Mendime
Luan Myftiu: Manipulatorët
E diele, 23.01.2011, 06:13 PM
MANIPULATORËT
“Ai që jeton me anë të luftës ndaj një armiku, ka interes të ketë gjithnjë armiq në jetë” - F. Níçe
Nga Luan Myftiu
Vetëm politikanët frikacakë kërcënojnë. Ndërkohë që dështakët e pashpresë kalojnë kufijtë e arsyes. Mëkatarët duan shokë, që të zbutin imazhi i tyre të keq. I korruptuari ka frikë edhe nga hija e tij. I pabesi i sheh të gjithë si dinakë. Mëkatarët qetësohen, vetëm kur inkriminojnë shoqërínë. Një i ditur ka thënë se askush nuk mund të jetë aq i pasur, sa të blejë të kaluarën e tij. Ndoshta prandaj nuk pajtohen neobllokmenët me demokracínë. Duke qenë antinjerëzore, utopia komuniste i detyroi njerëzit ta pranonin ferrin e saj si parajsë. Urínë ta duartrokisnin si mirëqenie, kurse ndrydhjen dhe izolimin si lirí. Të gjithë duhej t’i druheshin njëri-tjetrit. Pasiguría për të nesërmen ishte garancia e tiranisë. Hipokrizía u bë moral, kurse servilizmi - nevojë mbijetese. Manipulimi i opinionit ishte detyra parësore e atij regjimi policor. Askush nuk duhej të ndihej i sigurtë. Që tirani të qetësohej, të gjithë duhej të flinin me qefínin te koka.
Diktatura komuniste mbijetoi duke sajuar armiq imagjinarë. Krijimi i tyre ishte detyra e luftës së klasave. “Të gjithë kundër të gjithëve” ishte thelbi i unitetit të popullit rreth partisë. Që të arrihej kjo, duhej institucionalizuar frika. Bashkautorësia në krim, që maskohej në “vijën e masave”, ishte metoda diabolike, me të cilën diktatura ia linte popullit përgjegjësitë për krimet e saj monstruoze. Asnjë nuk duhej të ndihej i pavarur, i sigurtë, i lirë. Njerëzit detyroheshin të survejonin njëri-tjetrin. “Për partinë unë ther edhe dy djemtë e mí!”- betohej një funksionar i lartë i partisë. Por diktatori dyshonte edhe tek besnikëría e tepruar. Spiunimi ishte “sizmografi”, me të cilin partia e rrufjanëve kontrollonte se nga mund t’i vinte rreziku. Hetuesitë komuniste nuk interesoheshin për fajësítë.
Të pandehurve u ishte prerë “fustani” para se të arrestoheshin. Aktakuzat vërtetoheshin me dëshmitarë të rremë. Të gjithë të pafajshmit duhej t’i sajonin vetes krime të paimagjinuara. Edhe të gjitha proceset gjyqësore ishin të manipuluara. Hetuesve komunistë nuk u duhej as dyshimi. Ata e kishin të planifikuar “kuorumin” e të akuzuarve imagjinarë dhe nuk vrisnin mendjen për fakte dhe prova. Pasiguría ishte arma e garantimit të atij pushteti mizor. Kur “kaçatorët” u sillnin hetuesve “fabulën”, që kishin regjistruar nga biseda me një viktimë dhe shpreheshin të mërzitur se anekdota e treguar prej saj nuk tingëllonte armiqësore, xhelatët qeshnin dhe, pasi falënderonin fuksat, i garantonin se me një manipulim të vockël të materialit, do ta bënin atë madjé dhe të gjëmonte si krejt reaksionare. Prandaj hetuesit xhelatë kishin punën më të thjeshtë. Kurse gjyqtarët xhahilë inskenonin nëpër gjyqe ca maskarada propagandistike për të forcuar terrorin dhe për të “justifikuar” forcimin e pandërprerë të luftës së klasave. Por, edhe nëse një i planifikuar për t’u dënuar, vetizolohej totalisht, ai përsërí akuzohej dhe dënohej duke u etiketuar si një “minë me sahat”, që, kështu vetëm maskonte veprimtarinë e tij të hollë armiqësore.
Provokatorët ishin si mizat e dheut. Hetuesit mburreshin se mund t’i nxirrnin viktimës si dëshmitarë edhe gjysmën e qytetit. Askush nuk interesohej se ku shkonte kështu shoqëría. Si do të ndërtohej me spiunë ai “ideal”, për të cilin u martirizuan më kot aq shumë njerëz të ndershëm. Se, sa më i pafajshëm të ishte një i pandehur, aq më i rrezikshëm vlerësohej ai nga organet e vigjilencës “revolucionare”. Ç’shoqërí ishte ajo, ku secili ndihej jo vetëm i pasigurtë, por edhe fajtor për jetën e atyre, që do të përndiqeshin për shkak të dënimit të tij pa faj ? Parimi i drejtësisë komuniste ishte që për një fajtor (imagjinar) mund të sakrifikoheshin haptas edhe dhjetëra të pafajshëm. “Investigimi” pervers komunist ishte një tmerr aq i pafund, saqë shumë njerëz nisën të ngushëllonin nëpër vdekje të parakohshme: ”Shyqyr që shpëtoi!”. Kurse diktatura për të torturuarin prej saj, që vetëvritej, thosh e kënaqur: “Një armik më pak!”. Dhe shtirej pastaj sikur përpiqej t’i riedukonte viktimat në kampet e saj të riedukimit (d.m.th. të vdekjes).
Ai realitet manipulimi dhe përndjekjeje permanente të pafajshmish; ai investigim pervers dhe gati po ato akuza të manipuluara po shfaqen edhe sot në demokrací. Veçse tashmë, jo për të garantuar diktaturën, por për ta rivendosur atë në forma “moderne” duke damkosur demokracinë. Ndaj, gjithë ata që kanë provuar në shpinë cinizmin e përndjekjes komuniste, nuk ka si të mos i kuptojnë sot gjithë tentativat e neobllokmenëve për të krijuar një atmosferë mosbesimi dhe një psikozë dyshimi imagjinar mbi këdo, që nuk pranon të mbetet peng i planeve të tyre mafioze.
Sa mijëra njerëz vuajnë edhe sot pasojat tragjike të metodave banditeske të përndjekjes, që u bëri diktatura! “Ideali” i kësaj hiéne ishte dhuna. Kurse ai i demokracisë është dashuría njerëzore. Se demokracia nuk ngre kurthe, nuk hakmerret për interesa meskine; nuk shtrembëron fakte dhe nuk manipulon akuza. Kurrë nuk synon demokracia të sajojë armiq. Përkundrazi! Kundërshtari politik trajtohet si armik vetëm nga ithtarët e diktaturës, nga bijtë e bllokmenëve, nga antishqiptarë të betuar! Nuk është në frymën e demokracisë maskarallëku që të bëjë fajtore shoqërínë për të realizuar ambiciet meskine për pushtet me dhunë! Kurrë nuk i fsheh demokracia synimet për të mirën e vendit prapa dinakëríve të gjoja lirísë së popullit për të marrë fatet e veta në dorë! Vetëm ata që ia kanë me híle, e nxisin këtë të fundit t’u nxjerrë gështenjat nga zjarri mafiozëve, d.m.th. për të marrë pushtetin me dhunë!..