E enjte, 08.05.2025, 02:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Trishtim në zoopark

E enjte, 24.02.2011, 08:55 PM


Vangjush Ziko

 

TRISHTIM NË ZOOPARK

 

 

LUANI

 

Luanin e pashë

në park zoologjik.

 

Krenare kreshtën e kish.

 

Kish putrën

dhe thonjtë,

sigurisht.

 

Coptonte një copë mish.

Mish

që i hodhën bujarisht.

 

Pashë në sytë e tij

dhe trishtim.

 

Pashë Afrikën si vezullim.

 

Savanën pa bar

e pa shkurre.

Rrethuar

me hekurat mure.

 

Pashë lotin e tij

që u var

edhe ra

si oaz

në kafaz.

 

 

MAJMUNI

 

Majmuni

majmun.

 

Po kruhet.

Pështyn.

 

Bananen po ha

dhe po më përqesh.

Gjuhën më nxjerr

dhe qesh.

 

Qesh si majmun.

Qesh pa kuptim.

Dhe më tregon

mollaqet e tij...

 

Qesh edhe unë

me veten.

(Jo me majmunë).

 

S' kemi ndryshuar shumë,

të shkretën!

 

 

SHQIPONJA

 

Shqiponja më dhimbset.

 

Besoj,

më kuptoni.

 

Shqiponjën

pse ma trazoni,

Lereni zot!

 

Zot të kreshtave

dhe zot të qiellit.

Në mes stuhive

edhe rrufeve.

Mbi krahë diellin

dhe tufën e reve.

 

Të hedhë hijen

mbi dhe'

si bekim....

 

Shqiponja në sy

po më sheh

me përçmim.

 

Ula sytë

përdhe.

 

Nuk flas.

 

Shpirti im

psherëtin

në kafaz.

 

2011



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx