E shtune, 27.04.2024, 10:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Flet arkeologu, politikani Neritan Ceka

E enjte, 17.02.2011, 08:11 PM


Flet arkeologu, politikani Neritan Ceka

 

Ja mendimi im për Enver Hoxhën, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Fatos Nanon

 

Nga Albert ZHOLI

 

Dje në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u festua 70-vjetori i lindjes së arkeologut dhe politikanit Neritan Ceka. Në këtë ambient ishin mbledhur pjesëtarë të familjes, të afërm, akademikë, intelektualë, miq dhe shokë të Cekës. Në këtë veprimtari fjalën e hapjes e mbajti bashkëpunëtori i vjetër i Cekës, arkeologu i mirënjohur, Akademiku Myzafer Korkuti. Në këta takim festiv e morën fjalën dhe shumë miq, bashkëpunëtor të Cekës, shokë të fëmijërisë etj.. Në fund të aktivitetit, ekskluzivisht për “Telegraf”, zhvilluam një intervistë me z. Neritan Ceka, Akademikun Myzafer Korkuti dhe prof Doc Apollon Baçe.

 

Jeta mes studentëve dhe sportit

Sipas tij, njeriu që e ndjen veten tepër të ri, kërkon për shumë arsye të rrijë midis të rinjve. Dhe vetë Neritan Ceka gjatë gjithë jetës së tij është munduar të rrijë shumë kohë midis studentëve të tij. Edhe sot, ai vazhdon të jetë tepër aktiv, edhe pse  dje mbushi plot 70 vjeç, në shtatë dekada jetë që mban mbi supe gjithë koha e tij është e zënë me aktivitete të ndryshme politike, por dhe shoqërore e familjare. Është një njeri, i cili mundohet që të kalojë sa më shumë kohën me familjen e tij. Gruaja (Angjelina) për Cekën është personi më i dashur dhe më i afërt, po aq sa dhe dy fëmijët e tij, të cilët tashmë janë rritur. Ai tregon se gjatë ditëve kur nuk është i zënë me aktivitete politike apo shkencore mundohet të kalojë sa më shumë kohë me familjen e tij, duke shkuar së bashku në teatër, kinema apo edhe thjesht duke kaluar fundjavët në familje. i pëlqen shumë sporti. Gjatë rinisë së tij është marrë me sportet nga më të ndryshmet si volejboll, basketboll, alpinizëm dhe kërcime me shkop. Edhe sot që mbushi 70 vjet ai nuk e ka braktisur krejtësisht sportin, por e ushtron kur gjen kohën e përshtatshme. Kur koha është e mirë një vrap nga liqeni që herët në mëngjes është mënyra se si nis një ditë e bukur pushimi për të. Kjo për të është edhe një mënyrë shumë e mirë për të mbajtur trupin në formë.

 

Neritani politikan

Neritan Ceka ka plot 20 vjet që i është kushtuar politikës. Ai nuk është penduar se i është futur politikës, edhe pse mendon se është një profesion tejet i vështirë në Shqipëri.  Fillimisht është prezantuar nën emrin e Partisë Demokratike. Në vitin 1991 ka qenë Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe, më pas, nënkryetar i saj, në 1992 shkëputet nga PD-ja për t’u bërë President i Partisë Aleanca Demokratike, në 1997-1998 ka qenë ministër i Brendshëm, ndërsa nga 1998 deri në 2005 ka qenë Kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Gjatë periudhës që ka qenë ministër i Brendshëm ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për vendosjen e stabiliteti në vend pas kaosit të krijuar në vitin 1997. Gjatë gjithë karrierës së tij politike ai ka treguar se ka qenë një njeri shumë i ekuilibruar dhe në radhë një intelektual i mirëfilltë, para se të ishte e politikan. Aktualisht, ai është Këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha. 

Arkeolog

Ajo që dihet nga të gjithë është se në radhë të parë Neritan Ceka, përveç si politikan njihet edhe si arkeolog. Arkeologjia është profesioni i parë dhe më i dashur i tij. Arkeologjia është për të një pasion që i ka lindur që në fëmijëri. ku ai ka shoqëruar nëpër ekspedita babanë e tij, arkeologun e njohur shqiptar, Hasan Ceka. Si duket babai i injektoi dëshirën për të kërkuar dhe për të vizituar vende të ndryshme që janë të njohura për ndërtimet e tyre monumentale dhe arkeologjike. N.q.s shikon veprimtarinë e tij në arkeologji, që nga viti 1985-1990, Ceka ka qenë shef i Departamentit të Arkitekturës në Institutin Arkeologjik dhe që nga viti 1990-1993, Drejtor i Institutit Arkeologjik. Ai ka shkruar dhe një sërë librash si "Qyteti ilir pranë Selcës së Poshtme" vitin 1985, "Arkeologjia: Greqia, Roma, Iliria" në vitin 1994. "Ilirët" në vitin 2001, "Apollonia e Ilirisë2 në viti 1982, "Butrinti" në vitin 2001 dhe "Bylis" në vitin 2004. Neritan Ceka tregon se ka dhe të tjera shkrime, të cilat presin të përfundohen në kompjuterin e tij. 

BOX

Sukseset, por dhe vështirësitë më mëdha për Cekën si politikan

Kthimi i turmave në urën e Lanës, gjatë ndryshimit të e sistemit

Evitimi i një puçi ushtarak në Shkollën e Bashkuar

Marrëveshja e 9 marsit 1997


Në këto shtatë dekada jetë si e shikon të kaluarën?

Kam jetuar në dy shekuj shumë të rëndësishëm të historisë botërore, në shekullin e XX dhe atë të XXI. Shekulli i XX ka pasur zhvillimet më interesante botërore pasi janë zhvilluar dy luftëra. Unë e kam jetuar Luftën e Dytë Botërore. Kam lindur në vitin 1941 dhe në fund të luftës në vitin 1944 kam qenë tre vjeç. Pikërisht në këtë fundlufte kujtoj se, babai desh u vra brenda shtëpisë nga copërat e një mortaje gjermane që shpërtheu aty afër. Disa copa hynë brenda shtëpisë dhe goditën dollapin dhe bërrylin e sobës. Aty afër ishte babai. Ai shpëtoi për mrekulli. Kujtoj vitet e gjimnazit, garën për hartime, shokët e shkollës. Por do të veçoj kur kam shoqëruar babanë në shumë ekspedita arkeologjike, lëvizje që më bënë ta dashuroj këtë profesion. Kur kam qenë njëherë në Bylis, pranë rrënojave të qytetit antik dëgjova disa ish -partizanë që i thoshin njeri- tjetrit: “Përse luftuam, për një copë bukë?!”. Dhe më tej kur kam hyrë në Fakultetin e Histori Filologjisë kur ai u hap për herë të parë. E kujtoj me nostalgji periudhën e shkollës së lartë. Të gjithë pedagogët tanë kishin mbaruar në Vjenë (Eqerem Çabej, Aleks Buda) dhe ime shoqe Angjelina më thotë se ti ke mbaruar një aneks të Fakultetit të Vjenës. Kur flas për bashkëshorten time nuk mund të lë pa përmendur se si ajo nuk erdhi në takimin e parë sikurse, kujtoj gjithë jetën time me të, që më është gjendur pranë dhe më ka dhënë forcë.


Në këto 70 vjet jetë, n.q.s do t’i bëni një bilanc të së kaluarës dhe së tanishmes keni menduar se keni gabuar ndonjëherë?

 

Kam gabuar vetëm në diçka që, dikush do të thotë pse ka gabuar Ceka?! Po, kam gabuar kur kam humbur kohë, në këtë pikë kam gabuar. Ka pasur momente që kam humbur pak kohë që s’duhej ta humbja. Ky është i vetmi gabim që nuk korrigjohet, N.q.s shumë gjëra të tjera korrigjohen ky gabim nuk korrigjohet. Pra është më shumë se gabim.

 

Kur mendoni se e keni humbur këtë kohë?

Ka qenë pak nga pak. Jo menjëherë. Çdo njeri ka moment bosh. Dhe në këto 70 vjet shoh që vërtetë kam pasur disa momente të caktuara që e kam humbur kohën kot.


Arkeolog, pastaj politikan. Mos vallë jeni penduar që jeni marrë me politikë?

Pjesëmarrja ime në politikë ka qenë një periudhë angazhimi si ai që del në miting. 
Nuk jam penduar kurrë për motivet që më shtynë të merrem me politikë, që ishin kryesisht motive të idealizmit, si bashkimi me studentët në dhjetor të 1991, shpresa për ta bërë shpejt Shqipërinë si gjithë Evropa, ideja për të ndërtuar një shoqëri të pasur dhe të lirë. Dihet atëherë, ne dolëm në rrugë me moton “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Sot mbusha plot 70 vjet dhe 20 vjet në politikë nuk janë pak. Në këto dy dekada në politikë mund të them që kontributi është i ndjeshëm. Hyrja ime që në fillimet e demokracisë për përmbysjen e statujës së diktatorit ndoshta ishte edhe një shans që i jepet njeriut që në një moment të jetë aktor i historisë, të ketë mundësi ta lëvizë atë dhe jo të jetë thjesht lexues i saj. Kur kthej kokën mbrapa mund të them se në jetën time politike ka pasur vërtetë momente që kam ndikuar pozitivisht.

 

Pikërisht mund të përmendim orientimin e turmave në Urën e Lanës?

 

Ka qenë një moment delikat. Çdo lëvizje e tepërt mund të ishte katastrofike. Kthimi i turmave në Urën e Lanës ishte një moment që ndoshta ndaloi shumë trauma. Sot të duken të thjeshta, por po t’i shihje, dje, vështirësitë ishin të shumta, pasi vetë ngjarjet ishin shumë të tensionuara.

 

A keni pasur mundësi të takoni Enver Hoxhën dhe cili është mendimi juaj për të?

Enver Hohën e kam takuar vetëm njëherë kur kam qenë Drejtori i Muzeut në Elbasan. Nuk kam krijuar përshtypje të mirë pasi ai mundohej të imponohej, mundohej të tregohej inteligjent, si njeri i përgatitur. Donte të fliste për gjithçka dhe të hiqej kompetent, Pra ishte një njeri fodull. Ky ishte takimi im i parë dhe i fundit me diktatorin.

 

Tashmë këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha. Mendimi juaj për të?

Është ndër politikanët më të spikatur shqiptarë në këto 20 vjet. Është një politikan që di të veprojë në situata emergjente. Por mbi të gjitha është një politikan shumë serioz që punon 16 orë në ditë, Berishën e gjen dita- natë në punë.

 

Kundërshtari i tij Edi Rama..?
Nuk është politikan profesionist.

Ç’do të thoshit për Fatos Nanon?

Një politikan që nuk u ngjit asnjëherë në shkallët e një politikani të vërtetë, serioz rezultativ. Tashmë ai është jashtë politikës. Është inteligjent.

Sigurisht marrja me politikë ju ka privuar disa gjëra?

Natyrisht! E ndjej se në shumë raste më është dashur t’i largohem disi familjes, punës me arkeologjinë, me studimet dhe me studentët, librave. Kaloj shumë kohë në Kryeministri, në parti, duke humbur kështu dhe një lloj lirie personale, sepse në të tëra sjelljet jam i mbikëqyrur. 

Një kohë të gjatë më politikë i jeni larguar profesionit tuaj të dashur, arkeologjisë?

Aspak. Marrja me politikë nuk e ka zbehur, apo s’më ka larguar nga profesioni im i parë dhe më i dashur, arkeologjia. Unë sërishmi punoj, lexoj, studioj, marr pjesë në aktivitete, apo Simpoziume për arkeologjinë.  Aktualisht, realizoj vizita të vazhdueshme në monumente arkeologjike, bisedoj me studentë apo me ish- studentë, jap leksione sikurse botoj. Botimet siç është libri "Ilirët", por dhe librat që kam shkruar ndërkohë për arkeologjinë, për mbishkrimet antike të Apollonisë libra të karakterit shkencor popullor siç janë librat për Apolloninë, për Butrintin, për Bylisin tregojnë angazhimin tim për arkeologjinë. 

Me se merret në kohën e lirë Neritani?

Ndjek emisionet politike në televizion, lexoj intervistat në gazeta, shkruaj, mbaj shënime. Mendoj për ndonjë vepër të re.

 

Po kalojnë 20 vjet tranzicion dhe përse vihet re një linjë ende e ashpër në politikën shqiptare? Çfarë i mungon kësaj politike?

Pasi politikës shqiptare i mungon profesionalizmi, qytetaria.. Politikanët shqiptarë nuk kanë studiuar për këtë politikë. Në një vend si i yni duhet që politikanët të jenë më të matur, më të qetë, më konkretë, për të parë me sytë nga e ardhmja.

 

Prof. Doc Apollon Baçe

 

Kam shumë vite që njihem me Neritanin. Në gjithë këto vite njohjeje kam parë një njeri serioz, një njeri punëtor këmbëngulës. Vepra e tij në arkeologji tashmë nuk njihet vetëm brenda vendit tonë. Ai është një arkeolog me përmasa Europiane dhe më tej. Por edhe në politikë Neritani veçohet. Është shumë gjakftohtë dhe racional.. Ai ka marrë pjesë në lëvizjet e para për demokraci, ku ka luajtur një rol jo të vogël. Në këtë 70- vjetor ai vjen me shumë rezultate.

 

Akademik Myzafer Korkuti

Them që kam mbi 45 vjet që njihem me Neritanin. Me të kam të njëjtin profesion. Jemi të dy arkeologë. Bashkë kemi ndarë të mirën dhe të keqen. Profesioni ynë është një profesion i vështirë. Një profesion që duhet lëvizje. Një profesion që kërkon studim, këmbëngulje, inteligjencë. Unë mund të flas shumë për punën tonë, për momentet, për lëvizjen nëpër ekspedita, për pjesëmarrjen në Simpoziume apo Konferenca Shkencore. Librat e Neritanit për arkeologjinë kanë lënë gjurmë dhe jashtë vendit ku ato e kanë lartësuar emrin e Arkeologjisë shqiptare dhe të vetë autorit. Në njohjen time me të kam parë një njeri praktik, i dashuruar me punën, njeri që të gjendet në vështirësi, i sakrificës dhe korrekt. Profesionin ai e ka trashëguar nga i ati që mbetet një ndër arkeologët e parë shqiptarë që hapën trasenë e arkeologjisë shqiptare. Pas viteve 1990, Neritanin e shohim në dy plane si arkeolog dhe si politikan. Në të dyja fushat Neritani ka qenë rezultativ dhe korrekt. Në këtë 70- vjetor ai vjen me një bilanc pozitiv që mendoj se, duhet ta rrisë më tepër në të ardhmen duke anuar nga arkeologjia, profesion që e formoi si intelektual dhe që e bëri dhe një politikan ndryshe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora