Mendime
Selim Hasanaj: A duhet të formohet qeveria e Dardanisë me këta njerëz?
E diele, 30.01.2011, 07:58 PM
A DUHET TË FORMOHET QEVERIA E DARDANISË ME KËTA NJERËZ?
Nga Selim Hasanaj
“Qeveria e Kosovës duhet të formohet me njerëz me duer të pastërta”. Ishin këto fjalët e ambasadorit amerikan z.Dell; ishin këto fjalët e z. Feith, që u thanë vetem disa ditë mbas përfundimit të zgjedhjeve politikenë Dardani.
Zgjedhjet u mbajtën dhe u ripërsëritën në katër comun, pikërisht për shkak të atyne njerëzve që aluduen zotrinjët Dell dhe Feith.
Pra për shkakun se njerëzit me duer të pa pasterta janë lider partishë të përfoluna për inkriminim në afera, në krime, në korrupsione etj, etj., që manipuluen me vota, vodhën vota dhe banë shumë parregullsi tjera, prandaj u desht të ripërsëriten pjesërisht.
Partia "FITUESE", PDK-ja e Hashim Thaçit, e cila simbas rregullave ka të drejtën të formojë Qeverinë, nuk mund ta bajë këte pa u hy në koalicion me parti të tjera. Ka kohë që janë ba përpjekje dhe pazare për këte punë, por deri tash nuk shihet asgja konkrete.
Pse kështu? Sepse partitë tjera (simbas asaj që thonë drejtuesit e tyne ) nuk e dëshrojnë një aleancë me PDK-në, sepse tash duhet të ketë bisedime me Serbinë, dhe nga frika se do gjenden para ndonjë fakti të kryem, nuk duen të bahen pjesë e kësaj historie, ashtu edhe për faktin pse e dinë që Qeveria, porsa të formose, do bjerë, nëse formohet me njerëzit e përfolun se nuk i kanë duert të pastërta.
NUK DUHET TË FORMOHET QEVERIA ME TË TILLË NJERËZ!
Prandaj, pikërisht për këte, mendoj se të perfolunit si inividë me duer të papastërta (sado që partitë e tyne kanë "fitue" dhe sado që edhe ata kanë "fitue" numër të madh votash), për të miren e vendit, të shtetit dhe të popullit, të ardhmënisë së tij, nuk do të duhej të përfshiheshin në asnjë detyrëinstitucionale, jo ma ministra e kryeministra, e as të guxojnë të jenë deputetë të Parlamentit të Dardanisë. Dyert e këtij institucioni të naltë shtetnor duhet tu mbyllen para hundëve njerëzve të tillë.
Pse mendoj kështu? Mendoj për faktin pse na, pandërpre, flasim dhe rrejmë veten tonë se jemi europianë, jemi demokratë, jemi të civilizuem, ndërsa në realitet tregojmë të kundërtën.
Për këto arsye na duhet t’u themi STOP lidërve dhe Deputetëve që kanë pasë apo kanë në ngarkim procese gjyqsore, apo edhe kanë marrë dënime me heqje lirie, ashtu si edhe të gjithë ata që janë nën hetime nga prokuroria; atyne ndaj të cilëve edhe bashkësia ndërkombëtare miraton rezoluta për krime, për afera të tjera kriminale e korruptive.
E di se kjo do t’i ndezë disa militantë partiakë, por mendoj se, nëse janë vertetë atdhetarë, atëherë: Hashim Thaqi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, Fatmir Xhelili, Rrustem Mustafa, Rexhep Selimi etj.. ishluftëtarë, ashtu edhe Nexhat Daci, Bajrush Xhemajli, Bujar Bukoshi, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Sabri Hamiti, Ibrahim Makolli, Naser Rugova etj., etj., kurrë nuk do të duhej të shkelnin pragun e derës së Parlamentit e as të ndonjë institucioni të shtetit dardan.
Nuk due të cekë tash faktet për secilin që e permenda ma nalt, sepse ato i dinë edhe lopët në grazhd, jo ma populli.
Besoj se mjafton me thanë se të gjithë këta, ashtu edhe disa dhjetra të tjerë që nuk m’u kujtuen tash, së paku një herë kanë pasë punë me prokurorinë, kanë marrë dënime, kanë ba burgje me muej e vite, sikurse janë edhe disa me të cilët merret edhe vetë drejtësia e bashkësisë ndërkombtare dhe Interpoli.
Shumë nga këta që ceka këtu, ashtu edhe ata që nuk m’u kujtuen, do t’i kisha lutë si vëlla, si qytetar i Dardanisë, për hir të Zotit, për hir të Flamurit, nëse jeni shqiptarë dhe e doni Atdheun, largohuni, rrini anash dhe hapnju rrygën të rijve. Dakord, juve “nuk keni asnjë faj, ju kanë akuzue, ju kanë dënue, ju kanë ra në qafë rivalet e kundërshtarët politikë, shërbimet sekrete të shteteve anmike”, si deklaroni, megjithate do të banit mirë të largoheshit, që hetuesia, prokuroria dhe gjyqkatat të merren me akuzat që u bahen. Vetëm kështu mund të ndihmoni veten tuej, sepse ma shpejt dhe ma lehtë do kryhen proceset, ndërsa ma së shumti do e ndihmoni shtetin e ri, Dardaninë tonë të shtrejtë, për të cilen u derdh aq shumë gjak.
Gjithçka e mirë që ju keni ba në të kaluemen asht për t’u vlerësue, por as ju e askush nuk ka të drejtë të jetojë me të kaluemen si alibi për me i ra shtetit dhe popullit në qafë, me iu varë si guri rreth qafe e për t’u mbytë bashkë me të.
Ju këte po bani. Doli Dik Marti dhe të gjithë me radhë gabuem. Gabuem sepse askush nuk u kujtue me dalë zyrtarisht e me thanë: Z. Dik Marti, të lutem, banu ma i qartë, a akuzon UÇK-në, apo personazhe të veçantë të saj në atë kohë? T’i thuhej se, nëse akuzon UÇK-në, e ke gabim, sepse kjo ishte ushtri çlirimtare, që bani luftë dhe rezistencë të drejtë dhe humane. Nëse akuzon individë të veçantë të saj, atëherë sill fakte, merru me ta, provoje akuza, por pa e përgojue e përlye UÇK-në.
Po nea reaguem me ankth, me eufori, kryeministri Sali Berisha, me atë fjalorin e tij primitiv, të zakonshem, që e ka sa herë bahet nervoz, shkoi aq larg, sa Dik Martin e quejti racist. Po Dik Marti nuk asht Edvin Rama, as Fatos Nano, me i quejtë ky qysh t’i teket.
Disa shoqata të dala nga lufta në Dardani mblodhen nënshkrime për peticion kundër raportit të Dik Martit. Eufori edhe kjo.
Përse ashkush e kurrë nuk mblodhi nënshkrime për t’i dërgue para prokurorisë së UNMIK-ut dikur e EULEX-ist tash, apo para Prokurorisë së shtetit të Dardanisë, e të kërkonin kush i vrau gjithë ata njerëz që nga vitet e para të fillimit të luftes e deri në ditet e sotme dhe kurrë nuk u gjetën vrasësit?!
Pra, me pak fjalë, jemi na që e nxorem UÇK-në, popullin shqiptar dhe shtetet shqiptare, si mburojë, apo mish për top para Dik Martit dhe akuzave të tij për të mbrojtë individët për të cilët na nuk dijmë asgja. Ndërkohë dijmë se këta individë janë perfolë dhe janë akuzue për shumçka.
Prandaj, nëse dëshrojmë të kemi shtet të fortë, shtet të sigurtë, shtet të qëndrueshem, pa ngurrim, duhet së pari t’i lusim të iken nga skena politike kjo klasë e dështueme politikanësh. Nëse ata nuk do t’i kuptojnë e nuk do t’i përfillin lutjet tona, duhet t’i detyrojmë të ikin.
Ndërkohë me akuzat nëngarkim të tyne le të merret drejtësia kombëtare e ndërkombtare. Na nuk duhet të bahemi mburojë e tyne.