E diele, 28.04.2024, 04:40 PM (GMT+1)

Mendime

Zija Çela: Mos i fal o Zot, se e dinë çfarë bëjnë...

E merkure, 26.01.2011, 08:26 PM


Mos i fal o Zot, se e dinë çfarë bëjnë...

 

Nga Zija Çela

 

1. Në këto shënime dite nuk marr përsipër mëtimin e gjykatësit, domethënë të atij që mendohet se e ndan plotësisht shapin nga sheqeri. Aq më tepër që, kur ka mort, sheqeri mungon dhe kafja për të gjithë pihet e hidhur. Vetëm një zemër prej guri nuk ka vend për dhimbjen e tjetrit. Prandaj, nga të vdekurit e asaj xhumaje (21 janar) ka vdekur gjithashtu diçka te zemra jonë, mbi të gjitha është plagosur rëndë shpresa për të nesërmen.

Dhe këtu shtrohet pyetja e parë: A duam prapë gjak, a duam viktima të tjera? Nëse po, atëherë të gjallëve s’u mbetet tjetër veçse të jetojnë si të vdekur, ndërsa të vdekurit të ngrihen nga varri që të vriten përsëri. Por edhe një inteligjencë mesatare është në gjendje të përfytyrojë pasojat që vijnë nga bashkëveprimi i faktorëve të kundërt: antiligjit me ligjin, benzinës me shkëndijën, përplasjes së rrasave tektonike që sjellin tërmet e rrënim të përgjithshëm.

Për ta shkarkuar veten nga çdo ngarkesë njëanshmërie, meqë tërthorazi palët politike po e paraqesin ngjarjen secila si fitore të vet, po them se është gjetur humbësi, unë jam humbësi. Dhe kur them unë, kam parasysh qytetarin, dhe kur them qytetarin, kam parasysh qytetarët në shumicë, nga e djathta dhe nga e majta së bashku, ata që ende nuk u ka shkalluar truri prej politikave egocentriste, ata që japin votën por s’janë të gatshëm të japin edhe kokën vetëm e vetëm nga ambiciet e verbra për pushtet. Po, me ndjesën e madhe për këtë “përfaqësim” të gjerë që po i lejoj vetes (Medet, sa delenxhinj na flasin në emër të popullit!), po përsëris: E qytetarëve është përvujtnia e humbjes, por e humbjes me dinjitet dhe le ta mbajë kush të dojë ngazëllimin e fitores pa dinjitet.

 

2. Pati një çast që, gjatë demo(n)stratës, ranë kambanat dhe vetvetiu të rrëqethej shtati, sepse të vinin në mend fjalët e Jezusit: “Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”. Por në atë zgjim të demonëve, ata e dinin çfarë bënin, ata ndodheshin aty pikërisht pse e dinin. Dhe më mirë se sulmuesit dhunues e dinin politikanët, pasi të dyja palët ishin përgatitur më parë. Dhe skena kishte një pamje disi biblike: nën flakadanin e palmës që digjej, si të ishin barbarët e dikurshëm, një turmë e hakërryer linçonte me gurë mbrojtësit e rrethuar. Mbrojtësit e njërit prej tempujve, që ngado në botë mbart simbolikë shtetërore. Natyrisht, brenda nuk ishte Jezu Krishti, por as Maria Madalena ndaj së cilës, duke u ndier vetë mëkatarë, s’pati guxuar askush ta rrëmbente gurin i pari. Brenda ishte Kryeministri legjitim i vendit, Kryeministri i dekretuar nga Presidenti i Republikës, njëshi i ekzekutivit i dalë nga vota e shumicës, kësaj here të një shumice më specifike, por edhe më përfaqësuese, si aleancë e një pjese të së majtës me të djathtën. Në një kuptim, dukej absurde se si në një shtet sovran, me institucione të ngritura demokratike, minoranca po kërkonte të rrëzonte me dhunë nga pushteti mazhorancën. Pa dyshim, ky ishte përfaqësimi më i keq që i bëhej elektoratit të majtë, i cili në të vërtetë përfaqësohej nga pjesa tjetër e demonstruesve, pjesa më e madhe që u diferencua dukshëm nga linçuesit.

Po kush ishin këta sulmues të rrezikshëm, aq egërshanë? Është thënë dhe çfarë s’po thuhet për ta, janë quajtur kriminelë, drogaxhinj, bashibuzukë, fundërrina, banditë, mercenarë të paguar etj. Sigurisht që bisha fle brenda çdokujt dhe ka nevojë të bëhet zap, sepse kur del nga errësirat e subkoshiencës t’i errëson sytë ekstaza për gjak dhe deliri i dhunës. Andaj gjithsesi mund të cilësohen. Veçse ne kemi frikë, ne kemi turp t’i cilësojmë edhe të ndryshe, të pranojmë se ata nuk kanë zbritur nga Hëna, se ata janë tanët, vëllezërit, motrat, baballarët, bijtë tanë fatkeq që pranojnë të bëhen mashë dhe të përvëlohen vetë, në mënyrë që politikanët t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri pa djegur duart. A janë vetëm ata fajtorë?! A s’kemi ne pjesën tonë të fajit kur i margjinalizojmë, u largohemi si kolerës dhe i përbuzim, duke i lënë shpesh pa përkrahje, pa shkollë, pa punë e nganjëherë edhe pa bukë?! Ku është roli i shoqërisë civile, i OJQ-ve të panumërta?! Qeverisja ka përgjegjësinë se i prodhon dhe i harron, opozita se i organizon dhe i përdor si kamikaze, duke i hedhur kundër vëllezërve të tyre.

Dhe vëllezërit ishin policët e gardistët, superioriteti i të cilëve nuk ishte thjesht moral, por sidomos ligjor. Ata u sulmuan në detyrë. Kush tejkaloi ligjin, le të mbrohet po përmes ligjit, veçse para Drejtësisë këtej, ashtu si para Zotit andej, jemi të gjithë të barabartë. Dhe këtu, kalimthi, po them se shpërblimi financiar i policëve dhe gardistëve pjesëmarrës mund të shpallej pak më vonë, kur të kalleshin të vdekurit dhe të bëheshin më gjakftohtë të gjallët. Ndërsa fletëndalimet është e arsyeshme t’i nënshtrohen ligjit dhe vetëm ligjit, para të cilit të gjithë duhet të dëshmojmë bindje. Megjithatë, bie fjala, fletëndalimi për zotin Ndrea Prendi ngjan disi i kobshëm, sepse në pamje të parë duket sikur, duke goditur shefin e saj, po hidhet në erë gjithë shërbimi i çmuar që bëri Garda, pra, komandë s’ka më, o burra kapërceni gardhin. Ta bësh direkt fajtor zotin Prendi për vrasjet, është njësoj si të thuash se tre protestuesit u vranë direkt nga organizatorët maksimalistë të opozitës, duke i akuzuar se nuk shpërndanë ftesa për miting, as për koncert, as për të dancuar, por për me vdekë.

 

3. Vizionet që të vinin duke parë ato skena të lemerishme ishin të ndryshme. Dhe të grinte një dhembje, dhembja se deri në çfarë shkalle mund të degradojë përdorimi për qëllime politike i njeriut të shkretë.

Në fillim, kushedi përse, të ndërmendej gjuetia tradicionale e aristokratëve. Si prijnë deri në një shenjë vendi në pyll, gjahtarët aristokratë u heqin rripin langonjve dhe i ndërsejnë për ta nxjerrë gjahun nga foletë. Mundet që, me gjuhën e komunikimit të tyre, t’u thonë se atje vetëm lepuj do të gjeni, mjafton skërmitja e dhëmbëve që t’ia mbathin. Dhe për njëfarë kohe rreshtat e policëve si një tufë lepujsh u strukën, derisa provuan në mish kafshimet e sulmuesve.

Një ndërmendje tjetër ishte një zakon ushtarak, që thuhet se përdorej rëndom në Luftën e Parë Botërore. Sa herë ndodheshin para fushave të minuara, para se të kalonin vetë në krye të këmbësorisë, shtabet përkatëse përdornin disa kafshë. Gomerët e gjorë vraponin përmes minave dhe, duke u hedhur vetë në erë, u hapnin rrugën graduatëve.

Dhe meqë jemi në këtë fushë, prapë një vizion ushtarak, ai i importimit të dhunës. Më 20 janar, duke përjashtuar çfarë qarkullonte vetëm në nivel fjalësh, Tirana ishte në normalitetin e përditshmërisë të saj. Të nesërmen ashtu u gdhi. Në drekë, si të vinte prej diku një stuhi e beftë, përmbysi gjithçka. Rreth katër orë më pas, pasi stuhia iku siç kishte ardhur, Tirana ishte prapë ajo e para. Kjo tregon se në kryeqytet nuk zotëronte verdikti që u shit si frymë e popullit, frymë e përmbysjes revolucionare. Çdo enë mban lëndën e vet dhe, me gjasë, kryeqyteti nuk është më ena e dhunës. Ja përse kësaj radhe lindi nevoja e importimit, veçse jo nga jashtë, por nga brenda. Dhe qe një importim legal, me autokolona dhe kolona deri në fushën e mejdanit. Prandaj nuk të ndërmendeshin më as plloskat me verë të gjahtarëve aristokratë, as karrot me topa të graduatëve ushtarakë, por manualet, doracakët e luftës guerile. Dhe guerilasit i pamë, gjithsesi u dëshmuan. Ata që mungonin ishin komandantët idealistë, për shembull, idealistët aventureskë të tipit komandante Çe Guevara.

Dhe në këtë pikë do të zbrazeshin shumë pyetje, por po rikthehem tek nismëtarja: Vallë, a duhet ta përdorim kështu pasurinë më të madhe që ka një komb, energjinë njerëzore?! A duhet ta poshtërojmë, ta degradojmë, t’ia vëmë këmbën në zverk njeriut, ta fusim me vetëdije në rrethana kriminale?! Beteja u zhvillua pranë Kambanës së Paqes, asaj që është derdhur me gëzhojat e vitit 1997. Kush ec me qafën shtrembër, sheh vetëm mbrapa. Përse u dashka të jetojmë me fantazmat e historisë, përse na zgjohen demonët e së shkuarës dhe jo engjëjt e së ardhmes?!

Kështu kemi ecur prej dy dekadash. Kur njëra palë është në pushtet, reflekton fodullëk, arrogancë dhe shenja të autokratizmit. Ndërsa pala në opozitë, si t’i ketë këmbët në prush derisa të marrë pushtetin, duke mos gjetur stabilitet për vete, shkakton destabilitet për gjithë vendin.

 

4. Por sjelljet politike gjithmonë e kanë një enë, si puna e qeses së tëmthit, prej ku mund të marrësh kampione për analiza. Të gjithëve na kujtohet kur liderët tanë u ftuan jashtë nga përfaqësues të lartë të organizmave europiane dhe hëngrën darkë në hotelin e ashtuquajtur “Krokodili”. Do të kuptohej më pas se çfarë hëngrën, por edhe çfarë nuk e gëlltitën dot dhe na e sollën peshqesh prej andej. Në njëfarë kuptimi, zoti Rama solli dhëmbët, kurse zoti Berisha lotët e krokodilit.

Ka një vit e gjysmë që opozita sillet rreth kutive të zgjedhjeve si kali në lëmë. Është e mundshme që, kur vërtitesh e vërtitesh kaq gjatë, mund të të merren mendtë dhe nuk sheh tjetër veçse, në kuptim figurativ, hurin ku je lidhur. Prandaj, deri në njëfarë mase, opozita e humbi logjikën normale politike. Dhe kur u kthye në kushtin fillestar që kishte propozuar vetë Kryeministri, hapjen e vetëm të kutive me materialet zgjedhore, zoti Berisha e hëngri fjalën. Argumentet u shpallën, por transhendimi i ligjit, tejshikimi që sheh dritë në fund të tunelit dhe sjellja bujare që mazhoranca duhet të tregojë ndaj minorancës, munguan. Keqardhja, edhe nëse është e sinqertë, krijon një perceptim të papëlqyeshëm, prandaj dhe të pabesueshëm.

Sa për dhëmbët që përmenda, nuk ka nevojë të komentohet. Ajo që më duket e papranueshme nga opozita është jo vetëm përdorimi i demonstratave të dhunshme, por edhe përpjekja për t’i krijuar një bazë teorike aplikimit të tyre. Dhe për këtë sillen si shembuj dhuna dhe përleshjet me policinë në vendet më të zhvilluara demokratike. Por pse të marrim të keqen dhe të mos marrim anët më të mira të atij realiteti?! Dhe përse nuk thuhet deri në fund e vërteta? Së pari, supet e këtij vendi janë të brishta dhe peshat që mban Anglia, Franca apo Italia nuk i mban dot Shqipëria. Së dyti, protestat atje i zhvillojnë sindikatat dhe grupimet e ndryshme shoqërore, deri edhe organizata anarkiste, teksa grupime të terrorit (si në Greqi) gjejnë shesh për të bërë përshesh. Në raste të tilla, vërtet ka dhunë e përleshje, por lindin si reagime të çastit, ti më bien dhe unë të bie, demonstrata nuk parapërgatit me skenar politiko-ushtarak, skalioni i parë dhe skalioni i dytë, sulm, mbrojtje dhe kundërsulm. Së treti, asnjë parti europiane serioze nuk zgjedh rrugën, por Parlamentin. Ata mund ta shfrytëzojnë pakënaqësinë popullore, por duke e shndërruar në alternativa demokratike. Ja përse thirrjet e maksimalistëve të rrugës, sado të vishen me petka moderne dhe kajmak oratorik, nuk janë në axhendën e politikës zyrtare të Europës. Opozita ka vetëm një rrugë për të shëndoshur veten dhe vendin, kthimin në rrugën institucionale.

Janë dymbëdhjetë obligime për t’u përmbushur këtë vit, nëse duam të marrim statusin e vendit kandidat. Prandaj na duhet dialogu dhe bashkëpunimi. Nga PD dhe PS s’e duam dialogun si parodi aktoreske, por si kompromis të kryeaktorëve politikë. Kam përshtypjen se kemi përballë dy figura antipode. Po paraqes vetëm njërën pamje: Nëse shefi i pozitës vepron shpesh vetëm si i thotë koka e vet, kreu i opozitës vepron shpesh siç i fryjnë në vesh të tjerët. Po i le pa përgjigje të dy hamendjet, atë nëse ka “burrë” që i thotë ndonjëherë Jo njërit, dhe atë përse tjetri u thotë aq shpesh Po pëshpëritësve. A mos u shkon ndër mend se për mosmarrëveshjet e tyre të thella e kemi fajin ne, ne që secili prej liderëve na quan “popullin e tij”?! Në qoftë kështu, të gjejnë një popull tjetër, ta marrin nga jashtë. A mos u shkon ndër mend se fajin për mosmarrëveshjet e tyre të thella e kanë organizmat ndërkombëtare?! Në qoftë kështu, përse atëherë rrinë me veshët në krah për të kapur se çfarë thuhet për zotërinë e tyre?! Por, për të qenë të hapur, i kemi dëgjuar të shprehen edhe ndryshe: “Uh, mjerë ne ç’po heqim nga të huajt!”, në vend të thonë: “Uh, mjerë të huajt ç’po heqin nga ne!”

Politikanët e kuptojnë, e kuptojnë fort mirë si duhet vepruar në këtë situatë. Dhe pikërisht pse janë të vetëdijshëm për udhën e drejtë, në qoftë se nuk bëjnë më të mirën, por ndjekin rrugën e shtrembër, në altarin qytetar vetvetiu merr ca ndryshe ajo lutja mesanike: “Mos i fal, o Zot, se e dinë çfarë bëjnë!”



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora