E hene, 29.04.2024, 04:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Figura e femrës në disa përmbledhje

E marte, 15.02.2011, 07:39 PM


(Rilexime me shkas)

 

FIGURA E FEMRËS NË DISA PËRMBLEDHJE

ME POEZI TË HASAN HASANIT

 

Prof. Skënder R. HOXHA

 

Duke i lexuar e rilexuar (me shkas) përmbledhjet me poezi me motive të dashurisë: “Shenasa”, “Emoniana”, “Emira” dhe “Gurdurimi”, të poeti Hasan Hasani, kemi parë se në vargje të këtyre librave spikatet figura e femrës, përatësisht karakteret, tipizimi i brendshëm dhe i jashtëm i saj etj. 

     Edhe pse të shkruara shumë më herët e të botuara shumë vjet më parë, mora nëpër duar këto libra, për të thënë për to atë që nuk është thënë më herët, e që, mbase, ka qenë dashur të thuhet. Në këtë kontekst, m’u duk e mbëhieshme që (tash, më 2008) të prezantoj para lexuesve skema që shkruajnë, përshkruajnë, portretizojnë e sintetizojnë poetikisht figurën e femrës – dashnore, si dhe të “zbuloj” dashuritë e dikurshme të këtij poeti dushkajas, poetit të trazuar, poetit (deri më tash) të anashkaluar, po edhe herë – herë të keqinterpretuar. Për ta shtjelluar këtë tematikë, po nisem radhazi me librat, sipas kohës së botimit të tyre.

1.“SHENASA” (1980 - botim i plotësuar.). Ky libër është botim i autorit. Shenasa është një shkurtesë emri. Vjershat janë shkruar në varg të lirë, në strofë katërshe dhe në sonete.

    Edhe vetë titulli është provokativ por edhe përmbajtja. Vjershat e këtij libri “Janë vjersha të shkruara dhe të frymëzuara nga jeta studentore, por që si libër i botuar shumë më vonë” – kishte pohuar autori i saj në një intervistë – libër*). Këto frymëzime të shprehura në vargje janë të renditura në tri nënndarje: Orfe kënge Shenasa, Shi e diell Shenasa, Kurorë e sonete, që së bashku bëjnë morfologjinë e përmbledhjes poetike “SHENASA”.

     Femra e shtigjeve të reja 

     Sikundër u tha më sipër, vjershat e kësaj përmbledhjeje janë shkrime më të hershme, e kjo edhe dëshmohet me portretizime të brendshme e të jashtme të figurës së asaj femrës së mbyllur, të heshtur, të lodhur, por që nuk i mungojnë ëndërrimet  rinore: “Ajo hesht ndër shekuj si një dhembskutë e shurdhër/E lodhur si ai zog pa krahë që ëndërron kaltrinë”, (f. 11). Autori, Shenasës i kushton vargjet e shkruara natën, vonë, në dritën e zbehtë të llambës me vajguri, “Duke kërkuar rrugën për te Orfeu i këngës Shenasa/ Atje ku heshtja e fjala gjuhen me gurë në dyluftim” (shih: f. 14). Dyluftimi i heshtjes dhe fjalës janë sinonim i luftës se të resë së atëhershme me të vjetrën, i traditës me atë që duhet të vinte, i brezit me breza, me daljen në dritë të asaj që do ta thyej heshtjen shekullore të femrës shqiptare, sado që ajo rrugë e zgjidhjes se asaj nyjeje, e arritjes në cak, është shumë e vështirë, sepse ishte e ngulitur thellë në qenien njerëzore. Për këtë poeti Hasani kishte vargëzuar: “Është shumë vështirë ta gjesh orfeun e këngës së zjarrtë/ Sepse ndryhet në qenien e vet diku thellë te Unë dhe Ti/ Ku nuk e shikon Ti as Unë as Ai veten e ndrojtur” (f. 19). Ndërkaq, atë e shoqërojnë ndonjëherë shiu e dielli, begatina që në nekrologun e parë bëhen sfond i peizazhit erotik dhe madhërojnë figurën e femrës: “Peizazh i tretur në portretin tënd Shenasa” (kënga e tretë, f. 23). Poeti Hasani, në atë fazë të krijimtarisë letrare, kishte marrë për detyrë, që bashkë me Shenasën, të bëhen kalorësit që do t’i flakin iluzionet e së kaluarës, do të hapin shtigje të reja, ku thotë: “E ne Shenasa jemi rrita e një dashurie diellore/ Që iluzionet duhet t’i flakim, t’i nëpërkëmbim”, (f. 29). Janë këto vargje që njëherit ngrehin lart figurën e femrës dhe karakterin e saj, duke e bërë si bashkëudhëtare me mashkullin në rrugëtime të reja.

     Nuk mungojnë në këtë libër as portretizimet kolektive të vashave të Dukagjinit, sajuar përmjet figuracioneve stilistike e artistike: “Vashat tona në Dukagjin të shëndetshme si guri/ Shtathedhura si lisat shtatgjatë në bjeshkë/ Sinonim i traditës dhe i lashtësisë n’këto brigje/ i vashave ilire flokëshprishura si drenushat” (f. 34). Për ta ngritur edhe më lart nivelin e barazisë gjinore, respektin ndaj femrës, autori dialogon me Shenasën për çështje të ndjeshme: “Po Shenasa, kjo është çerdhja jonë e lashtë” (f. 34), pastaj e pyet shtruar dhe artistikisht për fajtorin e pengesave në dashuri, duke e kërkuar nga subjekte konkrete dhe abstrakte: “Nuk di cili është fajtor: Unë, Ti, Dielli, apo Shiu” (f. 35). Mirëpo, Shenasa sikur ishte bërë pjesë e jetës së poetit. I bëhet sikur Ajo e shoqëron çdokund, bile edhe në shkëlqim llambe: “N’shkëlqim llampe më bëhet se vështroj/ Portretin tënd Shenasa” (f. 40). Poeti, pa të dashurën, e këndon veten si të dënuar, ndaj thotë: “Afrohu Shenasa heshtas si hije, padukshëm/ Në botën e ndjenjave të mia të heposura!/ Afrohu Shenasa shtigjeve pahetueshëm/ Te ky i dënuar zjarrit me bebëza t’irnosura” (f. 41). Shenasa në vargje më tej na del edhe si sinonim i një femre të sinqertë, ndaj edhe poeti bisedon sinqerisht me të: “Athua  Shenasa botën do ta mbyllish n’bukuri/ Dhe ta zbrazësh bjeshkën mbi fjalët tona?”, atëherë: “Nata si Ferr hesht. Ti do të flesh në qetësi/ Si pulëbardhë mbi kaltrinë e ujërave të vona” (f. 42). Qoftë kur janë pranë e pranë njëri tjetrit, realisht, qoftë kur imagjinata e poetit arkitekton atmosferë konvencionale, atëherë: “Aromë e blinjve bie si peshë plumbi mbi pore Shenasa/ Kjo mbrëmje na vesh rroba argjendi” (f. 46), që lexuesit i imponohen si fragment romance të dashurisë.

Femra e dashurisë së parealizuar

Ndërsa në situatat kur poeti dashuron në rrethana pamundësie, dehet kafeneve, ndjehet si ushtar i thyer në betejë, zgjohet i lodhur, rebelohet etj., por për të gjitha komunikon me Shenasën, në prani a në mungesë: “E di Shenasë? Ky është një heroizëm poeti/ Dehë n’këngë dhe bukuri e vdes n’metaforë/ E mbi të gjitha në portretin tënd kaltri deti” (f. 48). Këtu vërehet edhe sentimentalja e ngjizur në ligjërimin poetik

       Në botën e ëndërruar, ai me Shenasën: “Shalojnë kuajt e drunjtë me jela t’kuqe çdo natë” (f. 49), mirëpo nota e imazheve të dashurisë së parealizuar përsëritet herë pas here, e që therrte shpirtin e poetit (atëherë) të ri: “Kuajt e mëngjeseve do t’i shalojmë n’lëngatë/ Ne, jongadhnjimtarë t’shirave që thellësive tresim!” (f. 49). Femrën që e dashuron e quan Monalizë Kosove: “Monalizë Kosove që gjakut ikë trishtueshëm” (f. 52). Por, në disa vargje atë e quan edhe Shejneshë dhe Shejneshë e Dukagjinit. Mosrealizimin e dashurisë poeti e quan shëmti, para së cilës i imponohet të përulet bashkë me Shenasën: “Na mbetët shëmtisë t’i përulem amshueshëm/ Atë natë kur ëndërroja si Petrarka Laurën,/ Atë natë kur të ëndërroja si Davinçi pëlhurën,” (f.52). Por, edhe e pranon se: “Gjithçka ëndërrova si një i marrë dashnor” (f. 52), kurse për dështimet, ngrit edhe akuzën poetike: “Namëkëqinjtë durimit pamëshirë m’gjykuan” dhe: “T’marrë më quajnë pse paturpshëm dashuroj” (f. 52), apo edhe për të përfunduar me: “Ishte këngë e egër ajo që varrosi dashuria!” (f. 62).  

    Ndaj, e stolisur me këto tipare, me këtë karakter femëror, me këtë sinqeritet, etj. Shenasa në vargje të Hasan Hasanit merr edhe atributet e femrës së intimës personale.   

 

2.“EMONIANA” (1980)

Historia e librit

– “Ky libër ka një histori të veçantë. Emona është Lubjana. Dhe objekt frymëzimi për këtë libër u bë një lubjanase, një e re, profesoreshë e letërsisë me profesion. Kësaj profesoreshe, e cila quhej Tanja Beçan, i kishte bërë përshtypje të madhe romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që ato ditë ishte botuar në Lubjanë, i përkthyer në gjuhën sllovene. Për të mësuar diçka më shumë për I. Kadarenë dhe veprën e tij, iu kishte drejtuar me një letër Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës…” *). I kishte rënë hise shkrimtarit H. Hasani që t’i përgjigjej lubjanases, punë të cilën e kishte bërë me dashamirësi. I kishte treguar (me shkrim) gjerësisht për jetën dhe veprën e shkrimtarit tonë të madh. Ia kishte dërguar edhe romanin “Kështjella”. I kishte treguar për romanin “Dimri i madh” se ishte botuar në Zagreb, i përkthyer në kroatisht etj. …

     Letrat që bëhen frymëzim e poezi

     Kjo miqësi kishte zgjatur tri – katër vjet. Edhe letrat e mikes nga Lubjana kishin qenë kryesisht biseda për letërsinë, për sonetin, për Preshernin, për të dashurën e Preshernit, për sonetet e fatkeqësisë së Preshernit. Siç kishte pohuar vetë Hasani, me Tanjen ishin takuar vetëm një herë në Lubjanë, ku kishin ndenjur nja gjysmë ore. Letrat e saj ishin bërë objekt i frymëzimit për poetin. Ato letra ishin bërë poezi, ishin bërë sonete kushtuar Emonianës.

     Në shtjellimin e figurës së kësaj femre mike, trasenë e parë e vënë: njohja, letrat, fofografia, për çka poeti Hasani kishte thënë: “Përpara kam dhjetëra letra, ca libra, poetë,/ Vargje lirike – dhuratë e çmuar nga Emona;” (f. 9). Duket se që në fillim kishte gjetur diçka të çmuar te kjo femër, mbase karakterin dhe pjekurinë e saj, por edhe diçka që do të çojë deri te një moment ku ai, mbase. do të dashurohet marrëzisht: “N’mungesë shpesh me fotografinë tënde polemizoj/ Herë – herë me ton serioz e herë – herë qetë e mekur,/ Fjalë pas fjale i hudhi n’letër, shkruaj, vargoj,/ Kështjellë dhe gjeneralë t’një ushtrie t’vdekur!” (f. 11). Mirëpo, gjithsesi duhet kuptuar se mbizotëronte fryma e miqësisë dhe respektit ndaj femrës, ku edhe shprehen me kreun e parë të librit “TINGËLLIMA MIQËSIE”, për t’u sublimuar në tri sonetet që kanë titullin e përbashkët “Përgjigje letrave”, e më tej edhe njësinë tjetër ciklike në vijim “Kurorë tingëllimash”, që ravijëzon nuansat transversale, por edhe të natyrshme, të botës së brendshme të poetit karshi një femre të shkolluar, bashkëkohore, moderne. Pikërisht këto tipare figurën e Emonianës e bëjnë më të veçantë në vargëzimet e këtij zhanri të H. Hasanit. Thellësia e raportit të poetit me Emonianën kristalizohet në tufën me sonete, kreun tjetër të këtij libri “Tingëllima vetmie”.

Femra mike – e adhuruara e poetit

Tashmë, ajo që iu kishte ndezur në shpirt poetit, për Emonianën – Tajna Beçan, por që edhe kjo kishte mbetur e pashfaqur apo e parealizuar, e thotë me vargjet metafora: “Ikën ditë e parë mes dashurisë e vdekjes/ Ikën ditë e parë mes mallit e shqetësimit/ Ikën ditë e dytë mes dyshimit e heshtjes/ Ikën ditë e dytë mes fjalës e rebelimit”, (f.31). Vërehet se poetin, përveç miqësisë, e xiglonte edhe ndjenja e simpatisë, e pse jo edhe e dashurisë, ku pas pauzës së letërkëmbimit, kjo sikur del nga ajo velloja mbështjellëse dhe shpërthen me: “Urrej vetveten dhe ty…”, “Ku mbetën gjithë ato fjalë e ato letra mes nesh”, (f.33), por edhe: “Përsëri nuk heq dorë nga ankthi im miturak/ E të kërkoj në mesin e zhurmërisë memece/ E të kërkoj n’lashtësinë e Emonës si gurak (f. 34). Ndërsa në vjershën me titull “Robinson n’Emonë” thotë: “Askush s’mu gjet n’Emonë në ndihmë për t’na dalë/ As i famshmi gjeneral që na njohtoi vite më parë!”, (f. 41), vargje që paraqesin një moment, ku poeti duket më i shqetësuar dhe akuzon, e lexuesit i jepin të kuptojë se poeti të ketë shkuar në Emonë (Lubjanë), e qëllimi i asaj shkuarjeje mbetët i pashpjeguar, por që mund të reflkektojë dilemën se: a mos ka shkuar Hasani në Emonë, si Serembe pas së dashurës në Brazil? Edhe përkundër kësaj, pa Emonianën poetin nuk e rehabiliton as maji i luleve, ai e katandis veten në një pyll të trishtuar, ku ndjehet si:”Gjeth i shkelur në trotuar”. Ndërsa konturat e zemërimit i shpreh në tingëllimën “Këngë zemërake”, ku prapë i drejtohet mikes nga Lubjana:”Me ç’ngjyra ta filloj këtë këngë zemërake Tanja”, (f. 45), e tingëllima “Letra e fundit”, me të cilën mbyllet libri “Emoniana”: “Gjithë ato vargje dashurie që m’i dërgove mike/ A ke menduar se përjetësisht n’to do hysh edhe ti?”, në një mënyrë, shthur të gjitha parashikimet e iluzionet. Atëherë, i mbufatur me ndjenja skeptike, ku nuk shihte ndonjë mbarim fatlum, poetit i mbetët të pajtohet me fatin, të krenohet e të jetojë me kujtimet, ndaj në vargun e fundit thotë: “Më mbetet t’jetoj krenisht s’bashku me kujtimet!”, (f. 46).   

 

3. “EMIRA” (“Shkëndija”, Prishtnë, 1992). Recensenti i këtij libri, Beqir Musliu, në mes të tjerash, kishte thënë: “… ai në një farë mënyre bën një ditar intim lirik që, sa është korrespondim i një emocionaliteti liriko-erotik, po aq është edhe një ndërlidhje me atë që e përjeton”.

     “Emira” është fryt i në periudhe të gjatë kohore, ndoshta njëzetvjeçare. Është një ditar lirik-intim që paraqet disa nga momentet më të vështira të jetës sime.”, kishte thënë poeti Hasani*).

     Një ditar i tillë pason si rrjedhojë e përditshmërisë që rrethon çdo krijues, e veçanërisht poetët. Natyrisht, fantazia jo vetëm që iu lejohet poetëve, por edhe është arma kryesore në krijimet e tyre. Kështu kanë vepruar këtu e mijëra vjet më parë të gjithë poetët që njeh historia e letërsisë së përbotshme. Mendoj se ky ditar pasqyron një pjesë të jetës së një krijuesi, një liriku që rreket me tema të ndryshme, e edhe me ato të lirikës së dashurisë. 

Zbërthimi i karakterit të femrës

     Emira si prototip i një femre me të cilën, siç vërehet nga vargjet, në përditshmëri është në prani, aty ku është edhe poeti, praën poetit: “Ndodhemi praën njëri – tjetrit  ashtu si çdo ditë si çdo herë/ E kafe pimë duke vështruar fytyrat thellë nëpër mjegullirë” (f. 17), ku mjegullira në përfytyrimet e të dashuruarëve, del si pasiguri, si pamundësi realizimi, bile edhe me disa fije mashtrimi, ndaj edhe poeti e ndjen atë ftohtësi ekstreme: “Jam i ftohtë copë akulli n’Himalaje që s’njeh diellin” (f. 17). Mirëpo, poeti, Emirën e konsideron të sinqertë dhe për atë lloj dashurie ai (që e quan “marrëzisht”) i fajëson rrethanat dhe vetveten: “E kundroj hapësirën, mëkatin e gjej kudo n’vetvete” (f. 19), apo edhe: “Kërkoj llogari prej vetes si prej vdekjes misterioze/ Mos vallë jam zhytur n’mëkate pse marrëzisht të dua?” (f. 19). Është për t’u theksuar se tek dashuritë e poetit Hasani ndjekin si hije të zeza, diku Kanuni, diku rrethanat, diku mjedisi, diku mashtrimi, të cilat i shpreh poetikisht në vargjet: “S’kam besuar se floku i mëndafshtë për mua paska qenë Trishtim,/ S’kam besua se syri yt për mua paska qenë vetëm Dëshpërim,/ S’kam besuar se buzëqeshja jote për mua paska qenë vetëm kob,/ S’kam besuar se fjala jote një ditë për mua do të bëhet vetëvrasje,/ S’kam besuar se këngët e mia për ty një ditë do të bëhen Disfatë”, (Janë këto vargjet e para të pesë strofave të këngës së XIII, f. 23). Por, poeti, nuk mund të shkëputet tërësisht e me çdo gjë nga e dashura, respekton madhështinë e saj, ndaj i thotë: “Ti përherë e bukur frymon në vargun tim, madhështore” (f. 28).

Femra e besës, e përbuzjes, e ndarjes…

Po në këtë frymë estetike këndon edhe kur përballet me ndarjet. Poeti mbahet i matur, nuk shpreh agresivitet e as nënçmim e përbuzje ndaj figurës së femrës, por përkundrazi atë e quan: “Emira ime e besës e fjalës që rrëfen për dashurinë” (f. 28); “Unë e Ti gjithmonë bashkë e e kurrë tbashkuar Emira” (f. 29). Ndërkaq, për ndonjë moment  që i duket se po përbuz, Emirës i drejtohet me vargje lirike të gdhendura: “Pse m’përbuzë Emira kur e di se n’shpirtin tënd kam hyrë” (f. 29) dhe: “Sa herë duhet të vdes për puthjen tënde të zjarrtë moj” (f. 29), sepse atë e do aq shumë saqë nuk mund ta largojë nga qenia e tij: “Ti u bëre pjesë e mishit dhe gjakut tim vite me radhë/ Dhe n’asnjë mënyrë nuk mund të të largoj nga zemra ime,” (f. 32), e në të njëjtën vjershë, sikur do t’ia qartësojë se poetët dinë të dashurojnë e të vuajnë edhe marrëzisht: “Heu Emira, që s’po beson sa marrëzisht poetët vuajnë” (f.32). Mandej, nga të papriturat në dashuri, poeti i trazuar thotë: Thikën e dashurisë e ndjej thellë n’shpirtin e trazuar” (f. 35), ndërsa karshi të tjerëve që xhelozojnë dashurinë e tyre: “Vetëm dashuria është ajo që ajo që nga larg ne na mban të lidhur/ E s’njeh xhelozitë e tjërëve as grackat që ata kurdisin,” (f.35). Poeti e sheh Emirën të bukur gjithanshmërisht. Kur e portretizon atë në përimtësi, thotë:”Në ty Emira shoh çdo gjë të bukur n’këtë stinë – pranverë.” (f. 36).

Femra e çasteve të vështira…

     Në kontekstin kur dashuria, si gjithnjë e parealizueshme e poetit, urrejtja, rrethanat e mjedisit – si pengesë etj., poetin e shpiejnë edhe në situata të rënda, gati vetëvrasëse, që përkojnë me kriza shpirtërore. Shih për këtë te vjersha “Vdekja poetike”: “Mbi qafën time lëkundej litari si paralele e globit/ Me emrin e shenjtë n’gojë Emira, o pjesë e gjakut tim.” (f. 45), apo: “Fjalën tënde Emira ma sollën prehje praën shtrati/ Kur numëroja sekondat ndërsa qafën tinëzisht mbuloja./ Gjurma e litarit t’mos duket para fëmijëve po droja/ Para syve tuaj kur m’afrohej vdekshmërisht xhelati.” (f. 55). Këto situata duhet të kuptohen edhe si rrjedhojë e sakrificës për dashurinë. Dashuri që nuk mund të kishte jetë të gjatë, ngase, siç vërehet nga vargjet që cituam më sipër, poeti ishte i martuar, kishte fëmijë etj.

     Duke lexuar me kujdes vargjet e përmbledhjes poetike “Emira”, lexuesit që ka lexuar edhe përmbledhjen “Emoniana”, i duket sikur Emoniana bëhet Emira, apo vazhdimësi e saj (?): “S’më lë t’vetmuar n’kujtime n’Emonën e lashtë kujtim/ Kur me ty rrija e bisedoja heshtas si n’ditët verore”(f. 67). Në të vërtetë këtu apostrofohen, herë si evokim e herë si respekt e simbolikë, tablo të atyre romancave të ikura, Disa këngë të këtij ditari lirik të dashurisë janë edhe si përfytyrime të romancave të dashurisë, por edhe siqeriteti i figurës së femrës vihet në spikamë. Ajo, Emira, e shoqëron edhe kur poeti ishtë sëmurë, kur ishte në Qendrën për rehabilitim: “Edhe këtu n’Qendën për rehabilitim jemi tok t’pandarë/ N’parafin, n’dushin skocez, n’rrezitje me ultratension!/ Ti Emira diagnoza e sëmundjes – shërimi im i parë -/ Terapi tjetër këtë t’sëmurë shpirtërisht s’e ndihmon!?”, vargje që mund të jenë pjellë e imagjinatës së poetit, të cilin, në ato momente, do ta ketë shoqëruar hija e së dashurës. Ajo e kishte tërhequr aq tepër, si një forcë magnetike, saqë poeti e dashuronte marrëzisht:”Ku e gjete gjith këtë forcë magjike që m’bëri rob“ (f. 78). Atë e quan Monalizë dhe muzë: “Monalizë - me flokë t’ndara ballit, o muzë lirike/ Me gjuhën e luleve n’mua morose gjethin e dashurisë” (po aty) dhe prapë pyet: “Ku qëndron ajo forcë magjike Emira? Ku qëndron?” (f. 78). Por, në dashuritë e poetit, pra edhe në atë me Emirën, vazhdimisht dikush punon për të rrënuar themelet e dashurisë: “Kështjella e dashurisë që njerëzit mes veti i bashkon/ Kokëtulët thinjoshë s’prajnë dot s’rrënuari themelet!” (f. 81). Dashurinë e potit me Emirën e xhelozojnë, sepse: “Këngët tona lindin si yjet nga zjarrgjiri yt Emira”, ndaj për ta thotë: “Djajt janë tërbuar. Do na gëlltisin tmerrësisht nga mënia/ Kur në ne nxjerr pipthat dashuria e kuqe e përjetësisë” (f. 82). Megjithatë, kjo dashuri është një dashuri, tashmë, bashkëkohore. Poeti pret cingërrimën e telefonit nga Emira.Ai me të takohet. Ajo duket të jetë intelektuale dhe e kupton botën e poetit: “E shfletojmë së bashku Unazëfortën*). Ekzemplarin e parë/ Që sapo e morëm n’shtypshkronjë. Gëzim i papërshkruar”/ (f.85) dhe këto vargje janë trofetë që poeti ia dhuron të dashurës.

Femra dhe rrënuesit e dashurisë

     Poeti sikur bashkëbisedon me Emirën, për dashirinë, për momente të tyre, për ata që pas shpinës e rrënonin këtë dashuri, të cilët i quan gjarpinj, kameleonë etj. Emirën e quan ndonjëherë edhe motër (?) (shih vargjet në f. 88) që, mbase, mund të jenë edhe si përfytyrime të dashurive të mëhershme.Por, megjithatë, ka edhe kthesa në raport me këtë dashuri: “Përrallën e shqetësuar Emira kohës ia varëm lak në fyt” (f. 96), e zëri i saj e përcjell: “Nga ç’thellësi thërret zëri yt i heshtjes, zëri yt i mallit” (f. 96). E për dashurinë e perënduar poeti thotë edhe:”Përrallën e dashurisë dhe dhembjes do ta mësojnë/ Nipat e mbesat që do na shpallin heronj disfatash” (f. 99). Në ato rrethana, kur e dashura vuan, mbase për pamundësi për ta çuar më tej dashurinë, poeti i drejtohet me vargje ngushëlluese: “Errësirën largoje syve moj fytyrëzjarr, Emira hej!/ Largoi të zymtat… Largoje  atë dhembje të trishtuar!” (f. 103) dhe: “Vuajtja jote është pjesë e vuajtjes sime në shpirt” (po aty, 103). Ai e ka të dashurën edhe në punë. Këtë e tregon në vargun: “Çdo mëngjes kur e pijmë kafen së bashku duart preken” (po aty). Ai me të dashurën shëtit edhe në Greqi, ne brigje të Egjeut, etj…., sepse ajo, Emira, e ka robëruar: “Na afroi dashuria me zjarr e pa lutje/ Para shumë vitesh në këtë rrugë t’gjembuar,/ As më lë në rrugë as më largon tutje – më ke robëruar!” (f. 119). Mirëpo, sikundër që çdo gjë ka edhe fundin e vet, edhe kjo dashuri që kishte zgjatur për njëzet vjet, do të përfundonte, e këtë poeti e thotë në vjershën që mban për titull datën 19 shtator 1989: “Duhet të të harroj tash pas njëzet vitesh”, për të nisur me këtë varg të tri strofat e para, ndërsa në strofën e katërt të kësaj vjershe, poeti sikur rishikon arsyen e kësaj ndarjeje dhe pyet: “Pse të të harroj pas kaq shumë vitesh, pse?/ Pse t’mos vazhdojë deri n’vdekje dashuria?”, e për të përfunduar me përgjigjen: “Zemra s’plaket jo, po sikur nuk kemi nge - /Ç’është kjo moj Emira – vdekja a pleqëria?”(f. 121. Këtu pranon edhe faktin se: “Edhe dashurisë po i vika fundi papritur/ Andaj u dashka t’mësohem edhe me humbje!” (f. 122), por me bekimin që: “Le të përfundojë kjo dashuri e vepër pa skandal/…; E qiltër në shpirt, drithërimë e vogël n’fëmijëri!/Vështirë qenka dashurisë t’i vihet pikë, më fal –“ (f, 126). Dashuria e penguar, e mosrealizuar bëhet shqetësim i thellë shpirtëror, e kur përkujtohet bëhet mall që shtrëngon si ankth, bëhet mall përvëlues për poetin.                          

     Se libri me poezi “Emira” i Hasan Hasanit ishte një ditar dashurie, e thotë edhe vetë autori në katërvargshin e vjershës me titull “Fund”: “Sikur t’mos ishe Ti Emira për t’u dashuruar marrëzisht/ S’do të shkruhej ky ditar, s’do të rridhte kjo lirikë!/ Kundër nesh u ngritën kurrizorë, gjarpërinj me bisht/ Andaj lë t’jetë ky fundi – vargut dashuror i vë pikë!” (f. 127). 

     4. “GURDURIMI’ (1992). – Guri, në art, dhe jo vetëm aty, është simbol i qëndresës, i fortësisë, i rezistencës etj. Kjo fjalë ka hyrë në përbërjen e titullit të përmbledhjes “Gurdurimi”. “Vëllimi “Gurdurimi” i Hasan Hasanit përshkohet fund e krye me jone lirike, të ngjyrosura dhe me tone erotike. Në ngërthin e kësaj lirike të kulluar përshkohet në një farë mënyre edhe ai nervi (ashtu i padukshëm) i përditësisë së ngjethur, por që nëpërmjet përqimit të botës së thellë emocionale, arrin të shpaloset në të gjitha shtresat lirike. Është me rëndësi të theksohet se kjo poezi ndjek me një fanatizëm një lidhshmëri me traditën popullore të lirikës erotike, në një anë, por se edhe ritmin, metrikën e rreptë (tetërrokshi popullor), saqë rima, ritmi, ndjekin një muzikalitet të përveçëm çka e dallon këtë poezi si veçanti të hetueshme si ne opusin e tij poetik, po ashtu edhe në mbarë lirikën shqipe” – kishte thënë recensenti i kësaj përmbledhjeje vjershash, Beqir Musliu.

Femra e adhuruar dhe dashuria e pafat

     Drita, puhia, përgjërimet etj., në poezinë erotike të kësaj faze të krijimtarisë së H. Hasanit, përmbledhur në këtë libër, krahasohen me figura femrash që i kemi ndeshur, aty – këtu, edhe në vargje të librave të tjerë të këtij autori. Ja një krahasim i tillë,: “M’i ngjan Emirës moj puhi!” (f. 8), i cili edhe vargut i jep frymën lirike dhe thellësinë estetike. Vargu: “Pse kohështriga vret dashurinë?” (f. 9), është nga vargjet, i shprehur me fjali puetëse, që dëshmon se edhe në këtë libër hasim në mallkimet e poetit për ato që kanë penguar dashurinë. Ai, prapë i kthehet simbolit të tij, Emirës, me: “Më mirë është që t’kisha fjetë/ N’gjiun e vdekjes te Emira” (po aty). Ndërsa, nga një pozicion më i largët kohor, i këndon atyre përjetimeve të mira erotike, pra të ikura, të cilat kanë lënë mbresë të pashlyeshme, duke evokuar se: “Afër teje përherë kam bredhë” dhe prapë duke pyetur: “Dashurinë kush ma helmoi ?” (vj. Njollë e zezë, f. 11). Për ndjenjën e sakrificës së tij për dashuritë e pafat dhe të parealizueshme, në atmosfera të ndryshme të vetmisë, të vetmisë intime e poetike, shpesh në vargje, jo vetëm të këtij libri, përmend lakun. Vargjet e tilla na bëjnë të mendojmë se poeti ndonjëherë, mbase, ka dashur edhe të vetëvritet për dashurinë (?). Titulli i vjershës “Mal në mal e krua në krua”, përkon me vargje të traditës popullore. Poeti kthehet prapa si përkujtues, i këndon dashurisë së ikur, sepse nostalgjia nuk e lë të qetë: “N’ata sy e shartova dashurinë”, apo: “Malli krenarishëm më grishë”, e për këtë: “Sykëqinjtë u bënë shpuzë e hi” (f. 16). Ky ngushëllohet me ndonjë fotografi të saj: “Shikoj fotografinë që m’shikon”, ku i duket se: “Edhe n’fotografi më buzëqeshë”, që  i kishte thënë në vjershën “Mbarimi i fillimit”(f. 17), ku vërtet shprehen edhe sinqeriteti edhe vërragët, e pse jo, edhe adhurimi ndaj asaj dashurie. Ky adhurim edhe më qartas e më fuqishëm thuhet në vargjet: “I varrose dashuritë/ Pëllumbeshë moj zanë/ Ia them këngës çdo ditë/ Për ty o Diell e Hënë!” (f. 20).

     Të gjitha dashuritë, që për arsyena të ndryshme, objektive a subjektive, nuk mund të realizoheshin deri në fund, poetin sikur e shigjetonin, e vrisnin, i kishte ndjerë thellë në shpirt, ndaj thotë: “Ti më vrave si Emira/ O rreze që vetëtin” (f. 21), mirëpo. tash poeti Hasani na del edhe optimist, se do të vijnë ditë të mira, ku me një lirizëm poetik e shpreh këtë ndjenjë: “Shpresoj n’ditë të mira/ Ndoshta një ditë do vinë” (po aty).

Femra në portretizim poetik

Në vazhdën e këtij frymëzimi, poeti portretizon figurën e femrës duke pranuar se: “Ti m’vrave me bukurinë” dhe duke ia atribuar epitetet tradicionale që ndërtojnë bukurinë, si: syzezë, belkëputur, yll i ndezur, si flutur, flokartë, rrezedritë, si njalë, krahëdrapëri etj. Bashkë me këto, vargjet e këtij libri, marrin trajtën e vargjeve që përshkruajnë dhe madhërojnë bukurinë e femrës. Poeti, siç shihet nga vargjet, sikur ishte pajtuar me humbjet në dashuri, por nuk mund të shkëputet lehtë dhe nuk mund të durohet pa i thënë: “N’vargje m’u ke strukë” dhe pa e pyetur: “Pse rri larg ajo zemër/ Pse dëshiron t’më zhdukë?” (. 25), si dhe: “Më ike qiellit si xhitë” (f. 26), e për këtë humbje, thotë poeti pa u përmbajtur: “Më vjen të qajë si fëmijë” (f. 27). Vargje që paraqesin ndërlikime të botës shpirtërore. Poeti nuk bën emitime të thjeshta të ndjenjave, por vargjet reflektojnë ndjenjat reale që nuk përkojnë me frymëzime artificiale.

     Ndërkaq, në poemën “Motive drite” që ka 15 këngë, Hasani, femrën e fshatit e sheh më ndryshe dhe i këndon më ndryshe nga seç i kishte kënduar më herët: “Era fryn mbi puset/ Era fryn mbi pipat,/ Hedhin valle nuset/ Hedhin valle çikat!” (f. 33). Poeti, ndodh që ish - të dashurës t’i drejtohet edhe me: “Kur m’shikon t’vetmuar/ Mos t’vie të pëndohesh” (f. 41).

Femra në kujtesën e poetit

    Në vëllimin poetik “Gurdurimi” të H. Hasanit gjejmë edhe vargje që rikthejnë kujtesën e poetit në të gjitha vendet (bjeshkët, toponimet atje, Dushkaja…) ku ishin lindur e ritur dashuritë…, ku të gjitha ato vende për poetin kishin një simbolikë: d r i  t ë n  – d a s h u r i, apo  d a s h u r i n ë  -  d r i t ë:

“E ma quajtën bjeshkën dritë

 E ma quajtën grykën dritë

 E ma quajtën zjarrin dritë

 E ma quajtën afshin dritë” (vj. “Zjarr i eshkës”, f. 49).

      Kështu, i tretur në atë të kaluar, poetin shpeshherë e zë pasmesnata: “Po ç’paska ikur mesnata/ Unë i heshtur n’ballkon” (vj. “Një mbi një, f. 50).  Por, pasojat e dashurisë së perënduar janë të mëdha, e poeti nuk kursehet pa i thënë edhe: M’plagose, M’zanove, M’shitove, Më vrave, M’varrose, klithje me ngjyrime mitike, me të cilat poeti nis vargjet e para të pesë strofave të vjershës “Drenushë e plaguar”, (f. 59). Në vjershën “Gurdurimi”, titullin e të cilës e mban edhe libri, është vargëzuar ajo e dhemshmja poetike dhe estetike: “Kështu vjen fundi ngadalë/ I një dashurie a shikimi”, (f. 60), për të vazhduar edhe me: “I thellë qenka trishtimi”, “ E duron zemra edhe këtë gur” (po aty, f. 60). Në këto vargje, e të tjera si këto të këtij poeti, do parë të jetë funksionalizuar edhe dialektika shpirtërore. Ndërkaq, vjershën “Përshëndetje” e përmbyll me vargun: “Lamtumirë dritë e bukura dritë!”, me këtë varg të latuar e të njohur në retorikën poetike.                      

     Vlen të thuhet se autori, te përmbledhja “Gurdurumi”, ndonjëherë, sikur do ta thotë edhe atë të pathënën, atë klithjen e brendshme, dhimbjen shpirtërore, me anë të ligjërimit poetik, duke e materializuar idenë me energji krijuese. Ai përpiqet të pikturojë konturat e formës së jashtme dhe të brendhme të femrës që e dashuron, në raport me adhurimin, sakrificën, , paragjykimet, imagjinatën e tij, për të. Të gjitha këto, së bashku, mpleksin në vete një botë synimesh që kërkonte të shpie në realizim, megjithë disharmoninë dhe shpërputhjet e mundshme që sillnin rrethanat e asaj kohe. Siç kemi nënvizuar edhe më sipër, autori, aty-këtu, ka skicuar edhe elementin e tretë, të jashtëm, që në forma të ndryshe pengon, apo përpiqej ta pengojë atë dashuri, qoftë duke e injoruar, përfolur atë etj. Sepse kjo dukuri ishte pra një petk i gërditshëm në uniformitetin e universalës erotike, kurse akuza e poetit ishte një tingull aktual për atë realitet. Gjithashtu mund të thuhet se në vargjet e këtyre katër përmbledhjeve që për tematikë kishin dashurinë, e ku spikaten karakteret dhe figurat femërore etj., ideja dhe ligjërimi ishin ndërthurur dhe realizuar mirë. Fundja, kështu duhet trajtuar këtë aspekt në frymën e venerimit poetik, pa anashkaluar kohën e krijimit të tyre, gjurmët e ndikimeve, qenien estetike etj.

     Shënimet :*) Skënder R. Hoxha, Poet i trazuar (Bisedë me Hasan Hasanin), Art poetika, Pejë, 2007, f. 64; *) …Vep. Cit., …, f. 62 – 63;   *)…Vep. Cit., …, f. 95; *) Shih te përmbledhja me vjersha “Gurdurimi” e Hasan Hasanit, Shkëndija, Prishtinë, 1992, në kopertinë të mbramë, nga mendimi i recensentit, Beqir Musliu.  

                                                                                                                   (Gusht 2008)



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora