Mendime
Kastriot Myftaraj: Libri “Aksidenti” i Ismail Kadare, si raporti i Dick Marty
E hene, 24.01.2011, 09:57 PM
Libri “Aksidenti” i Ismail Kadare, si raporti i Dick Marty
Nga Kastriot MYFTARAJ
Romani i Ismail Kadare, “Aksidenti” i botuar së pari në 2009 mund të quhet i pari roman shqiptar i llojit mistery fiction, domethënë ai lloj i fiction ku ngjarja e romanit policor merr përmasa transhedentale, mbinatyrore. Libri “Aksidenti” fillon si më i rëndomti i romaneve policore: “Ngjarja dukej më se e rëndomtë. Një taksi ishte rrëzuar në kilometrin 17, në rrugën automobilistike që çonte në aeroport. Dy udhëtarët qenë vrarë në vend, kurse shoferi i plagosur rëndë, ishte çuar në spital, në koma. Në procesverbalin e policisë, ishin shënuar të dhënat e zakonshme në kësi rastesh: emrat e të vrarëve, një burrë dhe një grua e re, të dy me nënshtetësi shqiptare, numri mineralogjik i taksisë bashkë me emrin e shoferit austriak, si dhe rrethanat, ose më saktë, mosdija e plotë e rrethanave, në të cilat kishte ndodhur aksidenti. Taksia nuk kishte asnjë gjurmë frenimi a goditjeje nga kurrfarë drejtimi. Në ecje e sipër i ishte afruar anës së rrugës, thua se grahësi e kishte humbur befasisht shikimin, gjersa ishte përmbysur në zgrip”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 17)
Ismail Kadare i përshkruan kështu dy viktimat e aksidentit, të cilët janë shqiptarë nga Tirana: “Ai, analist që bashkëpunonte me Këshillin e Evropës për çështjet e Ballkanit Perëndimor, ajo një grua e re, e bukur, stazhiere në institutin arkeologjik të Vjenës. Me sa dukej, dashnorë. Taksia ishte thirrur nga sporteli i hotelit “Miramax”, ku viktimat kishin fjetur gjatë dy netëve të fundjavës”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 19)
Befasisht, kjo ngjarje tërheq vëmendjen e shërbimeve inteligjente: “Tre muaj më pas, kur dy shtete ballkanikë, njëri pas tjetrit, kishin kërkuar t’i hedhin një sy dosjes së aksidentit në kilometrin 17, arkivisti nuk e kishte fshehur dot habinë. Që kur vendet e gadishullit grindavec, pasi kishin kryer të gjitha prapësitë e mundshme në këtë botë: vrasje, bombardime, kacafytje e shpërngulje popullsish, tani, pas mbarimit të marrëzisë, në vend që të jepeshin pas ndreqjes së rrjedhojave të saj, ishin kujtuar të merreshin me gjëra të holla, si aksidentet e rralla automobilistike? Ndërsa nuk ishte e mundur kurrsesi të kërkohej shkaku i interesimit të shtetit serbo-malazez, për aksidentin, shumë shpesh u bë e qartë se të vrarët, kishte kohë që ndiqeshin prej tij. Pas rënies në gjurmë të kësaj ndjekjeje, kaq i kishte mjaftuar shërbimit të fshehtë shqiptar, që të gjallërohej gjithashtu. Dyshimi se mund të ishte fjala për një vrasje politike, dyshim, që pas përmbysjes së komunizmit ishte bërë e modës të përqeshej gjithkund si pjesë e paranojës së tij, ishte kthyer befas me tërë zymtinë e vet”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 22-23)
Ngjarja tërhoqi vëmendjen e shërbimeve inteligjente për shkak të njërës nga viktimat, Besfort Y, për të cilin autori thotë: “Në listën prej njëzet e nëntë personazhesh, që sipas shërbimeve serbe, me ndërhyrjet dhe raportet e tyre për masakrat në Kosovë kishin arritur të çoroditnin qeveritë perëndimore, emri i Besfort Y., ishte si një shenjëz e zbehtë, midis yjeve të madhësisë së parë si Klinton, Klark, Ollbrajt e të tjerë. Megjithatë, kur vinte puna për te shtysat e turbullta, shpeshherë me zanafillë vetjake, që i kishin ndërsyer këta burra kundër Jugosllavisë së gjorë, Besfort Y., ishte i vetmi që vihej në raporte krahasimi me presidentin amerikan. Historia e këtij të fundit me Monika Levinskin, linte përshtypjen e një idili të pafajshëm, përballë dufit mynxyror të analistit shqiptar, të cilin shkatërrimi i një shteti i jepte, me sa dukej të njëjtën mekje si zotërimi, më saktë, mposhtja e femrës. Fjalët ‘pasi kreve punë me Serbinë, m’u turre prapë mua’, sipas raporteve nuk linin asnjë dyshim për natyrën prej maniaku të analistit”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 39)
Unë nuk e di që në vitet para luftës së Kosovës, si dhe në kohën e luftës, të ketë pasur ndonjë analist shqiptar nga Tirana, i cili të ketë pasur në ngjarjet një impakt të tillë, si ai që thotë Kadare më lart. As Serbia vetë nuk ka ngarkuar ndonjë analist nga Tirana me një përgjegjësi të tillë. Për çfarë arsye pra, Ismail Kadare, krijon një personazh të tillë dhe pastaj e përzien atë në një histori perverse krimi, duke e demonizuar atë? Ndokush mund të thotë se kjo është letërsi, por këtu kemi të bëjmë me një ngjarje reale e cila ka një ndjeshmëri të lartë. Ismail Kadare nuk i vendos ngjarjet e romanit në një vend imagjinar, në një luftë imagjinare, por në ngjarje historike të së shkuarës së afërt. Për këtë arsye romani i Kadaresë mund të ketë një impakt të dëmshëm ndaj Kosovës dhe nacionit shqiptar në përgjithësi. Kadare vetë thotë në libër se: “Zelli i shërbimeve të fshehta, tani pas mbarimit të dramës, zbërthehej prej hulumtuesit të panjohur më saktë se gjithë zhbirimet e gjeratëhershme. Ishte e vërtetë se perdja kishte rënë dhe gjyqi i Hagës po e dënonte ish-shefin e Serbisë, megjithatë vala e pendimit evropian nuk qetësohej. Kërkohej rishikimi i gjithçkaje, madje thirrjet ‘në Hagë!’, ‘në Hagë!’, dëgjoheshin përherë e më shpesh, por këtë herë jo për të mundurit, por për fitimtarët. Siç kishte shkruar një historian: jo më me armë, por me keqardhje e gërmadha, Serbia shpresonte kthimin e Kosovës së humbur”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 39)
Në këtë rast Kadare duhet që t’ i përgjigjet pyetjes se sa i shërben libri i tij Serbisë në këtë fushatë. Në librin e Kadaresë, shqiptari i cili ka influencuar më së shumti vendimin e NATO-s për bombardimin e Serbisë në 1999, del të jetë një demon, një përbindësh, i cili vret të dashurën e tij (Kjo quhet Rovena St, çka ka një afërsi kurioze me emrin e një këngëtareje simpatike). Libri i Kadare është përkthyer tashmë në disa gjuhë dhe lexuesit e huaj, kur e kanë lexuar librin, nuk mund të mos krijojnë përshtypjen se derisa shqiptari që ka influencuar më shumë në vendimin për bombardimet qenka një njeri i tillë, atëherë sigurisht që Serbia u bë padrejtësisht viktimë e NATO-s. Ismail Kadare vetë thotë në libër se:
“Hutimi që u shkaktua prej pyetjes se përse përgjimi kishte nisur me kaq vonesë, kur lufta kishte mbaruar, ishte shpërndarë aty për aty. Pikërisht pas luftës, bashkë me njëfarë pendimi për ndëshkimin dhe shpërbërjen e Jugosllavisë, kishte nisur përpjekja për rishikimin e fakteve. Shpresa që bombardimi të quhej i gabuar, i bënte të ngazëlleheshin ose të dëshpëroheshin mijëra njerëz. Në këtë valë që sa vente rritej, përbaltja e Besfort Y., ashtu si gjithë aradhës që kishin përgatitur vdekjen e Jugosllavisë, quhej i natyrshëm. I shtyrë nga një duf i sëmurë, ashtu siç dilte prej letrës të së dashurës së vet, ky njeri nuk kishte gjetur qetësi, veçse pas përmbysjes të shtetit fqinj. Veç kësaj mikesha dhe ndoshta frymëzuesja e tij, nuk paskësh qenë veçse një femër qejfi e rëndomtë. Sado që s’donin ta pranonin, zbuluesit shqiptarë dyshonin se, për fat të keq, një pjesë e asaj që thoshin serbët, e sidomos ajo çka lidhej me dashnoren e Besfort Y. ngjante herë-herë si e vërtetë”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 26-27)
Shërbimet inteligjente serbe deri më sot nuk kanë folur për një person të tillë. Në fakt është Ismail Kadare ai që e krijon personazhin e superanalistit shqiptar, i cili ka pasur kaq shumë impakt në vendimin e NATO dhe pastaj e përbalt atë, duke shkruar: “Nga një përllogaritje e kujdesshme dilte se, ndërsa marrëdhëniet e tyre kishin vazhduar rreth pesëqind javë, tjetërsimi i tyre kishte ndodhur në pesëdhjetë e dy javët e fundit. E, si të shënonte një sinor, fjala ‘call girl’ ishte shfaqur pikërisht në javën e dyzetë. ‘Më ke dhënë lumturi të pakufishme, e pranoj’, shkruante ajo në njërën nga letrat, ‘por po aq herë nervozizmi yt mizor ma ka helmuar jetën’. Ankohej vazhdimisht për këtë, madje në një letër të vitit 2000, i kujtonte se ndoshta e vetmja kohë kur e kishte shijuar plotësisht lumturinë me të, kishte qenë viti i luftës në Ballkan, atëherë ku me sa dukej, nervat e tij qenë shkarkuar në tjetër drejtim. Me të rënë në gjunjë Serbia, ti sikur nuk dije me se të merreshe, m’u turre përsëri mua.
Ishte kjo fraza e fundit që i kishte bërë zbuluesit shqiptarë të besonin se kishin gjetur kyçin për shpjegimin e njërës prej enigmave: përgjimin e Besfort Y. prej shërbimit të fshehtë serbo-malazez. Me njohjet e shumta në Strasburg e në Bruksel, si edhe në shumicën e qendrave botërore për të drejtat e njeriut, ishte e natyrshme që Besfort Y., jo vetëm të hynte në njerëzit që ishin bërë të bezdisshëm për Jugosllavinë, por që në njëfarë mënyre mund të quheshin përgjegjës për bombardimin e saj”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 25-26)
Këtu, Ismail Kadare e vendos personazhin e tij, Besfort Y., në rrethana të tilla që serbët të mund ta përbaltin atë. Se këtu del qartë nga fjalët e së dashurës së Besfort Y., se ai është një sadist, një pervers, i cili e ka msyrë Serbinë duke projektuar tek ajo femrën që e donte dhe e urrente, dhe kur mbaroi punë me Serbinë, iu kthye objektit real, së dashurës së tij, Rovenës, për ta torturuar dhe vrarë. Ismail Kadare, kujdeset që të saktësojë se aksidentin nuk mund ta kenë bërë serbët se: “Raporti i kontrollit teknik të makinës e përjashtonte çdo sabotim”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 19)
Në roman policia dhe shërbimet inteligjente tërhiqen njëri-pas tjetrit nga përpjekjet për të zbuluar misterin dhe hetimet i vazhdon një hetues privat, të cilin autori e quan thjesht “Hulumutuesi” she për të cilin shkruan: “Atë që nuk kishin mundur ta bënin dot shërbimet e fshehta të dy shteteve, një njeri i vetëm, pa mjete, pa para e pa mundësi kërcënimi, madje pa shtysën e kurrfarë detyre a përfitimi, por vetëm prej një brenge të tij vetjake, brengë që nuk ia kishte zbuluar kurrë askujt, kishte arritur t’i afrohej zbërthimit të enigmës në kilometrin 17”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 34)
Këtu duhet mbajtur parasysh se autori thotë që Hulumutuesi iu afrua zbërthimit të enigmës. Ismail Kadare e ka ndërtuar romanin në mënyrë të tillë që në fillim përshkruhen hetimet e bëra pas aksidentit (pjesa e parë e librit) dhe pastaj autori kthehet pas në kohë dhe përshkruan jetën e dy personazhe kryesore, të cilët vdiqën gjatë aksidentit me makinë, Besfort Y. dhe Rovena St. në dyzet ditët e fundit të jetës së tyre, që prej ditës kur Besfort Y shkoi në Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, i thirrur si i pandehur. Autori shkruan: “Në një tjetër shënim hulumtuesi rrekej të shpjegonte renditjen e çuditshme, ose siç e cilësonte ai ‘gaforrçe’, të javëve dhe të ditëve. Kjo rrjedhë së prapthi (të dyzetat, ose të shtatat, që njehsoheshin përpara vdekjes dhe jo pas saj, sipas zakonit gjithënjerëzor), ka qenë shtyrë, sipas tij, nga dëshira për të dhënë, në njëfarë mënyre, vizionin gjithsesi të përmbysur për kohën të dy të dashuruarve, nëse do të quheshin të tillë”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 184)
Kur Ismail Kadare këtu kohën e zisë që sipas zakonit duhet të jetë pas vdekjes së personit, e zhvendos para saj, duke e filluar që nga dita e vajtjes së Besfort Y. në Hagë, këtu nuk ka dyshim se për autorin Besfort Y. ishte ndjerë si i dënuar me vdekje kur shkoi në Hagë. Pra, krijohet përshtypja se Besfort Y. kishte shkuar në Hagë i akuzuar për krime shumë të rënda. Ismail Kadare e thotë qartë në libër se Besfort Y. ishte në Hagë të dyzetën ditë para vdekjes: “Për një kohë të gjatë asgjë nuk dëshmonte ndodhjen në Hagë të Besfort Y., e aq më pak të të dyve, ditën e dyzetë përpara mbarimit. Jo vetëm kaq: si për të hedhur përfundimisht poshtë çdo dyshim, gjithçka tregonte se pikërisht atë ditë, ata gjendeshin në Danimarkë. Shoqja e saj e Zvicrës, zakonisht mëdyshëse në dëshmitë, në këtë rast kishte qenë e prerë: Rovena i kishte telefonuar nga vagoni i trenit, pikërisht kur treni kishte hyrë në Danimarkë. Ca shënime në fletoren e Rovenës, katër ditë përpara udhëtimit, e përforconin këtë. ‘Jutland. Saxo Grammaticus. Katundet ku ka ndodhur, me sa duket, ngjarja e Hamletit (Amlethit)... Vizitë dyditëshe.’ Në të vërtetë dyshimi për Hagën kishte zënë fill prej shprehjes: ‘Ju pafsha të dyve në Hagë!’ të mikeshës së saj intime, Lizës. I pabazuar në asnjë biletë udhëtimi apo regjistrim hoteli, ishte dukur se ai dyshim mund të rrëzohej po aq lehtë sa ç’kishte lindur, duke e futur kështu udhëtimin në ato që quheshin udhëtime të brendshme e që nuk ndodhnin veç në trurin e udhëtarit të hamendësuar, ose, në rastet si ky i Hagës, në trurin e dikujt që do ta donte ta shihte tjetrin në bankën e fajtorit. Eshtë dukur pra lehtësisht i rrëzueshëm, sidomos pas alibisë së Danimarkës, por kishin mjaftuar disa radhë nga ditari i shokut të saj të kursit, sllovakut Janek B., atij me të cilin Rovena kishte pasur një lidhje të përkohshme, që emri kërcënues i Hagës të shfaqej përsëri. Në ditar, në mënyrë krejtësisht të errët, përshkruhej fare shkurt makthi i njeriut të cilit ca shpallje shit-blerje apartamentesh dhe ca fletë të bardha, të ngjitura mbi shtylla telefonike, i ngjanin që larg si lajmthirrje nga gjyqi i Hagës”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 159-160)
Por thirrja e ndokujt nga Gjykata e Hagës është një gjë që bëhet publike, kështu që hetuesit duhet ta dinin. Gjykata e Hagës nuk është si gjykata në romanin “Procesi” të Franc Kafkës. Përse Gjykata e Hagës e ka thirrur Besfort Y në mënyrë sekrete? Për këtë gjë ka një shpjegim Dick Marty i cili thotë se Gjykata e Hagës ka pasur një mosdashje të thellë për të hetuar dhe ndëshkuar krimet e shqiptarëve. Në romanin e Kadaresë, vajtja e Besfort Y. me gjithë të dashurën në Hagë zbulohet nga një dëshmi e një mikeshe të së dashurës së tij. Kjo mikeshë e cila jetonte në Zvicër, kishte folur ne telefon me Rovena St., e cila kishte dashur që t’ ia fshihte vendodhjen e vërtetë, dhe vetëm nga një lapsus i saj, mikesha kishte kuptuar se ata të dy gjendeshin në Hollandë: “Në të vërtetë një hollësi që në atë kohë i ishte dukur lapsus gjuhësor, kishte qenë çelësi për të zbërthyer gjithë ngatërresën e Hagës. Alo, zemër, ti je? Sa mirë që more. Nga po flet? E merr dot me mend? Nga Danimarka, nga një tren. Ah, ashtu? Po shkoj tek Besforti. Ua, ç’mrekulli. Duken mullinjtë me erë, fushat me tulipanë. Fushat me tulipanë?... Desha të them... ca lule që u ngjajnë tulipanëve... s’ua di emrin. S’ka rëndësi. Domethënë prapë jeni bashkë. Alo... S’po dëgjohet mirë... Mirupafshim, zemër. Mirupafshim.
Ç’idiote që jam, kishte thënë Rovena duke mbyllur telefonin. Një porosi kaq të thjeshtë mezi po e mbante. Askujt mos i trego për këtë udhëtim në Hagë, i kishte thënë Besforti. Pyetjes së saj të bërë me zë gazmor: pse?, i ishte përgjigjur me të njëjtin ton: kot, ashtu m’u shkrep, të kemi një udhëtim sekret. Mendoj se çdo njeri në jetë është mirë të ketë së paku një udhëtim të fshehtë. Gëzueshëm ajo i qe përgjigjur: Okej!
Në një telefonim të dytë ai i kishte shpjeguar se në kësi rastesh mënyra më e mirë për të mos u ngatërruar kur ta pyesnin se ku po nisesh, ishte zëvendësimi. Për shembull, Holanda, zëvendësohej me Danimarkën. Pra një udhëtim në Danimarkë, për të parë, ta zëmë, vendet ku ka ndodhur historia e vërtetë e Hamletit. Meqë jemi në këtë bisedë, a ke një laps? Shënoje pra, Jutland, kështu quhet krahina. Dhe Saxo Grammatikus, kronisti i parë i saj. Me “iks” grek dhe me dy “m”. Kaq mjafton. S’ka nevojë të ngatërrohesh me ato të rrosh e të mos rrosh-et e pafundme. Okej?
Idiote që jam, tha prapë me vete Rovena. U përpoq ta hiqte mendjen nga gafa”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 159-160)
Përse e ka ngritur Kadare gjithë këtë mjegull rreth vajtjes së Besfort Y. në Hagë, aq më tepër kur Kadare është i vetëdijshëm se këto janë gjëra shumë delikate dhe dëmprurëse për Kosovën dhe kombin shqiptar? Në letërsi autorët sigurisht që mund t’ i ndryshojnë sipas fantazisë së tyre, ato që ndodhin në botën reale, por atëherë i vendosin gjërat në një realitet imagjinar, siç bën Franc Kafka në romanin “Procesi”. Serbia nesër mund të thotë se edhe në një libër të Ismail Kadare tregohet se Gjykata e Hagës ka mbajtur një qëndrim të dyfishtë ndaj serbëve dhe shqiptarëve, duke favorizuar këta të fundit. Madje serbët mund të thonë edhe se krimi misterioz për të cilin u thirr analisti shqiptar në Hagë, në romanin e Kadare është pikërisht ai që paraqitet në raportin e Dick Marty, marrja e organeve nga trupat e serbëve të rrëmbyer dhe trafikimi i tyre në klinika transplantesh. Gjërat bëhen edhe më intriguese kur mendon se Ismail Kadare ende nuk ka reaguar ndaj raportit të Dick Marty, edhe pse kanë kaluar më tepër se një muaj që kur u bë e ditur për të. Edhe pse personazhi kryesor, Besfort Y, na shfaqet në Hagë të dyzetën ditë para vdekjes, ai jeton me ankthin kafkian të pritje së një thirrjeje nga Gjykata e Hagës, si i pandehur: “Në hotel, pas darke, pas pyetjes ‘a ka ndonjë mesazh për mua’, sytë e tij i ishin ngulur sportelistit gjithë dyshim.
-Nga pret mesazh? pyeti ajo.
Ai nënqeshi.
-Pres një thirrje. Një lajmthirrje gjyqi.
-Ah, ashtu? tha ajo, duke u përpjekur të mbante të njëjtën shprehje shpotie.
-Nuk bëj humor. Pres vërtet një thirrje gjyqi. Nga gjyqi i fundit ndoshta...
Në pasqyrën e ashensorit nuk ia gjente dot sytë.
-Ata do të më gjejnë më në fund, tha me zë të ulët.
-Ti je i lodhur, Besfort, tha ajo, duke ia afruar kryet te supi. Ti ke nevojë të pushosh, shpirti im”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 95-96)
Në romanin e Ismail Kadare, pasi është rrëfyer vdekja e dy personazheve kryesore dhe hetimet për to, rindërtohet jeta e dy personazheve kryesore në dy periudha, dyzet javët e fundit dhe dyzet ditët e fundit, të cilat koincidojnë me dy ngjarje vendimtare në jetën e tyre, marrjen nga ana e Besfort Y. të thirrjes për në Gjykatën e Hagës, si dhe me vajtjen e tij në Hagë. Në fakt në pjesën e parë të këtij përshkrimi rrëfehet jeta e dy personazheve kryesore të librit, jo në dyzet, por në 34 javët e fundit se gjashtë javët e fundit (dyzet ditët e fundit), rrëfehen më vete, në mënyrë më të detajuar. Autori shkruan se Hulumutuesi: “I vendosur t’ u shmangej rrezikimeve, ishte tunduar nga një qasje e re: në bazë të anketës së tij të gjerë, të përpiqej të rindërtonte, ditë pas dite e stinë pas stine, kronikën tokësore të asaj që mund të kishte ndodhur midis Rovena St. dhe Besfort Y., në dyzet javët e fundit të jetës së tyre”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 49)
Siç shihet, Kadare e dublon dyzetditëshin e zisë, për të cilin më lart ka thënë se se në jetën e tyre erdhi para vdekjes, duke krijuar dhe një dyzetjavësh të fundit, të cilët të dy kanë si pikënisje Hagën dhe si përfundim vdekjen e dy personazheve kryesore. Një libër të tillë mund ta kishte shkruar fare mirë një shkrimtar serb, por megjithatë atë e ka shkruar një shkrimtar shqiptar, Ismail Kadare. Rrëfimi i dyzet javëve të fundit të jetës së dy personazheve kryesore fillon kur Besfort Y. dhe Rovena St., gjenden ne një hotel. Autori rrëfen se si Besfort Y., zgjohet pasi ka parë një ëndërr me Stalinin: “Ishin prapë të dy, këtë herë në Novodjeviçij manastir. Mezi ecej midis varrezës. Stalini mbante ca lule në njërën dorë dhe, me sa dukej, kishte kohë që kërkonte varrin e gruas së tij. Prite kur të më thotë: vëri ti lulet, unë e kam dorën e mpirë, kishte menduar. Por tjetri ishte gjithë pezm. Sytë i akullonin. Së paku të mos ndodhej aty kur të përmbyste mermerin. Dhe të ulërinte: e pabesë, pse ma bëre këtë. Gati-gati e dinte ç’kishte në kokë. Ti ankoheshe për krimet e mia, ashtu? Por, po të ishe e sinqertë nuk do të më lije vetëm. Që të bëja hatanë. I vetëm në këtë stepë. Në këtë tmerr”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 57)
Aluzioni është se Besfort Y mendon thellë në vetvete se Rovena St., është fajtore se e la atë që ai të bënte hatanë kundër Serbisë. Sipas autorit, thirrja në Gjykatën e Hagës e transformon Besfort Y, duke e bërë që të shfaqë natyrën e vet të vërtetë prej sadomazokisti, duke torturuar shpirtërisht Rovena St. Qëkurse Besfort Y. mori thirrjen për në Gjykatën e Hagës ai filloi që ta torturojë shpirtërisht Rovena St. Besfort Y., befas ka një motiv shtesë për ta torturuar Rovena St., kur mëson prej saj se ajo tashmë e ndjen veten lesbiane. Kur Rovena St., i thotë atij se ajo ka një të dashur, ai mendon se është fjala për një mashkull tjetër, por gjërat dolën ndryshe: “Me zë të ulët, si të mos ia prishte atë gjendje mpirjeje, ai i kishte thënë se kjo nuk kishte kuptim, se tjetri gjersa e kishte puthur e përkëdhelur gjithkund, natyrisht që kishte shkuar gjer në fund… siç thuhej… Ajo kishte dhënë të njëjtën përgjigje, varej si ta merrte dhe ai kishte thënë: atëherë pse? Mos ishte impotent? Jo, ishte përgjigjur Rovena pas një heshtjeje të gjatë. Ishte një grua”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 106-107)
Më tutje, Rovena St., i tregon se këtë ndjenjë e ka pasur që herët: “Ajo i kishte treguar për turbullimet e adoleshencës në orët e gjimnastikës, kur vajzat zhvisheshin. Prirjen, me sa dukej, e kishte pasur qysh atëherë, por jo kushedi çfarë, si shumë vajza. Nuk ishte lezbike, siç mund t’i dukej atij. Kishte qenë më tepër një rrugëdalje shkaktuar nga frika e meshkujve. Kjo e fundit nga droja e gjoksit. Që i dukej se e kishte më të vogël se ç’do ta donte. Me Lizën ishte bërë edhe më tepër femër. Më femër, kishte menduar ai. Ku të shkonte më tutje”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 108)
Rudina St., është konsultuar me një psikoanalist dhe ai e ka këshilluar që të ndahet nga njeriu i cili çrregullon jetën e saj të re si lesbiane, do të thotë nga Besfort Y: “Zbrazëtia që erdhi më pas ishte e frikshme. Mjeku më kishte thënë se duhej të bëja një shkëputje nga burimi i së keqes. Një prerje. Për çudi prerja lidhej veç me ty. Ndërsa Liza ishte mllefi, ti ishe tmerri im. Më kishe futur befas në një zonë të shkretë”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 116)
Kjo shkakton grindjen më serioze mes Besfort Y dhe Rovena St., dhe i fut marrëdhëniet e tyre në një fazë të çuditshme. Kriza e Rovena St., për kapërcimin e saj seksual, e përzier me krizën e Besfort Y., për thirrjen në Hagë, krijon mishelën shpërthyese në marrëdhënien e tyre: “Kriza juaj, zonjushe, ndonëse e rrallë, është e njohur. Ju jeni duke kryer një kapërcim, një zhvendosje. Dhe ndonëse e keni përvojën e parë, kujtoni që ajo mund të bëhet pa dhembje. Harroni që edhe ndërrimi i banesës është tronditës për njeriun, pa le pastaj kjo që po bëni ju. është njëlloj si të zhvendosesh në tjetër planet. Pas mjekut, rrugës, pa mbërritur në shtëpi, ajo kishte arritur t’ia zbrazte në telefon gjysmën e mllefit.
Unë tani kam ndërruar, kupton? Ti s’je më ai që ishe për mua. S’je më zoti im, kupton? Madje as aq i tmerrshëm, sa ç’kujtoja, nuk je.
Asgjë s’ishte më si më parë... Ato fjalë të Besfortit që e kishin lënduar aq fort, ishte ajo që ia paskësh thënë e para dikur. Tani ishte ndoshta radha e tij. Hakmerru, pra, s’ke ç’pret. Zhurma shurdhuese s’e linte të kthjellohej. Megjithatë arriti të mendonte se ndoshta s’ishte nga ata që hakmerreshin me të njëjtën monedhë.
Veç në mos e kishte bërë edhe ai kapërcimin, mendoi. Thuhej se Këshilli i Evropës gëlonte nga gay-të”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 57)
Besfort Y. kishte vendosur vërtet që të hakmerrej, madje në një mënyrë që ndoshta Rovena St. nuk e shkonte ndërmend. Besfort Y., fillon të mendojë për vrasjen e së dashurës së tij, Rovena St: “Rovena ishte e tepërt për të. Ai ndihej jashtë ligjit. Se cilit ligj, nuk e gjente dot, por që ishte jashtë një ligji, e dinte. Ajo po thoshte diçka, ai përgjigjej, por ato që thuheshin s’kishin asnjë lidhje me atë që ishte në kokën e tij. Kishte menduar gjithmonë se një burrë në jetën e tij nuk mund të përballonte më shumë se tre-katër gra të bukura. Ai e kishte marrë ndërkaq pjesën e vet. Të lakmonte më shumë ishte e rrezikshme. Prej vitesh enigma e grave të bukura e kishte tërhequr me ngulm. Shenjat e tyre, ato që i bënin të dalloheshin nga bukuroshet, ishte e vështirë t’i shpjegoje. Një vijë ndarëse ndoshta, e paqëndrueshme, një thyerje, si ajo që jepte syprina e ujërave, ose ajo ku puqeshin dy copat e ngjitura të pasqyrës, shpallte natyrën e tyre të ikshme. Besnike ose të pabesa, ishin njëlloj ashtu, të zëna përherë nga diçka, nga diku, nga ca grremça yjsh, ndoshta, që ato vetë s’i dinin. Ti ishe me to, e prapë të dukej se diçka mungonte. Të hidhnin duart në qafë, të thoshin fjalë të ëmbla, të jepeshin, e ti prapë mbeteshe i etur. S’mungon asgjë, thoshe me vete, mos kërko më tepër se ç’duhet. Megjithatë diçka fironte nëpër vijën ndarëse, ledhatimet, lotët luksozë. Edhe kur dukej se rrëzoheshin nga vuajtja e ti kujtoje se u bënë si të tjerat, ato nuk binin. Një kundërtrajtë mbrojtëse u vinte në ndihmë. Dhe ti e kuptoje se ajo vetë kishte qenë me ty, madje e kishe ende në vesh dënesën dhe lotët e saj të kishin njomur mollëzat, por ndërkaq shëmbëlltyrën e vet, modelin e patretshëm, e kishte siguruar diku larg. Dhe kundër kësaj ti ishe i pafuqishëm. Dhe nëse egërsoheshe nga kjo, nëse pas qafës së ëmbël, buzëve, gjoksit, ijeve dhe seksit, që ajo t’i dha, t’i kërkoje ta shtrije zotërimin tënd më tej, në pjesën e padukshme të saj, atëherë ti e ndieje se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, ishte ta vrisje. Kur Rovena, ashtu shkujdesshëm, ashtu dallandyshtshëm, kishte qëndruar në kanape, në çastin e parë, në zonën e errët të përfytyrimit të tij, ashtu iu përvijua, si një zogth i shenjuar nga arma”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 125)
Rovena St., megjithatë nuk ndahet dot lehtë nga i dashuri i saj. Ai si duket e ka kuptuar këtë gjë dhe fillon e trajton me përçmim, deri edhe në mënyrë perverse. Autori na rrëfen për një bisedë telefonike të Rovena St., me një mikeshë të sajën që jetonte në Zvicër: “Një bisedë telefonike me shoqen e Zvicrës, bisedë që kjo e fundit kurrsesi nuk kishte pasur ndër mend ta tregonte, dhe ishte bindur për të kundërtën, vetëm pasi kishin lexuar “pusullën cinike”, siç cilësohej në shumicën e raporteve, një bisedë e turbullt telefonike pra, shpjegohej vetëm me ndihmën e kësaj të fundit.
-Ti më thua të mos mërzitem? Ti kujton se këto janë gjëra të vogla në krahasim me lumturinë që ai më jep? Po sikur të të them se ai më trajton mua pothuajse si prostitutë?
-Ai guxon të të trajtojë ty si prostitutë? A je e ndërgjegjshme për fjalët që thua? Ti po më lë pa mend.
-Jam plotësisht e ndërgjegjshme. Dhe po e përsëris: ndonëse në vend të fjalës lavire, përdor “call girl”, ai më trajton krejtësisht ashtu, si lavire.
-Dhe ti e ke pranuar një gjë të tillë?
-…Po
-Po më lë vërtet pa mend. Dhe që të jem e sinqertë, më shumë se ai, je ti që po më çmend. -Ke të drejtë. Megjithatë, ti nuk mund ta dish të vërtetën gjer në fund. Ndoshta është faji im që ta thashë në telefon. Shpresoj kur të takohemi.
-Dëgjo Rovena. S’ka nevojë për shpjegime të mëdha për të kuptuar se në qoftë se ai të trajton si lavire, këtë nuk e bën kot. Ai do që me çdo kusht të të poshtërojë.
-Natyrisht që ashtu do. Megjithatë...
-S’ka megjithatë. Poshtërimi është poshtërim.
-Desha të them, ndoshta është më e ndërlikuar se kaq. Të kujtohet kur flisnim për filmin “Zonja me kamelie”, ku personazhi, ndonëse e dashuron vajzën, në një çast zemërimi, për ta fyer, i lë një tufë kartëmonedhash nën nënkresë?
-Gjer këtu paska vajtur puna?
-Jo... Prit... Njihen këto në dashuri.
-Rovena, mos më trego përralla. Njihen grindjet në dashuri këtë e di dhe bufi, por është fjala për shpërthime të çastit. Kurse, me ç’kam kuptuar unë, ai e bën këtë pa nerva, gjakftohtësisht.
-Eshtë e vërtetë. Ashtu e bën... Po pse?
-Përse? Pikërisht këtë s’po e kap dot. Ka ndoshta një dhëmb kundër teje. Një duf për hakmarrje. Një... s’di ç’të them.
-Jo. Nuk është i tillë. Unë, po, ka raste që mezi e mbaj veten. Ai jo.
-Ai do që të të përbaltë ty. Të të rrëzojë, të të vrasë moralisht... për të mos thënë trupërisht... Nuk e kupton këtë gjë?
-Po pse? Përse i duhet kjo?
-Atë e di ai. Më ke thënë se ke frikë prej tij. Ndoshta ai gjithashtu ka frikë prej teje.
-Frikë nga ç’ka?
-S’e di. Ju të dy keni frikë nga njëri-tjetri. Jo frikë, por tmerr... Nejse. Rovena, shpirti im, mendoje mirë këtë punë. S’dua të të fut ankthin, por ki kujdes! Zemra më ndjell keq”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 36-37-38)
Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Kadare duhet t’ ia atribuojë të gjitha këto cilësi njeriut të cilin e quan si shqiptarin më të rëndësishëm kur ishte fjala për të influencuar vendimin për bombardimin e Serbisë? Autori na bën me dije se Besfort Y., e ka menduar tashmë hakmarrjen ndaj Rovena St., duke ia bashkuar atë planit të tij për të vrarë veten. Kjo del nga një tjetër bisedë telefonike e Rovena St. me mikeshën e saj në Zvicër: “Ti më përmend në letrën e fundit mposhtjen. Vërtet ti e ke ëndërruar, qoftë edhe ca çaste një gjë të tillë? Po a e di se i mposhtur unë mund të isha më i rrezikshëm?
Ajo: më ka lodhur, më beso, ky moskuptim midis nesh.
Ai: s’ka pse të vrasësh mendjen për një gjë të tillë. Kjo është një mërzi që vjen prej trupit e jo prej shpirtit. Ai më tha dje: ti duhet t’i bindesh paktit mes nesh.
Ç’ është ky pakt? është hera e parë që ma përmend.
Ashtu?
Në qoftë se ti më konsideron vërtet shoqe, ti duhet të jesh më e qartë.
Ti ke të drejtë por ti kujton se është e lehtë të jem ashtu? Në këtë histori, gjithçka sa vete errësohet. Ti e ke dëgjuar Empedoklin?
Hm, diçka më kujton ky emër, por s’jam e sigurt.
As unë nuk e dija. është një filozof i vjetër, që i shtyrë nga kureshtja për të parë atë që s’ka mundur të shohë kurrë një sy njerëzor, qenka hedhur në kraterin e Etnës. Ah, ashtu? E ç’lidhje ka kjo me ty?
Jo, me mua, me të dy.
Nuk të kuptoj, megjithatë.
E pra, një ditë ndërsa më thoshte se ne po provojmë diçka të panjohur, ma përmendi këtë të famshmin Empedokl.
Rovena nuk po të marr vesh. Mos keni ndër mend të hidheni në ndonjë greminë, ngaqë një i çmendur e paska bërë këtë pesë mijë vjet më parë?
Mos u ngut. Nuk jam kaq tyryfyle sa të më propozojnë gjëra të tilla. Ka qenë thjesht një krahasim. Një metaforë, siç e kemi mësuar në shkollë. E megjithatë, edhe ashtu, kur e përfytyroj më shtie frikën.
Natyrisht që është për t’u tmerruar. Ti ma the, e mua më shkuan të ngjethura. Të hidhet njeriu midis llavës nga kureshtja… Kureshtje e bukur, besa.
Pse ashtu e mendove ti kraterin, të ndezur?
Si?
Desha të them nëse kraterin e mendove me llavë apo pa?
E ç’rëndësi ka kjo? Kur thua vullkan, mendja të vete te llava.
Kurse unë e kam përfytyruar të shuar, të zi, të pashpresë. Dhe më është dukur dy herë më i tmerrshëm ashtu. Prit, ai thoshte se kështu mendohet rënia brenda një vrime të zezë, për të dalë në zona të tjera”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 41-42)
Këtu autori na e bën të qartë se Besfort Y., donte që ta tërhiqte Rovena St., në një vdekje të përbashkët. Tashmë Besfort Y., dhe Rovena St., edhe pse janë ende gjallë, jetojnë në gjendjen e pasvdekjes, sipas autorit: “Midis dy gjendjeve ishte një e tretë, më e vështirë për t’u zbërthyer, një zonë gri, mbuluar me mjegull. Ishte pikërisht fjala “zonë” që ajo kishte përdorur në një nga letrat e rralla dërguar shoqes së saj në Zvicër. Tani ne takohemi në një zonë tjetër. Nuk e teproj aspak po të them se ky është një tjetër planet. Me të tjera ligje. Ka diçka të akullt, diçka të frikshme natyrisht, megjithatë, duhet ta pranoj se krahas kësaj, ka një anë tërheqëse, të panjohur… E di që habitesh me këto fjalë, por shpresoj të ta shpjegoj kur të shihemi. Siç e dini ne nuk u pamë më, ishin fjalët e letërkëmbyeses së Zvicrës. Një tjetër letër, e shkruar dy javë përpara aksidentit, kishte qenë edhe më e turbullt. Jam prapë si e mpirë. Ai vazhdon të ketë mbi mua një fuqi hipnotizuese. Gjërat që në krye më duken më absurde, janë pikërisht ato që i pranoj më shpejt. Mbrëmë ai më tha se gjithë mjegullën, moskuptimin e kohëve të fundit midis nesh e sillte shpirti. Tani që ne e kemi mënjanuar atë, mund të themi se kemi shpëtuar. Me trupin merresh vesh gjithmonë më lehtë. Ti do të dyshosh me siguri se ke të bësh me një të çmendur. Edhe mua ashtu më dukej vetja në fillim. Pastaj jo”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 39)
Në roman, Ismail Kadare përdor disa teknika të rëndomta të mystery fiction siç është locked-room-mistery. Kështu quhet në mystery fiction kur një vrasje ndodh në rrethana që duket se e bëjnë të pamundur, ose së paku krejt të pakuptueshme këtë ndodhi. Në romanin e Kadare si locked room mystery shërben taksia në të cilën udhëtojnë Besfort Y., dhe Rovena St., në ditën e fundit të jetës së tyre. Romani i Kadaresë i përket nënllojit të mystery fiction që quhet whodunit, ndryshe “Who Done It?”, do të thotë kush është autori i një krimi të veshur me mister. Ismail Kadare e shtjellon whodunit të vet duke u bazuar, sipas mënyrës së vet të parapëlqyer, tek një legjendë e hershme shqiptare, ajo e Shtegtimit të Ago Ymerit. Këtu Kadare përdor një tjetër teknikë e cila është ajo që njihet në frëngjisht si “Mise en abyme”, do të thotë “e vendosur në pafundësi”, “e vendosur në abys”, kur qëndrohet mes dy pasqyrave dhe imazhi shumëfishohet në pafundësi. Në letërsi quhet kështu një histori e cila gjendet brenda historisë kryesore të një libri. Në anglisht kjo njihet si “story within a story”, “një histori brenda një historie”
Në romanin e Kadaresë historia e dy personazheve kryesore motërzohet me legjendën e vjetër shqiptare: “Bënte ç’bënte hulumtuesi i kthehej asaj leje, me shpresën se diçka tjetër do të dilte prej saj. Nga mendja nuk i hiqeshin fjalët e një kolegut të tij, kohë më parë, kur i kishte folur për herë të parë për anketën. Ndërsa anglezët për rastet gjyqësore hapnin shpesh kronikat e vjetra, myslimanët Kuranin e shtetet e reja afrikane enciklopedinë britanike, kur vinte puna te ballkanasit, pothuajse të gjitha qokat a modelet, me pak mundim, i gjeje në baladat e tyre. Tri ditë leje për të kryer diçka, zakonisht ndonjë të pabërë? Me siguri do të jetë ndonjë paradigmë e njohur. Në të vërtetë ishte ashtu, një klishe e vjetër. Gjysma e baladave ballkanase ishin mbushur me të tilla. Dukej se të gjithë rendnin për të kërkuar një afat. Disa e kërkonin nga vdekja, të tjerë, më të vonshëm, pra më pak të madhërishëm, e kërkonin lejen nga burgu ku kishin rënë, e kështu me radhë gjer te njerëzit e sotëm, si Besfort Y., që ia kishte lypur lejen zyrës së tij në Këshillin e Europës. Ngjanin të larmishme, por në thelb kishin diçka të pandryshueshme: një pakt të fshehtë, prej të cilit nuk shpëtonin dot. Hulumtuesi dëgjonte i nemitur. Ja, leja e Besfort Y. ngjante, sipas ekspertëve, me lejen treditëshe të njëfarë Ago Ymeri, pavarësisht se kjo e fundit ishte nxjerrë nga një burg i mesjetës, e tjetra nga Departamenti i krizave në Bruksel. Hulumtuesi e përfytyronte Ago Ymerin tek rendte me kalë për të mbërritur te kisha, ku e fejuara e tij do të vinte kurorë me një tjetër... Histori më kundërthënëse s’kishte dëgjuar ndonjëherë. Nuk kuptohej përse i jepej leja tjetrit, e aq më pak përse, pas mbarimit të saj, ai do të kthehej prapë në burg. Veç në qoftë se kuptimi ishte i koduar”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 185-186)
Sipas legjendës, Ago Ymeri, gjendej në burg në Spanjë, pasiqë kishte rënë rob në luftë (Spanja dhe Imperia Osmane u ballafaquan në disa beteja më së shumti detare në shekullin XVI), i kërkoi leje mbretit që ta linte të lirë për disa ditë që të mund të shkonte në atdhe për të ndaluar martesën me një tjetër njeri të nuses së vet, së cilës i kishte kërkuar që ta priste nëntë vite, kur u nis në luftë. Ismail Kadare këtu i jep të kuptojë lexuesit se Besfort Y. është tashmë praktikisht një i burgosur, i cili para se të ndryhet në burg ka kërkuar leje për të bërë diçka të fundit në jetë. Besfort Y. kërkon të ndalojë “martesën” e së dashurës së vet me një lesbiane. Kështu, udhëtimi i Besfort Y. dhe Rovena St., me taksi nga hoteli në Vienë, për në aeroport, ku ai do të fluturonte për në Hagë, shndërrohet në të ngjashmin e udhëtimit të Ago Ymerit me nusen. Autori na bën me dije se Besfort Y. e mori me vete të dashurën e vet në fundin e vet, të cilin e kishte përzgjedhur për të mos shkuar në burg, në Hagë: “Kalorësi me nusen pas shpinës së tij është diçka e lehtë për t’u përfytyruar. Dhe po ashtu fjalët e shkëmbyera midis të dyve.
Ku shkojmë?
Atje...
Në burg?
Sigurisht në burg, ku tjetër?
Po ç’do të bëj unë atje? Veç kësaj, ligji a e lejon?
Këtë s’e kam menduar.
Po pse? ç’pakt ke bërë me ta, përse të lanë, ç’u ke premtuar?
Trokthi i kalit e mbush ca çaste heshtjen. Pastaj prapë fjalë.
Përse je i detyruar të kthehesh? Ikim të dy, jemi të lirë.
S’mundem. Po pse? ç’të mban të lidhur?
Prapë heshtje dhe trokthi që ngre pluhur.
A mund të pushonim pak?
Jo, jemi vonë. është dita e tretë e lejes. Bashkë me mbrëmjen, portat e burgut mbyllen.
Ç’është ai lumë atje? Më ngjan si ai, tek ura e të cilit jemi njohur, të kujtohet? Përse po kthehet tani kundër nesh?
Duhet të ngutemi. Mbahu fort pas meje.
Po këto dele, këta buaj të zinj ç’janë?
Ka shumë trafik. Duhet ngutur. Mbahu më fort.
Ago, ç’bën kështu, ti po më mbyt...
Ndoshta arrijmë përpara se portat të mbyllen. Aeroportet janë të rrepta tani. Portat e hipjes në avion mbyllen përherë e më shpejt”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 189)
Këtu, për të kushedisatin rast në libër Kadare na rrëfen se Besfort Y është vrasësi i Rovena St. Kadare herë e thotë këtë gjë me gojën e personazheve të tjera, Hulumutuesit, pianists Liza Blumberg, së dashurës së Rovena St., herë e thotë këtë gjë me fjalët e veta si autor, duke na rrëfyer mendimet e Besfort Y., siç e kam cituar më lart. Përdorimi i një legjende të hershme shqiptare si model për krimin e një intelektuali shqiptar në shekullin XXI, është një gjë shumë e mbrapshtë nga ana e Kadare, se me këtë kërkon të thotë se shqiptarët e kanë krimin në arhetipin e tyre. Apologjetët e Kadaresë mund të thonë se në librin e tij këtë gjë e bëjnë personazhet dhe jo autori. Por ama është autori ai që thotë se Hulumutuesi iu afrua shumë së vërtetës. Pastaj autori shpesh herë ndërhyn me fjalët e veta duke treguar se Besfort Y., i lindin mendime prej vrasësi. Por Ismail Kadare nuk mendon që ta zgjidhë kaq thjeshtë misterin, duke e paraqitur Besfort Y., thjesht si një vrasës të rëndomtë. Ismail Kadare i jep krimit edhe një përmasë mbinatyrore, e cila fillon e ftillohet në bisedat e Hulumutuesit me shoferin e taksisë, i cili gjendej në spital:
“Zëri i hulumtuesit ishte i ngjirur, në prag të gulçit.
Unë të dhashë rastin e fundit që të rrëfehesh. Të nxjerrësh qentë dhe macet dhe tmerrin që të gërryen së brendshmi. Të përgjigjeshe më në fund se ç’ishte ajo gjë që të tmerroi? Që një njeri përpiqej të puthej me një trajtë? Që kukulla donte të puthte njeriun? Që kjo ishte e mosmundshme për të dy, ngaqë diçka mungonte? Fol!
Nuk di ç’të them. S’jam në gjendje. S’mundem.
Nxirre të fshehtën.
S’mundem. S’e di.
Sepse s’do. Sepse ti gjithashtu je i dyshuar. Fol! Si do ta zhduknit trupin, pas vrasjes? Ku do ta hidhnit kukullën? Mos dredho! Ti dije gjithçka. Çdo çast përgjoje. Bashkë me pasqyrën, qenin tënd.
Pas klithmave zëri i hulumtuesit u shtrua përsëri. Kishte ardhur gjithë ngazëllim te tjetri, me shpresë se do ta gëzonte edhe atë me zbulimin e tij. Por tjetri s’kishte dashur të dinte. S’të duan, tha me vete, duke iu drejtuar kukullës. Asnjë s’të sheh, përveç meje.
Midis heshtjes kishte nxjerrë nga çanta fotografitë e dy të vrarëve. Le t’i shihte edhe një herë zotëria e tij. Të bindej që fytyra e së vdekurës s’dukej askund. Tjetri i hiqte sytë. Trembej, belbëzonte. Përse veç atij ia kërkonin të fshehtën? Nëse e vrara ishte ashtu, jo grua, po kukull, përse policia s’kishte folur?
Shtrig, tha me vete hulumtuesi. Ishte e njëjta pyetje, madje e para, që ai vetë i kishte bërë Liza Blumbergut. Pas së cilës, për një habi të madhe, pa e dëgjuar përgjigjen e saj, në mendjen e tij kishte rënë mjegulla.
Shoferi vazhdonte belbëzimin.
Në taksinë e tij kishte ndodhur diçka e pashpjegueshme. Diçka që gjithsesi nuk shkonte... Po pse vetëm atij ia kërkonin përgjigjen?
Çdokush mund të ankohet për këtë, përveç teje, e ndërpreu hulumtuesi. Kam një mijë vjet që të pyes se si u rrëzove nga pamja e një puthjeje dhe ti s’përgjigjesh dot.
Rrinin të dy si të shushatur nga lodhja”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 211-212)
Në të vërtetë, ajo që intereson më shumë Ismail Kadaresë është që t’ i paraqesë gjërat sikur vrasjen e ka bërë arhetipi shqiptar, një qënie mikste Ago Ymer-Besfort Y., e cila është përftuar në atë natë me mjegull gjatë udhëtimit të taksisë për në aeroport. Biseda e fundit e Hulumutuesit me shoferin e taksisë në spital përfundon kështu: “Do të të bëj edhe një pyetje, tha me zë të butë.
Qoftë e fundit.
Desha të di, gjatë rendjes për në aeroport, a mos ndjeve një zhurmë gjithsesi të habitshme, që në krye mund ta kesh marrë si një cen të motorit, por që s’ishte ashtu. Nga zhurma gjithsesi e huaj për autostradën, një si trokth kali, që iu ndiqte pas të gjithëve...
U ngrit, pa e pritur përgjigjen”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 213-214)
Kështu del se taksinë ku udhëtonin Besfort Y., i cili tashmë e kishte në mendje idenë e krimit, dhe Rovena St., e ndiqte pas me kalë arhetipi shqiptar, demoni i cili kërkonte që të posedonte Besfort Y., dhe ta bënte të kryente krimin të cilin Besfort Y., e kishte ndoshta vetëm si ide të vagullt. Kali me kalorësin që ndiqte pas taksinë ishte një figuracion për atë që ndodhte në në subkonshin e Besfort Y., ku arhetipi i tij, Ago Ymeri, po ngrihej nga thellësitë për ta poseduar si demon, për t’ u bërë një qenie e përbashkët me të, dhe për ta kryer krimin së bashku. Autori nuk mungon që ta rindërtojë, me anë të Hulumutuesit, edhe njëherë të plotë skenën e krimit, copëza të së cilës i ka dhënë edhe më parë: “Ashtu siç ka ndodhur më parë dhe ashtu siç do t’i ndodhë qindra herë të tjera, gjer në mbarim të jetës së tij, hulumtuesi nuk e ka vështirë të përfytyrojë lëvizjen e mundimshme të taksisë midis rrjedhës së makinave në mëngjesin e turbullt të 17 tetorit. Përplasja e shiut në qelqet, ndalesat e gjata, gjuhët e Evropës dhe emrat e firmave e të qyteteve të largëta, shkruar mbi kamionët e gjatë. Dortmuth, Euromobil, Hanover, Elsinor, Paradis Travell, Hagë. Ata emra, bashkë me zërat e ulët, ç’është ky kiamet kështu, u bë vonë për avionin, e shtojnë ankthin.
Është vonë, pa dyshim. Ata duan të kthehen, ndonëse nuk e thonë. Nga të dy anët kurthi po mbyllet.
Kthehemi shpirt.
S’mundemi.
Flasin me zë të ulët pa e ditur se tjetri i dëgjon.
S’ka kthim kurrsesi.
Në pasqyrëz shfaqen herë sytë e njërit, herë të tjetrit. Rruga ngjan se po lirohet pak. Më tutje prapë mbyllet. Ndoshta avioni pret. Frankfurt. Interkontinental. Vjenë. Monako-Hermitage. Princi i kurorës. Asaj i merren mendtë.
Po këto janë hotelet ku kemi qenë. (Ku kemi qenë të lumtur, pëshpërit me frikë.) Përse janë kthyer befas kundër nesh? Lorelei. Schlosshotel-Lerbach. Ernst Excelsior. Biaritz. Ai kërkon ta shtrëngojë pas vetes.
Mos ki frikë, shpirt. Rruga më duket se po hapet. Ndoshta avioni pret.
Ia ka vënë krahun rreth qafës, por gjesti ngjan i largët, i harruar.
Ç’janë këta buaj të zinj, thotë ajo. Edhe këta na mungonin.
Në vend që t’i përgjigjet, ai murmurit për ca porta burgu që shpreson t’i gjejnë ende të hapura, para se dielli të perëndojë.
Ajo ka prapë frikë. Dëshiron të pyesë, ku kemi gabuar? Ai përpiqet ta afrojë nga vetja.
Ç’po bën kështu? Ti po më mbyt.
Taksia rend. Sytë e shoferit, si të ndeshur dikur, ngrijnë te qelqi i pasqyrëzës. Nga të dyja anët vjen dritë. Por ajo është e tepërt, pa mëshirë. Ajo afron kryet te supi i tij. Taksia nis të dridhet. Një prani e huaj është ndërkaq brenda saj. E epërme, shurdhe. Bashkë me veglat dhe ligjet e saj kërcënuese.
Ç’po ndodh, ç’gabim po bëjmë?
Buzët e tyre afrohen edhe më.
Nuk duhet. S’mundemi.
Veglat dhe urdhrat penguese janë kudo. Ai thotë diçka që s’dëgjohet. Nga lëvizja e buzëve ngjan si një emër. S’është emri i saj. është i tjetërkujt. Ai e thotë prapë, dhe prapë s’dëgjohet, ashtu si në ëndrrën prej gipsi. E kërkon thirravajshëm atë që me duart e veta e ka mbytur. I lutet, kthehu, bëhu ajo që ishe. Por ajo s’mundet. Kurrsesi s’mundet. Minuta të tëra, vite, shekuj, gjersa gjithçka merr krismë. Dhe nga gipsi, shungullueshëm del më në fund emri: Euridike. Dhe dridhja papritur resht. Thua se taksia është shkëputur nga toka. Në të vërtetë ashtu ngjan. Nga hapja e dyerve duket se taksisë i kanë dalë befas krahë. Dhe ashtu, e ndryshuar, rend nëpër qiell. Veç në qoftë se asnjëherë s’ka qenë taksi, por tjetër gjë, por ata s’e kanë vënë re. Tani është vonë. Asgjë më s’ndreqet. Rovena dhe Besfort Y. s’janë më... Anevor... ëtob ëtëk ën ëm ënaj’s Y. trofseB edh anevoR”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 218-219-220)
Çfarë kërkon të na thotë tjetër këtu autori përveçse që vrasja e femrës është në arhetipin shqiptar dhe që edhe një intelektual shqiptar i kalibrit të Besfort Y., është skllav i tij? Kështu del se intelektuali shqiptar, i cili sipas autorit ka pasur impaktin më të madh ndër shqiptarët, sa i përket marrjes së vendimit të NATO-s për bombardimin e Serbisë ka qenë një njeri me mendësi primitive, një sadomazokist, vrasës maniak, me një subkonsh kriminal të trashëguar. Ky njeri, sipas librit, pasi ka bërë krime kundër serbëve, bën dhe krimin e fundit kundër së dashurës së vet. Nuk është për t’ u habitur që Dick Marty deklaroi se Kadare është një ndër shkrimtarët e tij të preferuar. Tek Kadare, Dick Marty gjen atë imazh të shqiptarit, të cilin ai kërkon që ta potencojë në raportet e tij. Heshtja absolute e Ismail Kadare ndaj raportit të Dick Marty, kur nuk mbeti intelektual shqiptar pa u shprehur për të, është shumë kompromentuese për Kadare. Çfarë e ndalonte Ismail Kadarenë që të reagonte ndaj Dick Marty? Kur lexon romanin “Aksidenti” nuk mund të mos i përgjigjesh kësaj pyetjeje se Kadarenë e pengonte pikërisht fakti që kishte shkruar këtë libër, pikërisht ajo marrëveshje e errët që e bëri ta shkruajë këtë libër. Në ç’ locked room mystery e futi veten Kadare kur shkruajti këtë libër? Gjithsesi Dick Marty dhe Ismail Kadare janë anë të së njëjtës medalje. Atij që ka lexuar raportin e Dick Marty dhe më pas lexon këtë libër të Kadare, vetëm sa i potencohet animoziteti ndaj shqiptarëve dhe ndjenja se njeriu shqiptar ka një formim kriminal. Nëse Ismail Kadare ka shkruar një mystery fiction të dështuar, mbetet ende për t’ u sqaruar misteri se përse ai e ka bërë këtë gjë.