Kulturë
Din Mehmeti: Vajet e shiut (I)
E enjte, 24.02.2011, 08:49 PM
Biblioteka Poezia
Redaktor Ali D. Jasiqi
Recensent Halil Haxhosaj
DIN MEHMETI
VAJET E SHIUT
- Poezi -
Ndërmarrja shërbyese
“Jeta e re”
Prishtinë 2010
NË VEND TË IN MEMORIAMIT
Nga Ali D. Jasiqi
Vërtet ky është librit i tij i fundit.
Ky është libri im i fundit – është kjo fjalia të cilën e thoshte Din Mehmeti sa herë e dorëzonte dorëshkrimin për botim, në këto njëzete vjetet e fundit të jetës se tij. Por vetëm pak ditë më pas shtonte se i kam shkruar edhe disa poezi të tjera dhe po e përgatiste përmbledhjen e re të poezive. Dhe kështu ngjau vit pas viti. Madje edhe kur vitin e kaluar ( pra më 2009) iu botua kompleti në pesë vëllime ( ngjashem me formën dhe formatin e tyre po e botojmë edhe ketë përmbledhje ) pohoi se nuk do të ketë me poezi nga penda e tij,sepse i është shtjerrë frymëzimi. Edhe kësaj radhe “na mashtroi”, sepse vetëm disa ditë më vonë më pat thënë se i kishte edhe disa poezi të shkruara ,të cilat do t’i përmblidhje në një libër që e kishte titulluar “Bardhësi e përlyer”. Por duke se kësaj radhe ishte përgatit që të shkonte në botën e amshueshme,të cilën e kishte zënë aq shpesh në gojë, përkatësisht kishte shkruar për te, sepse pasi më tregoji se e kishte përmbledhjen në dorëshkrim me pat thënë”Ty ta lë amanet, që të angazhohesh për botimin e tij, pasi unë nuk do të arrij ta bëjë të njëjtën gjë!” Dhe vërtetë kështu ndodhi .Në të vërtetë dorëshkrimi në fjalë hyri në procedurën e botimit,përkatësisht filloi përgatitja e të njëjtin,sa ishte gjallë poeti,por kësaj radhe me një titull “Vajet e shiut”,titull të cilin e kishte propozuar derisa rrinte i shtrirë në krevat,vetëm disa ditë para se të ndahej fizikisht nga ne. Nga kjo del qartë se çfarë ishte angazhimi tij për gjetjen e metaforave me të cilat do të shpaloste botën e vet intime, çfarë do të thoshte në poezitë e tij gjithherë e frymëzuar nga jeta e kombit të cilit i përkiste.
Pra sa ishte i shtrirë në krevat dhe i numëronte ditët e fundi të jetës filloi procedura e botimit të përmbledhjes në fjala, Por Dini nuk arriti ta shihte mundin e vet,sepse vdekja e rrëmbeu dhe ai kaloi ne jëtën e amshueshme, duke na lëne të pikëlluar për një humbje të madhe të kulturës e veçmas të poezisë shqipe së cilës i kishte kontribuar më se 50 vite duke sjellë kurdoherë poezi frymëzimesh të thella me metafora që vetëm ai dinte t’ i gjente dhe t’i përdorte në vargje.
Është thënë dhe është shkrua se Din Mehmeti është poet frymëzime të thella, poet vargjet e të cilit kurdoherë kanë shprehur preokupimin e tij në tabanin kombëtar, poet, që gjithherë ka sjellë tema të reja nga realiteti i kohës,pa i banalizuar, përkatësisht pa ra nën ndikimin e politikë ditore edhe atëherë kurr poezitë e tij kanë në qendër të vëmendjes tema të ditës, për të mos thënë ato politike. Ai kurdoherë ka mbetur poet frymëzimesh dhe shprehjes artistike ,çfarë rrallëta gjemë një ngjashëm me te.
ISHTE KOHË E RRUFEVE
(Zbrazët)
JETA
Nëpër dyert e spitalit D
Njerëzit hynë e dalin
Ditë e natë
Roja e portës si ushtar prej bronzi
E ka humbur durimin
S’do të flasë me askënd
Kur nata mbështjell spitalin
Me çarçaf të zi
Shfaqen hijet e të vdekurve
Nëpër pavijone nëpër dhomat e të sëmurëve
Shikojnë fytyrat e tyre zverdhake
Sytë e tyre të lodhur flasin përçartë
Hynë në sallat e ngrënies
Ngjiten në katin më të lartë
Zbresin shkallëve poshtë
Ndërrojnë emrat ngjyrat e fytyrave
Vendet kohërat
Grinden pështyhen shtyhen përshtyhen
Rrihen vriten për të bërat të pabërat
Për të mundurat e të pamundurat
Ndërsa plepat e gjatë përreth
Shkëmbejnë mesazhe si ushtarakët në front
Këndojnë këngët e furtunave të egra
Që zbresin nga malet si gjëmë e qiellit
Në mëngjes jeta zgjohet herët
Me një buzëqeshje të shndritshme
U jep frymë të sëmurëve
Derdh mbi ta gaz shpresa
Për të shpëtuar të mundurën
Gjakovë, 10.02.2010.
ART I BARDHË
Dimër deri në fund të shikimit tim
Heshtje e bardhë
Gjithçka fle në shtratin e bardhë
Drurët mbajnë mbi supe
Peshën e dhimbjes së bardhë
Ëndërrojnë këngët e blerta të gjetheve
Që kishin dikur
Njerëzit mbrëmjeve të gjata
Ecin me pishtarë në duar
Shtigjeve të legjendave
Për të mësuar si vdiset madhërisht
Sytë s’kanë ç’të bëjnë
Hapën dhe mbyllën bardh
Art i bardhë –
Mbi shkretëtirën e mendimit të zi
Gjakovë, Mars, 2010
KËNDOJMË E LUTEMI
Tinëzisht nga mjekët
Pimë duhan në dhomën e fjetjes
Nga zhgënjimet thurin ëndrra
Për të fluturuar diku larg
Për të mos u kthyer më
Kur fjalët lehin si qentë
E ulërijnë
Korridoreve të krisura nervash
Fillon përleshja mes nesh
Deri vonë
E pastaj ia shtrijmë duart
Miqësisë e dashurisë njëri-tjetrit
E ndajmë jetën dhe vdekjen
Në mënyrë të barabartë
Këndojmë dhe lutemi ...
Gjakovë,
Spital, 14.01.2009.
NJERIU NUMËR
I numëroj pllakat
E korridorit të spitalit
Derisa bëhem numër –
Një numër që shumëzohet
Me një zog të kaltër në hapësirë
Që mblidhet me shpresë të thyer
Që zbritët me një vetëtimë
Që pjesëtohet me një gjëmë
Motrat më shikojnë flasin diç mes veti
Zverdhën skuqën dhe ikin shpejt
Llambadhet e dhomave të të sëmurëve
I mbyllin sytë njëra pas tjetrës
E pastaj gjithçka i nënshtrohet
Perandorisë së ëndrrave
Gjakovë,
Spital, 18. 01. 2009.
E BARDHA NË TË ZEZËN
Të bardhë mjekët motrat
Hije zotash rreth meje
I bardhë korridori
Të bardhë muret muret e dhomave
Të bardha fjalët mendimet
Ëndrrat zhgjëndrrat
Të bardha ilaçet injeksionet
Antibiotikët diklofenët
Të bardha dhimbjet klithjet
Thirrjet ankesat lutjet lotët
Të bardha vdekjet nga të bardhat
Në prehrin e të zezës
MË E SHTRENJTA ËSHTË NGRËNË
O zhgënjim
I dritës së territ tim
Mos më gërryej në shpirt
Si qeni eshtrat në rrugë
Më e shtrenjta është ngrënë
Ma lë një dritare të hapur
Të më thithin sytë dritë
Të lirë ma lë një shteg
Për të arritur në Kodrën e Bardhë
Të më këndojnë fjalët
Të më rrisin lule mendimet
Më lë bile pakëz gaz në fytyrë
Më të hijshme të më duken rrudhat
Të mos thahem në këmbë si lis i vetmuar
Qiellit që po resh pikëllim
Më e shtrenjta është ngrënë ...
NJERIU I BARDHË
(Mikut tim Dr. Rifat Lilës)
Kur gjumi bën tortura mbi mua
Kur më klithin fjalët e më vajtojnë mendimet
E shpirti më bëhet zjarrishtë dhembjeje
Vjen tek unë
E zbret thellë në mua
Njeriu i bardhë
Që për të tjerët jeton
Për t’i shkrumbuar hijet e uritura të mortjes –
Hijet e futuara që gërryejnë mbi kokën time
Kur qielli pikon verdh zi
E toka bëhet shkretëtirë në sytë e mi
Vjen si një vetëtimë njeriu i bardhë
Duke qarë terrin e mllefosur
Me flakadan e ndërgjegjes
Dhe sjell shpresën e tretur të jetës
Fjalëve m’u jep gaz
Jetës këngë
Pranverës blerim
Qiellit dritë
Gjakovë, 2 Maj 2008.
HERË NË TË DJATHTË
HERË NË TË MAJTË
Në një dhomë të spitalit
Unë vet i gjashti
Të bërë shportë nga injeksionet
Shikoheshim në heshtje
Kur kthehesha në krahun e djathtë
Një i sëmur më shikonte
Me sy të përçartur
Kur kthehesha në të majtin
Më tmerronte një tjetër
I zverdhur si meit
Kur kthehesha në shpinë
E shikoja llambadhen
Se si skuqej
Se si futinë bëhej
I mbyllja sytë
Askund gjumi
Vetëm terri i uritur
Kafshonte diçka të shtrenjtë
Mbi mua ...
Gjakovë,
Spital, Janar, 2009.
KUR TË VISH TEK UNË
Motër moj
Kur të vish tek unë
Mos u bë akullnajë të lutem
Nxjerr nga vetja një buzëqeshje
Dhe më mbulo të mos ngrij
Motër moj
Mos më lë të klith
E të bëj gjëmë
Në sytë e tu
Pi dritë një yll
Që nuk fiket kurrë
Gjakovë,
Spital, 2009.
NJERËZ TË FLAKUR NGA RËNIET
Fjalët i kanë të përhirta
Nuk dinë cilën ta hedhin
Cilën ta ruajnë për ditën e fundit
Mbahen fortë për shtyllat e ëndrrave
Të mos rrëzohen
Janë njerëz të harruar –
Të plakur nga rëniet
Dhe s’i besojnë më as robit as Zotit
As dritës as territ
Të vërtetat i mbushin me gënjeshtra
Gjakovë,
Spital, Maj 2009.
PËLCITJE
Jashtë nata e tërbuar ulërin
Si bishë e uritur
Brenga unë në luftë të pafund
Me veten time
Të gjitha orenditë e dhomës
Më shikojnë pikllueshëm
Llambadhja herë ngrin herë pikon shi
Të ngrohtë mbi mua
E pastaj nga një flakë e brendshme
Bëhet copë – copë
(2008)