E shtune, 27.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Vaso Papaj: Poezi nga vëllimi "Mbeta mik me shpirtin"

E diele, 20.02.2011, 08:28 PM


Vaso Papaj

 

Poezi nga vëllimi "Mbeta mik me shpirtin" botuar së fundi nga SHB UEGEN.

 

 

“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”

 

Ca jetojnë nëpër barraka,

vilat ca s’dinë ku i kanë.

Cave peshku i vjen me barka,

ca dhe bukën han me gram.

Ca kanë vapë nëpër pishina,

ca shtëpinë e kanë pa ujë.

Ka që blejnë ç’far’ ka vitrina,

ca pse lypin bëjnë aq bujë.

 

Ca shtëpinë në lloto humbin,

ca një shtrat  nuk kanë përjetë.

Ca  për paqen po luftojnë,

paqe s’kanë në shtëpin’ e vet.

Ca kërkojnë pensione lufte,

kur s’kanë mbushur shtatëdhjetë.

Ca mbajn’ frymën me një qindëshe,

ndonse derdhën djersë një jetë.

 

Ca që thone:” Kapni hajdutin”,

antifurte kanë nga dhjetë.

S’i zë gjumi natë e ditë,

mbrojnë  atë që kan’ vjedh vet.

Ca me qumësht vetëm lahen,

ca për foshnjet s’kan’ një gotë.

Disa  zemër nuk kanë fare,

ca veç zemra gjuajnë sot.

 

Ca ndërtojnë në tokat arë

dhe kërkojnë bukë në Pazar.

Ca ndërtojnë brenda në det,

që ta pijnë dhe detin vet.

Disa bëjnë duva dhe lutje

dhe moralin flakin tutje.

Ca lexojnë te dora fatin,

dyqint  n’orë me Benzin kapin.

 

Këto, Kroninin më kujtojnë,

“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”

 

 

Requiem për një takim të humbur…

 

Rastësisht u pamë  një mbrëmje

Sytë mbërthyer te hiçi, mbaj mënd

Përmes errësirës seç kishe, nxitoje

Dhe un’ kisha aq shumë për të  thënë.

 

Pranë më kalove dhe diçka belbëzove

Si me guxim e përfole fatin tënd

Të dëgjoje fjalët e mia s’ ndalove

Megjithse të doja atëher me gjithë mënd.

 

Buzqeshe dhe “natën e mire” më urove

Ta ktheva: prap do të shoh në një vënd

Por ti nëper  terr pa ndjerë  u largove

Megjithse të doja atëher me gjithe mend

 

Këtë nat’ të gjatë, në ca orë  vetmie,

sa herë të pyes, përgjigje s’ke dhënë.

Dua të të shoh, të të shoh prap’, dije.

O Zot, kisha aq shumë për të  thënë.

 

 

Ti je ëngjëlli im

 

Ç’emocion provoja, kur në krahë më ngrije.

Aroma jote nënë, thesar i rrallë  në botë.

Si prehesha aq thellë, në sytë e tu plot hije,

në mëndje ngulitur  i  kam  edhe sot.

 

Dhe dimrave pafund, në atë bodrum me cikma,

jorganin ma tërhiqje, gjithnjë më lart’ mbi sytë.

E nëse qielli i egër lëshonte zjarr dhe klithma,

në shtratin tënd të ngroht’, me gaz më fusje zhyt.

 

Ma kishe bër’ zakon, të zgjohesha me gjelat,

të përsëritja lëndët e ditës në vijim.

Më rrije përmbi kokë, më krihje kaçurrelat

e m’dukeshe gjithmon’ si ëngjëll në fluturim.

 

Në ndihmë të cilitdo të shihja, nëna ime.

N’ atë rrugicë të  bardhë  buronte dashuri.

Kalove  kohë të errta, mëngjese pa agime.

Më shumë se ëndërra moshe, ti njohe pleqëri.

 

Të mbijnë syt’ andej,  rrugicës  nga ku vija.

Sa shumë dëshëroje  t’ isha unë dikush.

Kur koha më largoi  me vite nga shtëpia,

me letra të melhemta një sirtar m’u mbush.

 

Po sot atë sirtar me çelës e kam mbyll.

Nuk dua që fëmijët  të kthehen tek e vjetra.

Kur portat na i mbyllën, me nga një vulë në dyll

dhe unë vajtoja gjatë nga njëra port’ te tjetra.

 

Nuk dua të të kujtoj si ëngjëll në lartësi.

Nuk dua të të shoh me thinja, me të zezë.

Fotografinë e vajzërisë e mbaj mbi skrivani.

Mirësi më jep dhe forcë, e më rrit  shpresë.

 

E sot, ngado që shkoj, përher’ të ndjej si shpresë.

Ti ëngjëll më qëndron mbi kokë gjithnji.

Kështu do të mbaj mënd, gjer ditën që do t’vdes

O këngë e jetës time,  ninull plot mirësi.

 

 

Ushqyem shpresa të mëdha

 

Si zogj të trembur u shpërndamë,

nga toka, ajri e deti.

Ushqyem shpresa të mëdha,

tashmë asgjë s’na mbeti…

 

Si ikëm, vallë, atë korrik!?...

Të heshtur, qëmenatë…

Ca në Europë , ca n’Amerik’,

të etur për pak  fat.

 

Vështrimin humb në horizont

O Zot, sa vjet kaluan!?...

Sërisht i njejti jam dhe sot,

për fëmijët edhe për gruan…

 

Si zogj të trembur u shpërndamë,

nuk ka më lot poeti.

Me shpresë të ndezur kudo vamë,

Në xhep një gur na mbeti

 

 

Ai që ikën

 

Ai që ikën ësht’ gjithmon’ i skllavëruar

Ai që ikën  dhe më i forti ësht’ gjithmon’

Ai që ikën mbetet prap i përmalluar

Ai që ikën, vetë Zoti e kërkon…

 

Ai që ikën nga brenga zë e tretet

E brenda nesh një mall na ndez më shumë

Ai që ikën në zemrat tona  mbetet

Ndaj na ndodh shpesh ta shohim dhe në gjumë.

 

Po unë nuk ika, kur ti më the të ikja

Më mirë kështu, të ishim pranë e pranë

Isha i dobët, e nuk më linte frika

Prandaj dhe mbeta si varkë në oqean.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora