E hene, 06.05.2024, 10:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhavit Aliçkaj: Ligjërimi poetik me historinë

E enjte, 24.02.2011, 08:12 PM


LIGJËRIMI POETIK ME HISTORINË

 

/Skënder R. HOXHA “Kalorësit e mortit”, Fjala, Prishtinë, 1993/

 

Rilexim:

 

SHKRUAN  DR. XHAVIT ALIÇKAJ

 

Kur e marrim për shqyrtim letrar veprën  Kalorësit e mortit” nga një distancë kohore përtej 20 vjeçare, në mes kemi poetin, studiuesin e sidomos gjuhëtarin Skënder R. Hoxha, i cili e ka begatuar veprimtarinë e vet me një varg veprash të çmuara nga fushat e përmendura.

     Ndonëse për të gjitha veprat e tij ka çka të shkruhet e të thuhet, këtë herë kureshtjen leximtare na e tërhoqi vepra poetike “Kalorësit e mortit”, se para se gjithash, Skënder R. Hoxha, është poet dhe mendojmë se qëndron më lart se në fushat studimore. Së paku, poezinë e shkruan më me dëshirë. Më kujtohet se edhe një herë kam shkruar mu për këtë vepër me rastin e promovimit dhe u pëlqye ai shkrim, të cilin më vonë e mori flaka e luftës. Nuk di se çka kam shkruar para njëzet vjetësh, por e di çka përmban vepra, prandaj rileximi sjell risi vlerësuese dhe një këndvështrim ndryshe nga leximi i parë.

     Vepra është emërtuar me një titull metaforik shumë të qëlluar që zgjon asociacione nga më të ndryshmet e që në fund mbjellin ndjenjën e frikës, pra të mortit. Të dy ciklet e poezive “Shqetësime” dhe “Lojë erërash” përkojnë me këto ndjenja të cekura, ndërkaq cikli i tretë “Antika është imja”, ka diçka të veçantë në vete, një ngarkesë të fuqishme përmbajtësore dhe emocionale që sjell këmbëngulësinë e autorit për lashtësinë tonë historike.

     Vepra fillon me poezinë “Jeta” që logjikisht është gjithçka për njeriun dhe se gjithherë janë bërë përpjekje për jetë të mirë e të lirë. Si duket, për ne shqiptarët më tepër ka qenë: “që për ditën e Re mbase kanë ëndërruar”. Poezinë e shoqëron nje metaforë e bukur dhe e rrallë: “(njerëzit) e kanë shpuar terrin me ndo’i kleçkë pishe”, ku poeti me një leksik përrallor, me një lidhje të bukur poetike e sintakso-poetike të fjalëve në varg e të vargjeve në mes vete, bën një ligjërim poetik – historik. Nëpër kohë të mungëta populli është munduar të gjejë prehje shpirtërore me shpresa e ëndrra dhe qëndresë me dritë pishe e këngë lahute.

     Konceptet poetike: përralla, luftërat ilire, defterët, lahuta, kleçka e pishës, përceptojnë realitetin historik, ngjyrat e kohës dhe në kuptimin artistik zgjojnë ndjenja krenarie dhe emocione të veçanta.

     Koha kur është shkruar kjo poezi, po mbase edhe e tërë vepra, ishte me plot ankthe e tmerre, pasiguri e drojë nga gjarpërinjtë që aq shpesh e ndërronin lëkurën, pra vitet e nëntëdhjeta, që nuk ka qenë lehtë dhe e parrezik që të shkruhen.

     Po me këtë frymëzim poetik të ndjeshëm, të realtë e ndoshta jo të shkruar me dëshirë  - janë  poezitë “Aksioni” që ne shqiptarëve na kanë shoqëruar mjaft shpesh nëpër histori dhe na kanë sjellë në atë gjendje mundimi e drojse sa: “vdekja i duket e ëmbël shpëtimtare e njerëzishme”. Dhe, si të mos dëshirohet vdekja si shpëtim kur njerëzit iu kanë nënshtruar masave të rrepta e çnjerëzore të armikut, siç tregon poezia “Ëndrra”, që është si një bisedë me të vdekurit:

     I pari më tha më qitën ujë në hundë e vdiqa

      I dyti më tha më shtinë marhamën në fyt e vdiqa

     I treti më tha më shtinë në bodrum të akullt e vdiqa

     I katërti më tha më qëlluan me çekan në kokë e vdiqa

     Jeta jonë në kohë “zagushie” ishte bërë e pasigurt. Njerëzit zhdukeshin pa gjurmë; nuk dihej a po i çel dita; janë ngatërruar jetë e vdekje (“Mjegulla”, “Shqetësime”, “Melankolia”, “Çaste”, “Lojë”) sepse ishte kohë e pakohë, me hije të zeza, korba e gjarpërinj, kohë e tradhtive dhe e tradhtarëve; kohë e Jul Cezarit dhe e Kalit të Trojës! Po, ndonjëherë, poeti e ndërron disponimin krijues dhe mundohet të gjejë shenja të së mirës dhe shpresa të reja për jetë. Te “Pasqyra” me vargun “lindje të vonuara” jep shenja jete për ditë më të mira. Te “Pranvera” që na del simbol i jetës së re, poeti e ndien një gëzim në shpirt, ku me një metaforë të zgjeruar “pas natës vjen dita, pas dimrit pranverë” ngjall ndjenja kënaqësie. Për këtë ka mbështetjen historike në qëndresën, trimërinë e burrërinë e këtij populli përmes kullës (poezia “Kulla”) dhe “Kështjella” simbol i përmasave më të mëdha të lashtësisë dhe heroizmit, ku legjendë e realitet shkrihen në një trung.

     Edhe cikli i dytë i poezive i titulluar “Lojë erërash” është i afërt tematikisht me të parin dhe me të bëmat e historisë sonë.

     Poezia e parë “Ma kthe” është si një klithje ironike për të kaluarën e dhembshme të trojeve shqiptare, ku u shua kënga iliriançe, ku ra trumbeta e kobshme, ku u mor hisja e diellit dhe ku ende nuk u krye kënga e filluar. E autori, me gjithë shpresat që ka, nuk ka mundur ta marrë me mend se ajo këngë e filluar do të kryhet gati njëzet vjet më vonë, që për historinë nuk është kohë e gjatë.

     Poeti kërkon të kthehet ajo që është jona, që është ndarë nga trungu i gjallë. Ndërkaq, në poezinë “Apokaliptik në kalin e Trojës”, poeti bën bisedë të ngrohtë me Dukagjinin. Ai e shkrin veten në vargje dhe bëhet hero lirik i tyre, si bir i Dukagjinit, si bimë e trungut ilir. Duke u ndalur në gjendjen e krijuar në ato vite ku durimi ka ardhur në pikën e vlimit, simbolikisht, me një paralelizëm të bukur thotë se Gjergj Elez Alia është gati për ta mprehur shpatën. Dhe erdhi koha kur vërtet trimat e Gjergjit dolën në mejdan ashtu siç ia kishte ndier zemra poetit.

     Tani në radhë janë poezitë kushtuar ngjarjeve madhore të historisë sonë, si pajtimit të gjaqeve “Pëllumbat e miqësisë” dhe “Kënga e zemrës” një magjistral kushtuar republikës për Ditën e Madhe që do të vijë:

     Është bleruar dhe lugina nga rrezet e agut n’thep

     Sot në Ditën e Madhe në lindjet e shkruara

     Sofrën e ëmbël e shtrove edhe për ne n’shkrep

    Megjithatë, si një desert poetik e ka lënë për në fund njërën ndër pozitë më të bukura në aspektin artistik dhe përmbajtësor “Antika është imja”.

     Vetë titulli ka një fuqi të rrallë poetike dhe domethënie të thellë historike. Vërtet Antika duhej t’i takonte këtij populli të lashtë; këtij populli plak sa Ballkani.

     Poeti, me një metonimi, përmes shqipes e qan hallin e popullit. Me një gjykim fishtean e thotë “Evropë (Bardha – epitet ironik) na tradhtoi

                                                                                 na dogji      

                                                                                 na griu

                                                                                 na poqi

                                                                                 Plisin e Bardhë

                                                                                 s’mund na e hoqi

     Kjo është qëndresa jetike e këtij populli, prandaj ka të drejtë kur thotë “Edhe e nesërmja është Imja.”

     Me vlerat artistike që ka, me fuqinë e fjalëve dhe përmbajtjen e ngjeshur kjo poezi hyn në rangun e poezive antologjike.

     Në fund të këtij shkrimi mund të themi se poeti Skënder R. Hoxha dëshmoi se e do dhe ia do poezinë, se di çka do prej saj, këndej edhe të na ofrojë vargje me vlera artistike që zgjojnë kënaqësi estetike dhe se edhe pas njëzet e më shumë vjetësh këto vlera nuk shuhen.

     Poeti Skënder R. Hoxha ka shkruar edhe vepra të tjera me poezi që vlejnë të çmohen, por kjo vepër për kohën kur është shkruar mbetet një emblemë poetike e tij dhe e kohës.

 

(Shkurt 2011)



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora