E enjte, 08.05.2025, 12:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Vaso Papaj: Janë të tilla dashuritë

E marte, 22.02.2011, 08:05 PM


Vaso Papaj

 

 

Janë të tilla dashuritë

 

Dymbëdhjeta ra ngadalë

Dritat flenë nëpër  lokal

Sa mezi na del një fjalë…

Eja mik, të kam në zemër

Pse më hedh vështrime shtrembër

Dhe më pyet: Brodhe botën?

Ç’ far’ të them?... Pa mbushma gotën.

 

Mbushe dhe një gotë për vete

Të këndojm’, kemi siklete

Ule radion, le t’ ia themi

Këngë të vjetra, xhan i kemi

Nga ato që vetëm flasin

Dashurinë në shpirt e ngasin

Si me thikë në gjoks godasin

 

Dhe thërret kjo zemra ime

Po zërat mezi dëgjohen

Jepmë dhimbjen, dritën time

Ah, k’ ta gjela, pse nuk zgjohen?!...

Brenda gotës seç pikokan

Pika loti s’u mbarokan

Verës ngjyrën ia kthjellokan.

 

Dashuritë të tilla janë

Kush mërzitet rrin mënj’anë

Si udhëtarët, udhëve mbesin

Llogari pashlyer tresin

Eja mik, ta ngrem’ një gotë

Mos më hidh vështrime kot

S’e ndryshojm’ ne botën dot…

 

 

Seriozisht…*

 

A mund të jem me ty, vallë?...

Ti je në ushtrinë e të pandershmëve

E ke  blerë  nderin fshehtësisht…

Dua të mbetem kështu,

sa të jem gjallë,

mes të thjeshtëve.

Ta pi kafenë pa bisht.

 

O budallë!

A mund të blihet nderi, vallë?...

Do të vuaj ky qytet nga të ndershmit si ti

Po derisa të tillë i ka shpall,

le t’i var në qafë si stoli.

                                            

Mjaft më!

Nderi duket në ball,

jo në kafenë me bisht.

Po ta them këtë seriozisht.

 

*Atij që blen dhe  shet tituj nderi.

 

 

Mik apo vëlla

 

Në pyll të errët ishe, murlanit kur iu sule

Nga shtegu i pa fund ëndërroje shetitore

Shkopinjë të ran’ përmbi, po gjunjëve kurr’ s’u ule

Se zjarr e kishe shpirtin, dhe zemrën një shenjtore

 

 U çvate  fashat plagëve, mbështolle qiellin blu

Dhe jeta të përqeshi, po ti nuk u frikësove

Kërkoje ti durimin, ndryshimin dhe këtu

Pasioni bën çudira, çudirat i besove

 

 Ndaj eja, qesh tani, në ndizet dritë jeshile

Pranë do t’ më kesh, përherë, mik  apo  vëlla

Miqtë duken furtunës, kurr’ nuk të bëjnë hile

Servilët kur lind dielli dhe kur probleme s’ka



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx