E enjte, 08.05.2025, 02:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Një natë tmerri

E premte, 25.02.2011, 07:36 PM


Albert ZHOLI

 

NJË NATË TMERRI

 

-Të lutem, të lutem Fadil, mos më detyro, mos më bëj kriminele, nuk mund ta bëj dot, aq më tepër që jemi në dhè të huaj.

 

-Mos e zgjat më, po shko e lëre te dera e kishës. Athina është e madhe nuk është fshati yt, askush nuk ka për ta marrë vesh, hajde dil!

 

-Të lutem, të lutem Fadil!-dhe lotët e saj binin mbi fytyrën e porsaçelur të djalit pesëditor.

 

-Pusho se do të na dëgjojnë. Të thashë që ta hiqje që në bark, është krim më thoje. Tani s’ka rrugë tjetër. Do ta marrë prifti dhe do të rritet e do të jetojë më mirë se ne.

 

-Të lutem!

 

-Mos e zgjat më. Boll i kemi tre, nuk i sheh si vuajnë. Të vuaj edhe i katërti?! Po e zgjate e di ç’të pret-i tha ai me egërsi.

 

Ajo u nis pa vetëdijë. Fëmijën e kish mbështjellë me të vetmen kuvertë të re që kishte në shtëpi. Nuk kuptoi fare se si arriti te kisha. Ora e kishës shënonte 23-30. Ishte fundvjeshte. Gjithëçka, aty rrotull, dukej e zverdhur, pa jetë. E puthi edhe një herë fort djalin, në ballë dhe e la te dera e kishës. Morri udhën, në kthim, duke shikuar prapa. Sa kaloi edhe shkallën e fundit ia dha vrapit. Akoma e dëgjonte të qarën e fëmijës. Donte të kthehej, por kujtoi thikën e të shoqit dhe tre fëmijët që do të mbeteshin jetimë. Vrapoi, vrapoi. Kalonte kryqëzimet e rrugëve pa venë re semaforët. Vraponte. Lotonte. Me një frymë arriti në shtëpi. Fëmijët e kishin ndjerë mungesën e saj dhe sa hapi derën iu gjendën pranë. Pas tyre qëndronte i shoqi. Ajo ishte tjetërsuar.

 

-Ku është bebi-folën fëmijët në një gojë.

 

I shoqi nënqeshi, ndërsa ajo ra pa ndjenja te këmbët e tre fëmijëve të vegjël.

 

Peristeri, 13.7.2000



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx