E enjte, 08.05.2025, 02:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Adelina Dokja, një poeteshë e frymëzuar e diasporës shqiptare

E premte, 25.02.2011, 08:44 PM


Adelina Dokja, një poeteshë e frymëzuar e diasporës shqiptare

 

Nga Baki Ymeri

 

Thonë se dikurë njerëzit kishin kryq të drurtë dhe zemër të të artë, ndërsa tani kanë kryq të artë dhe zemër të drurtë. Adelina Dokja është një nga poeteshat më të frymëzuara të diasporës shqiptare që dëshmon se ka zemër të artë. Nuk e dimë në ëndërronte se do vijë dita kur do të bëhet një emër i njohur i letrave shqipe, por e dimë se  në gjirin e vargjeve të saj fshihen mesazhe fisnike që transmetojnë dashuri, atdhetari dhe qytetërim. Adelina u lind para 50 vitesh në një qendër të bukur të Shqipërisë së mesme, në qytetin e lashtë të Peqinit, rrethi i Elbasanit. Ajo është një nga motrat tona që e ka braktisur përkohësisht vendlindjen dhe jeton në Itali që nga viti 1991, gjithmonë në shoqëri të librit, obligimeve familjare dhe profesionale, duke u ballafaquar pas 30 vjetësh me dashurinë e saj të parë: poezinë. Bota e dashurisë së saj është një botë e mbrujtur me  kushtrime lirike në strofat e frymëzuara ku defilon jeta me totalitetin e vlerave morale, atdhetare, meditative dhe sentimentale.

Për arsye ekzistenciale u detyrua ta braktisë shkollën në vitin e dytë të gjimnazit. Gjatë qëndrimit të saj në Perëndim ka debutuar me vargje në shtypin letrar të diasporës shqiptare, sidomos në Suedi, Gjermani e gjetiu. Është prezente në antologjinë e Sokol Demakut “Jehona e shekujve” (Bukuresht 2009), ndërsa libri saj i parë mban titullin "Ndez qirinjtë e shpresës" (2010), me poezi të inspiruara vlerash filozofike, psikologjike, patriotike dhe erotike. Është martuar që në moshën 17 vjeçare dhe ka pesë fëmijë të bukur e të mençur. „Sekreti i dashurisë sime” është një album krijimesh të bukura të një shpirti fisnik që digjet për atdheun e saj, për vendlindjen e saj dhe prindërit e saj që i përkujton me mallëngjim. Libri del më 1 mars të këtij viti në tre gjuhë: rumanisht, shqip dhe me një kapitull poezishë edhe në gjuhën italiane. Pas kësaj date, opinioni shqiptar do të ketë rastin t’i shfletojë edhe mendimet rumune të autorit të parathënies, Marius Chelaru, dhe të poeteshës Monica Mureshan, mbi vlerat lirike të kësaj poeteshe shqiptare.

Vargjet e Adelinës janë perla të latuara të një shpirti fisnik që debuton me vlera reale ku parakalon një botë e bujshme vlerash sublime. Aty e gjen, mes tjerash, edhe njeriun e përsosur të cilin e karakterizon morali ideal, zemërgjerësia dhe shpirti i florinjtë. Në vargjet e saj defilon heshtja e udhëve të jetës dhe plagët e zemrës, kujtimi që mpikset si gjaku dhe gjaku i dashurisë, orët që durimin e kanë humbur dhe engjëlli që digjet në vetminë e tij. „Sekreti i dashurisë sime” përfaqëson një dhuratë emocionesh që e prekin në shpirt lexuesin shqiptar dhe lexuesin e huaj. Me këtë rast, autorja shpreh konsiderata ndaj autorit të parathënies që diti të zbulojë rrënjët e shpirtit të saj, duke i purifikuar plagët e së shkuarës dhe duke ia lënë vendin dritës dhe shpresës për të sotmen dhe ardhmërinë. Librat, poezia, dashuria, familja dhe miqtë, për të janë një pjesë e zemrës dhe një forcë e madhe që i zbut plagët, vuajtjet dhe hallet e përditshmërisë. Në këtë kontekst, ajo s’di tjetër veçse t’i bekojë gjithë shqiptarët e diasporës, së bashku me Shqipërinë historike dhe dashamirët e saj gjithandej në botë.

 

Poezi shqipe nga Italia

ADELINA DOKJA

 

 

Ah, dashuria ime!

 

Ah, dashuria ime

Ti je mollë e provuar

Ëndrrat më ndezin

Veç hiri që djeg më mbetet

Koha kalon dhe dashuria

Vdes në heshtje e tretur...

 

 

Engjëll drite

 

Më zgjove nga dimrat e gjatë,

Ku ngricat dhe akujt

Kishin bërë folenë

Në shtratin m'u ule pranë

Si engjëll, u shfaqe atë natë...

Duke më pëshpëritur ngadalë:

Ti je shpirti im binjak!

 

 

Zjarri i zemrës

 

Në krahët e avionit mendimin mbështeta

Si krahët e pëllumbit më ngjanë

Fluturoj me mendimet kaltërsive të qiellit

Dhe ec përmes retë çajmë...

Mendimet në shtëllunga mjergulle kthyer

Nga malli dhe mungesa juaj, më lotuan

Sytë për një çast, kur imazhi yt i trishtuar m'u shfaq,

Krahët e prera dhe dëshira u bë zjarr

Oh, sa do dëshiroja të kisha pranë, më

Zor pres të vë këmbët në tokë dhe Ti t'më

Mbulosh me përkëdheljet e mallit....

 

 

Drita e dashurisë

 

Marr fjalë me erë lulesh,

Takova në sytë e tu verbërinë

Në mendjen tende çmendurinë!

Zhytem në liqen të shpirtit...

Dhe notoj në atë botë të sapozbuluar!

Mrekulli e botës ish brenda mirësisë

Humanitetin si thesar e kam dhe e kultivoj

Kërkoj të ndihmoj shpirtra dhe zemra

Për t'mos i renduar nga dhimbjet e njerëzimit.

Marr fjalë me erë lule dhe pranë afroj,

-oh sa lule ka ly liqen, lule malli,

Lule zemre, dashuri e parë, lisat që zgjaten brenda

Zoqtë që këndojnë dashurinë për Atdhe!

Vajzat si flutura të rrethojnë,

Me puthje të ëmbla të mbulojnë shpirtin,

Po ti për këto mos të të vijë veshtirë

Bëru fjalë e ëmbël, drite, luftoje atë errësirë!

M’u ndezën dritat thellë dhe mua,

Dëshira për të qenë pjesë e asaj se të dua!

Vranë ndjenjat për së gjalli...

 

I mbulonte heshtja udhët e jetës

Ecje rrugëve me kokë-kthyer

Për t’mos prekur plagët e zemrës

Gëlltisje dhimbjen për t’u shfryer!

Në aparencë koha dukej me diell

Por kujtimi u mpiks si gjaku

Ditën që dashurinë e vranë,

Duke i gulçuar ndjenjat për së gjalli...

 

 

Digjem nga malli...

 

Jam këtu në pritje...

Një e-mail apo një zile

Akrepat që lëvizin

Edhe heshtjen e thyejnë.

 

Orët zgjaten më  shumë

Durimin e kanë humbur

Ti po hesht

Nuk bëhesh i gjallë

Unë digjem në vuajtjen time

Duke u zhurritur në mall...

 

 

Një yll i fikur

 

Edhe një yll nga qielli u shkëput

Drita e tij u zbeh në errësirë

Një copë qielli u shemb

Ra mbi tokë i vdekur pa frymë

Një gropë e pafund u hap

Misteri nisi të shfaqet

U varros sa hap e mbyll sytë lumturia

Yjet e tjerë shkëlqimin e humbën

Hënës lotët i pikuan nga lart

Me lotët e qiellit u bashkuan...

 

 

Pa fjalë

 

U thinj koha duke pritur

Dhe shpresa u zbeh ngadalë

U dridh buza e tronditur

Ngrinë në buzë,

Të ëmblat fjalë...

 

 

Ti, dashuri...

 

Mbështes kokën në prehërin e shpresës

Aty zemra ime krahëhapur të pret,

Ti dashuri, je mbretëresha e zemrës,

Shpirti im, me afsh të përkëdhel!

 

 

Sekreti i dashurisë sime...

 

Si thasë me gurë më rëndon në zemër

Ka vite që kërkoj ta fsheh

Rëndojnë vitet bashkë me sekretin

Dhembja në gjoks ka peshën e vet!

U rrokullisën nga maja e larta

Te kembët e mija ndaluan

Plagosën gishtërinjtë,

Duke i përgjakur, as koha

As jeta s’i shëruan...

Tani jam duke perënduar

Si dielli në muzg,

Parvazeve të jetës pres e vetmuar,

T’i them sekretin hënës syzgjuar...

E kam dashur një jetë dhe ai s'ka për ta ditur

Po ti ruaje në syrin tënd këtë sekret

Dhe mbroje nga trishtimet që sytë e tij

Kurrë lotë mos derdhin...

Të lehtësoj zemrën nga pesha e rëndë e viteve!

 

 

Je ti jeta ime!

 

Je Ti jeta ime!

Mendimet dhe shpresat

Në gozhdë të varura,

Si një xhaketë besnike

Gjithmonë në pritje..!

 

 

Malli ndaj vendlindjes

 

Koka më mbeti e këputur

Veç gjymtyrët zvarrë tërheq këtu!

Shpirti mbytet në një det të humbur,

Të mallit për njerëzit dhe vendin tim!

 

 

Erë trëndafilash...

 

Erë trëndafilash seç dëgjoj

Me të kopshtit tim

Kundërmojnë

Nga duart e nënës mbjellur

Në vesë u kthyen lotët

E shpirtit mbi petale

Si gurë diamanti ndritnin!

 

 

Diamanti i dhembjes

-Teuta Shalës-

 

Dridhej flaka e qiririt

Dridheshin lutjet në buzë,

Merrnin flakë

Dhimbjet e shpirtit,

Digjnin mallin e pashuar,

Gjoksi yt mbushej me prush...

 

 

Nuk kuptoj...

 

Nuk kuptoj dhe s'kam për të kuptuar

Njerëz që në jetë më bënë të vuaj

Pa u dridh'syri të vërtetën të thuash

Të sulmojnë si bisha të egërsuara!

Se keni ndërgjegje, pyetni njëherë:

 

Vallë keni gabuar në jetë?

Ç’farë mbollët tek të tjerë! Dashuri a

Urrejtje?

Përgjigjen e keni brenda në shpirt:

Do korrni ç’farë keni mbjellur

Mos prisni tufë lulesh në buqetë,

Bëni bilancin e ndërgjegjes...

 

 

Të lutem, shfaqu në ëndërr!

 

Të lutem, shfaqu njëherë në ëndërr...

Nga malli sytë m’u thanë...

Kam vite që s'të shoh

Shumë gjëra kam për të thënë...

Më dil vetëm njëherë

Se sytë po më verbohen,

Si ujët në Lourd, nga malli

Do shërohen...

Faleminderit gjyshi im,

Që më ushqeve me dashuri!

Ne që na munguan të gjitha në jetë

U bëmë njerëz të mirë!

Mësimet e tua

Më vlejnë në jetë,

Janë si dritë e gjetjes së arësyes,

Kur ndeshem me errësirën

O dritën e rreme!

Tani kuptoj thelbin e thënies:

Zoti ia dha vuajtjen të mirit

Që diti ta mbajë,

Po t’i binte të keqit,

Do shfaroste dynjanë...

 

 

Qielli im i vranët...

 

Qielli im është i vranët,

Retë e zeza në kokë më rrijnë,

Ngrihen të trembura pulëbardhat

Nga deti që zhurmshëm dallgët

I përplas tek shkëmbijtë!

Unë ju gëzova këtij dielli të rreme,

Që me dinakëri më hyri në shpirt,

Nuk duroj gjatë ngrohja e rrezeve

Para se të ndizej zjarri u fik...

Jam mbledhur sa një grusht,

Dhe dridhem në ethe dhe

Drita jashtë më bezdis,

Kërkoj t’u fshihem syve të njerëzve

Që s'mund të kuptojnë shpirtin tim,

I vrërët qielli im!

Por brenda, shiu bie me rrëmbim

Shi dhimbjesh në shkretëtirat e mallit,

Rrufe zjarresh në zemrën time...

 

 

Trungu i vjetër!

 

Jam një trung lisi plakur,

Nga shiu dhe era rrahur!

Me rrënje të thara të zbuluara

Me gjethe të rrë zuara...!

Por mos harro

Edhe pse rëndë jam dëmtuar,

Jam trung me shpirt!

Jap jetë kush ka pësuar si

Unë. Se është e vërtetë

Që ndjenjat forcë kanë

Bëjnë që këtë trung të vjetër

Të trondise,

Se ti më ndihmon,

Brenda meje një lis i ri do lind.

 

 

Vallëzoj me valët

 

Ti nga ana tjetër e detit

I heshturi det mes nesh!

Dë shirat përplasen

Si dallgët tek shkëmbijtë

Perkëdhelur, pa u prekur

Vallëzoj me valët,

Valsin e lumturisë ...

 

 

Për të ruajtur nderin...

 

Hëna po s'më pa të lumtur,

Lot do derdhë

Dashuria ime e burgosur brenda mureve të heshtjes

Nga zjarri i mallit - muret do rrëzojë.

 

Prangat do t’i hedhë ne erë,

Nga shtrati i varrit si Gjergj Elez Alia,

Do të dalë në mejdan dhjetë plagë të marrë,

Për të mbrojtur nderin, e të ruajë  lavdinë

 

 

Ku je shpirti im!

 

Janë vargje të ngritura deri në thjeshtësi

Për ty, i dashuri im bartin mall!

Çfarë  ruaj në shpirt dua të të rrefej

Për flakën dhe dritën e pikëllimit!

 

Nëse i lexon një  ditë mos u befaso

Përse ka zjarr e në të unë digjem

Çdo çast vetmia më shkrumon

Dhe ngrij në heshtje si acari!

 

Të ishe pranë meje do të shikojë lotët

Pushtuan përmasën e rrjedhë s nëpër faqe

Se zemra ndjente tërbim

Kur klitha: Ku je? Ku je shpirti im!

 

 

Bijtë e Zotit me emrin njeri!

 

Mos e përbuz për ngjyrën ndryshe nga e jona,

Mundohu të shohesh bardhësinë në shpirtin e Tij

Po ta vlerë sosh për ndjenjat që ka brenda

Atëherë  ke vlerësuar humanitetin e ndjenjave

Njeri!

Mos gjyko se në ç'farë  vendi ka jetuar,

I vogël apo i madh nuk ka rëndësi

Se kultura e tij, veshjet dhe zakonet

Ndoshta mund të japin bezdi!

Ç'kuptim do kishte bota po qe se të gjithë

Një  ngjyrë do të  kishim?

Do ishte bajate, monotoni,

E bukura qëndron në atë

Se jemi të ndryshëm -

Bijtë  e Zotit me emrin njeri...!

 

 

Një kujtim i largët

 

E menduar...

Kthimi yt e vdekur shpresë,

Lamtumirë

Ndjenje e ngrirë!

Çdo ndjenjë  u kthye në ngricë.

Mes nesh

Heshtje varri

Nje det me plagë,

Muri i ftohtë akull u ngrit

Dë shirë nuk kam t’i ringjall

Dhe ngrica na hyri në palcë!

Kujtimet më lë ndojnë.

Ende jam det,

Nuk dëshiroj t’i ringjall

Kam dëshirë dhe shumë  mall.

Më lëndojnë, më  hapin

Plagë.

Vuan zemra është larg

Më rëndojnë hapat,

Kë tu në dhe të huaj!

 

 

Shpresat e mallit...

 

Ti mall me krahë pëllumbi

  zemrën time u ndale!

Udhëtove larg në vite

Si lypsar qëndron te pragu!

Dyert i gjete të hapura

Edhe se nga dimrat u kalbën

Të forta qëndruan shtyllat

Të ngrohta muret e pritjes!

Prushi mbuluar me hi

Erërat e ngrohta i ndezën,

Duart e fshehura në gjinj

Dritat e shpresës ndezën!

Ti mall gjithmonë në vatër,

Pa humbur shpresat,

Sytë nga dera drejtuar

Kurrë  s'u shuan

Për njeriun e zemrës...!

 

 

Zemër e përflakur

 

Po udhëtoj i dashur

Dhe zemrën e lash tek ti

Në këtë ditë të ftohtë shkurti,

Xhelozia e tyre shpirtin ma ngrin...

Buzëqeshja në buzë më mbeti

Dhe fjalët në grykë

Ti je mendimi i parë dhe i fundit

Vetëm tek ti i kam sytë...

Po te pyesësh zemrën time

Ne ç'vend kërkon të jesh?

Ajo ëmbël të përgjigjet:

Atje ku kam folenë,

Vetëm në zemren tënde dua te jem!

 

 

Konfuzion

 

Ju intereson si ndjehem

"Një e falimentuar"

Mes trafikut e hutuar

Polici fishkëllen duke më thënë:

“Ndal Zonjë, nuk e di

Se këtu ka veç një rrugë,

Nuk kemi me dy korsi!”, dhe unë

Më shumë e trembur,

Konfuzion,

Në mes të trafikut i them:

“Më falni, zotni, kam gabuar,

S'ka për të ndodhur më kurrë!”

Sa herë jam betuar

Dhe përsëri vazhdoj të eci

Në rrugë të gabuar...

 

 

Pikojnë strehët e shtëpisë së vjetër

 

Pikojnë strehët e shtëpisë së vjetër

Hija e rëndë u ngjit në mur,

Nuk dëgjon hapat e fëmijëve të mi

As zërat e tyre që i bënin muret t? dridhen,

Bari i kopshtit u rrit deri në gjunjë

Gjethet shtrohen palë-palë çdo vit

Brenda suvatimi fillon të bjerë,

Copëza të grisura si kujtimet që mbeten aty.

Vizitoj shpesh në ëndrra shtëpinë e vjetër,

Brava është ndryshkur dhe çelsin s’e gjej,

Futem hajdutçe nga dritarja e thyer

Kujtimet e mallit i kërkoj në themel,

Një qarje fëmije apo një dorë zgjatur

Mbrëmjeve kur futeshin të lumtur në shtrat

 

Ma zinin frymën kush të vjente i pari

I kënaqeshin dashurisë sime dhe të babait,

Fytyrat e tyre mbeten si hije në muret që rënkojnë,

Shpirtrat zgjohen dhe ankohen: Këtu mungon çdo gjë,

Pa fëmijët nuk ka jetë,

Kjo shtëpi eshte e lodhur duke pritur,

Shpatullat janë kërrusur dhe muret po shemben,

Iki e marrosur si era duke qarë,

Më peshon si gur dhembja që kam në shpirt,

Ndryshkun e dhembjes së hapjes në sirtar

Dhe pluhurin që ka mbuluar kujtimet e fëmijëve,

Ndërsa strehët nga larg pikojnë

Të tkurrura pikojnë brenda në shpirt,

Ndoshta s'do të jetë larg

Kur ne të shkojmë të rregullojmë tavanin,

Që mos të pikojnë çatitë...

 

 

Kujtimet e hidhura janë  si këpurdhat

 

Si këpurdhat lindin kujtimet vend e pa vend,

Unë në një fushë të pafund,

Vargjet i shtrij në barin e gjelbërt

I mbledh një nga një si lule dhensh

I vendos mbi flokë si dikurë luanit me gishtërinjtë

Këmba që pa dashur barin shkel,

Shtyp një kujtim të hidhur,

Dikush padrejtësisht fëmijërinë të rrëmben

Dhe bëhet padroni jetës...

Një tjetër te çjerr buzëqeshjen

Me përbuzje të quan varfanjak,

Ti buzëetur për dorën e mallit,

Mbetesh veç si hije e vrarë...

I pafuqishëm të zgjedhish fatin

Sepse fati për ty vendos,

Pret me durim të    dhurojnë krahët

Sa më larg të fluturosh...

Por kujtimet të ndjekin dhe larg

Të mbijnë si këpurdhat vend e pa vend

Dhe në rast se s'di t’i njohish, mos i këput

Ngase janë helmuese për shëndetin tënd!

 

 

Natën e mirë i dashuri im!

 

Natën e mirë i dashuri im!

Tani e përgjithmonë,

Të them lamtumirë!

Të falënderoj për ditët e lumtura

Dhe indiferencën tënde

Në ditët e mia të trishtuara.

Nuk jam njeriu që e kërkon,

Me njolla e kam zemrën

Dhe plagë të hapura akoma

Nuk mund të dhuroj vetëm dhembje!

Përqafimin e fundit po ta dërgoj

Dhe më kujto me ngrohtësi

Sepse shumë të kam dashur.

Nga mungesa jote shumë kam vuajtur,

Do vuaj akoma,

Por në zemër do vë një gurë,

Për të ndaluar dhembjen.

 

 

Dëgjoj një dhembje

 

Në tavolinë jam ulur

Pjatat me hidhërimin

Tim mbushur, gotën

Me lotët

E kthej me fund,

Sepse  ndarja

Krahët e lodhur

Po shkund...

Në agoni

Mbes pa frymë

Dëgjoj një dhembje

Gjoksi, që si tërmet më tund.

Dashuria e strukur në një

Qoshe qëndron,

Si flakët e qiririt dridhet psherëtin

Ndarja si vdekja përjetohet

Kur e humb dashurinë...

 

 

Një zemër në fluturim...!

 

Udhëtoja në kaltërsinë e pafund të qiellit

Dhe krahët e lira i shtrija,

Shihja nga lart botën më sytë e skifterit

Çdo gjë të bukur,

Kërkoja ta përpija!

Henën përshendes dhe mbas reve fshihem,

Diku dielli

Më gjen me rrezet e tij, një ndjenjë

E ngohtë,

Trupin përkëdhel dhe shpirtin ma

Përfshin.

U deha me rrokullisjen e gëzuar,

Në horizont ku s'ka ligje dhe kufi,

Atje zemra ime fluturon

Krahë t i shtrij drejt tokës amtare,

-Të dua Shqipëri!

 

 

Mirupafshim atje!

 

Jam ulur në breg të mendimeve

Me mall i shtrij në valë

Vargjet e dhimbshme të shpirtit

Që shkumëzojnë si det i çmendur

Humbas larg në horizont

Drita dashurie më ndizen në zemër

Yjet përplasen në valë dhe ndezin

Ëndrrën e shpresës!

Lotë të kripur rrjedhin padashur

Unë zog i braktisur qëndroj në breg

Flatrat e shpirtit tek ti më mbetën

Për t’i ruajtur nga dhimbjet

Në këtë botë të huaj pa ndjenja

Ndjehem jetime për të dytën herë

Dhimbja e mallit më peshon si gurë

Pranga i vura në këmbë e duar

Lidhur me tokën time që shkëlqen si diell

U ndava për së gjalli me të gjallë e të vdekur

Nuk pata mundësinë

Të hedh një grusht dhe

Ju ikët të gjithë pa më takuar

Pa lamtumirën e fundit

Do takohemi një ditë,

Mirupafshim atje!

 

 

Pa fjalë

 

Si mundesh ta mendosh,

Qoftë dhe për një çast të vetëm

Që do të mërzitem o nevrikosem? Si?

Ndihem kaq keq që s’mund të dëgjoj

Zërin tënd, aromën tënde…

Më mungon si ajri që thith,

Më mungon.

Boshllëku është kaq i thellë,

Sa një pus i gërmuar deri në palcë të tokës.

Ditët janë kaq të  gjata, të pafundme.

Netët e pagjumta, pa ty -

Një proçesion mendimesh të trishtuara.

Ah! Të mundesha të gjej fjalët e duhura!

Do të të thoja:”Zot, sa dua…!

Por një frymë hëne, jam. E fundit

Në fundin e kësaj nate

Ndërsa rrezja e ditës së re

Mpreh thonjtë e gërrvish

Xhamat e dritareve të zgjimit tënd.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx