E shtune, 27.04.2024, 03:50 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: ''Moj nëna Shqipëri më jep nder''

E enjte, 27.01.2011, 08:59 PM


“MOJ  NËNA  SHQIPËRI    JEP  NDER”

 

Nga Fadil LUSHI

 

    Hartuesit dhe njohësit më të mirë të  historisë së politikëbërjes do të thonë pa hamendje se në atë histori askush nuk ka regjistruar as të vetmin shembull kundrejt një figure politike shqiptare që u largua nga politika ashtu triumfalisht, pa naze e çallëm, pavarësisht kontributit të tij. Edhe politikani më i mirë shqiptar i asaj historie, në instancë të fundit do të anashkalohet dhe si i tillë do të kontestohet. Do të kontestohet kontributi i tij vetëm e vetëm pse ishte shqiptar. Ditë më parë disa kasnecë nga Shqipëria dhanë haberin se “demonstruesit” shqiptarë me datë 21 janar, ditën e premtep gjegjësisht pas namazit të xhumasë, shumë keq u përleshën me policinë e popullit dhe me gardën republikane. Asnjë habertar nuk tha se këta “demonstrues të paguar” ishin përleshur me varfërinë e tyre apo edhe me të (pa) vërtetat e politikës ditore. Analistët dhe njohësit e rrethanave politike në Shqipëri do të thonë se demonstratat a protestat e Tiranës ishin “produkt” i politikës djallëzore të Beogradit, Athinës dhe zullumqarëve të tjerë përreth Shqipërisë.., demonstrata  këto që u organizuan mu në vigjilje të 5-vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës. Disa të tjerë, sidomos ata të cilët kanë ose nuk kanë të drejtë të marrin taraf, do të thonë se këto demonstrata kishin mbështetjen e Edvin Ramës, Sabit Brokajt, Skender Gjinushit, avokatit Spartak Ngjela apo edhe të “shovinistëve, marksistëve dhe leninistëve të Enver Hoxhës”!? Kundërshtarët e tjerë do të thonë se në inicimin e këtyre demonstratave ka hise edhe fjalimi i kryeministrit Sali Berisha në parlamentin e të gjithë shqiptarëve, një fjalim që sipas opinionit publik (sidomos ai politik dhe intelektual) i kaloi të gjithë kufijtë e kodit të mirësjelljes, një fjalim që u qëndis me këto fjalë: “..,merrni edhe gratë dhe motrat dhe zhvishni lakuriq këtu..., legenë, larva, bllokqenë, budallenj, kllave droge”!? Hiç më pak nuk ishin të hijshme edhe fjalët denigruese të Arben Çukos-deputetit socialist,  i cili po në hapësirat e parlamentit të Tiranës, pos të tjerash do të thotë: “Të q... robtë”!?.., apo fjalët e një socialisti tjetër i cili do thotë se “jetën seksuale të zëvendëskryeministrit në dorëheqje nuk e shpëton dot as viagra e Silvio Berluskonit”!? Perëndimorët gjegjësisht evropianët, kësaj retorike të politikanëve shqiptarë do t’i thonë se ishte një ekzekutim dhe ndëshkim ekzemplar i privatësisë së qytetarit, në këtë rast të qytetarit shqiptar! Ky fjalor “politik” i politikanëve gjithsesi se nuk e nderon institucionin e ashtuquajtur kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër, deputet, lidership dhe në përgjithësi institucionin e votës deliberative, pavarësisht se a bëhet fjalë për votën e pozitës a të opozitës dhe, në instancë të fundit, nuk e nderon edhe atë pak imazh që i ka ngelur Shqipërisë. Hë, tani, ti lexues i nderuar, kujt do t’i besosh! S’do mend se një fjalor të tillë do ta “xhelozonte” edhe Edmond Tupja, hartuesi i Fjalorit erotik shqip.

    Asnjërit, qoftë ai dhe analisti më neutral i Shqipërisë politike, nuk i ra ndërmend të thotë se po këta “demonstrues po edhe protestues” thjeshtë ishin përleshur me surratin e politikës hileqare dhe ziliqare të Sali Berishës, Edvin Kristaq Ramës, Ilir Metës si dhe me tureçkën e politikanëve të tjerë shqiptarë, të cilët në prapavijë do ta ushqejnë këtë politikëbërje djallëzore!?

     Dhe, po në atë të premte, gjegjësisht pas namazit të xhumasë, në kryeqendrën e shqiptarëve, “demonstruesit dhe protestuesit shqiptarë” duke u përpjekur t’i “zaptojnë” godinat e Parlamentit, do ta ekzekutojnë edhe atë pak din e iman dhe etikë që i kishte ngelur filozofisë së politikëbërjes shqiptare, pavarësisht se bëhej fjalë për politikën e të djathtës, së majtës apo për politikën “as me ju e as me ta”! Ata, do ta ekzekutojnë edhe atë pak trashëgimi politike të Partisë Demokratike, të Partisë Socialiste, po edhe atë të Lidhjes Socialiste për Integrim.

     Po pra, ti mor vëllaçko, atë ditë gjegjësisht pas namazit të xhumasë, “demonstruesit dhe protestuesit” duke u ballafaquar me policinë e popullit dhe me gardën republikane “me apo pa hiri” (siç mëton të thotë Erda, kjo çupëz e mëhallës sonë) do ta ekzekutojnë fjalën e lirë të çdo shqiptari pavarësisht se ku frymon dhe vepron. Ditën e Premte gjegjësisht pas namazit të xhumasë, demonstruesit dhe protestuesit, mëtuan t’i  ekzekutojnë teket dhe huqet e çdo partie politike të Tiranës, ata ditën e xhuma do ta ekzekutojnë edhe atë pak politikë institucionale shqiptare, atë politikë të çapëluar që kur ballafaqohet me “probleme të brendshme”, nuk heziton të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve respektivisht “sehirxhinjve”, një politikë e cila në vend që të trokasë në dyert e Autoritetit të Vatanit (presidentit të sajdisur, zotit Bamir Topi, të cilit dita ditës i ngushtohet hapësira e veprimit politik), do të trokasë në dyert e ambasadave në Tiranë për ndihmë a për çështje më banale, qoftë edhe për një ekspertizë të një “videokasete me përmbajtje korruptive apo edhe një videokasete me përmbajtje erotike!?

     Po pra, ti mor vëllaçko, ditën pas namazit të xhumasë, do të ekzekutohet një politikëbërje e ndërtuar nga “ustallarët dhe çirakët e makiavelizmit shqiptar”!?? Po atë ditë, pas namazit të xhumasë, do të ekzekutohet edhe ai pak imazh që u ka ngelur shqiptarëve (kësaj radhe) të Shqipërisë politike. Ekzekutor i kësaj politikëbërje do të jetë vetë politika aktuale shqiptare, toptan me lidershipët e saj. U ekzekutua një politikëbërje në kryeminderin e së cilës tradicionalisht ka pasur vend vetëm për të “parin shqiptar”. Po atë ditë, do të ekzekutohet një biçim politikëbërje krahinash a principatash shqiptare, u ekzekutua institucioni i komunikimit politik ndërmjet partive politike, një komunikim politik që mezi gjeneron në stadin më të ulët të saj.

     Po pra, lexues të nderuar, atë ditë u ekzekutua edhe ajo pak liri e së drejtës së intelektualëve gjegjësisht pedagogëve universitarë, liria për të marrë taraf!? Dhe duke e përfunduar këtë paragraf të këtij shkrimi që për “mbiemër” ka nocionin “ekzekutim”-i, mua do të më duhet të ndërtoj një tjetër paragraf që llafos çështjen e prapavijës së katër viktimave, ose siç dëshirojnë t’i identifikojnë disa politikanë “dëshmorë të kombit”..., si njerëz të paguar dhe si... Toptan politikanët do të thonë ”jepni jetën për mua dhe për vatanin që unë të zaptoj karrigen e pushtetit.” Ato viktima, ju mund t’i quani si të doni, nuk dhanë jetën e tyre as për vatan e as për politikë institucionale, nuk dhanë jetën as për karrige e as për “namuz” thjeshtë ashtu shqiptarçe, atyre ua morën jetën politikanët e mynxyrosur, qofshin ata në pozitë a në opozitë. Atë ditë, demonstruesit mëtuan ta ekzekutojnë kështjellën e fjalës së rreme, atë kështjellën e akuzave dhe trillimeve ndërpartiake.

     Po pra, politikanët ua morën jetën njerëzve që jetonin mes njerëzve të dëshpëruar. Dhe këtë paragraf që dua ta ndërtoj, dhëntë zoti të jem fund e krye i gabuar. Bëhet fjalë për një mal akuzash që erdhën si nga e djathta po ashtu edhe nga e majta.

      Realisht dhe logjikisht Shqipëria politike, nuk mund të destabilizohet nga një demonstratë e protestë apo edhe me 100 të tjera, qofshin ato të organizuara nga ana e Sali Berishës dhe Edvin Kristaq Ramës. Shqipëria mund të tronditet dhe  të destabilizohet vetëm me ndasitë që mund të bëhen në aspektin territorial, respektivisht mes shqiptarëve të veriut dhe të jugut. Po ky mendim mund të ushqejë një skenar tejet të rrezikshëm për integritetin territorial të Shqipërisë. Po pra, ti mor vëllaçko, kështu si venë punët dhe kështu siç perceptohet kjo mesele, të krijon përshtypjen se në Shqipërinë e stërgjyshërve tanë, këtej kufirit.., e vërteta, mirësjellja politike, hetuesia, gjyqësia, përgjegjësia dhe syri kritik ndaj lidershipëve, toptan janë në aut. Nëse dikujt nata i sjell këshilla, lidershipëve të Shqipërisë u sjell andralla. Se ç’do të ndodhë ditën e premte dhe ditën e shtunë në Tiranë, unë nuk e di. Unë e di se shqiptarët e konfesionit mysliman do të falin namazin e xhumasë në xhaminë e Et’hem Beut dhe në atë të “Tabakëve” në Tiranë, ndërkaq ata të konfesionit katolik dhe ortodoks gjatë ditëve të fundjavës do t’i vizitojnë kishat e Shën Palit dhe Shën Prokopit, për të nderuar kryqin..., bektashinjtë do të vizitojnë Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Të rinjtë shqiptarë do të vizitojnë institucionet arsimore, kulturore..., gjithsesi jo institucionet politike. Tekefundit, është njerëzore, njerëzit të dyshojnë në politikën aktuale, nga njëra anë, dhe t’i besojnë Zotit i cili nuk ka ortak, nga ana tjetër. Qofsha i gabuar!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora