E enjte, 08.05.2025, 12:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Thanas L. Gjika: Për tregimin “Biri i kulakut” të Agim Bacellit

E marte, 22.02.2011, 08:57 PM


Për tregimin “BIRI I KULAKUT” të Agim Bacellit

 

Nga Dr. Thanas L. Gjika

 

Tregimin Biri i Kulakut të shkrimtarit Agim Bacelli (Agideba) e lexova në forumin “Bota e Re”. Për të shuar kuriozitetin e lexuesve po e riprodhoj në fund të këtij komenti, me lejën e autorit.

Përmes një subjekti të thjeshtë, rrëfyer me realizëm, ky tregim të trondit me thellësinë e idesë kryesore. Saimiri, biri i një kulaku nga fshatrat e fushës së Korcës, kur pa se diktaturës shqiptare po i soseshin ditët, vendosi të arratisej. Këtë vendim mendoi ta realizonte me një shokun e tij të ngushtë, bir i një komunisti, por ky nuk pranoi, madje e spiunoi. Saimiri u detyrua të strehohej në Korcë ku jetoi i fshehur pesë muaj. Më 20 shkurt 1991 ai me disa shokë ia hodhi lakun monumentit të diktatorit në Korcë dhe e rëzoi për tokë. Shkoi në Greqi, ku filloi jetën e lirë me synimin që të mblidhte disa pare e të kthehej në fshat për t’u martuar me vajzën që donte. Mirëpo nuk mundi ta realizonte ëndrrën e tij, sepse një mëngjez i erdhën në derë dy bashkatdhetarë të rinj, anëtarë të grupit Djemtë e Enverit dhe e mbytën me litar duke i thënë se po hakmerreshin me po atë litar që ai i hodhi në qafë monumentit të babës.

            Autori e mbyll tregimin në këtë pikë kulmore, pa dhënë asnjë koment ndaj krimit të shëmtuar. Natyrisht ai është me heroin, një nga dëshmnorët e parë të demokracisë sonë, prandaj e ka thurrur tregimin duke e vënë atë në qendër dhe për më tepër duke treguar dhe ëndrrën e tij për t’u martuar me vajzën e dashur të fshatit. Autori e dënon krimin duke treguar se Bijtë e Enverit janë në aktivitet, si brenda dhe jashtë Shqipërisë…

            Tregim i shkurtër, me përmbajtje që rrëfehet thjesht, por me domethënie shumë të thellë. Ky tregim zbërthen disa nga vrasjet enigma të mbas 20 shkurtit ’91 e ndoshta edhe vrasjet që kanë bërë tani vonë bijtë e disa deputetëve socialistë ndaj shokëve të tyre.

Shumë krime kanë ndodhur sepse klani Hoxha vijon të ketë në dispozicion të rinj të droguar të cilët vijojnë t’i qëndrojnë besnikë betimit: “E jap jetën për Partinë!”, që bënë etërit e tyre gjatë kohës së diktaturës. Ky betim dihet se zëvendësoi betimin fillestar: “Betohem për yllin partizan se nuk e shkel urdhërin e Partisë edhe sikur të kërkohet të vras nënën e babën tim!”,  të cilin ia bënë emisarit jugosllav Dushan Mugosha disa komunistë si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Aranitasi, Bedri Spahiu, Gjeli Argjiri, etj.

            Njerëzit që bënë këto betime kanë vrarë pa gjyq shumë shqiptarë nacionalistë, njerëz të thjeshtë, madje dhe komunistë, të cilët cilësoheshin prej udhëheqjes së Partisë Komuniste (më vonë PPSH e sot PS), armiq të partisë / armiq të atdheut. Njerëzit që kanë bërë këto betime kanë lyer e po lyejnë duart me gjak të pafajshëm, vetëm e vetëm sepse ashtu i ka interesuar, gjatë viteve 1941-48 klanit jugosllav e më pas klanit Hoxha.

            Gjatë viteve 1991-2011 kemi parë se si zhduken, mënjanohen, largohen nga loja politike bijtë e të persekutuarve, bijtë e kulakëve për të mbetur në lojën politike bijtë e ish komunistëve dhe besnikët e fshehur të PPSh-së. Nga 1991 e deri sot kemi parë e dëgjuar se si grinden, shahen, fyhen me fjalë të ulta gjithë politikanët e cdo force politike nga të quajturit kundërshtarë të tyre. Përdoret po ajo gjuhë e luftës së klasave që përdorte nëna parti, sikur ata që mendojnë ndryshe nuk janë bij të të njëjtit komb, sikur nuk janë zgjedhur nga populli për të regulluar punët dhe hallet e tij.

Sharjet, fyerjet, grevat e urisë e demostratat që kryhen duke shkelur regullat e lojës demokratike nuk janë gjë tjetër vecse tymnajë për të mbajtur popullin në gjumë, për t’i treguar atij se udhëheqësit e kësaj apo asaj partie po luftojnë për ta mbojtur atë nga armiku.

Me pak fjalë komunistët për 47 vjet kur sunduan hapur dhe këto 20 vjet kur po sundojnë fshehur nën emrin e pluralizmit, kanë eleminuar dhe mënjanuar nga skena politike kundërshtarët e tyre me metoda nga më të ndryshmet. Demokratët mbas vitit 1992 duke menduar se diktatura u shemb, përpiqen të bëjnë një jetë normale në atdhe ose në diasporë, madje shpesh herë tregohen naive ndaj politikës së ditës. Kurse ish komunistët, ish sigurimsat, njerëz që patën bërë betimin për besnikëri ndaj partisë, vijojnë të punojnë për të keqen e demokracisë. Nga njëra anë ata vijojnë të eleminojnë njerëzit që kundërshtojnë vijën politike të partisë së tyre, nga ana tjetër mbajnë nën frikë njerëzit e partisë së tyre që të mos largohen nga aradha e soc-komunizmit.

Strategjia e këtyre forcave është të mbajnë në pushtet ish besnikët e klanit Hoxha. Ky është shkaku kryesor që ata natë e ditë turbullojnë mendjet njerëzore me anë të propagandës së fuqishme të medias: gazeta, televisione, forume mediatike, botime librash, telefonatash, etj. Sa më shumë tym e mjegull, që të mos vejë mendja tek kërkesa për të kthyer pronën tek i zoti; të mos lihet qeveria të punojë në kushte normale për të zbatuar kërkesat e ndërkombëtarëve për legjislacion të ngjashëm me atë të vendeve europiane; të mos lejohet kërkimi e zbulimi i fshehjes dhe shpërdorimit të pasurisë së popullit prej klanit Hoxha gjatë kohës së diktaturës dhe i vjedhjeve që po bëhen gjatë kohës së pluralizmit, etj.

Shqiptarët që janë detyruar të bëjnë betimin e besnikërisë ndaj PPSh-së apo PS-së duhet të zgjohen dhe të largohen nga kthetrat partiake. Cdo shqiptar duhet të punojë për të ecur sipas thirrjes së studentëve demostrues Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe Shqipërinë do ta bëjmë si gjithë Europa kur të zbatojmë ligjet e shtetit, duke mbrojtur dhe jo duke sulmuar institucionet, duke shkuar në demonstratë në përputhje me regullat e demostratave paqësore të Europës. Këta njerëz duhet të clirohen nga frika se mos klani Hoxha i vret si ka vrarë deri sot. Ky klan mbas 1991-shit ka vrarë një këtu e një atje, por nuk mund të vrasë në masë, sepse sot Shqipëria është anëtare e NATO-s. Largimi juaj në masë e bën të pamundur vrasjen tuaj.

 

 

Agideba (Agim Bacelli)

 

Nipi i Kulakut

Nipi i kulakut të Bulgarecit, Saimir Larti, ishte një djalë 20 vjeç, i gjatë, pak ezmer, me sy të shkruar që i shkëlqenin vazhdimisht. Sapo mori vesh se Socializmi Shqiptar "u zbut pakëz", i lindi ideja të arratisej në Greqi. Pasi e mendoi mirë, kërkoi një shok për për ta ndarë fatin bashkë. Mëndja i fjeti tek shoku i ngushtë i fëmijërisë, Leonard Demi, pamvarsisht se ai ishte bir komunistësh por edhe komunistët e vëndeve të Lindjes i braktisën idetë komuniste te prindërve të tyre. Thoshin se edhe në Tiranë bij komunistësh të rangjeve të larta i kishin tradhëtuar prindërit komunistë. Kështu, Miri i hapi zemrën Nardit, si shok e vëlla, duke i thënë se kishte vendosur të arratisej dhe se mendonte të arratiseshin bashkë pasi socializmi i ka varfëruar dhe poshtëruar të gjithë; kulakë dhe komunsitë. Në fillim Leonardit iu duk shaka por kur e kuptoi se Miri e kishte seriozisht i tha, "si guxon të ma thuash mua këtë gjë?! Unë jam fëmijë komunistësh dhe s'mund t’i tradhëtoj prindërit e mij. Me që të kam shok, dua që ti ta heqësh nga mëndja këtë vepër kriminale. Vetëm armiqtë e Shqipërisë mund të arratisen. Ti s'duhet t'ju ngjash prindërve të tu që janë bij kulakësh, njerëz antiparti dhe armiq të pushtetit, përkundrazi, ti duhet të punosh më shumë se kushdo tjetër dhe ta daush shumë Shqipërinë që turpin e tyre ta mbulosh me nderin dhe besnikërinë tënde si djalë i rritur nga Partia...."

Mirin sa nuk e la zemra teksa dëgjonte pallavrat e shokut të tij më të mirë. Ata s'kishin fulor kurrë për politikë dhe për ndarjen që ju kishte bërë politika. Ata shkonin shumë mirë me njëri tjetrin, si dy vëllezër, pamvarsisht se familjet e tyre ne fshat ishin armike të ndara nga Lufta e Klasave. U bë pishman që i tha për arratisje por fjala është si plumbi, ikën dhe s'kthehet kurrë mbrapsht.

-"Më fal Nardi. Ke të drejtë. Unë jam fëmijë armiqësh por jam edhe pak naiv. Nuk dua të flasim më për këtë gjë dhe të lutem harroje". Nardi ju afrua dhe i bërtiti në vesh, "Vazhdon të mendosh përsëri të arratisesh?" Titi nuk ju përgjigj. Ai kishte vendosur të arratisej dhe nuk deshte ta gënjente shokun. "Folë! Miri, ke vendosur të arratisesh?!" Miri uli sytë dhe me një tundje koke sikur pohoi, pastaj ju lut të mos tregonte. Nardi u largua si i xhindosur duke sharë nëpër dhëmbë.

Ngjarjen, Miri ua tregoi prindërve për sa i kishte ndodhur me Nardin e demajve. Atë natë, me urdhërin e të jatit, Namikut, ai fjeti në arën e kooperativës, pranë shtëpisë, pasi mori me vete një batanie, ca lecka e ca ushqime. Ishte shtator i vitit 1990 dhe ishte ende ngrohtë. Në mëngjez erdhi operativi i zonës, shoku Xhuvi Ndini, kërkoi Mirin. Prindërit i thanë se nuk e dinin ku kishte shkuar që një natë përpara dhe po e kërkonin. "Mirë, ju tha Xhuvi, nëse nuk paraqitet në zyrën time deri sonte në darkë, dijeni se ai është arratisur dhe ju të gjithë, me kuçkë e me maçkë, brënda 24 orësh, do të degdiseni në Shtyllë të Vithkuqit ose në Gopesh të Moglicës, të internuar. Mos mendoni se komunizmi në Shqipaëri ra. Do bindeni vetë se gjersa të jemi gjallë ne komunistët, madje deri tek shpirti i fundit komunist, komunizmi do të lulëzojë në Shqipëri… ". Namikut, tërë helm e vrer, i erdhi për të qeshur nga fjalët “shpirti i fundit komunist” dhe deshte t’i thoshte se, ju komunistët sikur nuk e njihni shpirtin, por e la se ku i dihej se çfarë mund ti bënte “koburja e fshatit”.

I jati i Mirit, Namik Baze, shkoi në arën me misër dhe e takoi djalin, "Dëgjo bir! Nuk të kam lindur që këta gushëkuqtë e mutit të të futin në burg. Çaj fërrën dhe zhduku në Greqi! Nuk besoj se do ta kenë të gjatë… Dua që ti të jetosh i lirë dhe jo si unë kur isha sa ty, një pulë të vidhej në Bulgarec, policia vinte për kontroll në shtëpinë tonë e më merrte në pyetje, më rrihte si skllavin e poshtëruar pa nder e dinjitet. Babai im pati dy burgje: shtëpinë dhe burgun komunist, bile edhe varrin ia kthyen në burg. Xhaxhait tim, Ademit, i nxorrën syrin e vetëm sepse deshte të shikonte më shumë nga ç'i kishin lënë për të parë dhe kushëririt tim, Servetit, i 'nxorrën' trurin nga vendi se deshte të arratisej. Vdiq në çmendinën e Elbasanit. Asnjë nga fisi ynë s'pa një ditë të bardhë nën komunizmin. Ik bir! Të paktën gëzoje ti lirinë. Komunizmi shqiptar tani është me brekë nëpër këmbë dhe s'është i zoti si më parë. Paç uratën time bir." E puthi në ballë dhe i ktheu shpinën. "Baba! Të lutem, më dëgjo. Nuk do të iki. Të paktën tani për tani." Namiku u kthye dhe e pa gjatë në sy pa folur. "Dëgjo baba, vijoi Miri, jam betuar para shokëve të mij se do rrëzoj monumentin e Enver Hoxhës në Korçë. Pastaj, bab’ka im i dashur, pse ta pësosh ti për mua... Le ta bëj unë burgun. Më ke thënë se burgu për burrat është. Shumë shpejt do lirohem. Komunizmit po i rrëshqet toka nën këmbë."

Namiku s'diti ç’ti thosh veçse e përqafoi dhe ju lut të shkojë tek xhaxhai në Korçë që “gushëkuqtë” të mos e gjenin dot dhe ta arrestonin.

Miri ndënji pesë muaj i fshehur tek xhaxhai i tij, Bardhyli, në Korçë dhe pikërisht më 20 Shkurt 1991, bashkë me shokët e tij, Albanin, Arbërin, Shqiptarin, etj. i hodhën kavon në qafë “Enver Hoxhës” dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Korçës. U përleshën me policinë, u gjakosën dhe disa përfunduan nëpër qelitë-varre të burgut dhe plicisë së qytetit. Po atë natë Miri shkoi në Bulgarec, përqafoi baba Namikun, nënën, motrën dhe vëllanë dhe iku në Greqi.

Të nesërmen, shtëpia e Namik Bazes u rrethua nga fshatarët e shoqatës së Enverit. Ata filluan të hedhin gurë e drurë. Të thyejnë xhamat dhe tjegullat e shtëpisë. Të bërtasin plot histerizëm. Një nga evgjitët e fshatit, Zilkoja, thoshte në vargje:

"O Saimir o bir kulaku,

je më i zi se oxhaku!

Shpisë tënde do ti vemë zjarrë

Dhe ty do të varim në litarë!

Enverin s'na i merrni dotë,

juve do t’ju çojm’ në atë botë."

 

Ndërsa Lirika, ‘sevapçesha’ e fshatit bërtiste:

"Saimir o bir putane

Mos u fut nën çitjane!"

Por thënia më e goditur ishte ajo e një gruaje të re e topolake, bardhoshe e me gjoksin pothuaj tërësisht jashtë. Jallania e fshatit që dikur i kishte prishur mëndjen sekretarit të parë. Jallania bërtiste me tërë shpirt:

"Nëse lypet, do ta japim edhe nderin

Por kurrë jo, s'do ta japin ne Enverin!"

Namiku doli jashtë derës, në avlli dhe u bëri thirrje fshatarëve të tij të shkojnë në shtëpi të qetsohen pasi nuk dihet se ç'e keqe vjen prapa. "Ne jemi bashkëfshatarë dhe të keqen e të mirën duhet ti qajmë bashkë siç na ka hije..." Por një gur e goditi rrëshqitas në kokë dhe ai s'mundi të fliste më. Hyri brënda me gjakun rrëke. Gruaja e tij menjëherë theu një cigare dhe ja vuri mbi plagën. Kaq kishin sa për ndihmë të shpejtë.

Atë natë dhe netët në vazhdim fjetën me frikë dhe në vënd të xhamave vunë plasmas por edhe plasmasi çahej herë pas here nga urrejtja e fshatit komunist.

***

Në lagjen Iraklis të Athinës Saimiri gjeti punë kollaj. Një arvanitase e mirë e mori në lokalin e saj, në restaurant, ku kishte turistë të shumtë. Miri mësoi shumë shpejt greqisht dhe anglisht. Katerina, pronarja e trajtonte si djalin e vet.

Një vit më vonë dhe pikërisht, më 16 shtator 1992, një djalë, po nga Bulgareci, ish bir komunisti, shkoi tek lokali i Mirit tepër i shqetsuar dhe i tha: “Miri, ikë nga ky vënd! Ikë një sahat e më parë!” Kaq tha dhe u largua. Saimiri s’lëvizi vëndit dhe as u shqetsua fare pasi nuk e besoi duke menduar se të gjithë kommunistët dhe fëmijët e tyre janë komunistë të betuar që s’kanë për të ndryshuar kurrë. Mirë thonë dibranët:“dërri i dërrit është më dërr se vetë dërri.” Mori frymë thellë siç mërr një njeri i lirë e në vënd të lirë, pastaj bërtiti:”shporru dhe ti! Të gjithë njëlloj jeni ju, komunistë dhe bij komunistësh!” Bashkëfshatari ndërsa largohej mbeti i çuditur. Megjithatë, ndërsa ikte i lutej të largohej se ishte në rrezik.

Miri shkoi dhe u ul pranë Katerinës. Mori një krikëll birë dhe i tha:“gëzuar! a do ta gëzojmë dhe ne shqiptarët lirinë?” Katerina vetëm sa i përkëdheli kokën dhe u largua. Saimiri ndihej jashtëzakonisht i vetmuar dhe i shqetsuar. Kishte humbur besimin tek bashkatdhetarët dhe nuk shoqërohej me asnjë shqiptar. Atë natë piu shumë, si nuk e kishte zakon. Kur shkoi në dhomë, i vërtiteshin një qind gjëra në kokë. Mendonte familjen në Bulgarec. Mendonte shokët e idealit që ishin kulakë si ai. Mendonte Nardin dhe Xhuvin. Mendonte bashkëfshatarin që i erdhi në lokal dhe i tha të largohej nga ai vënd…! “Po ku të shkoj, mendonte, ku është vëndi im?! As ka një vënd në botë edhe për mua kulakun?!” I largoi këto mendime që e bënin të vuante. Vijoi të mendonte për Shqipërinë. Deshte të mendonte diçka të bukur dhe mendja i shkoi tek Ëngjëllushja, e dashura në fshatin e tij. “A më mendon edhe ajo mua? Familja e saj nuk janë komunistë por as edhe kulakë. Ata gjithmonë kanë parë punën e tyre në fshat dhe nuk janë përzjerë kurrë me politikë, si para dhe pas luftës. Janë fshatarë të varfër.” Ju kujtua puthja e parë që i dha Ëngjëllushes në një natë prilli me hënë. Ishin në cep të llomit të xha Asllanit dhe po dëgjonin zërin e bretkocave. “Ëngjëllushe! Të pëlqen kënga e bretkocave?” Ajo e pa drejt e në sy dhe ju përgjegj, “çdo gjë e gjallë ka zërin dhe këngën e vetë, ka bukurinë e vet. Mua më pëlqen zukatja e bretkocave“. Hëna i binte Ëngjëllushes mbi fytytën ezmere dhe i jepte një ëmbëlsi të paparë. Befas Miri u ndje shumë I emocionuar nga bukuruia e saj dhe pa marrë përgjigjen e pyetjes vazhdoi të ligjëronte i shokuar nga ndjenja më e bukur e kësaj botë, nga dashuria. “Lushkë! Sa e bukur më dukesh sonte!” Ajo kapsalliti sytë si dy xixëllonja dhe pa vetëdije tha: “vërtetë?!” Ai i vuri dorën në sup dhe e tërhoqi drejt vetes por ajo ju largua pakëz duke i thënë: “Miri, u bëmë vonë. Le të shkojmë në shtëpi se do na shajnë.” “Mirë me Lushkë, po unë të dua.” Ajo vuri duartë mbi gojë për të mos lëshuar ndonjë piskamë kënaqësie. Ishte hera e parë që një djalë i thoshte të dua. “Lushkë të dua”, përsëriti ai. Zemra e vajzës rrihte sikur do t’i çante kraharorin dhe mezi merrte frymë. Mirit ju duk sikur asaj do ti ndalej fryma. Nëse e puth, mendoi, ajo do të vdesë! Por në çast ju kujtuan tërë ato histori ku puthja i ngjallte vajzat e vdekura… dhe qeshi. “Lushkë! Edhe ti më do. E shikoj se je gati të vdesësh nga kënaqësia që një ditë do të jesh gruaja ime.” Nga goja e saj shpëtoi një “uaa…” dhe pa thënë asgjë mori rrugën të largohej për në shtëpi. “Dëgjo shpirt! Dasmën do ta bëjmë ja këtu, mbi këtë llom. Do ta bëjmë në një ditë dimri kur llomi të këtë ngrirë dhe dasmorët, fshtarët tanë, komunistë dhe jokomunistë, të rrëshqasin me kocka nën këmbë apo me sane. Të pëlqen? Apo do që ta bëjmë në një kohë si kjo sonte ku kënga e dasmorëve të përzihet me këngën e bretkocave?” Nuk e zgjati mëdyshjen. Ishte i dehur nga dashuria. Ju kujtua se puthja nuk lypet por rrëmbehet dhe, pa e zgjatur, i doli përpara, e tërhoqi drejt vetes dhe e puthi në buzë. “Tashti natën e mirë shpirt. Më pafsh në ëndërr, ti nuse dhe unë dhëndër!”

Me ëndërrat për të dashurën e zuri gjumi.

Në mëngjez u zgjua vonë. Ishte 17 shtatori i vitit 1992. Dielli ishte ngritur shumë lart në kupën e qiellit dhe i dërgonte rrezet e arta nëpërmjet dritares pa perde duke i përkëdhelur fytyren, trupin e zbuluar, bile dhe shpirtin. Flokët e zez e kaçurela ia përskuqte si një puthje buzëkuqeje; diellit sikur i vinte keq për vuajtjet e tij. Ishte djersitur dhe i dhimbte pak koka. U hodh me vrull në këmbë dhe shkoi hapi dritaren. “Sa ditë e bukur qënka sot!” foli me vete dhe i erdhi të bërtiste me sa fuqi kishte: “Ma gezofsh këtë ditë Lushka ime! Ti je Shqipëria ime. Do bëj ca para dhe do të vij ta bëjmë dasmën atje tek llomi ynë pasi Shqipëria të jete bërë e tërë shqiptarëve. E mban mënd si të thashë atë natë kur të putha për herë të parë?“

Bëri dushin si zakonisht dhe piu dy gllënqka Raki Skrapari që e ruante si gjënë më të shtrenjtë në dhomë. Hapi dërën për të shkuar tek lokali. Prapa derës e prisnin dy djem të rinj të cilët e shtynë brënda dhomës.

Kush jeni dhe cfarë kërkoni? Iu bërtiti greqisht, por ata ia kthyen shqip: Jemi vdekja jote! Mbasi I dhanë një grusht turinjve vijuan: Si mendove ti bukurosh, aq kollaj ishte t’ia hidhje lakun në fyt Enver Hoxhës. Babës sonë more langaraq kulaku”.

Miri u mundua të mbahej duke kërkuar dicka në corridor, por nuk ariti dhe u rrëzua, ata iu hodhën sipër, pastaj ia lidhën duart dhe këmbët duke I future një shputë në gojë. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë që ti i bëre Babait tone. Ti ia hodhe lakun në fyt monumentit të Tij, ne do të ta vemë atë në fytin tend. E shikon? Ky është litari që ti ia vure Babës në fyt. Shko tani në botën tjetër dhe thuaju të gjithë atyre që pati vrarë Baba se asnjë këmbë e gjallë nga ju armiqtë s’ka për të shpëtuar gjallë mbi dhe. Do të vdesë gjithë sorollopi juaj antikomunist!



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx