E diele, 04.05.2025, 09:00 AM (GMT+1)

Mendime

Murat Gecaj: Kushtrim për paqë, mirëkuptim e vëllazërim!

E diele, 23.01.2011, 08:58 PM


KUSHTRIM PËR PAQË, MIRËKUPTIM E VËLLAZËRIM!

-Drejtuar gjithë bashkatdhëtarëve, në Shqipëri-

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

 

Do të dëshiroja që këtë Kushtrim e këtë Thirrje t’ua drejtoja të gjithë shqiptarëve, motrave e vëllezërve, nënave e baballarëve, të rinjëve e të reja, veteranëve të luftës e të punës, inteletualëve atdhetarë, politikanëve gjakftoftë, të gjithë banorëve në Atdheun e dashur, me emrin aq kuptimplotë Shqipëri.

Nuk dua as që kam mundësi këtu të përmend udhën e gjatë e të vështirë, që ka kaluar populli ynë gjatë historisë së tij shumëshekullore, me sakrifica të panumërta, me luftëra e fitore për mbijetesë, për liri, pavarësi e përparim; me ëndrra, shpresa e zhgënjime, me  mijëra e mijëra të vrarë-dëshmorë të lirisë kombëtare-në mbrojtje të trojeve amtare.

Kur e kujtojmë të kaluarën tonë, ne krenohemi për traditat e çmuara që kemi, me shpirtin liridashës e paqësor, me ndjenjat e larta të miqësisë e vëllazërimit, me besën, mikpritjen, trimërinë e çdo gjë të mirë, që ka një popull i qytetëruar.

Por populli ynë, për fat të keq, në të kaluarën përjetoi edhe rregjime  shtypëse e shfrytëzuese, provoi dhe diktaturën e egër komuniste. Megjithatë, mbiejtoi dhe me përpjekjet e tij mbinjerëzore, pas vitit 1990 hyri në udhën e lirisë e demokracisë, nisi ngjitjen drejt majave të një shteti të përparuar europian. Prandaj Bashkësia Europiane dhe mikja e madhe SHBA, na vlerësuan e na çmuan, duke e bërë Shqipërinë shtet anëtar të NATO-s e na dhanë të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza dhe presim të na ftojnë për në gjirin e tyre, shtet i barabartë me ta.

Por, duke ecur në këtë udhë të drejtë e të shumëpritur, paparitmas, karvani ynë demokratik sikur u ndal e frenuam në ecjen tonë përpara. Siç e përjetuam të gjithë, kjo ndodhi pikërisht padje, më 21 janar 2011, në Sheshin me emrin aq kuptimplotë “Dëshmorët e Kombit”, i cili u përgjak pa asnjë shkak, ku një manifestim i paralajmëruar u kthye në dhunë të pashembullt! E, kështu, dolëm “lakuriq” para botës së qytetëruar, si një vend e popull i paqytetëruar, që nuk i vlerësojmë lirinë e demokracinë, që i fituam vetë, por pranojmë anarshinë dhe mungesën e sigurisë për jetën.

Gjithëkush, me mendje të ftoftë, ndër ta dhe miq e dashamirë të Atdheut tonë, pyesin: Vallë, çfarë ndodhi kështu, në Tiranë, cilët janë fajtorët e çfarë po kërkohet me dhunë e gjakderdhje? Përgjigja mund të ishte vetëm kjo: Disa koka të nxehta politikanësh, që janë gati ta hedhin në zjarr popullin e tyre, nxisin e udhëheqin trazira antidemokratike, të cilat pastaj i lenë në mes të udhës dhe njerëzit e pafajshëm bëhen viktima të tyre.

Këto dy ditë kam dëgjuar sa e sa deklarata në konferenca shtypi të politikanëve të ndryshëm në Shqipëri, ndër ta dhe nga Bashkimi Europian e SHBA. Ato i bashkon një shqetësim i natyrshëm për gjendjen e jashtëzakonshme, që është krijuar krejtësisht artificialisht, vetëm e vetëm se dikush do të marrë pushtetin e popullit me dhunë dhe të tjerët nuk e japin atë e përdorin mjete dhune. Pavarësisht nga retorika që përdoret, një gjë është e saktë: Populli shqiptar nuk i meriton mjaft nga politikanët aktualë dhe se shpreson që një ditë do të sjellë të tjerë në pushtet, me votën e lirë të tij. Ndërsa udha e zgjedhur, për ta marrë pushtetin jo me mjete demokratike, është aventureske dhe shumë e rrezikshme për fatet e popullit e Atdheut tonë.

Pa u zgjatur, dëshiroj dhe shpresoj se gjithë njerëzit e zgjuar, atdhetarë, liridashës e përparimtarë, do t’i drejtohen arsyes dhe do ta ndalin revanshin e disa politikanëve të papërgjegjshëm, të cilat janë gati t’ia venë fakën Shqipërisë, vetëm të arrijnë synimet e tyre, duke ardhur në pushet me udhë e mjete antidemokratrike.

Edhe një herë, në emër të të sotmes dhe të ardhemes së fëmijëve tanë, u bëj thirrje të gjithë njerëzve në Shqipëri, t’i ulin gjakrat, të arsyetojnë me gjakftoftësi dhe ta ruajmë paqen e stabilitetin, t’i kthehemi miqësisë e vëllazërimit me njëri-tjetrin, të merremi vesh në mënyrë të qytetëruar dhe të dëshmojmë para miqëve tanë, në Eropë e në botë, se jemi një popull e një vend, që i meritojmë të tëra cilësitë më të mira të një vendi demokratik europian.

Pra, nga zemra lëshoj Kushtimin e Thirrjen për të gjithë shqiptarët: Për paqë, mirëkuptim e vëllazërim!

 

Tiranë, 23 janar 2011



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx