E enjte, 08.05.2025, 12:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Letër mikut tim intim

E marte, 22.02.2011, 08:30 PM


Shefik Shkodra

 

PËR SHMINKAT TONA

 

Letër mikut tim intim,

 

Nuk e di a më beson a jo. Po krejt çka po më mundon, ty po t’i drejtoj. Si e di, moti jemi marrë me këto përshëndetje, andej e këndej, i merr era fjalët edhe këngët jehona. Edhe letrat nuk e gjejnë të zotin, atij që i adresohen. Por, gjithqysh, po ta përgatis këtë fletë që ta lexosh, atëherë kur je më i kthjelltë! I mënjanojmë Meditimet e dikurshme të poetëve botërorë. Lëri edhe mjerimet e poetëve tanë migjenian. Mos, mos...as Bejtexhinjtë shqiptarë as romantikët e humanistët. As simbolistët e kubistët as këta këtu e atje. Aq pak hapësirë. Amon, sa shumë ngushtime. S’ke kah kapërcen. Fryma të merret. Kokëdhembje në pritje. Pritja e gjatë për të gjitha të priturat. Kemi shkruar për Pritjen qe nga vitet e shtatëdhjeta. Dikush ishte më i hershëm në këtë botë. Tashmë nuk ekziston. Të gjata u bënë edhe shkrimet për pritjen. Dhe ka moti kohë që ka humbur fitili i auditoriumit për aforizmat e anekdotat. Krijohen kthina të errëta. Aty zë vend myku e merimanga. Pa shtegdalje. Durimi i gjatë duke u përpjekur  për ndërtim urash përditshmërie. Nëpër katarakte kohe përplasje. Ku bie, si në një tunel të zënë. Kllapi. As ëndërr as zhgjëndërr. Në përpjekje për të dalur në dritë, gazërat e prishura qëndrojnë mbi kokë. Ndonjë krrokamë sorre herë-herë në etërin e ngushtuar, larg. As një zë i ri. As një këngë shpirti që të deh e të hjek të gërryerat teorike-sterile. Të gjithë të rinjtë i mplakin zërat e sirenave. As një hap deri te porta e përrallës. As një shpërthim gurgullime në ngecje. Të gjitha pragjet të zënë me grumbuj plehrash. Me grumbuj “rreckash” kohore. Hartime shkollore të fëmijëve. Grafite të thyera e të ardhura muranash. Çdo ditë, çdo çast të përseritshme. Detyrë shtëpie pa përmbajtje. Të angthta. Lakror barnash të vjetruara. Të ftohura e bajate. Të neveritshme. Të gjithë kalorësiakë pa një mullar. Çdo natë, në gjumë vonë, kllapi e një ëndërr e okertë. Ngjyrë që t’i prishë trutë. Për mëngjes përpjekje për të gjetur atë shteg të panjohur. Nuk e përzien dot kudo shkrimin. Kot. Të merr malli të pushosh nga sëmundja e ulcerës. Vetëm ndonjë çast, thua pres. Vetëm ndonjë frymarrje javore, ditore a një ore. Të gjitha i çel drita me një gatitje, me një kallëp, me të njëjtit tituj. Me të njëjtat figura që i bëjnë e ribëjnë. Krejt njësoj imazhet në pasqyrë. Vetëm karikatura në asimetri: e shtojzovalleve të përkohshme, po dhe figura të pa dimensione biologjike, katallan e shkurtabiq, lepuj të kuq e të përhirtë, ujqër gjithnjë të uritur, dhelpra të stërvitura...qen rrugësh të tërbuar. Të lëmerisin. Të ngacmojnë e të shndërrojnë në memec. Krejt të mençur, asgjë të vetën e nga vetja. Vetëm imitime e kakofoni intime. Ashtu, si me drogime, shfaqje në formë njëtrajtëshe. Sikur prindërit i pajtonin, dikur, fëmijët e tyre me dhunë, pas shkopit me ndonjë sheqerkë. Duke iu thënë, s’keni për të qajtur, qeshni, këndoni! Me zor. Dhuna shpirtërore e ha gurin. Si ndryshku që ha metalin. Një vrimë, dy vrima...bosh. Si “Fyelli i Naimit”,  që, “Krahërorë e kam çpuar/E kam bërë vrima vrima,/Dhe kam qar’ e kam rënkuar/Me mijëra psherëtima!” Dhe kujt! Kokat kosh me përfytyrime të kategorive të shumta gramatikore. Askush nuk sheh njëri-tjetrin. Të gjithë përpiqen të vëjnë nga disa palë shminka në ditë. Edhe “Nusja e Dardanisë” e mbuluar me duvak u harrua. Edhe krushqit nuk di...Të gjithë ecin e nuk dinë kahen. Kush i di varret, veç Legjenda që na ka mësuar për to. Asgjë nuk prekin. Në këmbë janë, po pa qëllim drejtimesh. Me një mendje që del nga uni e është unë dhe vetëm Unë. Cilin ta prekësh, “të ka prekë zana”, se, të “paprekshëm” janë. Asgjëja prej asgjëje krijon vetëm Asgjënë. Edhe morrat e coftë janë ngrit dhe po grimcojnë lëkurë e nerv njeriu. Po. I nderuar, morri ringjallet. Sikur nga erërat fëlliqura. Vdekjet janë të heshtura. Ik njeri nga meditimet si barut i lagur. Turru, përqafoje zonjën në “Dans Macaber”, a të pëlqen! Sogjetari syqutë mbi Kambanoren nën kupolë të plumbtë. S’e heq gishtin e habisë nga goja. Merre mbushe një fjalkryq, nëse i mbush katrorët e padukshëm. Vrima injorimesh ...Amon Zot, shumë pakurrizorë! Këtu e sheh me një fytyrë, në kthesë merr pamje të tmerrshme. Të çmendë. Kor i pagjumësisë të rri te nënkresa. Në xhepa e në gji plotë thnegla. Të djeg lëkurë e asht. Fjalët si pije të prishura, të tharta. Rri e prit çka qesin në dritë “rreckamanët” me “rreckat” e tyre: as një të kripur. As një natyrshmëri. Veç dërrasa të lëmuara. Fytyra të gravuara. Marangozë të përfeksionuar! Gati dyert, (pa) me dalje?! Dhe kështu, “grij ujë në havan” se, nata është me hënë. Se dashnoret e përbuzura po kthehen koteceve, në vendshtrojat e veta të pa skajuara. Të lënë nga gjendja e mbrëmshme shkordhyese. Dhe gjithherë pa fshirë e rregulluar. Pa ditur asgjë për njëri-tjetrin – Dashuri! Dimë për kronikat e zeza në Avganistan, në Irakistan,  e...stan e për ...stan. Dimë edhe për kërrokamat e ndonjë shpejdahu a i tebdilosur te guri i vatrës. Dimë edhe për dreqin imitues të mullinxhiut.  E, i presim (veç pritje) Orët e Maleve të na këndojnë bukur këngë joshëse. Të na i sjellin mendtë e njeriut. T’i zhveshim lëkurat, shtat’qind lëkurat e dreqit.  Gëzuar e u lumrofshim me qefe e efe të argjendta – ëndrralla! Panlaverë të dashur, udhërrëfyes motesh! Mos i rrëmbeni lugën bashkëjetonit! Atij që keni përbri. Nëse s’ka bërë vëllavrasje mbaje! Bëhuni pakëz vlera e frymëmarrjes. Zgjidheni një kënd djerrine në sipërfaqe të dukshme për ta ruajtur nyjën e litarit. Të mos harrohet Golgota shqiptare! Të ketë një trohëz dalje me “llafe”  shpirti nga autoktonia. Të rritet mëshirimi se, njerëzit ngritin urat dhe rrafshojnë muranat. Vetëm ata që kanë nën sqetull peshën e ndjeshme të kësaj toke dhe zemrën e begatshme...natyrshëm për kuptimin e jetës –Të Fala shumë (meqë nuk i pranon dikush ndryshe), atëherë: me Rubaira Khajami!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx