E diele, 28.04.2024, 09:16 AM (GMT+1)

Mendime

Beqë Cufaj: Tash, hetimet!

E premte, 28.01.2011, 08:19 PM


Tash, hetimet!

 

Nga Beqë Cufaj

 

Në fillim, mes dhe fund të viteve 90, sa herë që ndonjë institucion ndërkombëtar aprovonte ndonjë rezolutë apo edhe raport që kishte të bënte me shqiptarët në përgjithësi dhe me pozitën e rëndë të popullit të Kosovës në veçanti – të gjithë ne, vdekatarët e zakonshëm dhe bashkë me ne edhe politikanët tanë, "ushqeheshim" me ato rezoluta për ditë, javë e muaj të tërë.

Në këtë rrjedhë të dhjetëra rezolutave për gjendjen e tmerrshme të të drejtave të njeriut në vendin tonë të pushtuar nga regjimi i Milosheviqit, edhe pse e dinim që ato raporte e rezoluta të Kongresit e Senatit Amerikan, Parlamentit apo Këshillit të Evropës, de jure nuk e obligonin askënd, megjithatë disi i jepnim vetes shpresën dhe me këtë edhe infuzionin që do të vinte dita kur "bashkësia ndërkombëtare" do ta kuptonte që duhej të ndërmerrte hapa të drejtpërdrejtë kundër Beogradit, i cili, dorën në zemër, Kosovën e kishte lënë si "vrimën e fundit" të kavallit në politikën agresive dhe gjenocidale në krejt hapësirën e ish-Jugosllavisë. Kësaj duhet shtuar edhe elementin tjetër të rëndësishëm: regjimi serb bënte çdo gjë që të shpallte armiqtë kundër "politikës së drejtë" serbe.

Çmimin e çmendurisë serbe e kemi paguar të gjithë dhe sot më shumë se 10 vjet pas luftës së fundit në hapësirën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova është shtet i pavarur jemi gdhirë me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, e cila ka aprovuar raportin e senatorit zviceran Dick Marty – kaq shumë të përfolur dhe të përgojuar, me akuza të rënda për figura kyç të UÇK-së, shumë prej tyre edhe politikanë të rëndësishëm të vendit sot.

Siç e kanë thënë tashmë me dhjetëra herë jo edhe aq miqtë e mëdhenj të shtetit tonë, parlamentarë e politikanë serbë në Beograd, kjo rezolutë dhe ky raport, edhe pse nuk kanë kurrfarë implikimi legal as në shtetësinë e as në organet e Kosovës, megjithatë, nga aspekti "moral", ky dokument për herë të parë njollos luftën e popullit shqiptar dhe të UÇK-së për çlirim.

Fakt ky, të cilin, nëse do ta përkthenim me gjuhën e përditshmërisë politike e mediatike, të formës dhe të përmbajtjes së institucioneve të vendit, do të thotë që në ditët, javët dhe muajt që vijnë sa herë të flitet apo të shkruhet për Kosovën, në fusnota do të përmendet kjo rezolutë e KE.

Reagimi i institucioneve, i politikanëve, i personave të thirrur apo jo për t'u shprehur për këtë çështje deri më tashti ka qenë herë i matur e herë i pamatur.

Por, prej ditës së sotme, vendi është në një pozitë tjetër. Sepse "tapinë" Marty e kemi para derës. Dëmi ndaj imazhit të vendit është bërë. Kurse thirrjet që EULEX-i duhet të hetojë jo vetëm që janë të drejta por problemi që tashti del është: si duhet jetësuar këto hetime.

Dhe, kjo është gjëja më frikësuese. Jo nëse EULEX-i do ta kapë "dikë", por nëse vërtetë do të kemi një hetim të shpejtë, efektiv dhe me rezultate konkrete.

Të mos harrojmë: prania e bashkësisë ndërkombëtare në vend dhe me këtë edhe e EULEX-it duhet të arsyetohet disi. Prandaj kemi kaq shumë zvarritje e përzierje kompetencash dhe me këtë edhe zhagitje të cilat secilit prej nesh ia bëjnë jetën kaq të vështirë me paqartësitë konstante.

Për t'i evituar ato – jo vetëm të përmendurit në raport, por krejt segmentet e shqiptarëve në Prishtinë e Tiranë duhet të ushtrojnë presion masiv mbi hetuesit e Misionit Ndërkombëtar që të fillojnë punën dhe sa më shpejt të dalin me rezultatin e punës së tyre.

Kosova, qytetarët e saj, nuk mund të jenë më peng i askujt. As i politikanëve tanë e as i misioneve ndërkombëtare duke u fundosur çdo ditë e më shumë në ujërat e turbullta të pritjeve dhe paqartësive.

Vendit i duhen përgjigje: kush do të hetohet, pse do të hetohet dhe kur do të mbyllen hetimet. Tashti.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora