Kulturë
Ilir Sefaj: Migjeni - rrënues i tabuve
E premte, 25.02.2011, 08:57 PM
Migjeni – rrënues i tabuve
Nga Ilir Sefaj
Migjeni si krijues, hyri në letërsinë shqipe, në kohën e vlimeve të mëdha letrare, dhe të situatave të ndërlikuara jetësore që gatuante koha.
Letërsisë shqipe të asaj kohe i shtohet një krijues i ri në moshë, por me talent të jashtëzakonshëm, një ”rebel”, një antikonformist, nje revoltues një protestues, një përjashtues.
Migjeni nuk ishte rob i tabuve, përkundrazi ai ishte rrënues i tyre, këtë e dëshmon fakti se ai që në moshë fare të re nga seminari faktikisht del si një antiseminarist pra: ”Mund të thuhet pa e tepruar se kjo ishte një antishkollë e vërtetë për të. Në vend të devotshmërisë ndaj fesë ajo do t’i nxisë përçmimin ndaj saj, në vend të përvuajtjes, krenarinë, në vend të mospërfilljes për gëzimet e jetës, etjen për to, madje në skajshmërinë e tyre, atje ku feja sfidohej më vdekshëm: mëkatin, erotizmin gjer në incest etj., etj” (I. Kadare).
Migjeni ishte i veçantë si në letërsi ashtu edhe në jetë për shumë shkaqe.
Së pari mbi supe barte sëmundjen e tuberkulozët, pastaj mbetet pa prindër në moshë fare të re, shkollohet në një rreth ku megjithatë ndjehet i vetmuar, të gjitha këto faktikisht reflektohen ne krijimtarinë letrare të tij edhe pse në thellësinë e tij nuk i ndjente siç thoshte edhe vetë në një rast; ”Dy anmiq konkurojnë me mi afrue qefinat e vdekjes: qeveria dhe TBC-ja ; por në thellësinë teme unë këto s’i shof”.
Në kohën kur shfaqet Migjeni si krijues, Shqipëria gjendej nën një udhëheqës liberal siç dëshmojnë faktet e kohës, ky fakt kishte bërë që në Shqipërinë e asaj kohe shfaqen poetë, shkrimtarë, artistë që idetë, pikëpamjet e tyre i shfaqnin hapur, në këtë kontekst, krijonin paralelisht shkrimtarë që himnizonin të kaluarën, shkrimtarë që idealizonin jetën që jetonin, shkrimtarë që protestonin dhe nuk pajtoheshin me realitetin, por, megjithatë; cila kohë, cila periudhë apo cila epokë nuk ngërthen në vete të gjitha këto vullnete, pikëpamje, vizione.
Prandaj, teza se krijimtaria letrare e Migjenit është kryekëput, armë kundër regjimit ”antipopullor” themi se është paksa e ekzagjeruar, dhe në këtë pikë jemi në një mendjeje me kritikun M. Raifi ku ndër të tjera thotë: ”Del e njëanshme kritika e cila e sheh veprën e Migjenit vetëm armë, luftë, e demaskime të regjimit, antipopullor dhe shumë pak i lë vend intimitetit të poetit”, intimitet ky që përshkon tërë krijimtarinë letrare të tij.
Intenca e Migjenit është që në veprën e tij të pasqyrojë jetën faktike të shqiptarëve në Shqipërinë e viteve të 30-ta , por këto peripeci e sakrifica nuk duhet parë si pasojë e ndonjë drejtuesi të paaftë, apo tirani, por faktikisht këto ishin probleme të trashëguara nga brezi në brez, e që do t’i vuante edhe brezi i shkrimtarit të ri.
Dikush ka thënë me të drejtë se ”vargun e pjell revolta” po ashtu është e drejtë nëse thuhet se krijimtaria letrare e Migjenit është pjellë e kësaj revolte që ia kishte shkaktuar sëmundja që në rininë e hershme, revoltë që ia gatuanin situatat jetësore me të cilat ballafaqohej në përditshmërinë e tij.
Vepra e Migjenit ka karakter përjashtues, pra është antikonformiste siç qe edhe jeta e tij e shkurtër por shumë domethënëse.
Përfundimisht, duhet thënë se Migjeni ishte shkrimtari i parë novator i letrave shqipe në atë epokë, që në kontekst me letërsinë mund të quhet epoka migjeniane.
Ideologema e Migjenit
Në Shqipërinë e viteve të tridhjeta, në kohën kur edhe shfaqet Migjeni si krijues, ekzistojnë shumë ideologema të ndryshme të cilat ”bashkëveprojnë, ndërthuren, amalgamohen, përjashtohen” (M.Raifi), ndërmjet vete.
Migjeni i takonte nëse mund ta quajmë, bllokut të “shkrimtarëve përparimtarë” të viteve të tridhjeta që vunë bazat e letërsisë social realiste, pra krijues që kërkonte krijimin e Mbinjeriut që faktikisht ishte një kërkesë utopike e tij, por megjithatë: ”është më e preferuar anarkia e mendimeve që krijon atmosferë përpjekjesh të fuqishme sesa uniteti i pikëpamjeve dhe i dëshirave, mbrapa të cilave s’qëndron asnjë energji shtytëse për veprim” R.Idrizi.
Në kohën kur krijoj Migjeni, Shkodra ishte vatër e kulturës shqiptare, pikërisht në këtë kohë në Shkodër filloi një drejtim letrar ”klerikalo-katolik i cili madhëronte, heroizmin dhe bajraktarizmin, idealizimin e idilës së jetës malësore të Shqipërisë së veriut”, Gertruda Iosifova Eintrej.
Mirëpo, në konceptimin migjenian kjo idealizëm ishte e tepruar, ngase prapa saj fshiheshin një galeri e tërë njerëzish që skamja, vuajta, përpjekja për të mbijetuar, ua kishin sjell shpirtin te hunda.
Tendencë e këtij krijuesi të ri, por me talent të jashtëzakonshëm ishte që gjithsesi me art ta ironizojë, ta zhvesh deri në lakuriqësi mitin që shkrimtarët e klerit katolik, kishin krijuar për Shkodrën dhe malësinë e saj.
Pra rrjedhimisht hapësira ku i vendos ngjarjet e subjektit letrar, ku e gjen frymëzimin ky krijues është Shkodra dhe malësi e saj.
Në veprën e Migjenit in medias res vihet ”njeriu i vogël”, paraqitet jeta intime e tij, bota e tij e varfër por në thelb e pastër.
Në novelat e tij parakalojnë personazhe si Nushi student në një nga metropolet e Evropës, që artikulon zërin e arsyes, Lili që dashuron kushërirën e tij thyen konvencat pastaj Lukja e cila detyrohet ta ushtrojë profesionin e prostitutës që të mbijetojë.
Mirëpo, fatkeqësisht këto janë vetëm ”vullnete të nrydhuna, vullnete të shtypuna”, zëri i të cilëve nuk kumbon sa duhet, dhe ëndrra e Migjenit për të krijuar Mbinjeriun i cili do t’i binte ndesh konvencave dhe do të ngadhënjente mbi to, mbetet veçse utopike.
Krijimtaria letrare e Migjenit si në poezi ashtu edhe në prozë, bëhet një zë i fuqishëm që artikulon idenë e krijimit të një shoqërie përparimtare pa tabu, pra Migjeni shpëtimin e sheh faktikisht te shoqëria si pjesë më e madhe e nacionit, ngase njeriu si i vetëm ishte i pafuqishëm t’i bënte ballë rrebesheve të kohës.
Intenca e këtij krijuesi, krijimtaria letrare e të cilit është kryekëput, në thelb realiste, është që të jep tablo të gjalla e të plota të kohës dhe realitetit, që në mënyrë shumë realiste ta pasqyrojë fatin e njeriut tonë në planin individual e kolektiv.
Dhe cili ishte fati i këtij njeriu në shoqërinë e kohës?
Ai ishte faktikisht fat që shoqëria ia kishte imponuar këtij njeriu, që ishte zënë në zgripc i pa fuqishëm që t’i luftojë këto fenomene të shoqërisë patriarkale që ishin bërë denigruese si për individin po ashtu edhe për kolektivitetin, prandaj ”shoqni hiqi bragashat”, intonon Migjeni.
Nga kritika e kohës, Migjeni është quajtur ”poet i mjerimit”, ”disident”, ”revolucionar”, etj, etj, të gjitha këto epitete edhe mund t’i mvishen veprës së Migjenit, por vepra e tij duhet shikuar prej një këndi më objektiv e sidomos kur kihet parasysh fakti se shkrimtari barte edhe një barrë të rëndë, sëmundjen, e cila doemos është reflektuar në veprën e tij.
Identifikimi i Migjenit me shkrimtarin e mjerimit, pa dyshim është rezultat i rrethanave në të cilat gjendej populli shqiptar në vitet tridhjeta, ky identifikim i krijuesit me mjerimin i kishte premisat e veta, ngase në veprën e Migjenit në përgjithësi parakalojnë personazhe te kamura të një ambienti të kamur.
Megjithatë, identifikimi i Migjenit me shkrimtarin e mjerimit është tepër i ngurtësuar, ngase vepra e Migjenit po ashtu ka edhe karakter revolucionar, në kuptimin mos pajtim me realitetin, revoltë, protestë, por një revoltë e brendshme që ndihet mbi kurriz të protagonistëve, por që gjithsesi reflektohet edhe në shoqëri.
Pikëpamjet e Migjenit për jetën dhe shoqërinë e kohës nuk janë siç thekson me të drejtë A.Aliu- ”agresivitet i papërpunuar dhe të dala nga motive irracionale për arsye të thjeshtë- por agresiviteti migjenian ndaj kishës dhe pushtetit të atëhershëm nuk kishte kurrfarë përjashtimi, por përkundrazi ishte karakteristikë e kohës dhe ambientit në të cilin jetonte”.
Vepra e Migjenit bëhet tepër aktuale për shoqërinë e kohës, jo vetëm për faktin se trajtonte një laramani tematike, por gjithashtu situatat konkrete të ambientit (ambient ky ku e gjen frymëzimin ky krijues) jepen në mënyrë shumë realiste, dhe në këtë kontekst mund të themi se Migjeni ishte shkrimtari i parë i letrave shqipe, që e solli realizmin si formacion letrar.