjitha mizoritë e mëvonshme komuniste mbi intelektualët dhe veprën e tyre.

 

Konferenca e tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve e mbajtur për tri ditë në Tiranë, në 1949, shënoi kufirin ndarës mes antikomunistëve dhe pjesës servile, atyre që instaluan doktrinën komuniste në letërsi në emër të krijimit të “letërsisë së realizmit socialist”. Kryqëzata që ndërmori Lidhja kishte emrin e Shefqet Musarajt dhe bashkë me një emër tjetër më të njohur, Dhimitër S. Shuteriqit, “udhëhoqën” rrugën për spastrimin e letërsisë nga armiqtë, tradhtarët dhe reaksionarët e fundit. Goditja ishte kundër tre emrave: Sejfulla Malëshovës, Skënder Luarasit dhe Ymer Dishnicës. Në botimet e përjavshme që ka ndërmarrë gazeta “Standard” për të zbardhur anën e errët, por dhe të kundërt me atë të hapjes së dosjeve, përmes periodikëve që sot shiten sheshit në trotuaret e Tiranës – marrim vesh se si u ekzekutuan emra personalitetesh në letërsinë tonë. Për 50 vjet Fishta, Konica, Koliqi, Mithat Frashëri (alias Lumo Skëndo) apo Mustafa Kruja u fshinë nga historia jonë e letërsisë jo vetëm si emra, por dhe zhdukje fizike të veprave të tyre. Kjo ishte nisma e parë që ndërmori fushata e Lidhjes së Shkrimtarëve, kur në vitin 1949 u mbajt konferenca më famëkeqe – e lidhim këtë me rezistencën e fundit që bëri Sejfulla Malëshova dhe Skënder Luarasi për t’i përfshirë emrat e mësipërm në historinë tonë të letërsisë. Por kjo gjeti një kundërshtim të ashpër, të fortë, të përgatitur nga Partia, dhe sipas udhëzimeve të saj – një grup njerëzish të kryesuar nga Shuteriqi dhe Musaraj (që do të rrëzonte Malëshovën nga kreu i Lidhjes, për t’u vendosur vetë) do të sillnin argumente nga më naivet, ultrakomuniste si e si që emrat e tyre të ishin në krye të letërsisë. Në tekstin e mëposhtëm, që përfaqëson një nga diskutimet, atë të Dhimitër Shuteriqit, kuptojmë se çfarë mënyrash, demagogjinë, thellësinë e propagandës që u ndoq që emrat e Fishtës, Konicës apo Lumo Skëndos a Mustafa Krujës të mos qarkullonin më në letërsi. U gjetën të gjitha arsyet, nga tradhtar, antikombëtar, për Fishtën “lokalist i gjuhës” që të bindej pjesa injorante dhe servile e letërsisë për të instaluar makinën staliniste edhe mbi letërsi, ashtu siç ndodhi edhe në gjuhën standarde.

 

Arsyet që sjell Shuteriqi gjatë diskutimit të tij për fshirjen e emrave të Fishtës, Konicës, Mithat Frashërit, Mustafa Krujës (për herë të parë, Shuteriqi përmend ekzistencën e Fjalorit, që më vonë është zhdukur, dhe deri tani nuk dihet çfarë fati ka pasur) etj. shprehin qartë lëkundjet drastike që pati me vendosjen e sistemit komunist. Shuteriqi i ri përflitej në qarqet letrare si poet i mirë, por diktaturës i duheshin njerëz të manipulueshëm, tepër shpejt. Mënyra se si Shuteriqi e “mbron” veten dhe nxitimthi nuk na jep arsyen se ai vërtet u manipulua, por me koshiencë të plotë duket se ka pranuar të kalojë në kampin tjetër, atë komunist. Si duket jo vetëm që ka parandier rrezikun që mund t’i kanosej nga kundërvënia, por më tepër lufta e ashpër që po zhvillohej (siç u pasqyrua në konferencën e tretë) ndërmjet shkrimtarëve ishte për një vend në histori. Jashtë këtyre parimeve luftonte Sejfulla Malëshova dhe Skënder Luarasi, kundërshtimi i të cilëve rrihte të dëshmonte se letërsia shqiptare kishte pararendës dinjitozë me emrat që ata mbronin, Fishtën, Konicën etj. Në këtë debat të ashpër, ku fjala e Malëshovës dhe Luarasit janë censuruar në broshurën që shërben si dëshmi çfarë ndodhi më 1949, përpjekja e fundit u shemb. Vetë Shuteriqi nuk dukej se kishte ndonjë ide të qartë për socrealizmin, as se si do të shkruhej në këtë rrymë, ana propagandistike përfshinte dhe krahasimet, dhe frymëzimet mediokre staliniste që vinin nga zhdanovizmi.

 

Egoja, xhelozia, smira, të gjitha veset shqiptare që kishte përpjekur Konica me vite për t’i shkundur shqiptarët; gjuha e pasur gegërishte e Fishtës, apo profecia për pasojat e komunizmit nga Lumo Skëndo, apo rebelimi ironik i Skënder Luarasit për idetë marksiste të komunistëve shqiptarë – të gjitha do të bëheshin argumente pse duhet të ekzekutoheshin këto personalitete. Pas Musarajt, kryqëzata e Shuteriqit vjen më e ashpër, duke u dhënë fund një herë e mirë emrave që prishnin punë në historinë e letërsisë komuniste, duke hapur rrugën për praktikimin e letërsisë së realizmit socialist! Se çfarë metode ishte kjo, në “Standard”, javën që shkoi, Sterjo Spasse rrekte të jepte një përfytyrim; “duke përvetësuar mësimet e marksizëm-leninizmit”, “ideologjinë e partisë”! Në diskutimin e mëposhtëm që ka mbajtur Shuteriqi, misioni historik që iu besua për të shkatërruar trashëgiminë e viteve ‘30, përbën një nga momentet më të rënda për mendimin dhe letërsinë shqiptare. Ardhja me vonesë e autorëve që diktatura i mohoi, ka çuar në zbardhjen jo të plotë të të gjithë prapaskenës komuniste, pse ndodhi mohimi i tyre. Nganjëherë provat janë para syve, por shpesh trumbetat bien në drejtim të kundërt, pikërisht aty ku mungon dëshmia ose është zhdukur; siç është kërkesa e vazhdueshme e hapjes së dosjeve. Po ashtu, zhdukja e arkivave qoftë të Lidhjes së Shkrimtarëve apo të Arkivit të Shtetit ka qenë gjithmonë një “bukë e ndaluar”, për shkak se dalin shumë emra që sot, pasardhës ose vetë ata vazhdojnë të jenë autoritet në letërsi apo akademikë me zë, që nuk duhet t’u preket as qimja e flokut. Për fat të keq, sytë nuk hidhen në dëshminë më të fortë, të asaj që projektoi diktatura përmes organeve të shtypit, si përhapje më të shpejtë të propagandës së saj. Ishte ideja kryesore e autorëve të konferencës që të hapeshin sa më shumë revista dhe gazeta, në mënyrë që të vinte më shpejt “fama e tyre”, të mbërrinte më shpejt realizmi socialist; ndërsa fshiheshin dokumente ku firmosej ekzekutimi dhe kthimi në karton të mjaft veprave intelektuale. Sot këto dëshmi nuk janë, por leximi i historisë bëhet dhe më kokë mbrapsht; në ironi çfarë diktatura përdori për propagandën e saj, sot është bumerang; faqe pa fund periodikësh me emra intelektualësh e shkrimtarësh që flasin për një letërsi “ideologjike”. Shuteriqi është një ndër ta, që përveç egoizmit personal, i parë në letërsi, duket dhe mohimi më i skajëm i emrave që sot i kanë dhënë fytyrë letërsisë dhe janë personalitete që lexohen në çdo kohë, duke na qartësuar se kush jemi, ne shqiptarët në të vërtetë!

 

Diskutimi i Dhimitër S. Shuteriqit në Konferencën e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve, 1949

 

Malëshova pret që ne të bëjmë poet kombëtar Fishtën dhe Konicën korifenj të gjuhës shqipe?!

 

Do të diskutoj edhe unë pak mi çështjet që u ngritën këtu dje dhe sot,. Kam një herë nja dy vrejtje të vogla, një mi vargun e lirë, për të cilin foli Nonda Bulka, një mi temat historike, për të cilat foli Aleks Buda.

 

Nonda Bulka u shpreh për një “konfuzion të madh” që ekziston në prodhimet tona poetike, për shkak se po teprohet me vargun e lirë, duke dhënë si shembull të vargut të lirë vargun e thyer të Majakovskit. Unë s’di rusisht, po, me sa jam informuar, di se vargu i Majakovskit nuk është i lirë, me gjith se poeti e thyen, e copëton.

 

Kjo është çështje grafie. Varg i lirë, ësht ai që s’ka ritëm të caktuar as rimë, kurse vargu i Majakovskit, i ka të dyja: edhe ritmin e caktuar edhe rimën.

 

Për sa i takon çështjes që ngriti Aleks Buda, se munt të merremi edhe me temat historike, ky është një mendim interesant. Po meqë, sot për sot, ne e njohim pak dhe jo si duhet historinë tonë, ësht e vështirë t’i trajtojmë drejtë ato tema. Pastaj, kam frikë, se, po të merremi me to, munt të harrojmë temat aktuale.

 

Dua të bisedoj pak më gjatë mi Konicën dhe Nolin, për të cilët foli Sejfulla Malëshova. Do të them edhe dy fjalë mi Fishtën dhe Mjedën, për të cilët u sqarua mirë Mark Ndoja. Jam i mendjes që Sejfulla Malëshova nuk njeh as Konicën, as Fishtën, dhe ca më pak Mjedën. Mi Nolin ka mundësi të dijë diçka më shum. Ai flet për ta pa i njohur, me sa ka lexuar apo dëgjuar një herë e një kohë, dhe rastësisht, prej tyre. Mendjen, s’e ka varë seriozisht për ta.

 

Bie fjala, ai Konicën dhe Nolin i bën një, duke na thënë se, gjithë jetën, at akanë patur të njëjta pikëpamje! Kjo s’ësht e vërtetë. Mua m’është dashur të merrem me ta, sepse jap mësimin e letërsisë shqipe, të lexoj veprat e tyre, t’u ndjek zhvillimin si auktorë dhe si njerës nëpër gjithë shkrimet e shpërndara të tyre. Konica nuk ka pasur gjithmonë pikëpamje të njëjta me Nolin. Le të marrim Konicën.

 

Aktivitetin letrar dhe patriotik e ka filluar në Bruxelles, më 1897, kur nisi të botonte revistën “Albania”. Shtatë muaj më radhë, gjer te numuri i tetë i revistës, Konica ndoq politikën antiturke të patriotëve të vërtetë të kohës. Ky ish një qëndrim i drejtë. Ahere kish nisur të piqej mirë ideja për çlirimin e plotë të Shqipërisë, për shkëputjen e plotë nga Turqia, dhe jo vetëm për autonomi, si më 1878. Po, tamam në numurin tetë të revistës “Albania”, Konica filloi të ndjekë politikën e përkundërt: për marrëveshtje me Turqin, për bashkëpunim me sulltanin, gjoja në platëformën e 1878. Tani jemi në kohën kur lëvizin maqedonët për lirinë e tyre, kur bullgarët lëvizin gjithashtu për liri të plotë, jemi në kohën e luftës greko-turke; dmth se është rasti m’i mirë që të propagandohet dhe të veprohet për çështjen e independencës sonë. Këtë Naimi e ka kuptuar, prandaj shkruan Istorin’ e Skënderbeut, që ishte një kushtrim i fortë për t’u çliruar. Samiu shkruan ahere “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, ku flet për varrosjen e “kërmës” turke, haptazi, duke qëndruar brenda në Stamboll. Turqia u qelb, thotë ai, do të na farmakosë edhe ne me kutërbimin e saj; tjetër shpëtim s’ka, veç të shkëputemi prej saj, të çlirohemi. Para se ta botonte atë libër, Samiu ish nën vrejtje në shtëpi të tij, në Stamboll, nga qeverisa turke; lejë s’kish të dilte, po munt ta vizitonin; pasi botoi librin, askush më s’kish leje të shkonte ta vizitojë. Kjo të kujton atë krahasim që bëri Mark Ndoja në mes punës së Migjenit dhe të Malëshovës: këtu, Migjeni shkruante dhe vepronte si “poet rebel”, në terrorin e Zogut, jo jashtë Shqipërisë. Edhe Naimi me Samiun, në Stamboll brenda shkruanin dhe vepronin si “rebelë” dhe jo jashtë Turqisë. Faik Konica ish i lirë në Bruxelles; atje, ai munt të shkruante ç’të desh, munt të qe edhe “rebel”. Po vetëm shtatë muaj mbajti, jo më tutje. Më 1897, Konica “tradhton” – është fjala vetë e Naimit, që punon në Stamboll, për indipendencën. Konica ahere bëhet agjent i politikës austro-hungare në Shqipëri, shok i klerit katolik, që është agjent i vjetër i po asaj politike. Shkrimet e klerit katolik do t’i mbushin ahere faqet e “Albania”-s, dhe do të vazhdojnë gjer sat ë ketë jetë revista, gjer më 1909.

 

Më 1909, Noli bëri një nga gabimet më të rënda në jetën e tij: solli Faik Konicën n’Amerikë, dhe lejoi që ky të bëhet strumbullar i lëvizjes kombëtare t’atjeshme. Tërë peripecitë dhe vuajtjet e shoqërisë “Vatra” për faj të Konicës i njohin mirë shqiptarët e Amerikës, punëtorët që derdhën dollarët e tyre për Faik Konicën me shokë. Ësht e tmerëshme të mendosh se si, më 1912, pak më shumë se një muaj para shpalljes s’indipendencës së Shqipërisë në Vlorë, Konica dhe Noli bëjnë të deum-e dhe telegrame dhe mundohen të mbledhin vullnetarë shqiptarë n’Amerikë, që t’i shpien të lëftojnë për sulltanin kundër ballkanasve të cilët janë vënë të përmbysin Turqinë! Ja efekti i drejtpërdrejtë i vënies së Konicës në krye të “Vatrës” dhe të “Diellit”.

 

Vërtet ahere kishte shumë patriotë të mirë që e humbisnin toruan ngandonjëherë. Për shembull, më 1908, njërës si Çerçis Topulli dhe Mihal Gramenua me shokë, besuan se kush e di se çfarë lirie fituan me konstitucionin xhonturk dhe zbritën nga mallet me bajraqet e luftës në dorë. Ne e dimë se çfarë liri gënjeshtër dolli ajo.

 

Po fajin s’e kishin patriotët e ndershëm që nuk qenë në gjëndje të gjykojnë menjëherë. Fajin e kishin kryeaxhitatorët e ahershëm, njerës si Fishta, që shkruante këngë për të mbledhur ushtarë për Turqinë; njerës si Lumo Skëndua, që pëlqente më mirë ta quante vehten “osmanli”. I tillë kryeaxhitator ka qenë gjatë rilindjes dhe tërë jetën e tij Faik Konica (me gjithë që nuk munt ta akuzojmë në këtë rast special). Këta lloj kryeaxhitatorësh turbullonin mendjet e patriotëve, edhe t’atyre që si Çerçizi me Mihalin, patën vënë kokën në torbët për lirinë e Shqipërisë.

 

Para vitit 1909, Konica me Nolin tepër pak kanë të bëjnë. Pas 1914 gjer më 1919, prap s’kanë të bëjnë shumë. Konica mbeti gjatë luftës n’Austri dhe në GJermani, kurse Noli mundi të hidhet sërish n’Amerikë. Konica që fsheu kokën te Habsburgët, me të mbaruar lufta, me të kaluar Brenerin, me të rënë n’Itali u bë italofil i flaktë, ky armik i famshëm i Italisë! Aqë tepër italofil, sa mohoi dhe përpjekjet e drejta të popullit tonë ahere: dënoi luftën e Vlorës!

 

Unë, shokë, s’kam më përse të zgjatem mi Konicën. Gjer më 1924, ai u mundua të vijë në fuqi në Shqipëri me ndihmën e Vatrës. Desh mbase të bëhet ndonjë kryetar Republike. Që nuk hypi në fuqi, kjo i detyrohet edhe karakterit të tij të lik, s njeri grindavec që armiqësohej me të gjithë. Pas 1924-s, Faiku qe Faiku dhe nuk la gjë pa bërë. Këto i di secili.

 

Tani munt edhe të pyesë njeriu, pa dashur t’ekzagjerojë gjë: çfarë ndryshimi ka në mes të Mustafa Krujës dhe Faik Konicës? Edhe Mustafa Kruja ka bërë një fjalor, një fjalor voluminoz, dhe shqip shkruan mirë. Ndryshimi është këtu sidomos: që Faik Konica, prej 1897 gjer më 1941 kur vdiq, dmth 44 vjet me radhë, ka mundur të flasë dy herë më shumë se Mustafa Kruja, po të mos marrë asnjëhere fuqinë në dorë, duke qëndruar, kryesisht, n’anën e përkundërt t’interesave të vendit, me pendë në dorë. Kurse Mustafa Kruja, një herë që mori fuqinë në dorë, s’i la kusur. Ja ana pozitive e Faikut. Do të themi se ka shkruar shqipen mirë, shumë mirë. Këtë domosdo, do ta themi. Po ka pasur ndryshim, që Voltaire-i përgatiti edhe revolucionin francez, kurse Faik Konica mbeti një varrmihës i pakorrigjueshëm. Ai ndenji nat’ e ditë me kazmë në dorë dhe kundër popullit. Këtë njeri, Malëshova kërkon domosdo ta bëjë ta gëlltisim lehtë. Dhe atëhere Malëshovës i duhet të harrojë, sikundër vuri në dukje Mark Ndoja, se Konica na la “Nën hijen e hurmave”, kurse Noli përktheu si Shakespeare, Cervantes, Ibanes etj.

 

Do të merrem pak me Fishtën dhe Mjedën. Për ne Mjeda është njeri pozitif, me gjithë veladonin e tij, me gjithë ndonjë mungesë që munt të ketë. Këtë ne na e ka thënë edhe Partia jonë, dhe Sejfulla Malëshova e di, që mundohet ta bëjë një me Fishtën. Njëri pa të meta s’ka patur. Edhe Naimi kish të metat e tij, fjala vjen. Ne ia njohim. Po ne dimë që edhe Mjeda, si dhe Naimi, jetuan për popullin tonë. Pardje, duke biseduar për Mjedën, zoti Xhuvani më thosh se, më 1917, kur kishin mbledhur për çështje të gjuhës shqipe, Mjedës i shpëtoi një fjalë jo e përshtatshme për lirinë e vendit. Si kuptohet kjo?

 

Kuptohet kështu: Ky njeri pat edhe paqartësinë e tij dhe, në një çast dëshpërimi, nuk diti se si të mendojë, aherë gjatë luftës, kur në Shqipëri kishte nja katër a pesë qeveri. Po Mjedën askush s’e njeh për reaksionar njeri n’aktivitetin e tij politik dhe letrar. Nëse ka patur çaste paqartësie dhe dëshpërimi, të gjithë kemi patur. Thamë se edhe Naimi kish. Po nuk qenë ato gjëkafshë esenciale në punën e një Mjede dhe të një Naimi.

 

Do të ngre edhe një çështje për Fishtën. Do të bëj një pyetje për çështjen e kontributit të tij gjuhësor që ngriti Sejfulla Malëshova, me gjithë që nuk jam i sigurtë a kam vërtet të drejtë. Sejfulla Malëshova mendon se një nga anët më pozitive të Fishtës është gjuha e popullit që ai ka përdorur, duke vënë në themel të veprës së tij poezinë popullore. Ne kemi qenë në gjendje semifeudale dhe simikoloniale, të ndarë në toskë dhe në gegë, me dy dialekte: toskërisht dhe gegërisht. Që të pretendonim pra në kohë të rilindjes për një gjuhë të vetme letrare, ish e vështirëm, ish e pamundur. Po rilindasit, dhe jo vetëm Naimi dhe Sami, po edhe ndonjë tjetër si Vretua me shokë, u munduan t’i afrojnë të dy dialektet, t’i bëjnë të kuptueshëm për të gjithë. Si veproi Fishta? Ai u përmbajt në gjuhën lokale të malësive të veriut, gjuhë burrash vërtetë, por këtë s’ka njeri dyshim; po Fishta qe një lokalist i tepruar dhe krijoi një si kamp të dytë të gjuhës në Shqipëri, kundër përpjekjes së të parëve për afrim. Edhe Paso Vasha nga Shkodra ishte, po, më 1878, ai shkruan me një shqipe të tillë “Mori Shqipni e mjera Shqipni…”, të cilën s’ka burrë shqiptari të mos e marrë vesh. Më kujtohet kur isha fëmi, se im atë, kur ipte mësimin e shqipes në Korçë, dëshpërohej se Fishtën s’ia kuptonte njeri. Fishta e tërhoqi letërsinë në Shkodër drejt një lokalizmi pa fre. Ai munt të shkruante fare mirë më ndryshe, që të kuptohej pa frikë kudo në veri dhe në Shqipëri. A na lejohet ne të shkruajm si flitet në Dukagjin apo në Mirditë? Duke vepruar ashtu, si lokalist i papërmbajtur, a nuk lojti Fishta një rol negative me rëndësi për zhvillimin e gjuhës shqipe, në dëm të çështjes për një gjuhë të vetme ose të përbashkët? Pa tjetër, nuk i mohon Fishtës, çdo meritë në përdorimin e gjuhës dhe të folklorës së veriut.

 

Më lejoni tani të hidhem në disa çështje të tjera. Dua njëherë të pyes, përse Sejfulla Malëshova na akuzon se biem në “subjektivizëm”, kur gjykojmë Konicën dhe Fishtën? Kë quan “subjektivizëm” Sejfulla Malëshova? Pas mendjes sime, ai quan “subjektivizëm”, faktin se ne Naimin dhe Mjedën me shokë i renditim në radhën e atyre që punuan drejt, si letrarë dhe si patriotë, kurse Konicën me Fishtën i vemë në ballë të letrarëve reaksionarë? Po a është “subjektivizëm” kjo? Nëse po, unë pranoj të jem subjektiv në këtë rast. Vetëm se çështja qëndron kështu: ne përpiqemi t’i tregojmë popullit seç pat të mirë e të math në të kaluarën, trashëgimin e tij të shëndoshë. Këtë nuk munt ta bëjmë pa luftë. Sejfulla Malëshova, na rekomandon në këtë rast të jemi “objektivë”. Ky është, më duket, tamam objektivizmi që dënon Zhdanovi në kritikën mi “Historinë e filozofisë t’Aleksandrovit”. Dhe ky është indiferentizëm. Prandaj, ne këtë lloj “objektivizmi” nuk e duam.

 

Pas mendjes sime Sejfulla Malëshova, pret që ne të bëjmë sërish poet kombëtar Fishtën, dhe Konicën korife të gjuhës shqipe.

 

Këtu më duket se gabon rëndë. Gabon edhe sepse Sejfulla Malëshova lëfton më shumë për vehten e tij, duke bërë sikur lëfton për Fishtën dhe Konicën. Ai, duke pandyer se ne e kemi “varrosur” bashkë me Fishtën edhe Konicën, kërkon të ngrihet nga “varri” bashkë me ta. Të mos kërkojë Sejfulla Malëshova të ngrihet nga “varri” bashkë me ta, se ahere i ha vehtes edhe atë meritë që i njeh. Dhe ky është tamam “subjektivizëm”.

 

Do të jap një sqarim mbi pretendimin e dr. Ymer Dishnicës, që na tha se Ali Kelmendi i kishte bërë vjershat e Sejfulla Malëshovës “livre de xhevet”, kur qe në Shqipëri, dhe se, ngado që vinte, ato këndonte. Edhe mua më ka rënë rasti ta njoh ahere Ali Kelmendin në Korçë.

 

Dr. Dishnica (i pret fjalën): – Ti ahere ishe në grupin e Niko Xoxes.

 

Dh. Shuteriqi (vazhdon): – Po, rreth një muaj. Pastaj bashkë me shokët e mij studentë, kemi vajtur në grupin e Pilo Peristerit, me shokë. Atje na shpuri Ali Kelmendi. E pra, me sa më kujtohet nga Aliu, kurrë s’ia pashë vjershat e Malëshovës në dorë dhe kurrë nuk dëgjova të bëjë fjalë për to. Ca më shumë. Ahere unë interesohesha fort për gjithë botimet shqipe, sidomos për ato që dilnin jashtë, duke nisur që nga Liria Kombëtare. Kurrë, as në këtë gazetë, nuk mbaj mënt të kem lexuar asgjë nga Sejfulla Malëshova dhe emrin e tij ne të rinjtë ahere s’e njihnim. Më 1936 bashkëpunoja ngushtë te “Bota e re” e Korçës. Në mes të rinjve që nisën të shkruajnë ahere atje, emëri i Sejfulla Malëshovës nuk njihej. Ky pa dyshim nuk qe një problem që duhej shtruar këtu, po është fjala të mos përdhunohet realiteti. Vjershat e Sejfulla Malëshovës njiheshin prej mbase rrallëkujt në Shqipëri. Ai nuk munt të ketë pretendime pra se influencoi në vënt tonë mi zhvillimin e tendencave përparimtare dhe revolucionare në kohë të Zogut.

 

Do të them diçka edhe mi sa foli Skënder Luarasi. Skënder Luarasi ka tre vjet që shikon vetëm zi në vënt tonë. Kështu na tha. Po Skënder Luarasi ka dyzet vjet që shikon zi dhe që s’sheh kurrë ditë të bardhë. Nuk di çfarë shikonte në kohë të Nolit. Në kohë të Zogut, domosdo ka parë zi. Por që sot tre vjet pse sheh vetëm zi Luarasi? Ky njeri mbeti me kritikën te buza, si një varrmihës i vërtetë.

 

Luarasi foli këtu për “duplicitetin e fjalëve dhe të fjalive”. Po fjala është fjalë dhe s’ka pse të jetë duble po të mos duam ne. Çfarë deshi të provojë Skënder Luarasi duke folur mi “duplicitetin e fjalëve dhe të fjalive”? Sigurisht të kritikojë. Po kritikoi tërthorazi. Në fakt qe ai vetë që na foli këtu me fjalë dhe fjali duble, që bëri duplicitet.

 

Luarasi tha se gjatë këtyre tre vjetëve, ai s’ka pushuar së foluri kundër “padrejtësive” që paska bërë Lidhja e Shkrimtarëve. Kjo nuk ësht e vërtetë. Këto tre vjet Skënder Luarasi s’ka kritikuar Lidhjen, po është marrë vetëm me sulme personale kundër meje, Mark Ndojës dhe Foto Stamos. Ku qe shkaku?

 

Skënder Luarasi imagjinon shkaqe. Një prej tyre duket të ketë qenë sepse nuk u ngarkua edhe ai të punojë për historinë e letërsisë shqipe. Që ahere Skënder Luarasi mbeti me dekadentizimin në gojë, duke u bërë, kundër tij, mprojtës i flakët i letërsisë shqipe. Po si vepron? Vete në klasë, sulmon shkrimet e mia veçanërisht, duke mos u marrë me ato që I ka caktuar Shteti në program, po duke çvarrosur të tjera. Kjo është mënyra prej varrmihësi. Ai merret me shkrimet e mia kur isha 17-19 vjeç. Megjithatë, ai di se edhe ahere unë bëja pjesë në radhë të shkrimtarëve përparimtarë që grumbulloi Bota e Re. Në këtë revistë, kam shtruar, sado në mënyrë konfuze, gjë që kuptohet për kohën, çështjen e realizmit. Ahere në Shqipëri, me anë të botimeve franceze, kish filluar të dëgjohet edhe emëri i realizmit socialist. Realizmin ahere ne nuk e kuptonim si duhej, po e dëshironim. Të mos ngecet pra Dr. Dishnica te Migjeni, sepse ky nuk e kupton gjithmonë drejt realizmin. Te Migjeni, në formën që ky diti të përdorë, u konkretizuan idealet e rinisë përparimtare të Shqipërisë. As Skënder Luarasi të mos vërë në dukej vetëm të metat.

 

Skënder Luarasit nuk i mbushet mendja se Naimi qe prej familje feudale dhe për këtë ka ngritur kundër meje një grindje të kotë. Atij nuk i mbushet mendja se feudalët lojtën rol gjatë rilindjes. Është e vërtetë që feudalët, sidomos ata liberalë, vepruan gjatë rilindjes, po kryesisht për interesat e tyre, dhe këto interesa disa herë janë takuar me interesat e popullit. Feudalët nuk e deshën copëtimin e Shqipërisë më 1878 dhe më vonë, gjatë rilindjes, sepse kishin hallin e tokave të tyre. Po si përpiqeshin ata për Shqipërinë? Kur u mirrte zjarr postiqeja. Po kur Turqia prapë nuk shpërtallohej dhe Shqipëria nuk copëtohej, ata e braktisnin lëvizjen. Kështu bënë më 1880, kështu dhe të tjera herë gjatë rilindjes. Sa për Naimin dhe Samiun, edhe sepse qenë buj feudalësh, ata nuk e braktisën lëvizjen, nuk i lanë armët. Munt të thomi se ata kishin dalë dhe jashtë klasës së tyre, duke u bërë “memurë”. Ata kishin ideale borgjeze, dhe këto i mprojtën fort. Ësht e vërtetë që në krye të lëvizjes nuk qenë vetëm feudalët dhe djemtë e tyre të llojit të Naimit. Ne e dimë që shpirt i lëvizjes kanë qenë edhe Kristoforidhi, Vretua, Vaso Pasha dhe Koto Hoxhi me shokë, bij zanatçijsh, tregtarësh apo bujqijsh. Luarasi ka të drejtë nëse harrojmë rolin e tyre kryesor. Po ai nuk kërkon të gjejë të drejtën; ai kapet pas një çështje që nuk njeh, dhe bën kështu luftë personale, pa princip, aspak të ndershme. Me kritika të tilla, Skënder Luarasi kalon kohën dhe vetë nuk ka bërë as sa ngre miza me letë për të na skjaruar mi ndonjë çështje që ai njeh.

 

Edhe një fjalë. Kur foli për marksizëm-leninizmin, Luarasi tha se ka filluar ta njohë që kur ish student n’Austri dhe nuk e di a do t’arrinjë te omega kur të vdesë. Unë do t’i thosha: Pse është nisur për te omega? Alfa, beta, gama janë mjaft. Aty kishim të bëjmë me një manifestim megalomani të zakonshëm te Luarasi.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora