E enjte, 08.05.2025, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Pali: Ecim nëpër vite...!

E premte, 25.02.2011, 07:44 PM


Petraq Pali

 

ECIM NËPËR VITE...!

 

Nëpër vite eci, pa ndalë as një hap,

Më breu ky malli, nuk di si ta ndal.

Po më rrëmben qenien, përditë më zbardh.

Ashtu është këjo jetë, s’ka se kush e ndal!

 

Vitet ikin radhë, s’ikin me avash,

Dalgadalë perëndimi, do shuhet një çast,

Dhe në botën tjetër… kryq do kem mbi ballë!

E në errësirë do tretem ngadalë…!!!

 

Ecim nëpër vite, gjithmonë duke menduar,

Kujtoj fëmijërinë, dhe kohën e shkuar.

Pyes veten shpesh, pse iki nxituar,

Nga kjo jetë e shkretë, duke përfunduar?

 

Gjithë kujtesën kthej, si në një shirit…

Duke e parë si film, po thuaj përditë.

Filmi që përshkova, gjatë jetës me dallgë,

Kur kam ecur mirë, dhe kur jam përplasë!

 

E kështu ikën vitet, shpejt u burrërova…

Pa mbushë nëndëmbëdhjetë…drejt ushtrisë shkova.

Dhe kur qesh ushtar, isha çamarrok,

Përditë me qortime, dhe me gafa plot.

 

Jetën s’e peshoja, ecja për ç’të dalë…

Duke nxjerë gjoksin, s’pyesja për dallgë.

Sa mbaroj ushtrinë, halleve ju shtrova,

S’punova për mirë… prandaj do pësoja!

 

E kam thënë gjithmonë, shkollën pse braktisa?

Prandaj rreth i hekurt, mu përvesh tek gryka.

U njoha me vajzën... që sot e kam grua,

Marshuam të dy bashkë, me fëmijë në duar.

 

Sot po gjykoj vitet, që ikën e vanë…

Luftë e vështirë, dallgë e tramundanë.

I bashkuam zemrat, e bashkuam xhanë,

Lindëm tre fëmijë… si pëllumbat janë!

 

Jeta s’qe e lehtë, ishte shumë me kthesa,

Hoqëm të vështira, halle e ngarkesa.

Ishte vend i varfër, me shumë zor jetoje…

Prisje pesëmbëdhjetë ditëshat, doje a nuk doje.

 

E kujtoj me dhembje, kur kthehej nga puna,

Ime shoqe Tina, me trasta në duar…

Njëra kish vajgurin, tjetra me ushqime,

Të rrisnim fëmijët, me bukë e mundime…!

 

Ikën vitet, pse jo dhe dekada,

Përditë dilnin thinjat… të hirta të bardha.

E rinia iku, e errët pa kuptuar,

Në robotë u kthyem… por të cenzuruar.

 

Rriteshin fëmijët, as njëherë të ngopur,

Me një pako gjalpë, në muaj pa sosur.

Mishin s’e shikonim, një kile në muaj…

Po të prisje mikun, do të haje dhe duart.

 

I shikoj fëmijët, jo të mirë veshur…

Me këpucë ushtari, të vjen për të qeshur.

Në mbrëmje mature, sa një grua vasha,

Pa një palë sandale, e bukur nga “faca” !

 

E vitet ecin, pa kuptuar fare,

Fëmijët madhohen… prindët më shumë halle.

U hapën kufijtë, u shqep edhe shteti…

Nuk ditëm nga vamë, nga mali nga deti!

 

Ikëm si të marrë, pa menduar fare,

Në një vënd të huaj… për bukë për pare.

Po sa kemi vuajtur…këtë ta besoni,

Nuk e gjen kurrë shtruar, mundohuni sa të doni.

 

Shkuam pastruam ferra, hapëm dhe kanale.

Na përçmonte Greku… përbuzje e madhe.

“Palo Alvani”, e thoshin nga herë…

Mos më folë shqip, ti o rob i mjerë!

 

Ishim kryelartë, se me nder punuam,

Gjakun edhe djersën, grekut ja dhuruam.

Se e solli halli, që brodhëm në botë…

Në Tiranë ne kemi…qeverinë shoshë!

 

Endemi të tërë, pa kurrfarë shpresë,

Për ditë po largohen, bijtë e mëmëdhesë.

Ecim nëpër vite, gjithmonë pa u ndalur,

Plot vështirësi, asgjë s’më është falur!

 

Kalova dhe oqeanin, në vakt pleqërie,

Asnjë gjë s’ndryshoi… pika që s’më bie.

Në një jetë të zymtë, kontinenti tjetër,

Është kurbeti vetë, si një plagë e vjetër.

 

Unë nuk ndryshova… s’ndërrova lëkurë,

Ama vitet më ikën,nuk më kthehen kurrë.

Gabimin që bëra dot se kontrolloj,

I lodhur kam ngelë… njëherë e gjithmonë!

 

Eci nëpër vite, si në një tymnajë,

Unë e mama Tina, jemi shumë të vrarë.

Nuk dimë të nesërmen, si do përfundojmë,

Duam dheun tonë… ta kemi për shtrojë.

 

Dhe në jetën tjetër, s’dua emigrant,

Përsëri i huaj… i përbuzur prapë?

Ndërsa balta jonë është Shqipëria,

Të na tresi dheu… thotë Perëndia!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx