E enjte, 08.05.2025, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet historiani, Prof. Doc. Arben Puto

E premte, 25.02.2011, 08:21 PM


Flet historiani, Prof. Doc. Arben Puto: “Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare”

Diplomatja më e saktë për Shqipërinë në periudhën e LANÇ-it, ishte BBC 

Musolini, Hitleri dhe Metaksai ishin diktatorët e Luftës Italo-Greke

 

Nga Albert ZHOLI

 

Takimi me Prof. Arben Puto ishte plot mbresa. Brenda tij ishte akumuluar një bibliotekë me vete, ku në çdo pyetje do të  gjeje përgjigje nga më interesantet. Biseda filloi me problemin tashmë të bërë publike, rastin e konsullit grek në Korçë, (Ikonomus), një rast i rrallë ku një diplomat bën thirrje për ndërrimin e kombësisë, të cilin Puto ishte ndër të parët që e denoncoi. Prof. Puton e gjen mes librave, por më shumë e gjen duke shkruar. Tashmë ai po përgatit një libër historik mbi Luftën e shumëdiskutueshme Italo-Greke, luftë, e cila solli dhe ligjin e luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë. Një ligj lufte, i cili çuditërisht ekziston edhe sot, një ligj lufte që shpesh herë ka çuar në acarimin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Në këtë libër Prof. Puto sjell fakte historike përse Shqipëria nuk mund të quhet shtet pushtues në atë periudhë dhe rolin e qeverisë kuislinge shqiptare në atë periudhë. Por  në këtë libër Prof. Puto nxjerr dhe fate të reja për rolin e luftës Nacional Çlirimtare dhe atë të BBC në këtë luftë. Sipas tij, BBC ishte diplomatja më e mirë e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore pasi pa propagandën e saj, ku Shqipëria renditej në krahun e aleatëve kundër boshtit Romë-Berlin Toki, integriteti i Shqipërisë pas lufte do të ishte shumë i dyshimtë. Në këtë libër, që mendohet të dalë në vjeshtë të këtij viti Prof. Puto sjell fakte dhe komente të reja mbi këtë luftë që do t’u hapin një dritare të re historianëve, por dhe Historisë së Shqipërisë.

 

Ju jeni duke punuar një libër të ri mbi Luftën Italo-Greke. Pse keni zgjedhur këtë temë dhe cilat janë problemet kryesore që trajton?

 

Pse e kam zgjedhur këtë teme? Është një ngjarje e Luftës II, një nga agresionet e Italisë Fashiste dhe Gjermanisë hitleriane. Po të mungojë, tabloja e Luftës II, historia nuk do të jetë e plotë. Por duhet të pohoj ajo që më shtyu më shumë t’i vihem kësaj ngjarjeje është fakti se, përveçse pjesë e historisë së Luftës II, në tërësi ajo është dhe një ngjarje që është pjesë e historisë së Shqipërisë gjatë okupimit të huaj. Në Luftën Italo-Greke përcaktohej qartë, tre diktatorët ishin  Musolini, Hitleri dhe Metaksai (edhe ky  diktator grek). Ndoshta këta ishin tre nga diktatorët më të egër në gjithë historinë e njerëzimit. E gjithë kjo luftë (jo vetëm në planin e zhvillimit të luftimeve), praktikisht u zhvillua në territorin shqiptar kur në vendin tonë drejtonte pushteti kuisling që u vendos gjatë okupacionit të rëndë. Fjala Kuisling vjen nga Kryeministri i Norvegjisë (Kuislingu), i cili, gjatë Luftës së Dytë kur u sulmua Norvegjia dhe e morën gjermanët, qëndroi sërishmi në krye të qeverisë të ngritur nga gjermanët

 

Sa është lidhur Shqipëria me Luftën Italo-Greke?

 

Ka një parahistori. Ajo është një orvatje e re e politikës ekspansioniste italiane e depërtimit të saj në Ballkan. Fillon me agresionin e 7 Prillit. Unë them se pushtimi i Shqipërisë në prill 1939 ka qenë  preludi i agresionit kundër Greqisë. Shqipëria shërbeu kryeurë dhe do të bëhet shesh lufte. Çuditërisht Qeveria greke e kohës e kryesuar nga gjeneral Metaksa u tregua e shkujdesur, gati indiferent ndaj afrimit të 7 prillit. Jo vetëm që nuk pati asnjë reagim për ta argumentuar si një akt që kërcënonte edhe Greqinë, paqen në Ballkan, por Metaksai mbajti një qëndrim sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Në fakt, ai nxitoi të deklaronte se Greqia ishte e vendosur të ruante marrëdhëniet miqësore me Italinë. Ai dha menjëherë një provë. Me ikjen e Zogut dhe daljen e tij në Follorinë, Metaksai iu drejtua personalisht Musolinit për të shmangur çdo keqkuptim se: “Mbreti Zog do të gjente vetëm një strehim të përkohshëm dhe nuk do të lejohej për asnjë aktivitet politik”. Dhe Zogu u largua pas disa ditësh.

 

-Ju i përshkruani marrëdhëniet italo-greke në këtë periudhë si krejt normale. Çfarë ka ndodhur që Musolini vendosi të sulmonte edhe Greqinë. Si u zhvillua lufta?

 

Ka qenë vërtetë disi e papritur. Për historianët, studiuesit që e kanë trajtuar këtë, ajo që mendohej më pak në ato rrethana ishte një luftë midis Italisë dhe Greqisë, aq të ngushta dukeshin marrëdhëniet midis tyre. Kishte diçka reale që e justifikonte këtë opinion. Kryesorja ishte se gjenerali Metaksai inspirohej nga fashizmi i Duçes. Kishte një afërsi ideologjike midis tyre. Dhe Metaksai, një ushtarak dhe politikan i vjetër, pasi mori kryesinë e qeverisë më 1935 filloi të zbatonte modelet fashiste në jetën e brendshme. Ai vetë ishte diktator, vendosi një regjim  autoritar me liri të kufizuara dhe me masa represive Musolini e quante si dishepullin e vet. Por kjo nuk do ta ndalojë Duçen të përgatitet për sulmin kundër Greqisë pak më shumë se një vit nga pushtimi i Shqipërisë në fund të tetorit 1940. Musolini kishte idenë obsesive të rikrijimit të Perandorisë së Romës. Vetë lufta, zhvillimi i operacioneve në front ishte krejt i papritur me kthesën që morën operacionet ushtarake se Musolini  ishte i bindur se do të mbaronte punë me Greqinë brenda disa javësh. Objektivi i parë Pireja, pastaj Athina e Selaniku. Por ndeshja është quajtur si ajo e Davidit në Goliathin. Agresioni italian do të bllokohej  dhe trupat greke hyjnë në territorin shqiptar, madje, mbërrijnë në thellësi dhe zunë gjithë hapësirën që në gjuhën e politikës greke quhet Vorio-Epir. Ishte një disfatë e turpshme dhe për të evituar të keqen më të madhe sepse kishte rrezik të hidhej në det. Musolini kërkoi ndihmën e Hitlerit. Me forcat e kombinuara italiane dhe gjermane, rezistenca ishte e pashpresë dhe Greqia kapitulloi në 24 prill 1941.

 

Cili ishte roli i qeverisë “kukull” të Tiranës që u vu në pushtet pas agresionit?

 

Qeveria “kukull”, e quajtur ndryshe edhe “shushunja”, u vu në shërbim të politikës së agresionit fashist kundër Greqisë. 

Ajo kreu një akt të rrezikshëm thellësisht komprometues, duke i shpallur luftë Greqisë. Dekreti i Viktor Emanuelit i 28 tetorit 1940 vet emërimit të Mbretit, kishte edhe nënshkrimin e Kryeministrit kuisling Shefqet Verlaci, që e fuste Shqipërinë në gjendje lufte me Greqinë. Greqia nuk e quante më Shqipërinë vend të okupuar, si viktimë e parë e agresionit fashist. Ajo përfitonte nga rasti dhe shpallte gjendjen e luftës jo vetëm me Italinë, por edhe me Shqipërinë, një akt që do të ketë pasojë dhe me afat të gjatë. Bashkëpunimin me okupatorin klasa drejtuese e justifikonte me aspiratat e moçme të ndreqjes së padrejtësisë që ishin bërë me shkëputjen e trojeve nga trungu shqiptar. Në fakt, pas ndërhyrjes së trupave gjermane Çamëria dhe Kosova u vunë nën autoritetin e qeverisë së Tiranës. Popullsia pas vitesh të tërë persekutimi e gjenocidi u lehtësua. Në këtë situatë të re, u krijua një hapësirë për realizimin sadopak të drejtave të saj të mohuara dhe të shkelura agresivisht. U hapën mjaft shkolla në Kosovë dhe u hodhën themelet e arsimit kombëtar. Qeveritë Kuislinge që pasuan njëra-tjetrën, pretenduan se kishin çliruar Kosovën e Çamërinë dhe kishin arritur unitetin kombëtar duke zgjeruar kufijtë dhe duke krijuar Shqipërinë e Madhe. Por ky nuk ishte “Çlirim”. Ky ishte një rezultat i agresionit të kombinuar italo-gjerman. Në ato kushte nuk ishte thjesht bashkim kombëtar, por ishte bashkim me fuqitë fashiste, një bashkim që do ti kushtojë shumë pas lufte, një “bashkim” që mund të vinte në rrezik edhe vetë “Shqipërinë e Vogël”. Nëse nuk ishte tradhti, ishte verbëri politike, ku pretendohej të lidhej fati i Shqipërisë me Boshtin nazifashist që do të humbasë luftën.

 

-A ka dalë përsëri çështja e Vorio-Epirit, pretendimet greke mbi të, gjatë luftës apo në mbarim të saj?

 

Gjatë luftës, kur ushtria greke zuri gati gjithë jugun, Greqia kishte bindjen se e kishte realizuar planin e saj. Kishte zënë po aq territor, brenda asaj që ajo e quante Vorio- Epir. Veç kësaj Fuqitë e Mëdha, sidomos Anglia nën përshtypjen e “mrekullisë” së luftës së saj kundër Italisë, po e përkrahnin këtë si zgjidhja më e mirë që do të shpërblente kontributin grek në triumfin e krizës aleate”. Në fakt edhe vetë sjellja e autoriteteve greke ndaj popullsisë lokale tregonte qartë se asaj do t’i mohohej çdo e drejtë kombëtare. Zënia e Korçës dhe Gjirokastrës u festua në Athinë si fitore që e kthente Vorio Epirin si pjesë të Greqisë. Banorët, shumica shqiptarë u përpoqën të bashkoheshin me trupat greke në luftën kundër pushtuesit fashist. Asnjë propozim për aleancë me shqiptarët nuk u pranua as e ardhur nga brenda as nga jashtë nga emigracioni. Shqiptarët duhej të mbeteshin të lidhur me Boshtin. Jo vetëm kaq, por grekët mohonin rezistencën shqiptare, luftën nacional-çlirimtare kundër pushtuesve. Qeveria greke në mërgim, në Londër protestonte kundër Radio Londrës që jepte rregullisht lajme mbi aksionet e forcave partizane. Nuk është rezistencë. Janë vetëm disa akte të izoluara të organizuara dhe të nxitura nga jashtë. Shqiptarët nuk kanë ndërgjegje kombëtare. Nuk ndryshoi qëndrimi i grekëve edhe pas deklaratës që bën Britania e Madhe, SHBA dhe BS në dhjetor 1942, në të cilën vlerësonin lart rezistencën antifashiste dhe angazhoheshin për rimëkëmbjen e pavërtetësisë së Shqipërisë pas lufte. Ajo e quajti një fyerje kundër Greqisë. Me një fjalë qeveria greke nuk e njihte Shqipërinë dhe luftën çlirimtare, quante Shqipëri atë të qeverisë “Kuislinge” me të cilën ishte në gjendje lufte. Pra, përfaqësuesja më e denjë, diplomatja më e saktë për Shqipërinë në periudhën e LANÇ-it, ishte BBC. Ndaj e kam quajtur dhe e quaj si një zë të fortë, serioz, që përfaqësonte rezistencën shqiptare. Kjo nuk mund të mohohet kurrë.

 

Kjo çështje ka rënduar shumë në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe në paqe. Çfarë zgjidhjeje iu dha në Konferencën e Paqes të vitit 1946?

 

Çështja shqiptare në Konferencën e Paqes është kapitulli kryesor i punimit tim. Greqia kishte dështuar për pretendimin e saj mbi Vorio-Epirin në dy Konferenca të mëparshme: në atë të Londrës të viteve 1912-1913 dhe në Konferencën e Paqes pas Luftës i në Paris më 1919. Tani në Konferencën e Paqes, pas Luftës II vinte e sigurt dhe mendonte se do të fitonte. Asnjëherë më parë Greqia nuk ka patur më shumë shanse se në këtë periudhë. Kjo për arsye të gjendjes së luftës të shpallur nga qeveria “kuislinge”. Në fakt, në qendër të veprimtarisë së delegacionit grek në Konferencën e Parisit ka qenë Vorio-Epiri. Delegacioni grek filloi me propagandë të shfrenuar antishqiptare. Nuk mund të lihej një popull helenë nën një popull që ishte në fazën e hershme të zhvillimit, një popull pa kulturë, pa qytetërim.  Paraqitën zyrtarisht kërkesën mbi Vorio-Epirin që përfshinte Gjirokastrën, Korçën, deri edhe Vlorën, një popullsi prej jo më pak se 400 mijë grekë, kurse shqiptarët ishin (dilnin), pakicë. Këtë kërkon sot edhe konsulli grek i Korçës. Megjithatë Greqia dështoi edhe në Konferencën e Parisit 1946.  Fuqitë e Mëdha të koalicionit antifashist i trajtonin çështjet e Ballkanit sipas ndarjes së tyre në blloqe.  Kështu çështja e rivendosjes së pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë u mbrojt nga BS dhe Jugosllavia. Fuqitë Perëndimore, SHBA dhe Britania e Madhe edhe pse kishin rezerva për hyrjen e Shqipërisë në orbitën sovjetike për orientimin gjithnjë më të qartë kundër Perëndimit, ndërsa Greqia trajtohej si aleatë. Megjithatë nuk e përkrahën kërkesën greke. Projekt rezoluta greke që u paraqit në konferencë u rrëzua njëzëri.

Mund t’i shtrohet me të drejtë pyetja: Çfarë e shpëtoi edhe këtë herë integritetin e Shqipërisë? E shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare kundër okupatorëve dhe bashkëpunëtorëve Kuislingë. Përfundimisht Shqipëria u quajt fuqi shoqërore koalicioni Antifashist në sajë të kontributit të saj substametalë në fitoren e kauzës aleate. Ndodhi po ajo që ndodhi pas Luftës Parë. Rreziku i shkëputjes së Jugut ishte real. Edhe në Konferencën e Paqes 1919 Greqia e bëri Vorio- Epirin çështjen kryesore të diplomacisë së saj, që të shtynin të mendohej se situata ishte e pashpresë, por  u bënë shumë plane ku të gjitha ato ndeshën në dy ngjarje të mëdha kombëtare: Kongresi i Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, kur disa mijëra fshatarë e detyruan një fuqi të madhe si Italia të nënshkruante disfatën e saj.

Ndodhi e njëjta gjë, por në përmasa të tjera shumë më të mëdha. Greqia, edhe pse në pozita më të favorshme se më parë, u detyrua të tërhiqej përballë Luftës Nacional-Çlirimtare që filloi me çetat dhe u rrit e u bë një ushtri e mirëfilltë e madhe e organizuar. Ishte një epope në historinë e popullit shqiptar. Forcat e Gjeneralit “kuisling” grek Zervas, as iu orvatën dot jugut. Ushtria partizane ishte një roje e sigurt.

 

A mendon se kjo çështje që është një burim tensioni të përsërit në marrëdhëniet greko-shqiptare, një temë që është mbyllur?

 

Mendoj se çështja mbahet gjallë nga disa qarqe ekstremiste. Nuk heqin dorë, por kanë ndryshuar taktikë. Nuk dalim me pretendimin territorial të shkëputjes së Vorio-Epirit dhe aneksimit të tij. Përpiqem t’ia arrijnë qëllimit me një rrugë tjetër, me anën e shtrirjes së influencimit në këto treva, me greqizimin e vendit dhe të popullsisë: Është e tepërt të zgjatem, opinion ynë i sheh dhe i ndjek me shqetësim. Na i kujton këto plane veçanërisht ndërhyrja brutale e konsullit grek në Korçë që u bëri thirrje (shenjë) korçarëve të quhen grekë, të ndërrojnë kombësinë. Ai e tha hapur se bëri detyrën e tij “patriotike” se për të “Korça është Vorio- Epir”. Është për të vënë në dukje se këto orvatje kanë gjetur një reagim mjaft të fortë kohët e fundit. Mund të pritet që organet kushtetuese të shtetit shqiptar dhe qeveria  të tregohen më të vëmendshëm dhe të marrin masat ligjore, që imponojnë këto shkelje flagrante të sovranitetit shtetëror.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx