E shtune, 27.04.2024, 08:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Organizohet në Shqipëri “Java e kulturës japoneze”, 14-20 shkurt 2011

E premte, 18.02.2011, 08:20 PM


“Fuqia e harmonisë”, një lidhje e re e kulturës shqiptare me atë japoneze

 

Ambasada e Japonisë për Shqipërinë me seli në Romë dhe Zyra e Konsullit të Japonisë në Shqipëri  me Konsull z. Avni Ponari, në një Konferencë për shtyp të dhënë dje në ambientet e Hotel Tirana International njoftuan organizmin  e javës Kulturore Japoneze në Shqipëri në datat 14-20 shkurt 2011, nën kujdesin e qeverisë shqiptare dhe me mbështetjen e fondacionit japonez, JTI, Teatrit të Operës dhe Baletit, Akademisë së Arteve të Bukura. Në këtë Konferencë  mori pjesë dhe z. Seihiiro Takashi, Këshilltar Përgjegjës për Çështjet Kulturore Publike në Ambasadën Japoneze për Shqipërinë, z. Zhani Ciko, Drejtor i TOB-it, z.Petrit Malaj Rektor i AKAB, Andi Nano, përfaqësues i JTI. Pas kësaj Konference ekskluzivisht për “Telegraf” zhvilluam këto biseda:

 

Avni Ponari, Konsull i Nderit të Përgjithshëm të Japonisë në Shqipëri

 

Gjykoj që realiteti  ynë  kulturor ka patjetër nevojë që të ballafaqohet dhe me kulturën e një shteti të fuqishëm siç është Japonia. Pra në këto aktivitet të kulturës japoneze në Tiranë do tregohet jo vetëm fuqia ekonomike e një vendi të zhvilluar siç është Japonia, por edhe kultura e këtij vendi pak i njohur në Shqipëri në këtë dimension të ri. Ky vend ka dhe një fuqi të madhe kulturore, ku ne do të mund ta shohim në këtë javë. Deri më sot mundësitë tona nuk kanë qenë në ato nivele në ato lidhje që të ballafaqoheshim me këtë kulturë. Në këtë javë do të shfaqen koncerte me instrumente tradicionalë në TOB, ku do të japë shfaqje grupi më i shquar japonez “Wariki”; do të shfaqen dy filma të suksesshëm japonezë ( të suksesshëm jashtë vendit);   një film i animuar etj.. Dua të them se disa nga filmat japonezë që do të shfaqen kanë zënë disa çmime. Ndihem shumë entuziast se kjo javë do të jetë një javë e bukur, jo vetëm për publikun shqiptar, por dhe për vetë artistët japonezë, të cilët si për herë të parë do të gjejnë një ambient të ngrohtë, të cilën ndoshta s’e kanë menduar. Tirana është një qytet artdashës që di ta vlerësojë kulturën e një vendi të zhvilluar siç është Japonia.

 

Zhani Ciko, Drejtor i TOB-it

 

Java e Kulturës Japoneze në Shqipëri është (apo do të jetë), një aktivitet me rëndësi pasi po reklamohet apo propagandohet një kulturë pak e njohur për ne. Ne kemi njohur pak a shumë letërsinë, filmat japonezë. Por sot në këtë konferencë do të flitet për një aktivitet njëjavor të shtetit japonez me një vizion më të gjerë multikulturor, ku një promovim i tillë është hera e parë që po jepet për Japoninë në Shqipëri. Do të ketë koncerte, mbrëmje muzikore në Teatrin e Operës, ku do të japë shfaqje një grup shumë prestigjioz që është zgjedhur apostafat për të promovuar kulturën japoneze. Me këto aktivitete shikohet qartë se, ne shqiptarët jemi shumë të interesuar për forcimin e marrëdhënieve. Japonia është një vend që ka një konsum të madh kulturor në botë, që e ka këtë konsum shumë cilësor dhe me përmasa të mëdha. Sallat që ka Japonia në (sallat e shfaqjeve) janë nga më të mëdhatë në botë, por njëkohësisht ajo ka dhe një publik shumë të kulturuar që i përmbledh në mënyrë të saktësuar këto shfaqje. Në këtë aktivitet ne do shkëmbejmë kulturat tona, por në radhë të parë do të njihemi me një nga pjesët kryesore të kulturës shumëdimensionale të këtij vendi shumë të zhvilluar.

 

Petrit Malaj, Rektor i Akademisë së Arteve

 

Jam i nderuar dhe i privilegjuar që marr pjesë në promovimin e këtij aktiviteti, një aktivitet i nivelit të lartë që mbështetet nga TOB, Akademia e Arteve, TVSH, Konsullata Shqiptare. Ky aktivitet është në vazhdën e shumë aktiviteteve që qeveria japoneze ka marrë apo angazhohet në vendin tonë, një vazhdim i investimeve që qeveria japoneze ka bërë në Shqipëri. Kam parë programin që do të zhvillohet dhe shoh se është një program premtues, i ngjeshur, me shumë performancë që do të jetë në interes të publikut shqiptar. Akademia e Arteve i ka hapur dyert me shumë kënaqësi që ky shkëmbim kulturash të jetë në interes të të dy vendeve Për mëse një javë Tirana do të njihet me një kulturë të re që pak është njohur deri më sot, ku ka ç’të marrë prej saj.

 

Andi Nano, Përfaqësues i JTI

 

Në emër të Japan Tobaço International do të doja të shprehja që ndjehem i nderuar sot dhe gjithashtu të shprehja kënaqësinë time që marr pjesë në këtë eveniment kaq të madh kulturor, i cili do të lidhë më shumë Japoninë dhe Shqipërinë. JTI është e angazhuar të jetë një nga promotorët kryesorë të kulturës japoneze në Shqipëri, me dëshirën për të prezantuar traditat dhe kulturën e këtij vendi mik për publikun shqiptar.

 

Ne besojmë që roli i kompanive të mëdha është të ndihmojnë zhvillimin në vendet, ku ato operojnë dhe për këtë arsye ne përpiqemi sot për të pasuruar skenën kulturore shqiptare. Në nderim të rrënjëve të saj japoneze, Japan Tobaço International, në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Romë, është e angazhuar të promovojë kulturën japoneze në Shqipëri dhe artistët, kreativiteti i të cilëve fshin kufijtë ndërmjet vendeve dhe lidh kultura të ndryshme, ashtu si “Wariki” do të lidhë Japoninë dhe Shqipërinë në mbrëmjen e ditës së premte.

 

 Emri “Wariki” do të thotë “Fuqia e harmonisë”, e kështu do të jetë një harmoni midis artistëve dhe audiencës, Japonisë dhe Shqipërisë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora